OpEd

Mallkimi i Hemingway-it

Protestat nuk kanë kërcënuar Vuçiqin vetëm për nga kokëfortësia dhe masiviteti i tyre, por edhe për shkak të faktit se protestat po burojnë nga grupet shoqërore të cilat kanë potencial të nisin efektin domino të përmbysjes së regjimit të tij. Thënë ndryshe, edhe Vuçiqi e kupton se tani çdo gjë mund të ndodhë shumë ngadalë, e pastaj shumë shpejt

Në librin e parë të Ernest Hemingway-it, “Dhe lind dielli”, njëri nga karakteret kryesore pyetet se si ka bankrotuar biznesi i tij. Ai përgjigjet “Kam bankrotuar shumë ngadalë, e pastaj shumë shpejt”. Kjo fjali është bërë sinonim për të përshkruar situatat ku realiteti i cili është konsideruar i fiksuar dhe i garantuar për kohë të gjatë fillon të ndryshojë jashtëzakonisht shpejt. 

Mendoni për shembull rënien e shpejtë të Çausheskut, i cili sundoi Rumaninë për tridhjetë vjet. Rënia e tij u nxit nga një çështje relativisht triviale: dëbimi i priftit disident László Tőkés nga banesa e vet. Ajo që filloi si ngjarje lokale u transformua brenda javës në revolucion demokratik, i cili kulmoi me skenën e famshme të Çausheskut të konfuzuar në ballkonin e tij. Pas tridhjetë vjetësh pushtet, Çaushesku ra brenda një jave. Çdo gjë ndodhi shumë ngadalë, e pastaj shumë shpejt. Apo për të ardhur në kohët më moderne, shikoni sot Sirinë. Pakkush sot mban mend se çfarë nxiti luftën civile në Siri kundër pushtetit gjysmëshekullor të familjes Assad, por kur katërmbëdhjetë fëmijë në qytetin Deraa u arrestuan dhe u torturuan, ata vënë në lëvizje dominotë të cilat eventualisht i dhanë fund Bashar al-Assadit. Çdo gjë ndodhi shumë ngadalë, e pastaj shumë shpejt. 

Historitë e Çausheskut dhe Assadit nuk janë përjashtim, ato janë rregull i regjimeve anti-demokratike, të cilat shtyjnë shoqëritë e tyre në ekstreme të tolerancës së keqqeverisjes – ekstremet të cilat eventualisht shpërthejnë dhe përfundojnë në përmbysje të sistemit. Rënia e tyre ndonëse e nxitur nga një akt i izoluar (dëbimi i një prifti apo torturimi i disa fëmijëve) është pasojë e shkaqeve të thella shoqërore. Në librin “Rendi Botëror” burrështetasi Henry Kissinger u mundua të japë përgjigje në pyetjen se kush është vetia më e rëndësishme në ruajtjen e rendit botëror. Aty ai thotë “Çfarëdo sistemi i rendit botëror në mënyrë që të jetë i qëndrueshëm, duhet të pranohet si i drejtë, jo vetëm nga liderët e tyre, por edhe nga qytetarët”. Ajo çfarë vlen për rendin botëror vlen edhe për rendin e brendshëm të një vendi të vetëm. Vendet ku regjimet pushojnë të konsiderohen të drejta, fundi i tyre ngelet vetëm çështje kohe. Në disa raste, fundi i tyre është paqësor e në disa, i dhunshëm.

Dhe pikërisht kjo është çfarë po shohim ditëve të fundit rrugëve të Beogradit. Ajo çfarë filloi si mbledhje e rëndomtë e shprehjes së revoltës ndaj vdekjes së pesëmbëdhjetë qytetarëve të pafajshëm në tragjedinë e stacionit hekurudhor në Novi-Sad përfundoi në protestën më të madhe në histori të Serbisë. Protestat që sot shohim janë pasojë e viteve të tëra të keqqeverisjes së një regjimi i cili nuk konsiderohet më si i drejtë dhe legjitim nga qytetarët e Serbisë. Dhe ndonëse formalisht studentët, të cilët u prinë protestave, kanë formuluar pesë kërkesa specifike lidhur me një ngjarje specifike, në thelb kërkesa e tyre është kthimi i Serbisë në një shoqëri të drejtë dhe normale. Një shoqëri ku nuk vriten kundërshtarët politikë sikur Vladimir Cvijan dhe Oliver Ivanović. Një shoqëri ku nuk vidhen zgjedhjet. Një shoqëri ku presidenti i vendit nuk gënjen publikisht që në ditën e parë për tragjedinë më të madhe në historinë moderne serbe. Një shoqëri ku kryeministri nuk tallet me numrin e të vdekurve. Një shoqëri ku partia në pushtet nuk koordinon huliganët për të rrahur qytetarët e pafajshëm. Një shoqëri ku drejtorët politikë të shkollave nuk shndërrojnë shkollat në vende të ritualeve fetare. Një shoqëri ku nuk rrënohet brenda një nate qendra e Beogradit. Një shoqëri ku shteti nuk i del në mbrojtje plantazhit më të madh të marijuhanës në Evropë. 

Pra ndonëse kërkesat e studentëve janë specifike dhe ndërlidhen me një ngjarje të vetme (tragjedinë në Novi-Sad), ato njëkohësisht sulmojnë gjithë sistemin e regjimit të Vuçiqit, sepse në thelb kërkojnë kthimin e vendit në normalitet. Një normalitet ku institucionet e pavarura shtetërore bëjnë punën e tyre. Dhe ndonëse këto kërkesa duken të thjeshta dhe të natyrshme, ato rrënojnë gjënë më të shenjtë të çdo autokrati – kultin e tij të personalitetit. Asnjë autokrat nuk mund të lejojë gjëra të thjeshta, sikur “institucionet e pavarura”. Regjimet e tyre ngritën mbi dominimin e personalitetit të tyre mbi institucionet shtetërore. Mbi nënshtrimin e gjithë shoqërisë ndaj vullnetit të tyre personal. Në fjalët e pavdekshme të Louis XIV “L'État, c'est moi”. 

Kjo është edhe arsyeja përse Vuçiqi nuk ka arritur deri më sot të gjejë një përgjigje të duhur për të menaxhuar protestat dhe në fakt me reagimin e tij vetëm ka agravuar gjendjen edhe më shumë. Ai fillimisht injoroi protestuesit, duke u tallur me numrin e tyre. Kur më nuk mund t’i injoronte, ai i akuzoi protestat si të orkestruara politikisht. Kur ishte e qartë se ato nuk kishin të bëjnë me politikë, ai i akuzoi si aktivitete të financuara nga shërbimet e huaja. Dhe vetëm kur në mesin sheshit të Beogradit u mblodhën 100 mijë veta, ai u detyrua t’i pranojë protestat si legjitime, por duke refuzuar ende kërkesat e tyre. 

Protestat e fundit kanë shtyrë Vuçiqin në një territor të ri. Ato kanë zbuluar frikën e çdo autokrati. Ato kanë zbuluar se është i dobët. Dobësia është lajm ogurzi për çdo autokrat. Sidoqoftë, ndonëse Vuçiqi është i lënduar, ende nuk duhet nënvlerësuar pushtetin e tij. Von Metternich mund të kishte folur për Vuçiqin kur kishte thënë për Nicholasin I se ishte “shumë i dobët për t’u konsideruar lider, shumë i fortë për t’u injoruar”. Në këtë sens, regjimi i Vuçiqit ende mban kontroll të fortë mbi aparatin represiv të shtetit dhe kontroll të fortë të medieve. Po ashtu çfarë momentalisht është duke munguar në Serbi është një kanalizim i pakënaqësisë popullore në mekanizëm politik institucional, i cili mund të përkthejë pakënaqshmërinë popullore në ndryshimet demokratike. 

Por përkundër kësaj, protestat kanë ekspozuar sa i brishtë është pushteti i Vuçiqit. Protestat nuk kanë kërcënuar Vuçiqin vetëm për nga kokëfortësia dhe masiviteti i tyre, por edhe për shkak të faktit se protestat po burojnë nga grupet shoqërore të cilat kanë potencial të nisin efektin domino të përmbysjes së regjimit të tij. Thënë ndryshe, edhe Vuçiqi e kupton se tani çdo gjë mund të ndodhë shumë ngadalë, e pastaj shumë shpejt.