OpEd

Manual për vitin 2022

Të shpresojmë që viti 2022 do të jetë vit i trajtimit të problemeve të vogla për Qeverinë, por me ndikim të madh për mirëqenien tonë

Dy vjetët e fundit kanë qenë vite të edukimit të qytetarëve përmes manualeve. Qeveri të ndryshme në Kosovë kanë hartuar manuale prej asaj se si duhe të pastrohen duart e deri tek ajo se si të ngrohemi gjatë dimrit.

Në qershor të vitit 2020 Ministria e Shëndetësisë publikoi një manual prej 153 faqesh se si të parandalohet përhapja e Covid-19. Në manual kishte aso udhëzimesh prej sigurimit të faculetave (e që hartuesit e manualit ishin kujdesur të shtonin edhe fjalën ‘paloma’ në rast se lexuesit e manualit 153 faqesh nuk e kuptojnë se çka janë faculetat); e deri tek mënyra se si ‘shigjetarët të mos përdorin harkun dhe shigjetat e të tjerëve dhe secili të gjuajë në figurën e vet’. Jam i bindur se ky manual prej mbi 28 mijë fjalësh nuk është lexuar i plotë as prej hartuesve të tij.

Në muajin dhjetor, pas krizës energjetike që ka kapluar Kosovën dhe gjithë rajonin, Ministria e Ekonomisë doli me një manual më të shkurtër sa i përket sjelljes së konsumatorëve të energjisë. Manuali njëfaqësh na udhëzon që me qëllim të kursimit të energjisë qytetarët duhet që lavatriçet t’i mbushin plot me rroba dhe t’i lajnë me ujë në temperaturë më të ftohtë. Të largohen kabllot e lojërave nga rryma dhe adapterët e telefonave. Në një pikë ky manual bie ndesh edhe me manualin kundër Covid-19: përderisa me manualin për Covid-19 qytetarët udhëzohen që të lajnë duart me sapun dhe ujë të nxehtë, me manualin për kursimin e energjisë na kërkohet që mos t’i lajmë duart me ujë të nxehtë?!

Viti i ri mund të na sjellë edhe manuale të reja. Ndoshta në radhë do të jenë manualet se si të përdorim ujin e pijshëm, në çfarë kohe të biem në gjumë e si të ushqehemi. Por edhe institucionet publike kanë nevojë për një manual. Një manual se si të sillen e qeverisin në vitin 2022. Një manual se si të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Një manual i tillë nuk do ishte asgjë e re, ngase do të ishte vetëm përsëritje e obligimeve ligjore dhe parimeve të qeverisjes së mirë. Por pasi që manualët janë në modë, po i paraqesim këto obligime edhe në formë manuali.

Një manual për qeverisje më të mirë në vitin 2022 do të dukej kështu:

Qeverisje më transparente. Kjo është kërkesa bazike për secilën qeveri. Por, edhe kjo qeveri nuk është tërësisht transparente ashtu siç obligohet me ligj. Përderisa Ligji për qasje në dokumente publike obligon institucionet që të kthejnë përgjigje brenda shtatë ditësh, “Kohës Ditore” i janë dashur 74 ditë për të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë. Përderisa kryeministri mburret se prej fillimit të mandatit ai dhe ministrat e tij kanë mbajtur 120 konferenca për media, në të njëjtën kohë me dhjetëra kronika lajmesh nuk kanë marrë përgjigje nga zyrtarët e Qeverisë. Përderisa kryeministri Kurti deklaron se zyra e tij i është përgjigjur 406 kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, organizata ku unë punoj dhe organizata tjera të shoqërisë civile u duhet që të ankohen te komisionieri për informim me qëllim të realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike. Duhet cekur se në krahasim me qeveritë e tjera kjo qeveri është larg më transparente, por njëkohësisht është edhe larg respektimit të obligimeve që dalin nga Ligji për qasje në dokumente publike.

Qeveri e cila zbaton Ligjin për duhanin. Nga viti 2008 janë aprovuar tri ligje për kontrollin e duhanit si dhe janë ndërruar shtatë qeveri, por ajo çfarë nuk ka ndryshuar asnjëherë është mosrespektimi i Ligjit për duhanin. Së fundmi, përveç shumicës së lokaleve të gastronomisë që nuk e ndalojnë duhanin në hapësira të mbyllura, edhe tregtarët kanë filluar ta ekspozojnë atë haptas, në kundërshtim me ligjin. Suksesi i një qeverie dhe mirëqenia e qytetarëve bazohet edhe në zbatimin e këtyre ligjeve “të vogla e të parëndësishme”.

Trotuare për këmbësorë e jo për vetura. Rregullimi i trotuareve është përgjegjësi e pushtetit lokal (aty ku partia që qeveris pushtetin qendror ka pak hise), por përgjegjësia e lirimit të trotuareve është përgjegjësi e nivelit qendror, e cila ka kompetenca mbi policinë. Për një qeveri e cila ka ardhur me premtime të mëdha për luftimin e krimit e korrupsionit, angazhimi i policisë për të liruar trotuaret mund të duket veprim i parëndësishëm, mirëpo lehtësia e lëvizjes nëpër qytet është një ndër kriteret e mirëqenies së qytetarëve. Nëse pushteti qendror nuk ka vullnet të merret me këtë punë, së paku të aprovojë udhëzimin administrativ i cili parasheh krijimin e policisë së kryeqytetit dhe kjo kompetencë t’i kalohet komunës.

Barna që shiten me udhëzime në gjuhën shqipe. Me gjithë që Ligji për mbrojtjen e konsumatorit obligon shitësit që produktet të përmbajnë edhe shpjegime në gjuhën shqipe, ky obligim nuk respektohet. Me dhjetëra herë më ka ndodhur që të blej barna për vete apo për vajzën dhe shpjegimet e përdorimit të jenë vetëm në gjuhën greke, italiane, maqedonase apo me alfabet cirilik.

Respektim të të drejtave të punëtorëve. Qeveria e cila ka premtuar se të drejtat e punëtorëve do të jenë një ndër prioritetet e qeverisjes nuk ka bërë mjaftueshëm që të mbrojë të drejtat që dalin nga Ligji i punës. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se rreth 84% e punëtorëve punojnë rregullisht më shumë se 40 orë në javë dhe për këtë nuk kompensohen për punë jashtë orarit. Ligji i punës nuk është zbatuar edhe për shkak të kapaciteteve të ulëta zbatuese të Agjencisë së Inspektoratit të Punës. Kjo agjenci do të mbetet po aq e paaftë edhe në vitin 2022. Sipas buxhetit të vitit 2020, Inspektorati i Punës pritet të ketë numrin e njëjtë të të punësuarve dhe buxhet më të ulët sesa që kishte në vitin 2021.

Respektim i së drejtës për t’u mbrojtur nga zhurma. Qytetarët e Kosovës, sidomos ata që jetojnë në qendër të zonave urbane, nuk mbrohen aspak nga Ligji për mbrojtjen nga zhurma. Zhurma që del nga aktiviteti i lokaleve të hotelerisë, veturat apo vendosja ilegale e lojërave të ndryshme nëpër sheshe, tejkalon shumëfish nivelin e zhurmës së lejuar me ligj, si dhe kufizimet kohore të parapara. Një ambient i sigurt për qytetarët duhet të shoqërohet edhe me të drejtën për të jetuar i papenguar nga zhurma. Ne zhurmaxhinjtë që ankohemi për zhurmën mund të dukemi ankues koti, por kjo është një ndër të drejtat bazike të qytetarëve që na garantohet me ligj.

E drejta për të jetuar në ambient të pastër. Neve nuk na mbron as Ligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Të gjitha zotimet e Qeverisë për kualitetin e ajrit bien poshtë posa të shfaqet kriza e parë energjetike apo rritja e temperaturave. Djegia e pakontrolluar e qymyrit, drunjve, veturat ndotëse dhe aktiviteti i fabrikave (të pakta por ndotëse) kanë bërë që Prishtina dhe qytetet më të mëdha të Kosovës të jenë ndër qytetet më të ndotura në rajon. Deri më tani të gjitha qeveritë kanë dështuar në zotimet e tyre për të siguruar mbrojtje nga ndotja. Mbetet të shihet në vitin 2022 nëse Qeveria aktuale do të ndërmarrë veprime të cilat përmirësojnë kualitetin e ajrit.

Veprimet e propozuara me këtë “manual” mund të duken të vogla dhe të parëndësishme për qeverinë e premtimeve të mëdha, e cila synim ka luftimin e krimit, korrupsionit, sigurimin e njohjeve e dialogun. Por, suksesi i kësaj qeverie do të varet edhe nga veprime “të vogla”, por të cilat kanë ndikim të madh në mirëqenien tonë. Le të shpresojmë që 2022 do të jetë vit i zgjidhjes së problemeve të vogla.

* Falas