Mosnjohja e rëndësisë së momentumit politik të liberalizimit të vizave në vitin 2016 i ka kushtuar Kosovës me prestigj ndërkombëtar, ndërsa qytetarëve të saj me izolim të panevojshëm tetëvjeçar. Zhvillimet e vitit 2016 ishin ekzemplar më i mirë i miopisë strategjike të klasës politike të vendit. Sot në vitin 2024 rrezikojmë reprizën e vitit 2016 dhe një dështim tjetër strategjik
Ndonëse e hëna që lamë mbrapa nesh ishte ditë pushimi, ajo ishte me gjasë dita më intensive e punës e vitit për kryeministrin Kurti. Në zyrën e tij zbarkuan ambasadorët e QUINT-it, vizita e të cilëve në ditë pushimi ishte tregues i rëndësisë dhe urgjencës së takimit.
Pas kalimit në Asamblenë Parlamentare çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ka hyrë në fazën e saj vendimtare – atë të votimit në Komitetin e Ministrave, i cili do të mbahet javën tjetër. Në kuptimin politik, anëtarësimi i Kosovës në Këshilli të Evropës do të ishte hapërim më i madh ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë. Ndërsa në kuptimin praktik anëtarësimi do të vendoste qytetarët e Kosovës në piedestalin e drejtësisë evropiane duke iu garantuar kështu mbrojtjen më të lartë të të drejtave tyre politike, ekonomike dhe sociale. Anëtarësimi po ashtu do të kishte një anë të rëndësishme gjeopolitike, pasi që në thelb do të minonte analogjitë e Putinit për shfrytëzimin e rastit të Kosovës në rastet e provincave ukrainase. Kësisoj Kosova përsëri ka gjetur veten në rolin e pionit në tabelën gjeopolitike të shahut.
Por duke iu kthyer dinamikave tona lokale këtu në Prishtinë, siç duket procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës ka filluar t’i sjellë kokëçarje kryeministrit Kurti. Atë që kemi ditur privatisht, tani e dimë edhe publikisht. Në mënyrë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës nga ajo po kërkohet progres i ndjeshëm në kuadër të ngritjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Atë që SHBA-ja dhe shtetet e ndryshme evropiane kanë thënë individualisht, tani QUINT-i po e kërkon kolektivisht. Pasi që nga votimi në Komitetin e Ministrave na ndajnë edhe pak a shumë dy javë, të gjithë motorët diplomatikë janë ndezur për të bindur Kurtin që të lëvizë drejt ngritjes së Asociacionit.
Dhe siç duket, së paku tani për tani, Kurti ka ngelur i paimpresionuar nga takimi i së hënës me QUINT-in. Në fakt, në komunikatën për shtyp pas takimit ai jo vetëm që kishte bërë të qartë se nuk e ka në mend të lëvizë drejt ngritjes së Asociacionit, por në fakt shkoi edhe një hap më larg duke bërë një paralajmërim se dështimi eventual i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të ketë pasoja “të pariparueshme” në procesin e dialogut. Me fjalë të tjera, Kurti ka bërë të qartë se nuk mund të llogarisin në konstruktivitetin e tij në dialog në rast të dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Kësisoj, kryeministri Kurti ka hyrë në një lojë jo pak të rrezikshme. Përdorimi i terminologjisë “dëm i pariparueshëm” është standard shumë i lartë diplomatik. Është de fakto kërcënim politik. Një lloj HIMARS politik, po deshët. Sikur në skenën e famshme të ruletit rus te filmi “Gjuetari i Drerëve”, Kurti ka hyrë në rolin e Robert de Niros – i gatshëm të luajë në krejt apo asgjë. Por jeta nuk është film. Jo çdo gjë ka fund të bukur. Në fakt, shumica e gjërave në jetë nuk kanë fund të bukur. Kjo është edhe arsyeja përse në ato momente të rralla, kur jeta të ofron mundësinë që të kesh një fund të bukur, është tejet me rëndësi të jesh syhapur dhe ta njohësh atë moment.
Insistimi i Kurtit në status-quo dhe moslëvizje drejt Asociacionit do të jetë reprizë e humbjes së momentumit të liberalizimit të vizave 2016. Në vitin 2016 kemi humbur rastin më të mirë të liberalizimit të vizave ne emër të kauzës së demarkacionit me Malin e Zi. Në fund i humbëm edhe demarkacionin, edhe liberalizimin e vizave. Mosnjohja e rëndësisë së momentumit politik të liberalizimit të vizave në vitin 2016 i ka kushtuar Kosovës me prestigj ndërkombëtar, ndërsa qytetarëve të saj me izolim të panevojshëm tetëvjeçar. Zhvillimet e vitit 2016 ishin ekzemplar më i mirë i miopisë strategjike të klasës politike të vendit. Sot në vitin 2024 rrezikojmë reprizën e vitit 2016 dhe një dështim tjetër strategjik.
Unë e kuptoj se çështja e Asociacionit është një çështje e ndjeshme politike për kryeministrin Kurti. E kuptoj se Kurti e shikon Asociacionin çdoherë nga dy optika të ndryshme. Një thelbësore dhe një politike. Në kuptimin thelbësor patjetër se Kurti ka brengat legjitime për kërcënimin, të cilin Asociacioni mund të përbëjë për sovranitetin e vendit. Ndërsa në kuptimin politik kuptoj se Kurti asnjëherë nuk dëshiron që këmisha e tij e bardhë dhe e pastër politike të përlyhet nga ngritja e “Zajednicës”. Kjo është edhe arsyeja përse e shohim këtë hedhje publike të patates së nxehtë në mes të kryeministrit dhe presidentes. Sidoqoftë, për çdo lider vjen koha kur duhet të bëjë atë që është mirë për vendin, jo atë që është mirë për veten. Ky është testi i vërtetë i lidershipit. Çfarë dua të them është se kryeministri Kurti është i mallkuar me një bekim. Ai është person më i votuar në historinë e Kosovës dhe i veshur me legjitimitetin e paprecedentë demokratik. Jo presidentja, por ai. Jo kryetari i Kuvendit, por ai. Jo partitë politike, por ai. Dhe rrjedhimisht, siç shkon ajo thënia e vjetër, “me pushtet të madh vijnë përgjegjësitë e mëdha”. Prandaj, përderisa kryeministri Kurti duhet të vazhdojë betejën tonë për t’u siguruar se ngritja e Asociacionit nuk do të rrezikojë asnjëherë sovranitetin e vendit, ai duhet të gjejë një zgjidhje elegante e cila do të siguroj se javën tjetër Kosova do të festojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Unë kuptoj se kjo nuk është lehtë, por ky është fati i tij. Ky është mallkimi i bekimit të tij. Dështimi për të parë këtë fat që të shikon në sy do të ishte më të vërtetë “dëm i pariparueshëm”.