Dikush sot do të kërkonte një ilaç për media. Ironia është se potencialisht ai paraqet rrezik më të madh se sëmundja vetë
Ka qenë më e lehtë të luftohej për lirinë e shtypit kur sulmohej vetëm nga jashtë.
Kanë kaluar tri dekada qëkur nisën të shfaqeshin “mediat e reja” të asaj kohe në rajon. Por edhe para kësaj periudhe ka pasur gazetarë mjaftueshëm inventivë për të përçuar porosi mes rreshtave të lajmeve të lejuara në mediat e kontrolluara nga shteti. E në Kosovë masat e dhunshme të vitit 1990 përzunë gazetarët shqiptarë nga aty dhe prodhuan atë prerjen e qartë që çoi në evoluimin e mendësisë dhe identitetit të mediave dhe gazetarëve të lirë.
Megjithatë, nga ajo periudhë e deri tash jo të gjithë kanë qenë të tillë. Në fillim madje ka pasur më shumë se tash, shikuar proporcionalisht. Dhe kjo ka ndodhur për shkak të modifikimit të kontrollit. Diçka që u ngjan viruseve të mençura, që modifikohen varësisht nga fuqia e sistemit imunitar.
Ky sistem te mediat filloi të ndërtohej spontanisht gjatë viteve nëntëdhjetë. Gazetarët u përballën me sfida gjatë një periudhe kur ata jo veç pse ishin shqiptarë u nënshtroheshin dhunës dhe sulmeve të regjimit. Por patën mundësi të mësonin diçka edhe përmes rrugëve më të lehta, duke punuar krahas ekipeve të mediave më të njohura botërore që mbulonin luftërat e ish-Jugosllavisë.
Pas luftës në Kosovë, përkrahja ndërkombëtare për media kishte për qëllim vetëqëndrueshmërinë financiare të tyre, por edhe mbështetjen në epokën e sfidave të reja – ku sulmet ndaj lirisë së tyre nuk do të vinin më nga regjimi i Millosheviqit. Një realitet i ri po niste pas çlirimit.
“Pushteti i katërt” u themelua ashtu siç ishin kushtet në këtë demokraci në zhvillim, mbështetur nga besimi i njerëzve, por në thumb të qeverive që do të vinin dhe të akterëve të tjerë që e konsideronin veten më superiorë.
Presioni erdhi me gjithë fuqinë e tij dhe në format nga më të ndryshmet - nga shpërfillja e nënçmimi i gazetarëve deri te kërcënimet, dhuna, ndëshkimet financiare, ndjekjet penale, kufizimet ligjore... varësisht se kur dhe nga kush. Drejtpërdrejt dhe nga jashtë.
Çka kishte rëndësi për të mbijetuar ishte ndërvarshmëria mes profesionalizmit dhe qëndrueshmërisë financiare. Kjo e bënte betejën për lirinë e shtypit më të lehtë, meqë përcaktonte imperativët e qartë.
Por virusi u modifikua për të sulmuar pikërisht këtë. Sot lufta për lirinë e mediave nuk ka kuptim pa luftën për kredibilitetin e tyre. Kjo për shkak të epidemisë brenda sektorit, që kombinuar me (keq)përdorimin e mundësive teknologjike, i ka vendosur sfidat në një dimension të ri. E gjithë kjo si shtesë praktikës së sulmeve të drejtpërdrejta.
Kosova nuk ka media në letër, por numri i televizioneve është në rritje vazhdimisht, e portalet është e pamundur të numërohen. Edhe po qe se të gjitha këto mediume të ishin të interesuara të raportonin profesionalisht, ekziston një problem shumë praktik – kapacitetet e kufizuara njerëzore. Raportimi në masë të madhe karakterizohet me lëshime elementare profesionale, të qëllimshme apo jo. Kjo e dëshmon faktin që në realitet interesi këtu nuk ka të bëjë me ato që dikur kanë qenë imperativë dhe arma kryesore në luftën për lirinë e mediave.
Profesionalizmi dhe qëndrueshmëria financiare nuk varen domosdoshmërisht më nga njëra-tjetra.
Nëse deri rishtas një biznesmen apo politikan i pasur do të blinte shtëpi luksoze apo vetura të shtrenjta, sot është bërë trend që ta blejë apo ta hapë një televizion. Dhe çdo gjë është në rregull me këtë ose më saktësisht do të ishte në rregull sikur pronësia dhe financat të ishin transparente. Jetojmë në një botë të lirë, por vetëm sikur të mos e dëmtonin reputacionin e asaj që quhet raportim, intervistë, debat... Ka gazetarë që kanë punuar për ta ndërtuar atë, që ende e bëjnë një gjë të tillë, për shkak të atij besimi të njerëzve që ua ka mundësuar një herë mediave ta ndërtojnë sistemin e tyre imunitar.
Kur bëhet fjalë për portalet, në shumë raste standardet bien më poshtë. Etika e mbrojtur nga përgjegjësia profesionale ka rënë nën hijen e statistikës së klikimeve dhe pëlqimeve. Lajmet e rreme janë bërë dukuri e zakonshme.
Dikush sot do të kërkonte një ilaç për media. Ironia është se potencialisht ai paraqet rrezik më të madh se sëmundja vetë.
Kjo kolumne është botuar në të përditshmen malaziase “Vijesti”