OpEd

Mazhoranca impotente

Asnjë mazhorancë në Kosovë deri më tani nuk ka pasur përballë një opozitë më të dobët sesa që e ka Vetëvendosja, e që do të jetë tema e shkrimit të radhës. Por njëkohësisht, asnjë mazhorancë në Kosovë nuk ka qenë më impotente politikisht sesa Lëvizja Vetëvendosje, që është paradoks më vetvete, duke pasur parasysh madhësinë e saj në numra. Kjo tregon se nuk është gjithçka te matematika e numrave, sepse në politikë dy plus dy nuk bëjnë gjithmonë katër. Rezultatin në politikë shpeshherë e përcaktojnë shkathtësia politike, kompromisi dhe dialogu

Kosova asnjëherë nuk ka pasur mazhorancë më të theksuar sesa në këtë mandat legjislativ. Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partnerët e koalicionit, që janë parti që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, përveç Listës Serbe, numërojnë më shumë se 65 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo mazhorancë, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, që është edhe udhëheqëse e Qeverisë së Kosovës, i ka 56 deputetë. Pra, mazhoranca i ka numrat për të marrë vendime, përmes të cilave pastaj edhe qeveriset vendi. Sidoqoftë, për nga efikasiteti për ta qeverisur vendin përmes procedurave parlamentare, kjo mazhorancë mund të quhet edhe njëra nga mazhorancat më impotente që e ka pasur Kosova pas shpalljes së pavarësisë.

Nga praktika parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje duhet nxjerrë një mësim. Ky mësim është se mazhoranca e thjeshtë kryen punë në sistemet dypartiake kur dihet që njëra parti e ka shumicën, kurse tjetra pakicën. Në këto raste, matematika është e thjeshtë: fituesi i merr të gjitha, kurse pakica mbetet në pozitën e humbësit dhe e pret shansin e vet. Mirëpo, në sistemet shumëpartiake çfarë është Kosova dhe me një procedurë vendimmarrjeje më komplekse, matematika është më e komplikuar. Përveç numrave, aty nevojiten edhe shkathtësia politike dhe bashkëpunimi në mes të pushtetit dhe opozitës në mënyrë që ligjet dhe reformat të kalojnë dhe të ketë një vendimmarrje më efikase. 

Mirëpo, këtu nevojitet investim politik i konsiderueshëm, sepse njëra prej punëve që bën zakonisht opozita në çdo vend të botës ku ka pushtet dhe opozitë, është obstruksioni apo pengimi i mazhorancës që të arrijë qëllimet e veta politike. Dhe këtë, me gjithë krizën në të cilën gjendet, opozita në Kosovë ka pasur një sukses relativisht të madh. Dështimi i mazhorancës për të kryer reforma dhe për të aprovuar ligje të rëndësishme, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare nuk është për faj të opozitës, por për shkak të mungesës së vullnetit politik për të gjetur gjuhë të përbashkët me opozitën për atë se si duhet të funksionojë vendimmarrja në Kosovë.  

Por nuk është vetëm bllokada opozitare ajo që po ia pamundëson mazhorancës së Vetëvendosjes të përmbushë agjendën e vet legjislative. Vetëbllokada është një cilësi e re në politikën kosovare, të cilën e ka prezantuar Vetëvendosja si metodë dhe mendësi politike. Qasja e z. Kurti se qeverisja e tij është e pagabueshme, e përsosur dhe pa të meta, si dhe se fitorja e madhe zgjedhore e vitit 2021 do të thotë se Vetëvendosja ka përparësi në gjithçka, kurse opozita humbet gjithçka dhe nuk ka të drejtë të japë inputin e vet politik në asnjë çështje, është po ashtu dobësia kryesore politike e kësaj mazhorance dhe e vetë zotit Kurti.

Disa prej reformave kyç politike, duke përfshirë, në mes tjerash, edhe vettingun në gjyqësor, kanë dështuar si rezultat i veprimeve të efektshme opozitare, të cilat përmes Gjykatës Kushtetuese kanë arritur që këto reforma t’i shpallin antikushtetuese. Në vend që të punojë me opozitën për të gjetur gjuhë të përbashkët për domosdoshmërinë e këtyre reformave, kryeministri Kurti, si lider i mazhorancës, ka fajësuar sistemin, duke thënë me ironi se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë pjesë në zgjedhje, me aludimin se ajo po ndërhyn në vendime politike. As unë nuk jam ithtar i rishikimit të tepërt gjyqësor të proceseve dhe vendimeve politike. Megjithatë, ky është sistemi në Kosovë, dhe kryeministri Kurti duhet të punojë në kuadër të rregullave që ofron ky sistem dhe brenda tij të gjejë mënyrat për ta shtyrë agjendën e vet politike. Nga ai si lider pritet që të shpërfaqë më shumë shkathtësi politike dhe sens për kompromis. Ai duhet të pranojë se kur nuk e ka të mundur të arrijë maksimumin, ai duhet të pajtohet me optimumin e qëllimeve të veta politike dhe të synojë që gradualisht të përmbushë atë që ia ka premtuar elektoratit, kur nuk e ka të mundur që këtë ta arrijë përnjëherësh.

Mazhoranca po ashtu është duke dështuar që të aprovojë me dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare. As këtu nuk e ka fajin opozita, e cila po ia pamundëson kuorumin prej dy të tretave mazhorancës. Faji për këtë është kryekëput i Vetëvendosjes, e cila nuk po arrin të gjejë një gjuhë të përbashkët me të cilën edhe opozita do të fitonte diçka. Për momentin, opozita në krizë e Kosovës nuk po kërkon shumë: ajo është duke kërkuar formimin e disa komisioneve hetimore parlamentare për të hetuar ndonjë ministër apo edhe vendimet e qeverisë, siç janë kontrata njëburimore dhe çështje të tjera. Në këtë proces, mazhoranca po e luan më mirë rolin e opozitës sesa të një partie në pushtet, duke përdorur taktika opozitare siç janë bojkoti i seancave të Kuvendit për t’ia pamundësuar opozitës që të arrijë qëllimet e saj joambicioze. Madje, mazhoranca e ka përdorur bojkotin parlamentar edhe në rastet kur tema e rendit të ditës në Kuvend ka qenë debati mbi ndonjë huqje apo dobësi të qeverisë. 
Dështimi për të aprovuar Kodin Civil është njëra prej huqjeve kryesore të kësaj mazhorance dhe këtu më së paku duhet fajësuar opozita. Mosaprovimi i Kodit Civil ka ndodhur për shkak të mospajtimeve brendapërbrenda radhëve të mazhorancës lidhur me disa prej pikave të ndjeshme të Kodit Civil, siç është, për shembull, lejimi i martesave në mes të personave të gjinisë së njëjtë. Kjo tregon për një problem elementar të Lëvizjes Vetëvendosje: atë me listën zgjedhore, problem i cili nuk kufizohet vetëm me mospajtimet lidhur me Kodin Civil, por edhe me mangësi të tjera që mund të shihen në radhët e deputetëve që përbëjnë grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Asnjë mazhorancë në Kosovë deri më tani nuk ka pasur përballë një opozitë më të dobët sesa që e ka Vetëvendosja, e që do të jetë tema e shkrimit të radhës. Por njëkohësisht, asnjë mazhorancë në Kosovë nuk ka qenë më impotente politikisht sesa Lëvizja Vetëvendosje, që është paradoks më vetvete, duke pasur parasysh madhësinë e saj në numra. Kjo tregon se nuk është gjithçka te matematika e numrave, sepse në politikë, dy plus dy nuk bëjnë gjithmonë katër. Rezultatin në politikë shpeshherë e përcaktojnë shkathtësia politike, kompromisi dhe dialogu.