Synimi për të ndryshuar status quonë në vetvete nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, ky synim nuk mund të arrihet pa shkathtësinë e njëkohshme të navigimit të kompleksitetit të politikës ndërkombëtare dhe pa i mbajtur pas vetes miqtë ndërkombëtarë. Sepse, Kosova, ka nevojë për miq dhe përkrahës ndërkombëtarë, po aq sa pat nevojë për ta në vitin 1999. Për të gjithë ata me prirje për të harruar të kaluarën dhe rolin e miqve tanë ndërkombëtarë: Urime 25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë!
Fillimi i serisë së kolumneve javore, të cilat do t’i shkruaj një herë në javë për Kohë, koincidojnë me 25-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, me në krye SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Francën dhe vendet e tjera që vazhdojnë të jenë mike të Kosovës. Kjo datë, mbase nuk do të mbetet e harruar nga gjeneratat e reja të Kosovës, sepse, në Kosovë, zakonisht, historia fillon me gjeneratën e cila vjen në pushtet. Kështu, historia e Kosovës gjatë 45 vjetëve të jetesës së saj në ish-Jugosllavinë socialiste u harrua nga ata që e fituan pushtetin moral ndër shqiptarët e Kosovës në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Kjo histori, me gjithë zhvillimet e rëndësishme, qoftë negative, qoftë pozitive, politike, sociale e ekonomike, vazhdon të mos përmendet fare, e lëre më të bëhen studime serioze për çështje të ndryshme që e karakterizojnë këtë periudhë.
Njëlloj, pas përfundimit të luftës, ekzistonte tendenca e fortë e ish-krahut të luftës që të mohojë çfarëdo që ishte e lidhur me rezistencën paqësore të viteve të nëntëdhjeta. Historia e Kosovës fillonte me lindjen e UÇK-së dhe me fillimin e luftës çlirimtare. U nevojit kohë derisa këta dy krahë të politikës kosovare të pajtoheshin se që të dyja kishin meritat e njëllojta për çlirimin e Kosovës. Kjo çoi deri te shpallja e përbashkët e pavarësisë nga krahu i luftës dhe krahu i paqes, që ishte një akt më shumë sesa simbolik. Ky ishte një akt i pajtimit përfundimtar i atyre që në atë kohë konsideroheshin fraksione të kundërta të politikës kosovare.
Në vitin 2021, u bënë ndryshime rrënjësore në udhëheqjen politike të Kosovës, me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, pas një zhgënjimit të madh popullor me forcat politike të cilat e mbajtën, të shumtën e kohës, pushtetin bashkërisht në Kosovë. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në diskursin e tij opozitar, fliste për nevojën e krijimit të një Republike të tretë (të cilën e kisha paralajmëruar unë me po atë emër në një shkrim në Kohën Ditore, në vitin 2010), në të cilën do të ndodhnin ndryshime rrënjësore nga ajo se si udhëhiqej deri atëherë republika e shpallur në vitin 2008.
Mirëpo, t’i kthehemi temës së fillimit të këtij shkrimi: Sa janë të vlefshme zhvillimet politike dhe të tjera në Kosovë para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet? A do të vazhdojë të sillet Vetëvendosja me të kaluarën sikurse paraardhësit e saj? A do të fillojë historia e Kosovës me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, duke e ngjyrosur të kaluarën me negativitet?
Deri më tani, diskursi politik i Vetëvendosjes lidhur me të kaluarën ka qenë që gjithçka lidhur me të kaluarën është e zezë, kurse çka do që ka bërë Vetëvendosja pas ardhjes në pushtet ka qenë që të merret me dëmet e shkaktuara në të kaluarën.
Përderisa ka shumë të vërteta në këtë që thotë Vetëvendosja, duke filluar nga marrëveshjet e këqija me Serbinë të arritura gjatë viteve 2013-2015, nga të cilat, mendoj se gabimi më i madh ishte legjitimimi i një force politike serbe, Listës Serbe, e cila në vend se të përfaqësojë serbët e Kosovës, përfaqëson koalicionin qeverisës ultranacionalist në Beograd - pra është një déjà vu - kopje e koalicionit Povratak të viti 2001, të cilin e pat negociuar UNMIK-u me Beogradin. Kjo i ka privuar forcat politike dhe individët serbë në Kosovë që të promovohen si elita organike të serbëve të Kosovës që i përfaqësojnë interesat jetike të serbëve kosovarë. Në vend të kësaj, Kosova ka fituar një forcë ekstreme, e cila e përfaqëson politikën e etno-nacionalistëve në Beograd, kurse serbët e Kosovës kanë mbetur të privuar nga krijimi i një udhëheqjeje të tyre autonome nga politikat e Beogradit.
Një çështje tjetër me të cilën Vetëvendosjes i ka rënë hise të merret është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Përderisa si i tillë është i paraparë në Pakon e Ahtisarit, në bazë të së cilës Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbështetjen e koordinuar ndërkombëtare, pikë neuralgjike e Asociacionit janë kompetencat e tij. Kryeministri nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka zgjedhur që të mos merret me këtë çështje fare. Të paktën jo deri më tani.
Ky injorim i çështjes së Asociacionit madje ka shkuar aq larg saqë Qeveria e Kosovës ka lejuar që një grup menaxhues, i dominuar nga piunët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të hartojnë një draftstatut, në të cilin parashihet që Asociacioni të ketë kompetenca të mëdha ekzekutive. Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të lejonte që ky draft as të paraqitet në tavolinë dhe është dashur që draftstatutin për Asociacionin ta bëjë vetë. Në ndërkohë, pas hedhjes poshtë të draftit serb të Asociacionit, me të cilin Vuçiqi e kishte shkelur Kosovën në iniciativë, erdhi draftstatuti i propozuar nga Bashkimi Evropian. Përsëri, nuk pat asnjë propozim nga pala kosovare, e cila as nuk e refuzon, e as nuk e pranon draftstatutin e Bashkimit Evropian. Sipas kësaj, konkluzioni i natyrshëm është se Qeveria e Kosovës ka për qëllim që ta shtyjë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shumë që është e mundur. Madje, besoj se duke qenë se kemi hyrë në periudhën kur në më pak se një vit do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, Qeveria e Vetëvendosjes as që e ka ndërmend që të merret me Asociacionin. Jo të paktën deri në mandatin e ardhshëm, në të cilin Vetëvendosja shpreson të fitojë përsëri shumicën parlamentare dhe pastaj të merret me çështjet më madhore.
Vendimi i momentit të fundit para votimit në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme, për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, mund të jetë një karakteristikë se si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i merr vendimet: e ballafaquar gjatë tërë kohës me presion ndërkombëtar, ajo ka prirje të lëshojë pe në momentin e fundit, kur ky presion ka pasoja konkrete për Kosovën. Këmbëngulja deri në pikën kritike për Kosovën nuk do të sjellë asgjë të mirë. Vetëm sa do të vonojë vendimet e vështira derisa ato të bëhen edhe më të këqija sesa kanë qenë fillimisht. Prandaj, Qeveria e Kosovës, përkatësisht lideri i saj, Albin Kurti, duhet të ketë më shumë iniciativë për çështjet e ndjeshme në bazë të arritjes optimale të interesave të Kosovës.
Kosova është një vend i vogël, por që ka qenë në vëmendjen ndërkombëtare dhe nën përkujdesjen ndërkombëtare që prej fillimit të rrugëtimit të saj në liri, në mars të vitit 1999. Prandaj, njëra prej shkathtësive kryesore që i nevojiten secilit udhëheqës kosovar është aftësia që të navigojë në kompleksitetin e politikës ndërkombëtare, që në kohën e krizave globale - luftës agresore të Rusisë në Ukrainë dhe situatës së brishtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në të cilën Rusia vazhdon të ketë ndikim përmes aleatit të saj, Serbisë. Albin Kurti është treguar një politikan që me veprimet e tij synon ta ndryshojë status quonë në Kosovë, në të cilën Serbia vazhdon ta ketë praninë e fuqishme, por që i mungon shkathtësia e navigimit të kompleksitetit të politikës ndërkombëtare.
Albin Kurti synon ta forcojë sovranitetin e Kosovës, duke e dobësuar dhe duke e flakur tutje ndikimin institucional të Beogradit në Kosovë. Mirëpo, puna e tij nuk është aq e thjeshtë sa tregojnë veprimet e tij, të cilat po nxisin reagime të ashpra të fuqive më të mëdha perëndimore. Synimi për të ndryshuar status quonë në vetvete nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, ky synim nuk mund të arrihet pa shkathtësinë e njëkohshme të navigimit të kompleksitetit të politikës ndërkombëtare dhe pa i mbajtur pas vetes miqtë ndërkombëtarë. Sepse, Kosova, ka nevojë për miq dhe përkrahës ndërkombëtarë, po aq sa pat nevojë për ta në vitin 1999.
Për të gjithë ata me prirje për të harruar të kaluarën dhe rolin e miqve tanë ndërkombëtarë: Urime 25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë!