Shkrim i punuar në bazë të publikimit “Kërkimi i së vërtetës - Elementet e krijimit të një komisioni efektiv të së vërtetës” realizuar nga The International Center for Transitional Justice (3)
Komisioni i së Vërtetës themelohet me anë të mandatit ligjor, normalisht përmes një dekreti ekzekutiv ose një ligji të miratuar nga parlamenti. Vendimet e marra nga hartuesit dhe palët me interes në fillim të mandatit e formësojnë mënyrën e hetimit dhe efektivitetin në të ardhmen. Ky kapitull i përshkruan objektivat, funksionet, fushëveprimin dhe fuqitë e komisionit.
Objektivat e Komisionit të së Vërtetës
Objektivat e përgjithshme të komisionit të së vërtetës zakonisht definohen në preambulën e mandatit dhe gjatë shqyrtimeve fillestare, të cilat shërbejnë si udhëzues për anëtarët e komisionit. Megjithëse mandatet mund të adresojnë objektiva të ndryshme, janë tre qëllime që e informojnë punën e shumicës së komisioneve: Definimi dhe sqarimi i fakteve - funksioni themelor i komisionit të së vërtetës është të verifikojë faktet. Mandatet dallojnë sipas sfondit të fakteve, klasifikimit të tyre ligjor, apo sa i hollësishëm është sqarimi i kërkuar; Mbrojtja, njohja dhe rikthimi i të drejtave të viktimës - ky funksion i dallon komisionet e së vërtetës nga gjykatat dhe panelet këshilluese, duke i vënë të drejtat e viktimave dhe përvojat e tyre në qendër të punës së komisionit; Ndryshimet pozitive shoqërore dhe politike - Disa mandate iu kanë besuar komisioneve edhe sugjerimin e formave të kontributit nga ana e qeverisë, shoqërisë civile, dhe publikut në aspektin e pajtimit, reformës, demokracisë dhe parandalimit të ripërsëritjes së këtyre akteve.
Objektivat, qofshin ato komplekse apo të ngjyruara, do të varen nga klima politike e vendit. Mandatet zakonisht kanë qasje modeste dhe e bëjnë të qartë se objektivat e përgjithshme të komisionit janë më shumë “kontribute” për shqyrtime të mëtutjeshme sesa obligime. Është thelbësore që objektivat e komisionit të jenë të qarta dhe koncize, duke siguruar se të gjithë pjesëmarrësit kanë pritshmëri reale lidhur me ndikimin që mund të ketë kontributi i tyre.
Funksionet
Funksionet e komisionit të së vërtetës nuk janë tjetër pos aktivitete të nevojshme për të arritur objektivat e komisionit. Elaborimi i këtyre aktiviteteve në kuadër të mandatit do të ofrojë udhëzime për komisionerët gjatë përgatitjes së kornizës së hetimeve, alokimit të resurseve, dhe themelimit të strukturës së nevojshme organizative për të realizuar punën e tyre.
Disa nga funksionet e përkufizuara në mandatin e komisioneve përfshijnë: Përgatitjen e raportit që përcakton një pasqyrë të saktë dhe të paanshme historike të shkeljeve të të drejtave të njeriut; Mbledhjen e informatave; Mbrojtjen e integritetit dhe mirëqenien e viktimave; Mbajtjen e aktiviteteve edukative të informimit publik; Përpilimin e projektpolitikave për të siguruar se nuk ripërsëriten shkeljet; Përkrahjen e punës së sistemit të drejtësisë; Promovimin e pajtimit mes komuniteteve dhe në nivel kombëtar; etj.
Kompetencat
Mandati ligjor që e themelon komisionin e së vërtetës definon si vijon:
- Llojin e shkeljeve që do të hetohen
- Periudhën kohore që do të trajtohet
- Palët që do të hetohen
- Territorin ku kanë ndodhur shkeljet
Korniza ligjore duhet të jetë e fuqishme, por fleksibile në definimin e llojit të shkeljes dhe çështjeve për hetim, me kushtin që nuk janë konsumuar më parë. Kjo nënkupton që gjatë mandatit, njëherit kur të identifikohen shkeljet e caktuara që vlerësohen si me interes të veçantë, komisionerëve iu mundësohet edhe hetimi i akteve tjera serioze. Për shembull, gjatë mandatit të komisionit peruvian janë përdorur shprehjet “torturë dhe lëndime tjera serioze” duke i lejuar në këtë mënyrë Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit të hetojë edhe dhunën seksuale edhe pse ky akt nuk është i emërtuar në mënyrë specifike në mandat.
Periudhat kohore dhe kohëzgjatja e hetimeve dallon në shkallë të madhe nga komisioni në komision. Disa kanë ekzaminuar shkeljet që janë kryer në kohështrirje prej 40 vjetësh, derisa tjerat janë fokusuar në periudha javore. Periudhat më të gjata kohore kërkojnë hetime më komplekse, por edhe komisioni duhet të jetë i pajisur mjaftueshëm për të ekzaminuar përvoja që kanë nxitur abuzimet.
Të gjitha komisionet deri më sot kanë fokusuar hetimin e tyre në territorin e vendit apo shtetit i cili e ka inicuar hetimin. Megjithatë, shumica e konflikteve ose abuzimeve i kanë tejkaluar kufijtë duke përfshirë edhe njerëz nga shtete tjera. Mund të ketë raste kur mandati i komisionit të së vërtetës duhet të përfshijë bashkëpunimin e mundshëm të shteteve tjera në disa hetime.
Fuqitë, Dënimet dhe Mbrojtja
Komisioni i së Vërtetës duhet të gëzojë fuqinë e duhur për të kryer hetime efektive dhe të pavarura. Kjo duhet të jetë në përputhshmëri me procedurat e caktuara për mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe të dëshmitarëve gjatë hetimeve dhe seancave dëgjimore, dhe gjatë punës së tyre të përgjithshme.
Fuqitë hetimore: Komisioni i së vërtetës duhet të jetë i autorizuar të mbledhë informata nga cilido burim, duke përfshirë edhe autoritetet qeveritare. Disa komisione gëzojnë fuqi për hartimin mandator të evidencës dhe dëshmive. Tjerat duhet të mbështeten në bashkëpunimin dhe vullnetin e mirë të dëshmitarëve, organizatave, forcave të sigurisë dhe departamenteve qeveritare. Në çfarëdo rasti, komisioni duhet të zhvillojë marrëdhënie bashkëpunimi me autoritetet relevante dhe shoqërinë civile.
Idealisht, komisioni duhet të posedojë këto fuqi për të kryer hetime efektive:
– Fuqia e detyrimit: Një autoritet i tillë duhet të ketë fuqinë për t’u bërë thirrje personave për t’u paraqitur para komisionit për të ofruar dëshmi si dhe të prodhojë artikuj ose dokumente kurdo që është e mundshme. Personeli i specializuar i komisionit duhet të jenë të aftë të sigurojnë urdhër gjykate për të kërkuar materiale kurdo që është e përshtatshme..
– Procedurat mjeko-ligjore: Komisioni i së vërtetës duhet të jetë i autorizuar të kryej ekzaminime mjeko-ligjore, përfshirë zhvarrosjen, në përputhshmëri me ligjin, në bashkëpunim me autoritetet e gjyqësorit, dhe duke respektuar dëshirat e familjarëve të të pagjeturve dhe të zhdukurve.
– Obligimi për të bashkëpunuar: Të gjithë, përfshirë anëtarët e partive politike dhe zyrtarët qeveritarë, e kanë për obligim të bashkëpunojnë me komisionin. Ata duhet të pajisin komisionin më qasje të pakufizuar për çfarëdo qëllimi të nevojshëm, për të përmbushur mandatin ligjor të komisionit. Ligjet për sekrete, si psh. ato të sigurisë kombëtare nuk duhet të zbatohen për asnjë çështje që i nënshtrohet hetimit nga komisioni i së vërtetës. Megjithatë, komisioni duhet t’i trajtojë me kujdes të shtuar të gjitha informatat që i pranon për të evituar shkeljen e privatësisë dhe integritetin e personave.
Mbajtja e seancave dëgjimore publike: Seancat dëgjimore të komisionit duhet të jenë të hapura për publikun dhe mediat, përveç nëse komisionerët janë të bindur se seancat dëgjimore nuk janë me interes për publikun—ose mund të dëmtojnë një person të caktuar. Dëgjimet që përfshijnë persona të mitur duhet të jenë të mbyllura për publikun ose të mbahen në atë mënyrë ku sigurohet anonimiteti i ofruesve të deklaratës. Dëshmitë mbi dhunën seksuale zakonisht janë të mbyllura për publikun, përveç nëse viktimat e moshës së rritur kërkojnë të dëshmojnë në publik si mënyrë për të ndarë tregimin e tyre. Kriteret e përzgjedhjes së viktimave që duhet të dëshmojnë duhet të jenë publike. Të gjithë personat e ftuar për të dëshmuar duhet të njoftohen paraprakisht në hollësi mbi procedurat dhe çfarëdo të drejte dhe detyrimi përcjellës. Viktimave duhet t’u ofrohen shërbime adekuate të mbështetjes mjekësore, psikologjike, ose emocionale. Pas dhënies së dëshmisë komisioni duhet t’i kontaktojë viktimat për të siguruar se mirëqenia e tyre nuk është e kompromituar dhe nëse e nevojshme të ofrojë edhe këshillim.
Të drejtat procedurale: Komisioni i së vërtetës duhet të respektojë paanshmërinë procedurale, sidomos gjatë publikimit të gjetjeve dhe rekomandimeve:
– E drejta për t’u dëgjuar: Kurdo që komisioni e sheh të arsyeshme të marrë vendim ose rekomandim që mund të jetë i dëmshëm për këdo, ky person, bashkë me ndonjë viktimë të asociuar, duhet t’a ketë mundësinë të paraqitet në seancën dëgjimore, aq sa është e mundur në aspektin praktik.
– E drejta kundër vetë-inkriminimit: Nëse dëshmitari është i detyruar të paraqitet para komisionit dhe t’u përgjigjet pyetjeve që mund të jenë inkriminuese, përgjigjet e tilla nuk duhet të konsiderohen si dëshmi kundër personit në çfarëdo procedure ligjore pasuese. Komisioni duhet t’a përdor këtë procedurë vetëm në raste kur informata e tillë është e domosdoshme dhe e justifikuar në arritjen e objektivave dhe në rast se personi ka refuzuar të përgjigjet në premisa të vetë-inkriminimit. Kjo masë ndonjëherë referohet si “imunitet i përdorur”
– E drejta për përfaqësim ligjor: Çdo person që merret në pyetje nga hetuesi ose ftohet para komisionit duhet të ketë të drejtën e përfaqësimit ligjor, edhe në rast se ky person është i varfër. Komisioni duhet t’a emërojë një përfaqësues ligjor nëse vlerëson se kjo është në interes të drejtësisë.
Mbrojtja e dëshmitarit: Duhet të krijohet programi për mbrojtjen e dëshmitarëve për dëshmitarët kryesorë në rast se ka kërcënime të qarta për sigurinë e tyre. Mbrojtja efektive e dëshmitarëve dhe informatave është me rëndësi jetike, sidomos kur komisioni zhvillon hetime për çështje të ndjeshme dhe për persona të fuqishëm. Dëshmitarët e frikësuar mund të mos e thonë krejtësisht të vërtetën, mund të fabrikojnë informata për ta mbrojtur vetveten dhe familjet e tyre, ose t’a shmangin komisionin në tërësi. Në rastet kur komisioni nuk mund të ofrojë mbrojtje të plotë të dëshmitarëve, duhet të jetë në gjendje të garantojë konfidencialitet rigoroz duke respektuar identitetin e dëshmitarëve me ndjeshmëri.
Gjobat: Duhet të përcaktohet një dispozitë për dënimin e veprave kundërvajtëse të shkaktuara kundër komisionit të së vërtetës, siç është pengimi i komisionit në realizimin e detyrave të tyre, dhënia e vullnetshme e informatave të rreme, dështimi për të respektuar fletëarrestin, shpalosja e informatave konfidenciale dhe shkatërrimi i dëshmive ose arkivave.
Mbrojtja për Komisionerët: Komisionerët dhe stafi duhet të gëzojnë masa mbrojtëse për veprimet në mirëbesim gjatë punës së tyre. Asnjë komisioner, personel, ose person që kryen çfarëdo detyre në emër të komisionit nuk duhet të mbahet përgjegjës në lidhje me çkado që reflektohet në çdo raport, gjetje, pikëvështrim, ose rekomandim të bërë ose të shprehur në mirëbesim. Komisionerët dhe personeli varen nga këto masa mbrojtëse në mënyrë që të kryejnë punën e tyre në formë të disiplinuar dhe në pajtueshmëri me parimet e korrektësisë procedurale.
Publikimi i raportit: Komisioni i së vërtetës duhet të jetë i autorizuar të bëjë publikimin e raportit final në media, internet, biblioteka dhe arkiva. Kufizimi i qasjes në raport dhe shpërndarjes së tij vetëm për autoritetin e lartë, siç është presidenti, do të zbehë ndikimin e komisionit. Komisioni i së vërtetës para se të fillojë funksionimin duhet të kalojë në fazën përgatitore që zakonisht përfshin një periudhë prej tre deri në gjashtë muaj gjatë së cilës bëhet shqyrtimi i mandatit ligjor, zhvillohen procedura të brendshme administrative, angazhohet në informim publik dhe kur rekrutohet personeli me funksione thelbësore.
Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.