OpEd

Luftë

Kosova nuk është në luftë, por i vuan pasojat e saj edhe pas njëzetekatër vjetësh. Rindërtimi i shpejtë i shtëpive të shkatërruara nuk u përcoll edhe me ndërtimin e qëndrueshëm të shtetit, që do të kishte pasur reflektim edhe në ekonomi dhe në jetesën tonë të përgjithshme. Tashmë e kemi përsëritur sa herë se sa keq i kemi punët në shëndetësi, arsim, teknologji e ekonomi, sa më edhe vetes i jemi bërë të mërzitshëm

Ishin javë të tëra në të cilat presidenti amerikan paralajmëronte se Rusia kishte ndërmend ta pushtonte Ukrainën, porse disi të gjithë e merrnin atë punë më shumë llaf retorik, sesa informatë të mbështetur mbi informata të sakta inteligjence.

Rusia e pushtoi Ukrainën të enjten. Prej kohësh tashmë kishte nisur forcat e veta bri kufirit me shtetin fqinj, duke thënë se po bënte manovra, kur në të vërtetë po pozicionohej për t’u futur me forca këmbësorie në shtetin që i ishte bërë halë në sy.

Arsyetimet që i deklamonte lideri i Rusisë, Putin, ishin nga më të ndryshmet, përfshirë edhe idenë se Ukraina nuk është shtet, e as populli i saj nuk ka identitet të vetin. Vijoi duke thënë se në Ukrainë po ndodhte gjenocidi i popullit rus dhe në fund se me ndërhyrjen në këtë shtet po e bënin denazifikimin e këtij shteti.

Pra, me demagogjinë më të madhe të mundshme, pushteti rus i mësyn një shteti të pavarur dhe fatkeq që Rusinë e ka fqinje, për t’u pozicionuar aty ku ishte në kohën kur Bashkimi Sovjetik kishte qenë fuqi dhe palë në Luftën e Ftohtë.

* * *

Kur pati krisur lufta në Kosovë, mjetet e komunikimit kanë qenë aq të kufizuara sa shpesh vetë bartja e informatës nga njëra anë në anën tjetër të Kosovës në fakt shndërrohej në një lloj arti. Aq më i komplikuar bëhej transmetimi i informatave dhe pamjeve të asaj që po ndodhte. Po të mos kishin qenë mediat ndërkombëtare që raportonin nga lufta e Kosovës, me siguri se nuk do të kishte pasur asnjë lloj sensibilizimi për atë që po e vuanim nga ushtarët dhe policët e një koke të sëmurë që kishte vendosur ta pushtonte botën e tij “serbe”.

Pamjet e dy ditëve të shkuara, që mund të përcilleshin nga ajo që na prezantonin mediat ndërkombëtare, por edhe ajo që mund të gjendej nëpër media sociale, fuqishëm më kthyen te 1998-a.

E përbashkëta e asaj që kisha parë dhe më ishte “filmuar” në mendje dhe kësaj që tash shoh në ekrane është frika në sytë e njerëzve. Është një rrezatim i veçantë, ai që zbulon frikën nga e panjohura, frikën nga shpërthimet, frikën nga vdekja e panatyrshme, frikën nga dhuna.

Tash e kuptova se ky shikim frike qenka shikimi që ta shkakton lufta. Në fakt, që ta shkakton agresioni. Sepse pos frikës, përherë një rreze zemërimi do të të reflektojë në sy.

* * *

Ka pasur edhe disa luftëra që kanë ndodhur ndërmjet luftës sonë dhe kësaj të Ukrainës. Ka pasur shumë njerëz që kanë humbur jetë, plot që kanë humbur shtëpi dhe qytete që janë zhdukur fare, e që ne të mos kemi reaguar për to. Mbase për shkak se u kanë takuar kontinenteve të tjera, pra edhe jemi treguar egoistë.

Ukraina, edhe pse nuk na ka njohur si shtet, megjithatë ia ka dalë ta gëzojë simpatinë e masës në Kosovë. Për shkak se Kosova së bashku me Bosnjën e Kroacinë e dinë se çfarë do të thotë të sulmohesh nga një diktator dhe nga një ushtri që ka urdhër të vrasë, të dhunojë e të sakatojë pavarësisht dokeve të luftës. E di çfarë do të thotë të sulmohet nga dikush që të gjithë kauzën e një lufte të këtillë e ka ndërtuar mbi rrenën dhe propagandën. Dhe, ç’është më me rëndësi, që ia ka dalë ta verbërojë dhe hesht dhunshëm një popull të cilin e sundon. Ne më mirë se askush e dimë se çfarë do t’i ndodhë Ukrainës, po qe se nuk ia del të armatoset e të mbrohet vetë.

Ukraina për dallim prej Kosovës nuk ka shumë gjasa që dikush të çohet e ta përkrahë ushtarakisht, për shkak se armiku i cili e ka sulmuar ka armë bërthamore. E nëse ky njeri i çmendur, që dëshirën më të madhe e ka ta riformojë BRSS-në, nuk e ka problem të futet në territorin e cilitdo fqinj “ku duhet mbrojtur popullin rus nga gjenocidi”, nuk do ta ketë problem as ta përdorë armën bërthamore për shkatërrim në masë. Edhe hiç nuk do të brengosej se a do të shkatërrohej gjysma e botës ose jo. Prandaj, është brengë edhe e jona.

Ukraina, nëse nuk ia del të mbrohet, ose mund të bjerë nën okupimin e plotë rus, me një qeveri marionete; ose do të mund të ndahet përgjysmë, ose edhe të copëtohet. Dhe kështu Rusia do të na afrohet edhe më shumë – sa nga ana e Ukrainës aq edhe nga ana e Moldavisë, e cila gjithashtu do të mund ta humbte një pjesë të territorit të banuar me rusë.

Gjithsesi keq. Shumë keq. Sepse lufta është e keqe.

* * *

Kosova nuk është në luftë, por i vuan pasojat e saj edhe pas njëzetekatër vjetësh. Rindërtimi i shpejtë i shtëpive të shkatërruara nuk u përcoll edhe me ndërtimin e qëndrueshëm të shtetit, që do të kishte pasur reflektim edhe në ekonomi dhe në jetesën tonë të përgjithshme.

Tashmë e kemi përsëritur sa herë, se sa keq i kemi punët në shëndetësi, arsim, teknologji e ekonomi, sa më edhe vetes i jemi bërë të mërzitshëm. E i kemi keq për shkak se vetë e lëshuam shansin të na ikte nga dora. Qoftë për shkak se kemi dashur apo edhe pse nuk kemi ditur.

Natyrisht se askush nuk do që ta ketë një jetë të keqe, porse shumë nga ne heshtëm gjatë, shumë gjatë, ndaj krejt së keqes që e shihnim se na ndodhte. Për shumë gjëra të tjera që nuk i kemi ditur, nuk kemi pasur as çfarë të themi – derisa nuk i kemi kuptuar.

E një nga ato skandalet që të bëjnë të plasësh nga sikleti dhe hidhërimi janë milionat që iu paguan “Bechtel-Enkas” në emër të punëve shtesë për autostradën për në Shkup. 97.1 milionë euro janë shumë, shumë para, edhe për kritere të shteteve të pasura, e lëre më për neve.

Prokuroria tregon se janë lidhur kontrata të jashtëligjshme për t’i paguar 44.1 milionë euro punë shtesë para se të paguheshin edhe 53 të tjera, sërish në emër të punëve shtesë. Edhe njëherë, sipas Prokurorisë, kontrata origjinale është me çelësa në dorë – pra NUK ka punë shtesë (apo variacione, qysh u thonë). Pra, nëse është kështu, kjo do të thotë se 97.1 milionë euro janë vjedhur. Pikë.

* * *

Më 2018, tashmë në pushtet, Ramush Haradinaj, pati deklaruar në Kuvend: “Nuk kemi pasur qare pa ia pagu paret, sepse i kemi gjetë pa pagu 14 milionë që Qeveria e kaluar i ka lënë qaty. Dhe nga ky borxh është krijuar 53- milionëshi. Po ju garantoj se askush asnjë cent nga ky 53-milionëshi nuk mundet me e vjedhë, sepse s’mundesh me i vjedhë para një kompanie ndërkombëtare siç është Bechteli”.

Nuk mundesh me i vjedh, por dikush mundet me i nda me të, veç a merresh vesh, sepse sipas Prokurorisë, del se ekziston një raport që thotë se nuk duhen paguar këta milionë, dhe se atë raport e ka fshehur Pal Lekaj. Për më tepër, katër ministra kanë deklaruar se Lekaj nuk i ka informuar se ekziston një raport i tillë. Madje njëra ministre, Reshitaj, kur është intervistuar, ka deklaruar se Lekaj u pati thënë se ekziston rreziku të shkohet në arbitrazh.

Gjasat janë se rreziku i arbitrazhit të mos ketë ekzistuar. Dhe gjasat janë që gjithë këta milionë të dalë nga buxheti i shtetit të jenë ndarë me ndonjë ortak këtu në vend. Sepse nëse janë para të falura, do të thotë se kjo është skemë hajnie, të cilën deklarata e Haradinajt nga 2018-a nuk mund ta demantojë.

Kjo për shkak se nuk do të ishte hera e parë që Haradinaj të thoshte të pavërteta (më eklatantja është ajo për veteranët, ku sipas tij, në Deçan kanë luftuar i madh e i vogël) dhe nuk është hera e parë që do të kapërcente nëpër të, ngase sa herë që i është “tekë” ka falur borxhe, ose ka shpërndarë para nga rezervat shtetërore për aktivitete që më pas as nuk janë arsyetuar.

Në seancën e djeshme të Kuvendit, sërish iu qas akuzës së tij për “komandantët e Bllacës...”, të cilën për herë të parë e kishte përmendur tre ditë para se të shkonte në Hagë më 2005-n. Atë ditë në stadium, derisa mbante fjalimin, publiku i mbledhur i vërshëlleu, dhe ky iu kthye me “mshelne komandanta të Bllacës...” për të vazhduar me një të sharë shumë të pahijshme. Në kohën kur e mbante fjalimin, ai tashmë e dinte se do të shkonte në Hagë, si i akuzuar për krime lufte.

Nuk e di nëse ka ndonjë paralele për të tërhequr këtu, porse dihet se Haradinaj është marrë në pyetje nga Haga para se të jepte dorëheqje më 2019-n. Duket shumë indikative që tash po i kthehet diskursit të komandantëve të Bllacës, pa qenë i sinqertë deri në fund për të na treguar se kush saktësisht janë këta komandanta.

Nuk ka dyshim se ky diskurs dhe kjo sjellje tash janë pasojë e luftës së para 24 vjetësh, të cilën as ai e as shumë prej nesh nuk po mund ta tejkalojmë, sepse na kanë lënë vragë të thella.

Sepse lufta është e keqe.

[email protected]