Është një thënie e vjetër: “Ke kujdes çfarë dëshiron se ndoshta dëshira edhe të plotësohet”. Me Planin e ri të Rritjes së BE-së, vendeve të rajonit u është plotësuar dëshira për fondet shtesë nga ana e BE-së. Tani fondet më nuk janë problem; Kosovës ato do t’i trefishohen. Tani testi i vërtetë para vendeve të rajonit është nëse me të vërtet kanë vullnet politik dhe kapacitet administrativ për t’u sjellë si një vend i gatshëm për anëtarësim në BE
Pushtimi rus i Ukrainës ia ka rikujtuar Bashkimit Evropian rëndësinë që ka zgjerimi për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë kontinentit evropian. Kësisoj, kohëve të fundit diskursi publik është mbushur me kryetituj të deklaratave politike të liderëve të BE-së për rëndësinë e zgjerimit. Ndoshta deklarata që ka tërhequr më së shumti vëmendje ka qenë ajo e presidentit të Këshillit Evropian, z. Charles Michel, i cili vendosi vitin 2030 si cak për valën e ardhshme të zgjerimit të BE-së.
Por ndërkohë një iniciativë tjetër po aq e rëndësishme është duke u zhvilluar larg vëmendjes publike. E fshehur nën vellon e burokracisë brukseliane me titull monoton zyrtar “Komunikata nga Komisioni për Parlamentin Evropian, Këshillin, Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian dhe Komitetin e Rajoneve: Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perendimor”, kjo iniciativë ka potencial që të ndryshojë rrënjësisht procesin e zgjerimit.
Plani i rritjes është përpjekje më serioze e BE-së në historinë e saj moderne për të përgatitur vendet e rajonit për anëtarësim brenda një afati sa më të shkurtër kohor. Kryefjala e planit të rritjes është ekonomia. Sot të hyrat mesatare në rajon janë 27%-50% të mesatares të BE-së. Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’iu duhen, në skenarin optimist, dyzet vjet për të arritur mesataren e Bruto Produktit Vendor (BPV) për kokë banori të BE-së, ndërsa dyqind vjet, në skenarin pesimist. Rrjedhimisht, objektivi themelor i Planit të Rritjes është që të ndihmojë vendet e rajonit të zënë hapin ekonomik me atë të BE-së, duke shtruar rrugë kështu për një proces të natyrshëm politik anëtarësimi. Plani synon të bëjë këtë përmes katër intervenimeve strukturore.
Ngritja e Fondit për Rritje dhe Reforma për Ballkanin Perendimor;
Thellimi i integrimit ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian;
Thellimi i integrimit ekonomik në mes vetë vendeve të rajonit, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal;
Përshpejtimi i reformave themelore.
Tani është e pamundur të mbulojmë të gjitha këto brenda kësaj kolumne, por le të fillojmë nga e para dhe ndoshta më e rëndësishmja.
Ndër vite vendet e rajonit i janë ankuar BE-së që ndarja e fondeve të BE-së nuk është e drejtë. Një vend i rajonit pranon dhjetëfish më pak fonde se një vend anëtar i BE-së. Nga ana tjetër, nga vendet e rajonit po kërkohet që reformat thelbësore dhe të vështira t’i bëjnë tani, ndërsa përfitimet financiare t’i gëzojnë disa dekada më vonë, kur bëhen anëtarë të BE-së. Kjo çështje përsëri u ngrit hiç më larg se para një muaji nga nikoqiri i Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij hapëse në Tiranë ai tha: “Për të bërë të qartë poentën time për nevojën e ndihmës më të madhe financiare konsiderojeni këtë fakt: fqinjët tanë që janë vende anëtare të BE-së pranojnë mbi 4,500 euro për kokë banori në vit nga BE-ja, përderisa gjashtë vende të Ballkanit Perendimor pranojnë 138 euro për kokë banori në vit nga BE-ja. A nuk janë këto të dhëna dëshmi e ndarjes së frikshme klasore, nëse mund të shprehem kështu?”
Deklarata të ngjashme liderët nga i gjithë rajoni kanë bërë ndër vite.
Në këtë kontekst dizajnimi i Fondit të ri për Rritje dhe Reforma Ekonomike është përgjigjja e drejtpërdrejtë e BE-së ndaj kërkesës së vazhdueshme të vendeve të rajonit për rritjen e fondeve të BE-së. Fondi do të vërë në dispozicion 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027 nga të cilat 2 miliardë euro do të janë grante, ndërsa 4 miliardë euro do të janë hua. Serbia pritet të marrë 1.7 miliardë euro, Bosnja 1 miliard euro, Shqipëria 984 milionë euro, Kosova 945 milionë euro, Maqedonia e Veriut 859 milionë dhe Mali Zi 413 milionë. Këto fonde do të zbatohen në dy forma të ndryshme: një pjesë e fondeve do të shkojë drejtpërdrejt në buxhetet e shteteve të rajonit si ndihmë e drejtpërdrejtë buxhetore, ndërsa pjesa tjetër do të kanalizohet drejt investimeve infrastrukturore përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perendimor (WBIF).
Ndikimi financiar i fondit të ri të rritjes, marrë së bashku me fondet IPA III, do t’ua ofrojnë vendeve të Ballkanit Perendimor ndihmën financiare të ngjashme me nivelin e ndihmës financiare të cilën BE-ja ua jep vendeve të saja anëtare. Në këtë formë BE-ja shpreson se do të arrijë jo vetëm të ndihmojë vendet e rajonit që të zënë hapin ekonomik me Bashkimin Evropian, por edhe t’u ofrojë qytetarëve të rajonit përfitime të prekshme nga procesi i anëtarësimit, i cili prej kohësh e ka humbur atë joshjen e vet magjike.
Por nga ana tjetër, këto fonde nuk do vijnë falas. Nga vendet e rajonit pritet të ndërmarrin një sërë reformash serioze të cilat do t’i bëjnë ato të afta të marrin përsipër obligimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim çdo vend do të jetë i obliguar të dorëzojë pranë Komisionit Evropian një Agjendë Reformash, e cila do të përmbajë masat specifike që pritet të arrihen brenda periudhës 2024-2027. Pasi që Komisioni Evropian vlerëson se në të vërtetë këto reforma janë arritur, atëherë fondet do t’i disbursohen vendit respektiv. Në raste kur një vend dështon të arrijë reforma të caktuara, ai do të penalizohet dhe fondet e humbura do t’u shpërndahen vendeve që kanë treguar performansë më të mirë në zbatimin e reformave.
Javën e kaluar shkruajta për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nën titullin “Omniprezenca e dialogut”, pasi që nga raporti i fundit vlerësues i ekspertëve ishte e qartë se procesi anëtarësues i Kosovës ishte i kushtëzuar me avancimin e dialogut me Serbinë. Prandaj, ishte kurioze të kuptosh se kjo “omniprezenca e dialogut” vazhdon të jetojë gjithandej. Edhe tek Plani i Rritjes, Kosova dhe Serbia nuk kanë mundur t’u iknin dialogut. I gjithë plani flet në përgjithësi për reformat që vendet e rajonit duhet të ndërmarrin, por vetëm në një rast plani specifikon qartë një reformë të vetme e cila do të jetë “e para në mes të barabartëve”: dialogu me Serbinë. Specifikisht plani qartëson se në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përfitojnë nga këto fonde, ato duhet të bëjnë progres në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të dakorduar në Bruksel dhe Ohër.
Kosova dhe vendet e rajonit kanë arsye t’i gëzohen Planit të ri të Rritjes së BE-së. Praktikisht Kosovës do t’i trefishohen fondet e BE-së në periudhën 2024-2027 nga afro 300 milionë euro për periudhën respektive me 945 milionë euro të tjera. Përfitimi nga këto fonde do të kërkojë jo vetëm vullnet të jashtëzakonshëm politik për zbatimin e reformave specifike, të cilat do të dakordohen me BE-në, por edhe kapacitete të mirëfillta administrative të cilat do të janë të afta të menaxhojnë barrën profesionale dhe burokratike të planifikimit, negocimit, përgatitjes, zbatimit dhe monitorimit të kësaj ndihme kolosale financiare.
Është një thënie e vjetër: “Ke kujdes çfarë dëshiron se ndoshta dëshira edhe të plotësohet”. Me Planin e ri të Rritjes së BE-së vendeve të rajonit iu është plotësuar dëshira për fondet shtesë nga ana e BE-së. Tani testi i vërtetë para vendeve të rajonit është nëse me të vërtet kanë vullnet politik dhe kapacitet administrativ për t’u sjellë si një vend i gatshëm për anëtarësim në BE.