OpEd

Mbi historinë postimperiale të shqiptarëve

Si lindi çështja e Kosovës? Pak osmanë, pak europianë – si jetonin të pushtetshmit në kohën e Mbretit Zog? Sa shqiptarë të Kosovës u vranë pas vitit 1918? Cili qe dallimi mes shqiptarëve lindorë dhe atyre të Adriatikut? - Disa detaje nga libri më i ri i historianit Oliver Jens Schmitt: “Ballkani në shekullin e 20-të. Një histori postimeriale”.

1. Lëvizja e kufijve

Austro-Hungaria deshi t’ia bashkojë shtetit shqiptar edhe pjesën perëndimore të Kosovës, të banuar gati tërësisht me shqiptarë (Prizrenin, Pejën dhe Gjakovën) si dhe Dibrën dhe Ohrin. Por, në negociatat e gjata mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë kufiri shqiptar lëvizi gjithnjë e më shumë nga perëndimi. Në fund gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë shtetit të sapo shpallur shqiptar, dhe kjo është njëra nga hipotekat më të mëdha të historisë së Ballkanit në shekullin e 20-të. Me kufijtë e tërhequr nën ndikimin e Rusisë dhe me përkrahjen e Francës nga prapaskena, e cila ishte aleate e Rusisë, lindi çështja e Kosovës.

2. Shoqëria postosmane

Zogu e shndërroi Shqipërinë kujdesshëm në shoqëri postosmane. Ata që ishin vërtet të pushtetshëm në vend, pra familjet sunite të bejlerëve në Shqipërinë e mesme dhe jugore (Vërlaci, Toptani, Libohova, Vlora), kultivonin një stil jete, i cili reflektonte periudhën transitore postimperiale. Ambasadorit të republikës së re turke, për shembull, Shefqet bej Vërlaci (1877-1946) i dukej si osman i shkollës së vjetër, i cili i mban gratë e tij të mbyllura në harem. Por Vërlacit i pëlqente po ashtu të jetonte në Itali, me të cilën bashkëpunoi ngushtë politikisht; ai vdiq në ekzil zviceran në Zürich. Eqrem bej Vlora (1885-1964), i cili ka lënë kujtime mbresëlënëse në gjuhën gjermane, veproi po ashtu në një fushë të tensionuar të kulturës shqiptare, osmane dhe europianoperëndimore. Xhaxhai i tij ishte kryevezir osman, ndërsa Eqremi i takonte grupit të bejlerëve konservatorë, simpatizoi fashizmin italian dhe në Luftën e Dytë ishte ministër për Kosovën që i ishte bashkuar Shqipërisë. Eqrem bej Vlora martoi një shqiptare të një familjeje aristokrate sunite, por mbajti një lidhje intelektualisht të rëndësishme me baroneshën bavareze Marie Amelie von Godin (1882-1962), e cila u shqua si shkrimtare dhe aktiviste për të drejtat e grave. Një stil postosman të jetës kultivonin edhe dinjitarët e krishterë si udhëheqësi i rajonit katolik malor, Prenk Bib Doda (1860-1919).

3. Rezistenca e kaçakëve

Pas vitit 1918 në jug të Mbretërisë serbe, kroate e sllovene shpërthyen sërish konfliktet e vjetra. Maqedonia e Vardarit, e cila ishte dukshëm e përzier etnikisht, si dhe Kosova me shumicën e saj shqiptare prej 68 për qind u ripushtuan në fund të vitit 1918 nga ushtria serbe. Deri në vitin 1924, pjesërisht deri më 1927, kaçakët shqiptarë (gjithsejtë 10 mijë) luftuan kundër administratës serbe, e cila rekrutoi paramilitarë nga popullsia serbe dhe në mënyrë masive deportoi gra e fëmijë shqiptarë. Beogradi nuk kërkoi zgjidhje politike, por ushtarake: 22 mijë të burgosur, 12’400 të vdekur dhe gjithsejtë 6000 shtëpi të shkatërruara përbëjnë bilancin e konfliktit etnik që i ngjan një lufte civile.

4. Të qenmit shqiptar

Nga vitit 1896 Perandoria Austrohungareze ndoqi projektin e konstituimit të kombit shqiptar me qëllim që të pengojë dominimin serb në rast të shpërbërjes së Perandorisë Osmane në Adriatikun jugor, i cili ishte një urë lidhëse e tregtisë së jashtme austriake me Triestën si port kryesor. Sidomos në lindje të trojeve të banuara me shqiptarë nuk ishte aq e ngulitur ideja nacionale shqiptare e aktivistëve të diasporës. Të qenmit shqiptar atje definohej përmes përkatësisë islamike, privilegjit të armëmbajtjes, të drejtës zakonore shqiptare dhe gjuhës shqipe, pra ishte dukshëm më pak i theksuar se sa te shqiptarët myslimanë dhe të krishterë të Shqipërisë adriatike. Qendra e pushtetit gjendej në lindje te shqiptarët sunitë, të cilët mes viteve 1909 dhe 1912 ndërmorën disa kryengritje kundër regjimit të xhonturqve, kryesisht me qëllim armiqësor ndaj reformave. Qëllimi i kryengritësve ishte vetëadministrimi, ruajtja e sheriatit dhe e të drejtës zakonore shqiptare, ata nuk donin të paguanin tatime, nuk duronin zyrtarë të huaj dhe nuk dëshironin të dërgonin rekrutë në krahinat arabe të Perandorisë.

(Titulli në origjinal: Oliver Jens Schmitt. Der Balkan im 20. Jahrhundert. Eine postimperiale Geschichte. Botoi: Kohlhammer. 336 faqe). Nga gjermanishtja: Enver Robelli