Përmasat e sulmeve terroriste mbi Izraelin dhe përmasat e fushatës që ka nisur Izraeli në Rripin e Gazës e kanë hequr nga ekranet televizive dhe nga mediat luftën në Ukrainë. Kjo po ashtu, do t’i ngarkojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në secilin aspekt, nga ai diplomatik e deri tek ai ushtarak. Sepse SHBA-ja pa rezervë do ta ndihmojë Izraelin. Dhe kjo ndihmë do t’i rrisë ndjenjat antiamerikane në shumë vende të botës arabe. Kjo pa dyshim i konvenon më së shumti Rusisë
Përderisa liderët evropianë ishin duke reflektuar mbi diskutimet dyditëshe që patën në Granada të Spanjës për të ardhmen e kontinentit, përfshirë edhe rreth asaj se si deri sa të jetë e nevojshme t’i ndihmohet Ukrainës për ta dëbuar agresionin rus, botën e tronditi sulmi deri tash me përmasa të papara i organizatës terroriste Hamas ndaj Izraelit. Kësaj radhe edhe duke hyrë në territorin e Izraelit. Nuk ishte ky vetëm një sulm terrorist që la shumë të vrarë. Ishte një sulm me përmasa të gjera që shihej qartë se ishte përgatitur gjatë. Dhe tash e tërë bota druan nga eskalimi i luftës në Lindjen e Mesme. E eskalimi në atë pjesë të botës tash e më shumë se 50 vjet, është i garantuar sepse atje është një konflikt i pazgjidhur dhe kur është i pazgjidhur është edhe i papërfunduar. Asnjë përpjekje deri më tash nuk ka pasur sukses, edhe pse disa herë u arritën marrëveshje që u quajtën historike, por problemi nuk u zgjidh. Çfarë të themi për angazhimin e BE-së. Nuk do të bëjmë shumë krahasime me situatën në Kosovë, që po ashtu ishte në prag të shpërthimit më datën 24 shtator, kur grupe të armatosura deri në dhëmbë, që nga BE-ja u quajtën terroriste, sulmuan Policinë e Kosovës. Mjafton të përsërisim atë që tash e sa vjet e thonë shumë analistë se një BE, e cila nuk mund të zgjidhë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë në gjendje të ketë ndonjë rol të madh në krizat e tjera në botë, sidomos jo në atë, aq të madhe sa ajo në Lindjen e Mesme.
Si zakonisht, Evropa do të mbetet duke shikuar dhe duke lëshuar komunikata. Duke bërë thirrje për paqe dhe dialog. Dhe duke u marrë me pasojat e krizës, qoftë përmes ndihmave humanitare, pranimit të refugjatëve apo edhe tensioneve të mundshme në qytetet e Evropës ku jetojnë komunitete edhe hebreje edhe arabe. Jo rrallë herë ka pasur trazira, e edhe sulme terroriste, në vetë qytetet e Evropës që për motiv kanë pasur konfliktin në Lindjen e Mesme.
Natyrisht se palët luftuese e zgjedhin vetë momentin kur do të sulmojnë dikë dhe ata që sulmohen të reagojnë duke u mbrojtur apo duke u vërsulur në kundërsulme. Por, shpesh momenti i zgjedhur për shpërthimin e një konflikti të përmasave të mëdha varet edhe nga faktorët e jashtëm. E në këtë rast rol mund të ketë pasur edhe Rusia, sidomos duke pasur parasysh se shumë vende arabe, sikurse dhe Irani, nuk janë rreshtuar kundër saj për shkak të agresionit ndaj Ukrainës dhe nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.
Prej kur ka nisur invazioni i Rusisë në Ukrainë, një numër i madh i diplomatëve dhe zyrtarëve perëndimorë ka tërhequr vazhdimisht vërejtjen se Moska do të tentojë të ndezë konflikte nëpër rajone të tjera, në mënyrë që t’ia vështirësojë jetën Perëndimit, BE-së dhe NATO-s. Në këtë kontekst, jo rrallë është përmendur edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor. Prandaj, përderisa vazhdojnë hetimet për t’i saktësuar të gjitha hollësitë rreth sulmit në Banjskë, roli eventual i Rusisë në atë sulm po ashtu studiohet si opsion i mundshëm.
Ndërsa nuk ka dyshim se shpërthimi i luftës, që mund të bëhet më e madhja që ka parë njerëzimi në Lindjen e Mesme, i konvenon Rusisë.
Përmasat e sulmeve terroriste mbi Izraelin dhe përmasat e fushatës që ka nisur Izraeli në Rripin e Gazës e kanë hequr nga ekranet televizive dhe nga mediat luftën në Ukrainë. Kjo po ashtu do të ngarkojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në secilin aspekt, nga ai diplomatik, e deri tek ai ushtarak. Sepse SHBA-ja pa rezervë do të ndihmojnë Izraelin. Dhe kjo ndihmë do të rrisë ndjenjat antiamerikane në shumë vende të botës arabe. Kjo pa dyshim i konvenon më së shumti Rusisë.
Rusia mund të llogaritë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të shpenzojnë tash edhe armë edhe para edhe resurse diplomatike për të ndihmuar Izraelin. Kjo mund të ndikojë që të zvogëlohet ndihma ndaj Ukrainës, të cilën disa qarqe amerikane tashmë e kanë vënë në dyshim. Po ashtu, Izraeli tash mund të sulmojë pa hezitim, e me gjasë edhe do të sulmojë, edhe vendet fqinje nga të cilat ka pasur sulme ndaj Izraelit. E kjo mund ta bëjë luftën në Lindjen e Mesme edhe më të tmerrshme dhe më vdekjeprurëse sesa atë në Ukrainë.
Siç e kemi mësuar edhe në rastin e luftërave në ish-Jugosllavi, të shkaktuara nga Serbia e Millosheviqit, zgjatja e luftës e shndërron gradualisht atë në një lloj normaliteti. Pra, tash pas një viti e gjysmë lufte në Ukrainë, lajmet nga fronti i atjeshëm janë bërë të zakonshme. Sulmet ruse dhe kundërofensiva ukrainase, lëvizjet nga disa kilometra majtas e djathtas, raportohen në media, por edhe kjo varet nga intensiteti. Kështu, shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, ku tash po përfshihet edhe Hezbollahu, hoqi nga radari për një kohë luftën në Ukrainë.
Rusisë edhe kjo i paraqet një rast për të shtyrë përpara propagandën e saj kundër Perëndimit, duke krijuar një ndarje të re në rendin botëror. Sepse nuk është e vërtetë se e tërë bota ishte bashkuar kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Kundër kësaj u rreshtua bota e lirë demokratike, por një pjesë e madhe e botës mbeti ose në anën e Rusisë ose kinse neutrale në një rast, ku thjesht nuk ka mundësi të jesh neutral. Dhe në këto rrethana një pjesë e madhe e botës, e prirë të jetë kundër Perëndimit, do t’i besojë Rusisë. Një Rusie e cila mbjell kaos, i konvenon kaosi kudo dhe tragjedia e Izraelit e Palestinës do t’i shkojë për shtati tash edhe Putinit.