Presidenti gjithmonë fluturon i pari, e kjo vërtet është një shenjë e mirë. Ndoshta pas tij do të fillojmë të fluturojmë të gjithë. Secili në mënyrën e vet
Gjithçka fillon në një semafor. Ndizet drita e gjelbër. Makina e rreshtit të parë nuk niset. Të tjerat mbas u bien sirenave. Shoferi kthen kokën anash. Kushdo që ndeshet me shikimin e tij verbohet. Kështu nis pandemia e verbërisë në një nga romanet më të bukura të letërsisë botërore. Sy që zbardhëllohen. Shikime që vdesin duke infektuar njëri-tjetrin. Njerëz që dynden nëpër karantina ku sundojnë më të fortët e si gjithmonë të fortët i shtypin të dobëtit, në të gjitha format, edhe për zbavitje.
Kur del nga romani i Saramagos pështjellimi është i madh, ishte vetëm fantazi, i thua vetes, por në mendje kujton sa herë në jetë ke qenë i verbuar e shumë më vonë e ke kuptuar, kur verbëria ishte vizatuar tashmë në histori. Kështu është raca njerëzore, vazhdon të të befasojë me të njëjtat befasi. Ndoshta se nuk e ke mësuar mësimin, ndoshta se pësimin do ta tregosh si hero i një përralle së cilës nuk do t’i besojë më askush.
Në Ballkanin tonë energjik gjërat funksionojnë kështu:
Ka rënë zjarr në vend, i thanë plakut që ngrohej në sofër.
Larg nga katundi im, u përgjigj ai duke rrufulluar kafenë.
Ka rënë zjarr në katund, i thanë të nesërmen.
Larg nga shtëpia ime, u përgjigj duke dredhur mustaqet.
Babë, ka rënë zjarr në shtëpi, i ulëriti i biri aty nga mbrëmja.
Larg prej menderes sime, ia ktheu plaku duke i kthyer shpinën.
Kështu pandemia jonë mbeti e pasqaruar. Nuk dimë nëse vërtet ra zjarri apo na rrejtën edhe një herë. Por kur numrat u rritën gjithandej në botë, edhe ne nisëm të bënim sikur i besuam. Qeveria na mbylli brenda me orar të kufizuar, ndoshta për ta bërë zjarrin sa më të besueshëm. Duruam. Shpëtuam. Pastaj u krenuam për tri ditë me suksesin tonë dhe e kapërcyem me një gotë nga mbrapa.
Iku Qeveria e duket se iku edhe pandemia. Qeveria e re na solli lirinë. Gjithë frustrimin e karantinës drastike e zbrazëm me manifestime nga më ekzibicionistet. Vërshuam nëpër sheshe e bare. Universitetet hapën dyert për provime. Kishin kohë pa i parë studentët kokulur para testit të rreptë. Autobusët plot nga gjithë vendi ia mësyn Prishtinës. Filluam protestat, festat e manifestat. Një këngëtar mbajti fjalim nga sheshi, virusi ishte veç një rrenë. Duam dasma!
Mbas sheshit Qeveria mundohet të sillet si e tillë. Të jesh qeveri e një populli që proteston për dasma nuk është shaka, është më shumë. Qeveria duhet të luajë rolin e saj qeverisës, jep konferenca për shtyp, pret shirita rrugësh me një tufë burrash krah njëri-tjetrit që projektojnë të qeshur të ardhmen. Askujt nuk i bie në mend se të paktën për sy të botës do të duhej të vinin maska, madje edhe me hundën përjashta, si shëtit ministri i ri i Shëndetësisë nëpër shtet. Nuk ka faj, temperaturat janë ngritur e edhe politika vështir po e duron maskën. Ndodhka edhe kjo.
Edhe pak ditë e presidenti do të fluturojë për Amerikë. Një ngjarje thonë përfundimtare është përgatitur ta presë Kosovën. Pandemia shpejt ua gjen vendin cikërrimave, si ajo fshesa që fshin qilimin duke i fshehur thërrimet poshtë tij kur mysafirët trokasin papritur. Por cikërrimat në pandemi mund të marrin edhe pamje groteske, populizmi ka nevojë për ushqim në këtë krizë globale dhe presidenti ynë i ka hapur krahët. Do të nënshkruaj menjëherë nëse më ofrohet një marrëveshje e mirë, deklaroi ai.
Presidenti gjithmonë fluturon i pari, e kjo vërtet është një shenjë e mirë. Ndoshta pas tij do të fillojmë të fluturojmë të gjithë. Secili në mënyrën e vet.
Ndërkohë që në Evropë ka filluar një tjetër luftë e bukur, lufta me statujat raciste, një artiste shqiptare ua mbylli sytë monumenteve në Prishtinë. T’i kursejmë ata të paktën. Mos të verbohen nga lumturia jonë, teksa numrat rriten qetësisht në karantinën e vetme të Ballkanit!