OpEd

Mallkimi i “Ballkanit të hapur”

Tre liderë të “Ballkanit të hapur” janë persona më jodemokratikë të rajonit. Vuçiqi e ka shndërruar Serbinë në një autokraci hibride ruso-kineze. Rama është i vetmi lider që ka mbajtur zgjedhje pa opozitën, ndërsa Zaevi është në ikje e sipër. E ardhmja e ndritshme demokratike e rajonit nuk mund ndërtohet me këtë klasë politike

Është kureshtare trajektorja e qëndrimeve politike të kryeministrit Rama. Mandatin e parë e filloi duke u rreshtuar me Kosovën kundër Vuçiqit në Beograd, mandatin e dytë e shpenzoi duke zbavitur idenë e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe mandatin e tretë e filloi duke u rreshtuar me Vuçiqin kundër Kosovës në Tiranë. Por përtej evolucionit të qëndrimit politik të kryeministrit Rama, ideja e tij (apo Vuçiqit, në varësi cilit i besoni) për Minishengenin nuk po arrin të evoluojë. Përveç në emër.

Dy vjet pas lansimit të iniciativës së “Ballkanit hapur”, gjashtë samiteve të mbajtura dhe tetë marrëveshjeve të nënshkruara, liderët e tri vendeve nuk po arrijnë t’i bindin skeptikët për rëndësinë e iniciativës së “Ballkanit të hapur”. Që nga fillimet e saja iniciativa është duke osciluar në mes të padobishmes dhe të rrezikshmes, e shpesh të dyja këto bashkë. Këtë mungesë të kredibilitetit të brendshëm iniciuesit të saj, dhe në veçanti Rama dhe Vuçiq, tentuan të zëvendësojnë me legjitimitetin e jashtëm duke nënvizuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për “Ballkanin e hapur”. Por shumë shpejt doli në pah se as kancelarja Merkel, as presidentja Von der Leyen, dhe as përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit, Escobar, nuk e mbështesin iniciativën. Kësisoj, nevoja ekzistenciale për legjitimim të jashtëm i dërgoi tek komisioneri hungarez për Zgjerim dhe tek i deleguari i mikut të Vuçiqit, Viktor Orban. Sidoqoftë, i kufizuar nga arkitektura e institucioneve të BE-së, as komisioneri Varhelyi nuk arriti t’i japë më shumë se një gjysmë mbështetjeje.

Në këtë drejtim samiti i fundit i “Ballkanit të hapur” nuk ishte ndryshe nga samitet e kaluara. Samitit i parapriu një letër publike nga tre liderët që në thelb ishte copy-paste i asaj që Vuçiqi kishte shkruar para pak muajsh në gazetën “Politika”, ku ai e cilësoi “Ballkanin e hapur” si “historik, sikur që do të jenë rezultatet e tij”. Asokohe, në dëlirin e tij, Vuçiqi shkoi edhe më larg duke krahasuar veten dhe miqtë e tij me themeluesit e BE-së, sikur Robert Schuman dhe Konrad Adenauer.

Këtë javë gjatë samitit u nënshkruan pesë marrëveshje të reja, të cilat së bashku me marrëveshjet e nënshkruara në Shkup, në korrik të këtij viti, dërgojnë numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në tetë. Pas samitit konferenca për media ishte përsëritje e mërzitshme e hiperbolizimeve për rëndësinë e “Ballkanit të hapur”. Përveç mesazhit të vjetërsuar tanimë se rajoni duhet të marrë të ardhmen në duart e veta, pasi që BE-ja ka telashe të saja, Rama po ashtu tha se tani “fillon një epokë e re”. Vuçiqi e cilësoi iniciativën si një “iniciativë të jashtëzakonshme, e cila është bërë që njerëzit të jetojnë të lirë në rajon, në çdo qytet dhe fshat.” Ironike kjo, kur në Serbi qytetarët po protestojnë për lirinë e tyre në çdo qytet dhe fshat nga regjimi i Vuçiqit. Zaevi, nga ana tjetër, edhe pas gjashtë samiteve linte përshtypje se nuk dinte pse është aty.

Por këto hiperbolizime të Ramës dhe Vuçiqit nuk janë ndonjë risi. Ato tanimë janë bërë rregull. Siç duket, liderët të ballafaquar me një situatë ku pas dy vjetësh nuk mund të numërojnë as edhe një rezultat konkret, kanë vendosur që deficitin e rezultateve ta zëvendësojnë me suficitin e lëvdatave.

Përtej vetëlëvdatave, ka edhe një aspekt tjetër përse këta liderët pëlqejnë të mbajnë mbledhjet e “Ballkanit të hapur”. Tre liderët janë të ballafaquar me krizat politike dhe pakënaqësitë brenda vendeve të tyre. Nën regjimin e Vuçiqit demokracia në Serbi ka degraduar në nivel të Bjellorusisë. Ditëve të fundit Serbia ka qenë nikoqir i protestave të jashtëzakonshme. Për dallim nga protestat e mëhershme, protestat e fundit treguan një organizim shumë më efektiv të protestuesve me ç’rast regjimi u zmbraps dhe nuk pati rrugë tjetër përveçse të pranojë kërkesat e tyre. Në Shqipëri, pas mbajtjes së zgjedhjeve moniste lokale në 2019, Rama zhvilloi zgjedhje të kontestueshme parlamentare të cilat janë duke e futur vendin çdo ditë e më shumë në krizë politike. Zaev, nga ana tjetër, pas disfatës në zgjedhjet lokale, është duke e zëvendësuar legjitimitetin demokratik me makinacione politike. Në këtë kontekst samitet e “Ballkanit të hapur” duken si momentet e rralla të qetësisë, ku liderët e tri vendeve mund të ikin për pak kohë nga pakënaqësitë e qytetarëve të tyre dhe të ndërtojnë narracione të burrështetasve paqedashës evropianë.

Sidoqoftë, duhet pranuar se samiti i kësaj jave kishte dy risi. E para ishte protesta e thirrur nga Sali Berisha. Deri më sot asnjë samit i “Ballkanit të hapur” nuk është shënuar me protesta demokratike. Kjo ishte hera e parë që qytetarët e Shqipërisë protestuan në rrugë kundër një iniciative për të cilën deri më sot u protestua vetëm në studio televizive dhe rrjete sociale. Natyrisht se kjo protestë kundër “Ballkanit të hapur” është ndikuar drejtpërdrejt nga zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike, por pa marrë parasysh këtë fakt është e mirëseardhur që shoqëria shqiptare ka një demokraci vibrante, e cila është e aftë që në mënyrë paqësore të bëjë publike qëndrimet e një pjese të qytetarëve të saj.

Risia e dytë ishte prezenca e komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Deri më sot BE-ja ka refuzuar të përkrahë në mënyrë eksplicite “Ballkanin e hapur”. Kësisoj, gjatë vizitave të tyre në rajon as kancelarja Merkel, as presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, nuk pranuan madje as të shqiptonin togfjalëshin “Ballkani i hapur”, duke referuar kështu çdoherë vetëm iniciativën e BE-së të njohur si Procesi i Berlinit. Në këtë kontekst prezenca e komisionerit për Zgjerim, Varhelyi, u interpretua si mbështetje për “Ballkanin e hapur”. Unë do ta merrja këtë me një dozë skepticizmi. Njëherë edhe presidenti Gjukanoviq mori pjesë në “Ballkanin e hapur” dhe kjo u interpretua si dëshmi e suksesit të iniciativës, por shumë shpejt Gjukanoviqi u distancua nga iniciativa. Po ashtu, duhet vërejtur se megjithëqë komisioneri Varhelyi gjatë samitit tha se e mbështet “Ballkanin e hapur”, në postimin e tij zyrtar në Twitter ai u shfaq më i rezervuar duke thënë se “është i mirëseardhur çdo bashkëpunim rajonal në përputhje me rregullat e BE-së” dhe shtoj se “është ideale që palët të kthehen kah Tregu i Përbashkët Rajonal”. Pra, e para, “Ballkani i hapur” nuk është në përputhje me rregullat e BE-së pasi që nuk siguron gjithëpërfshirje. E dyta, komisioneri qartazi ka vendosur Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit para “Ballkanit të hapur”.

Prandaj, mendoj se duhet të tregohemi më të kujdesshëm në interpretimin e qëndrimit të komisionerit Varhelyi si mbështetje eksplicite për “Ballkanin e hapur”. Komisioneri duhet të navigojë një rrugë të ngushtë diplomatike në mes qëndrimit të BE-së kundër “Ballkanit të hapur” dhe presioneve pro “Ballkanit të hapur” që ai ka nga tre liderët e Ballkanit dhe aleatët e tyre autokratikë brenda BE-së.

Në fund dua ta përmbyll me sfidën kryesore të idesë së Vuçiqit, Ramës dhe Zaevit për “Ballkanin e hapur’. E madje janë vetë ata. Varrezat politike janë të mbushura me ide të mira, të cilat janë zbatuar në mënyrë të gabueshme nga njerëzit e gabuar. Në këtë sens problemi nuk është se “Ballkani i hapur” është i gabueshëm në pafundësi. Problemi është se liderët e saj nuk kanë legjitimitet politik dhe moral për të qenë prijës të një ideje të re rajonale, e cila do ta shpinte Ballkanin në një epokë të ndritshme demokratike. Dhe ky është mallkimi kryesor i “Ballkanit të hapur”.