Sulmi kundër V. Sylës, ligjërimi i hoxhë Mazllamit, gjykimi për nxitje urrejtjeje - një maje ajsbergu në një botë të formësuar prej Seksionit 230 të një ligji amerikan
1.
U përfshiva javën e kaluar në debatin rreth rrahjes së një personaliteti publik, Valon Sylës. Këtë e bëra me koment në Facebook, pasi më ishte bërë e qartë se V. Syla qe sulmuar nga tre persona të cilët kishin problem me një apo më shumë deklarime të tij rreth çështjeve të ndryshme (dyshohet, në këtë rast, të lidhur me fenë). Ky ishte komenti:
“Rrahja e çdo qytetari duhet ta brengosë ambientin e sigurisë publike.
Por, rrahja e një personi që i përket ligjërimit publik, si Valon Syla, duhet ta brengosë tërë sferën publike.
Nuk ekziston arsyetim për rrahjen e personit, për çkadoqoftë, aq më pak për mendim të shprehur publik, si në rastin e Valon Sylës.
Dhe nuk ekziston arsyetim që gjuha e dhunës qoftë si ofendim apo manifestim urrejtjeje të përfshihet si magnet shikueshmërie a leximi në ligjërim publik”.
Për një javë rresht është zhvilluar një debat, sa në murin tim të komenteve, aq edhe në shoqëri, dhe nëse duhet ndarë (artificialisht) debati, ai u bë në dy kampe mendimesh. Në njërin, është krejtësisht e qartë se duhet mbrojtur të drejtën e fjalës së Valon Sylës (dhe të kujtdo) në sferën publike. Në tjetrin, është krejtësisht e qartë se duhet mbrojtur sferën publike prej të drejtës që e merr Valon Syla (dhe kushdo qoftë tjetër) për ofendim a fyerje.
Apo, edhe më e thjeshtë: po, V. Syla ka të drejtë të ironizojë e të tallet me hoxhallarë, por edhe po, ata që lutjet islamike i konsiderojnë të shenjta kanë të drejtë të mbrohen prej talljes së tij me to.
Madje, këta dy taborë mendimesh mund të ngrihen në parime edhe më të përgjithshme se ç’është feja. Pra, çdo person ka të drejtë që mendimi i tij të mbrohet nga dhuna e shtetit apo e individëve (turmës), por edhe çdo person ka të drejtë që të mbrohet nga liria e shprehjes nëse ajo gjuhë është e dhunës dhe e urrejtjes.
Apo, siç përsëritet shpesh, liria e njërit përfundon aty ku fillon ajo e tjetrit.
2.
Por këto norma të sjelljes nuk mund të mbrohen me vetëpërmbajtje.
Nuk është i vogël numri i njerëzve të cilët çdo ditë e natë konsiderohen të dhunuar nga debatet publike apo shkrimet e portaleve, përfshirë edhe ato ku merr pjesë V. Syla. Disa prej këtyre personave përfshihen në cilësime dhe vlerësime absolute për fenomene e njerëz, me një gjuhë që ka tonalitet dhe përmbajtje të dhunshme, që për shumëkënd mund të konsiderohet si sulm. Jo një herë kam dëgjuar që më është përmendur edhe mua emri, me cilësime e vlerësime denigruese.
Cila mund të jetë përgjigjja? Më e keqja e mundshme dhe më e shpejta është ajo që bënë tre persona që sulmuan V. Sylën fizikisht. Me këtë, siç më komentonte një përkrahës i tyre në Facebook, ata shprehën mendimin e tyre “ndryshe”. Por, me këtë, ata nuk shprehën kurrfarë mendimi, sepse mendimi nuk fshihet në grusht. Për më tepër, shprehën bindjen se mund ta kufizojnë mendimin e tjetrit, të atij që e konsiderojnë të gabueshëm.
Më duket se kështu hyjmë në një debat lidhur me garën e skajshmërive që në fund duket i reduktuar kështu: sa kemi të drejtë ta shajmë a ofendojmë tjetrin para se të na ndalë grushti?
Sepse, parimet e shprehjes së lirë dhe mbrojtjes nga liria e tjetrit për të sharë për fat të keq janë më shumë të mbrojtura nga vetëpërmbajtja se çdo gjë tjetër. Botuesja e kësaj gazete dhe unë ishim objekt shpifjesh dhe sulmi në integritet personal nga persona që marrin pjesë edhe sot në sferën e ligjërimit publik. Pas nëntë vjetësh e gjysmë nga inicimi i padisë kundër tyre, Gjykata i dënoi dhe i detyroi këta persona të paguajnë një dëmshpërblim material.
Çka do të ndodhte sikur çdo mëngjes dikush të ngrinte një padi kundër pjesëmarrësve në ligjërim publik nga një natë më herët, apo ndaj shkruesve të artikujve nëpër portale? Sa kohë do të merrte që dikush që u konsiderua i sulmuar publikisht të marrë satisfaksionin e drejtësisë në gjykatë?
Ja një shifër që mund të ndihmojë: gjykatësi i cili duhet të merret me një çështje të peshës më të madhe juridike (Komuna e Dragashit kundër AKP-së, për një pronë 22 mijë hektarëshe) ka 1367 lëndë të tjera që duhet t’i zgjidhë para kësaj.
3.
Por, të themi se ai gjykatës dhe ajo gjykatë nuk kanë lëndë tjetër dhe do të merren me, për shembull, sulmin që bënë tre të rinj kundër V. Sylës. Gjykata do të mund të jepte një verdikt të shpejtë dhe krejtësisht të arsyeshëm, të dënimit të tre personave për sulm, sipas nenit 181 të Kodit Penal. Kështu do të jepej një mesazh i qartë se fjala e lirë mbrohet nga sulmi fizik; nëse nuk pajtohesh shprehu me fjalë. Por Prokuroria Speciale e ka karakterizuar këtë sulm sipas Nenit 141, nxitje të mosdurimit dhe përçarjes, dhe kështu ka hapur mundësinë që rasti i sulmit ndaj V. Sylës të jetë pjesë e një debati shumë më të gjerë. Kam frikën se ky debat nuk do të prodhojë më shumë pajtim, përkundrazi. Nga njëra anë, të akuzuarit mund të shndërrohen në akuzues dhe të shtrojnë pyetjen se a është e lejuar që të nxiten mosdurimi e përçarja duke u tallur me ato që ata i konsiderojnë të shenjta (për shembull, ligjërimi fetar islamik)?
Nga ana tjetër, i tërë debati do të tejkalojë me miliona herë sallën e gjykimit e do të hyjë në rrjete sociale. E, në to peshorja e gjykimit është shpejtësia, jo maturia. Në shembullin e hoxhës së shumëpërfolur të Prizrenit, Mazllam Mazllami, me flamur kombëtar, ai u gjykua dhe u dënua publikisht për disa fjali të nxjerra prej një ligjërate pak më të gjatë. Ndonëse fjalitë edhe si pjesë e tërësisë më të gjatë nuk janë për shijen time, dhe përzien pjesë të doktrinës anti-idhuj islamikë me idenë e atdhedashurisë, hoxhë Mazllam Mazllami u gozhdua publikisht për diçka që nuk e përfaqëson mendimin e tij.
Si do të zhvillohet debati për gjykimin e sulmuesve të V. Sylës në një kontekst të rrjeteve sociale që pas pesë minutash ka dhënë verdiktin dhe bën ekzekutimin e dënimit, e këtë e shumëfishon me qindra e mijëra herë, pa kontrolluar faktet bazike? Si të zhvillohet një debat normal për të drejtën e ligjërimit ironik dhe talljes me çdo gjë të një shoqërie liberale demokratike me të drejtën që nga ky ligjërim të mbrohen ata që konsiderohen të sulmuar, siç i ka hije një shoqërie liberale demokratike?
4.
Kjo pyetje e tejkalon kontekstin e Kosovës, të islamit a krishterimit, madje edhe të Evropës.
Përgjigjja për momentin gjendet në një sekte pothuajse pseudo-religjioze të informatikës teknologjike që është ndërtuar në SHBA me idenë e rrjeteve sociale. Në vitin e largët 1996 e për të mbrojtur lirinë e shprehjes në internet, SHBA-ja miratoi Aktin e Mirësjelljes së Komunikimit, e në seksionin 230 të tij u saktësua se “asnjë ofrues ose përdorues i një shërbimi kompjuterik interaktiv nuk do të trajtohet si botues ose folës i çdo informacioni të ofruar nga një ofrues tjetër i përmbajtjes së informacionit”.
Kjo do të thotë se në rrjete sociale mund të thuhet çkado dhe këto rrjete sociale, për dallim prej mediave të shkruara apo elektronike, nuk bartin përgjegjësi ligjore. Për Facebook-un kjo qe e drejta për të hapur ligjërimin, përfshirë edhe atë të urrejtjes, dhe të shndërrimit në një lloj kodi rrëfimi të shfryrjes e urrejtjes deri tani të paparë në historinë e civilizimit. Nëse në SHBA emri i Mullahut qe lidhur me kontekstin negativ të islamit politik të revolucionit iranian apo të sundimit taleban në Afganistan (“pushteti i mullahve në Teheran”, Mulla Omari në Afganistan), këtë titull në kontekstin e prodhimit të urrejtjes do të mund ta marrë pa problem Mark Zuckerberg.
Mulla Zuckerbergu i hapi dyert e hapësirës globale për shprehje të çdo gjëje, përfshirë edhe urrejtjes, gënjeshtrës, thirrjes për ndasi e vrasje. Sa më shumë të ketë këso thirrjesh, aq më shumë para do të fitojë kjo hapësirë e shenjtë.
Në kontekstin e kësaj hapësire globale dhe deformimeve që ka sjellë në sferën publike të të gjithë popujve gjendet edhe sfera publike e Kosovës, dhe debati që u zhvillua rreth V. Sylës e Hoxhë Mazllamit; një maje ajsbergu.