OpEd

Lumturia e nëntë

Jezu Krishti mbajti fjalimin e tij të famshëm në mal, duke numëruar tetë lumturitë. Kisha Ortodokse Serbe zbuloi një tjetër, aq larg Jezu Krishtit e aq afër Slobodan Milosheviqit: “Lum njësitë speciale të policisë që na ndihmojnë ta mbajmë kurorën”

1.

Qe një kohë kur u zhbënë Jugosllavia dhe socializmi, e në televizionin publik të Serbisë filluan emisionet e shkurtra dhe pothuajse të përditshme për çështje të rëndësishme të Kishës Ortodokse Serbe. Shpjegohej se si bëhet kryq (jo me të majtën, se ajo është e “të tjerëve”), pse janë me rëndësi tre gishtërinjtë, çfarë janë kremtet e të shenjtërve nëpër familje, çfarë hahet për Krishtlindje e çfarë për Pashkë, e kështu me radhë.

Emisioni nuk mund të quhej edukues për arsyen e thjeshtë se Serbia dhe asnjë pjesë tjetër e ish-Jugosllavisë nuk e kishin të ndaluar religjionin. Pra, nuk kishte kurrfarë ndalese që do ta pengonte qytetarin serb të kërkonte dituri për Kishën Ortodokse Serbe dhe për ritet e saj. Kështu, përtej edukimit, emisioni mori karakter indoktrinimi, pra të tregonte se duke qenë serb, çdo qytetar duhej të dijë se çfarë janë ritet e kishës së tij apo të presupozuar të tij.

Kjo kohë përputhet me një lëvizje tjetër disavjeçare indoktrinuese, atë të “një prijësi, një shteti, një kombi”. Prijësi ishte Slobodan Milosheviqi, shteti ishte Serbia “e bashkuar” e kombi ishte ai serb. Që nga vitet tetëdhjetë e duke rindërtuar mitin e Kosovës, elitat politike e intelektuale nacionaliste në Serbi ndoqën një projekt të vjetër romantik, të kohës para zhbërjes së Perandorisë Otomane, të Ilija Garashaninit, për të bërë bashkë “tokat serbe”. Ky projekt u rishfaq në mënyrë identike para zhbërjes së Jugosllavisë dhe në këtë tren serbizimi në pjesën e lokomotivës u ul edhe Kisha Ortodokse Serbe.

Ndaj, kur u thuhej qytetarëve të Serbisë se si duhej bërë kryq, ky nuk ishte shpjegim, ishte diçka më e fortë se një sugjerim se si duhej të ishte një serb, apo një serb politikisht korrekt.

2.

Prej atyre emisioneve nuk ka kaluar shumë kohë - matur me vjet janë tridhjetë - por kanë kaluar kataklizmat e luftërave të filluara pikërisht me idenë që të gjithë serbët duhet të bashkohen në një shtet e me një prijës. Kësaj iu shtua pastaj përcjellja e natyrshme, që këtë komb të përbashkuar ta udhëheqë shpirtërisht Kisha e tij, ajo ortodokse serbe.

Dhe disi kanë shkuar natyrshëm në rrëfim se bashkimi i të gjithë serbëve nuk bëhet pa luftëra, se për luftëra duhen ushtarë të bindur për idenë, dhe se bekimin e atyre ushtarëve e politikanëve që dhanë eprorë të lartë të Kishës Ortodokse Serbe e shndërruan idenë e të gjithë serbëve në një shtet, në një kauzë të shenjtë, një lloj kryqëzate lokale ballkanike. Por, në vend të Jerusalemit, ushtarët serbë të bekuar nga Kisha do ta “çlironin” Vukovarin në Kroaci, Srebrenicën në Bosnjë-Hercegovinë dhe Gjakovën në Kosovë.

Pas të gjitha luftërave, shkatërrimeve, vrasjeve të civilëve gjithandej ish-Jugosllavisë, refugjatëve të shpërndarë nëpër botë dhe prapambetjes ekonomike e mungesës së stabilitetit politik, gjatë javës së kaluar u shpreh edhe një herë përpjekja për rolin prijës të Kishës Ortodokse Serbe si një instrument i luftës politike të filluar me Garashaninin në mes të shekullit XIX. Shkasi qe kurorëzimi i metropolitit të KOS-it për Mal të Zi e Bregdet, Joanikije II, dhe insistimi që ky akt të kryhej në Manastirin e Cetinës, kryeqytet historik i qytetarëve që ndihen malazez, dhe në Manastirin i cili u zaptua nga Kisha Ortodokse Serbe me dekret të Kral Aleksandrit pas bashkimit të dhunshëm të Malit të Zi me Serbinë më 1918.

Ky do të duhej të ishte akti përfundimtar i një rrugëtimi politik. Peshkopi Joanikije dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi e udhëhequr nga mitropoliti Amfilohije i prinë më 2019 lëvizjes klero-nacionaliste për rrëzimin e pushtetit tridhjetëvjeçar të Milo Gjukanoviqit. Si fituese e zgjedhjeve, kjo lëvizje kërkoi kurorëzimin në Manastirin e Cetinës, një kurorë kishtare për fitoren e mëhershme politike.

3.

Nga ngjarja në Cetinë janë të vlefshme të shënohen për mbamendje dy momente.

I pari është arritja e patriarkut dhe mitropolitit të ri në Cetinë me aeroplan të Njësitit antiterrorist të policisë së Malit të Zi. Të rrethuar nga profesionistët më elitarë e me çarçafë antiplumb, eprorët e lartë kishtarë dukeshin si persona të rrezikshëm të botës së politikës, biznesit apo nëntokës. Mund të dukeshin edhe si ushtarë, si eprorë të lartë ushtarakë, por jo të Jezu Krishtit, gjithsesi më afër ushtrisë të idesë së shtetit-komb.

I dyti ishte kënga “Korrte elbin”, që dikur në versionin e këngës popullore kishte dy-tri strofa melankolike e romantike të një vajze që korr elbin e që pastaj në versionin e preferuar të mitropolitit të ndjerë Amfilohije, të njohur për qëndrimet e tij nacionaliste serbe, kishte vënë në funksion këtë elb dhe të korrat e tjera për nevoja të ushtrisë serbe, e cila “kur të kthehet në Kosovë” do ta vizitojë këtë dhe atë vend të shenjtë për ortodoksinë serbe.

Kur priftërinjtë dhe eprorët e lartë kishtarë e këndonin këtë këngë si mirëseardhje për patriarkun dhe mitropolitin e ri, me theks të shtuar tek “kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”, ata nuk mbanin asnjë distancë me faktin se për më shumë se një shekull kur ushtria serbe “është kthyer në Kosovë”, pas vete ka lënë civilë të vrarë shqiptarë, shtëpi të djegura, familje të dëbuara shqiptare e në fund edhe ikje e dëbim të familjeve serbe. U bë një shekull e më shumë që nuk po gjendet paqja mes Kosovës dhe Serbisë.

Kur u prit patriarku me këso kënge në Cetinë u harrua edhe një konstatim i përditshëm ironik që bëhet në televizione të Serbisë, mëngjes e mbrëmje: aty ku ka mbrojtur ushtria serbe serbizmin kanë mbetur pak serbë, nga Kroacia e deri në Kosovë.

4.

Jezu Krishti hyri në Jerusalem një dhe të vetmen herë, i hipur mbi gomar e pastaj duke ecur në këmbë. Qe cilësuar si kundërshtar i rendit, atij romak dhe atij të klerikëve hebrenj. Hyri pa frikë, si një njeri i padhunshëm, që besonte në kauzën e tij.

Kauza e tij qe shpalosur në fjalimin e mbajtur në mal, ku shpalli tetë lumturitë, një manifest që inspiroi lëvizjet e padhunshme, prej Gandit e Martin Luther Kingu, dhe pse jo, edhe atë të Kosovës.

Ata që duhej ta pasonin rrugën e Krishtit, e i janë përkushtuar jetësisht e profesionalisht, pra klerikët e Kishës Ortodokse Serbe, në vend të gomarit hynë në mesin e kundërshtarëve të tyre politikë me helikopter të Njësitit antiterrorist. Dhe në vend të tetë lumturive e krijuan një të veten, aq larg Jezu Krishtit e aq afër Slobodan Milosheviqit: “Lum njësitë speciale të policisë që na ndihmojnë ta mbajmë kurorën”.