Lumi Drava në Vukovar, Sllavonia anëtare e BE-së, Berni kryeqytet i Suedisë dhe presidenti i Meksikës buzë lumit Nil në Egjipt
Arti i ngatërrimit është kur një gjë e merr për një tjetër. Kështu disi. Për shembull kur e ngatërron Slloveninë me Sllovakinë dhe kur beson se Sllavonia është shtet anëtar i BE-së. Kjo e fundit është një trevë e Kroacisë në kufi me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Hungarinë. Atje gjendet edhe qyteti dikur me arkitekturë baroke i Vukovarit, nëpër të cilin kalon Drava, një lumë i famshëm, që buron në Tirolin jugor italian.
Jo larg Vukovarit, në anën tjetër të kufirit, në Zenicë të Bosnjë-Hercegovinës, vite më parë Bosnja luajti futboll kundër Ukrainës. Me atë rast një përkrahës i Ukrainës e vendosi një flamur rus në gardhin që rrethonte fushën e futbollit. Për ta përqeshur Vladimir Putinin, ukrainasi e shpalosi flamurin rus mbrapsht. Këtu dhe kështu nisi një bela e madhe. Kur e kthen prapthi flamurin rus (bardhë-kaltër-kuq), ai duket si flamur serb (kuq-kaltër-bardhë). Nga ky gjest u ndien të fyer patriotët boshnjakë, ata besonin se ukrainasi i kishte provokuar qëllimisht me bajrakun serb. Pastaj ndodhi çfarë bën vaki në situata të tilla: fansat e futbollit të të dy ekipeve nacionale iu vërsulën njëri-tjetrit me grushte dhe mjete të tjera të forta. Një rrahje patriotike!
Në fillim të këtij muaji Donald Trump mbajti një fjalim para përkrahësve të tij. Një punë që ai e bën gati çdo ditë. Njeriu dëshiron të bëhet sërish president i superfuqisë kryesore perëndimore, andaj duhet të flasë me popullin orë e çast. Trumpi tha: “Putini ka aq pak respekt për Obamën, saqë po ia përmend armët bërthamore. Mirë e dëgjuat. Armët bërthamore”. Obama nuk është më president, Trumpi në mendje e kishte Joe Bidenin, presidentin aktual.
Edhe Bideni është kampion i ngatërrimeve. Në fillim të shkurtit ai e ngatërroi Emmanuel Macronin me “Miterrandin e Gjermanisë”. Macron është president i Francës, François Mitterrand ka qenë njëri nga paraardhësit e tij në Pallatin Élysée në Paris dhe jo president i Gjermanisë. Trumpi e ka ngatërruar ambasadoren e tij në OKB Nikki Haley, e cila ishte rivale e tij në garën e Partisë Republikane për kandidat për president të SHBA-së me Nancy Pelosi, një politikane prominente e Partisë Demokratike të SHBA-së. Haley reagoi me humor pas këtij ngatërrimi duke e vënë në dyshim “fitnesin mendor” të Trumpit.
“Presidenti i Meksikës, al-Sisi…” - kështu e nisi një fjali Joe Bideni sivjet, ndërsa po fliste për gjendjen në Gazë dhe për presidentin e Egjiptit, i cili quhet Abdelfatah al-Sisi. Në Egjipt ngatërrimin nuk e kuptuan si ngatërrim, sepse al-Sisi ngaherë quhet “meksikani”. Para dy vjetësh një djalë nga Egjipti protestoi përmes një videoje kundër çmimeve të larta të artikujve ushqimorë dhe i bëri thirrje presidentit të ndërmarrë diçka. Protestuesi i emocionuar në vend se të thotë Sisi tha Meksiki. Nga atëherë al-Sisit i mbeti nofka - meksikani.
Ngatërrimi më klasik është ky: “Sweden” dhe “Switzerland”. Suedia shpesh ngatërrohet me Zvicrën. Ose e kundërta. I ndodhi ky qeder, këto ditë, edhe ministrit të Jashtëm amerikan, Antony Blinken: në një hartë që Departamenti i Shtetit e postoi në internet, aty ku gjeografikisht është Zvicra shkruante “Sweden”.
Dihet se Suedia është e njohur për prodhimin e orëve, djathit dhe çokollatave, ndërsa zdrukthëtarët zviceranë gdhendin mobilie të bukura dhe shumë praktike të markës “Ikea”. Edhe Joe Bideni së fundi tha se NATO është duke zhvilluar negociata për anëtarësimin e Zvicrës (Switzerland!). Në fakt bëhej fjalë për Suedinë, por kush merret me cikërrima të tilla, kur e vërteta është kjo: themeluesi i “Ikeas”, Ingvar Kamprad, u shpërngul më 1974 në Zvicër; tek më 2013, pasi i vdiq bashkëshortja, ai u kthye në Suedi, kryeqytet i së cilës është Berni.
Tre djemtë e Ingvar Kampradit, Jonas, Peter dhe Mathias, të cilët janë pronarë të “Ikeas”, hyjnë në mesin e njerëzve më të pasur të Zvicrës. Vite më parë ishin më të pasurit, fare në krye të listës, me 50 miliardë franga, por ndërkohë një pjesë të madhe të miliardave ia kanë transferuar një fondacioni, andaj tani një revistë zvicerane supozon se ata disponojnë me 13 deri 14 miliardë franga. Mjaftojnë për të bërë një jetë pa gajle të mëdha.
Sa u përket ngatërrimeve: kryediplomati amerikan Blinken nuk duhet të bëhet merak. CNN e pati ngatërruar dikur Poloninë me Zvicrën. Si guvernator i Teksasit, George W. Bush i pati thënë një gazetari nga Sllovakia: “Gjithçka që di për Sllovakinë e kam mësuar nga dora e parë prej ministrit tuaj të jashtëm”.
Në vitin e largët 2002 revista gjermane “Der Spiegel” njoftoi se Bushi nuk e kishte takuar ministrin e Jashtëm sllovak, por e kishte pritur kryeministrin e Sllovenisë, Janek Dërnovshek. Janek? Emri i vërtetë: Janez! Si çdo i dyti slloven. Pardon, sllovak. (“Der Spiegel” shkroi për një ngatërrim dhe shkroi gabimisht emrin e shefit të qeverisë sllovene). Edhe në lajmet e RTK-së në orën 19:30 herë thuhet Iran, herë Irak. Cili është dallimi? Të kthehemi te Drava e Vukovarit. Drava? Ah, jo, të kthehemi te Danubi, sepse Danubi kalon nëpër Vukovar, jo Drava. Pas Vollgës, Danubi është lumi më i gjatë në Evropë. Në 2850 kilometra ai lidh dhjetë vende me kultura të ndryshme, përfshirë atë gjermane, hungareze, sllave dhe rumune. Danubi derdhet në Adriatik dhe Burgasi gjendet afër Durrësit. Po Vrana, ku është Varna? Pranë Detit të Zi, nuk ka dilemë, e ka thënë qartë dhe përjetshëm Nazim Hikmeti në poezinë e tij “Tryezë”, me të cilën po e përmbyllim këtë tekst (në toskërisht):
Në Varnë u pata tranue,
pata luejt krejt.
Në tryezë domate, speca jeshil,
shojzë e fërgueme,
në radio “Hej djem!”, ajri i Detit të Zi,
gota me raki, përzie me ujë si tambël, anason,
ah, aromë anasoni!
Gjuha ime e shpengueme si në mes vllaznish, shokësh…
Mirë po bahet, oh, mirë po bahet për mue…
Në Varnë u pata tranue,
pata luejt krejt.