A ka gjë më të bukur në botë se kur bëhesh muzë për dikë e sidomos për ndonjë koleg “diplomat” i kalibrit të dr. Lladrovcit. Ai duke lexuar nga Ditari im sigurisht se është ngazëllyer dhe ka lakmuar që edhe ai ta shkruajë një libër biografik. Qysh tash unë atë libër edhe pse ende i pashkruar do ta shpallja lektyrë të obliguar shkollore për klasat e ciklit të ulët të viteve 1 deri në 9, çdo verë gjatë pushimeve verore
Muharrem Nitaj krahason LDK-në dhe VV-në me Listën Serbe
Ky kabllogram i mëngjesit po që të kthjellë kështu ende as pa i hapur sytë mirë nga gjumi i një nate jo të rehatshme. Nuk di njeriu se si ta kuptojë edhe deshifrojë se çka ka dashur të thotë autori me këtë krahasim?
Nga secili kënd që po e analizoj nuk po duket mirë për Nitajn. Me sa e di Nitaj mbahet për gazetar profesionist! Do të duhej ta kuptonte kur një thënie nuk është as politikisht e as logjikisht korrekte. Çfarë nuk e bën të tillë? Pikë së pari nëse mendimi i tij ka qenë që t’i degradojë këto dy parti me një krahasim të tillë dhe t’i portretizojë ato si parti armike, për një çast si duket ai ka harruar se AAK-ja e ka partner koalicioni Listën Serbe, dhe ajo Listë e mjerë i mban në pushtet.
Nëse në anën tjetër ka dashur të tregojë laritje politike për të dashur që t’u thotë se edhe me ju do të lidhnim koalicion përsëri, gabim në hapa, sepse ata do të ndihen të fyer për dallim prej Nitajt. Nuk e dëgjuam Nitajn ta kritikonte shefin e vet për pranim në zyre të kriminelit nga veriu i Mitrovicës, Radojçiqin. Sikur gjestin e njëjtë ta kishin bërë liderët e tjerë kush do ta duronte Nitajn me vërejtjet e veta në njërin prej emisioneve ku ai merrte pjesë në panel të analistëve, ku tashmë dy nga paneli janë pjesë e kabinetit të Qeverisë Haradinaj dhe një tjetër është në opozitë.
Analogji më të huçtë nuk më ka ra të has në kabllogramet diplomatike qysh se merrem me diplomaci.
Ramiz Lladrovci dëshiron që të shkruajë libër për jetën e tij
A ka gjë më të bukur në botë se kur bëhesh muzë për dikë e sidomos për ndonjë koleg “diplomat” i kalibrit të dr. Lladrovcit. Ai duke lexuar nga Ditari im sigurisht se është ngazëllyer dhe ka lakmuar që edhe ai ta shkruajë një libër biografik. Qysh tash unë atë libër edhe pse ende i pashkruar do ta shpallja lektyrë të obliguar shkollore për klasat e ciklit të ulët të viteve 1 deri në 9, çdo verë gjatë pushimeve verore. Pse do të duhej që fëmijët të kenë heronj fiktivë sikur “Fatbardh Pikaloshi” apo “ Çipolino”, ose “Maçorri me çizme” kur munden ta kenë heroin real Mizin. Para pak ditësh ishim dëshmitarë të kashagitjes së tij kokë më kokë me maçorrin e vet pa të cilin Mizi nuk e paramendon jetën. Maçorri i dr. Lladrovcit vetëm sa nuk e përforcoi atë thënien e vjetër pellazge “luje macë kryet e burr(o)*-it”.
Po a thua vallë në librin e tij me çfarë heroizmash do të na fascinojë? Unë mezi pres që ai libër të botohet dhe që ta porosis atë në Amazon Online, bile edhe çështja për Çmimin Nobel për letërsi për vitin 2019 le të përmbyllet, edhe le të kursehen shkrimtarët e tjerë dhe le ta marrin një vit të lirë për inspirim të mëtutjeshëm, sepse viti 2019 është viti i
dr. Ramiz Lladrovcit. Ky është viti, i cili do të shënojë standarde të reja letrare.
Në një të ardhme të afërm mua do të më jepet mundësia që nipave apo mbesave të mia t’u them se unë e kisha kënaqësinë që dr. Ramiz Lladrovcin ta kisha kolegë në diplomaci e gjithsesi edhe privilegjin që të jetoja në kohën e tij.
“Plogështia bën pafuqinë” do ta thosha unë në stilin e dr. Lladrovcit e të plogësht jeni të gjithë ju që dyshoni në vlerat letrare që do t’i mbartë në vete ky libër autobiografik, ku Zoti është një e dr. Lladrovci është i dyti.
* - Burro nga gjuha spanjishte për gomarin.
Daçiq: Lesoto tërheq njohjen e Kosovës
Kabllogrami i radhës paksa më zuri të papërgatitur në këtë mesditë kur sapo mendova që e përmbylla edhe një ditë pune dhe se asgjë tjetër nuk do të shkruaja më në Ditarin tim.
Prognoza ime u tregua e gabuar dhe ky kabllogram diplomatik më hoqi nga balanca.
Mendoj se ministri ynë i Punëve të Jashtme do t’i përgjigjet rreptë ndaj këtij gjesti të Qeverisë së Lesotos, e cila, sipas Daçiqit, e ka bërë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Mendoj dhe shpresoj që ministri dhe zëvendëskryeministri Pacolli do t’i dënojë rreptë ata. Do të ishte e udhës që t’ua dërgonte një këngëtar nga Ferizaj le të heqin edhe ata të zitë e ullirit sikur na edhe e shohin pastaj çka do të thotë ta tërheqësh njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së ndonjë shteti! Këngëtarin nga Ferizaj i Kosovës së Shqipërisë le t’ua dërgojë në Parlament, le t’ua bëjë punën tërkuzë lesotezëve apo lesotianëve s’di qysh u thonë, na tregon këngëtari nga Ferizaj kur t’ua dërgojë ministri ynë Pacolli dhuratë si “Kali të Troje-ve Pellazge” e t’ju hyn virusi e të fillojnë me kërku edhe ministra të Ferizajt në Lesoto, saqë harrohet puna e tërheqjes së pavarësisë së Kosovës.
Ministër Pacolli veproni dhe veproni shpejt, nuk kemi kohë për të humbur këtu. Prej se ju jeni emëruar ministër ne më shumë kemi tërheqje të njohjeve se njohje të reja, mos ua ka shkruar juve përshkrimin e detyrave të punës këngëtari nga Ferizaj? Por ministër edhe nuk është shumë për t’u mërzitur me rëndësi që ne Urën e Ibrit do ta quajmë Shakira apo ShahiraT, qysh ke se ma ke përzi me këta këngëtarë në politikëbërjen e partisë tënde. Që do të thoshte Flaka Surroi, shtet hajgare. Në fund e gjithë kjo mund të jetë edhe pjesë e luftës speciale, të cilën Serbia e luan kundër Kosovës dhe diplomacisë së saj, duke lansuar rrena të pakulluara apo si i quan ministri Pacolli “Fejkë njuzë”.
Presioni i deputetit të AKR-së bën që të ndërrohet ministri i Punëve të Brendshme
Edhe pse tërthorazi e lakova njërin nga karakteret, mirëpo duke mos e përmendur me emër, prapë se prapë vendosa që në Ditarin tim të merrem me këtë kabllogram intern qeveritar. Kërkesa e deputetit të AKR-së, Labinot Tahiri, ishte që në kuadër të Qeverisë të ishte një ministër nga Ferizaj! Pas presionit të cilin ai ia kishte bërë Pacollit, presidentit të partisë së vet si dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, duke qenë në pozitën e brishtë në të cilën është ai iu bind presioneve të bëra nga këngëtari.
Të njëjtën kohë këngëtari uron Ferizajn për këtë arritje! Po çfarë ka të bëjë emërimi i një ministri me prejardhje nga Ferizaj me Ferizajn, dhe qytetarët e saj? Përveçse me dëshmimin se ne ende nuk kemi dalë nga mendësia klanore, fisnore, mahallore e të dëshmuarit asgjë! Unë e kuptoj se këngëtari Labinot Tahiri ka grumbulluar shumë vota për vete dhe si deputet është i zgjedhur në kuadër të një procesi demokratik dhe është i përzgjedhur i popullit, por kjo do të duhej të ishte në njëfarë mënyre alarmuese edhe për partitë e tjera që vetëm se dikush të sjellë numër të votave (populiste gjithsesi) s’do të duhej që nesër t’i mundësohej që partinë ta shantazhojë me idetë prej më të çmendurave. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të veprave të tija humanitare anembanë Kosovës, mirëpo në momentin që ato bëheshin të zhurmshme nëpërmjet Facebookut dhe mediave të tjera për vlerësimin tim atyre u humb vlera dhe karakteri, dhe mund të interpretohen edhe si blerje indirekte e votës së qytetarit. Njëjtë vepronte edhe shefi i tij partiak milioneri Pacolli, që i jepte diku 500 euro për bamirësi dhe ne duheshim ta kuptonim për atë gjë nëpërmjet Facebookut apo kanaleve të tjera informative.
Presioni të cilin e bën këngëtari është edhe një tregues tjetër, të cilin veç më e kemi ditur se sa i brishtë është ky koalicion qeveritar dhe kjo nuk është hera e parë që këngëtari nga Ferizaj del me ide të përçudme dhe kërcënon edhe partinë, edhe Qeverinë e edhe Kuvendin me votim/mosvotim të vet.
Që ky cirk të kompletohet për ministër të Punëve të Brendshme caktohet një mjek nga Ferizaj! Me rëndësi që është nga Ferizaj, ky ka qenë kushti i këngëtarit. Shpresoj që tash e mbas ta bëjë gjumin e qetë, sepse premtimin të cilin ia kishte bërë Ferizajt e mbajti, i bëri me ministër nga ai qytet. Shpresoj, gjithashtu, që secili qytetar i Ferizajt tash e mbas e bën gjumin më të qetë duke e ditur se njërin nga qytetarët e vet e ka të ulur në kolltukun e Qeverisë, dhe do t’i gëzojë privilegjet e të qenit ministër.
Përndryshe unë po e marr lirinë dhe imunitetin tim diplomatik dhe të konkludoj që kontributi i mjekut të emëruar për ministër të Punëve të Brendshme do të jetë i krahasueshëm me kontributin e një shkopi të golfit të fundosur në fund të oqeanit për të afirmuar sportin e golfit për krijesat, të cilat jetojnë aty. Mjeku i fundit që udhëhoqi me atë ministri (i lehtë i qoftë dheu, i cili e mbulon) mbas vete e la edhe skandalin dhe korrupsionin e pasaportave, dhe dëmin që iu shkaktua buxhetit për 5 milionë euro.
Po çka janë 5 milionë euro, pse a mos kanë me i paguar nga shitja e patundshmërive familjare të tyre? Jo pra. I paguajnë nga ndera e taksapaguesit pa asnjë problem edhe atë duke mos shikuar as dy herë mbrapa.