Lufta në Ukrainë rrezikon të rrisë tensionet në Ballkan mes shteteve proruse dhe properëndimore. BE-ja dhe NATO-ja duhet të jenë më aktive në rajon për t’u përkujdesur për sigurinë kundër rreziqeve potenciale ruse.
Pushtimi rus i Ukrainës po ka pasoja të mëdha gjeopolitike në Ballkan, duke thelluar ndarjet në rajon mes shteteve proruse dhe properëndimore. Serbia, me afro 7 milionë banorë, po vazhdon ta mbrojë pozicionin e Kremlinit. Bosnjë-Hercegovina, me afro 3.3 milionë banorë, nuk do ta thotë qëndrimin zyrtar për shkak të fuqisë së vetos së Milorad Dodikut, përfaqësues serb i presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës. Mali i Zi, me më pak se 1 milion banorë, po tenton t’i ikë presionit rus dhe ta formojë një qeveri të re properëndimore, pasi ajo proserbe dështoi.
Tri shtetet e tjera të Ballkanit – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – po e ndjekin vijën euroatlantike, duke dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe duke iu bashkuar Perëndimit në vendosje të sanksioneve kundër Moskës. Së bashku, këto tri shtete kanë afro 7 milionë banorë.
Lufta ka potencial për të destabilizuar më tutje Ballkanin, por jo nëse NATO-ja dhe Bashkimi Evropian marrin një qasje proaktive. Në një skenar të tillë, BE-ja do ta ripërtërijë gatishmërinë për të shtuar anëtarë të rinj, ndërsa NATO-ja do ta shqyrtonte në mënyrë aktive mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në aleancë.
Në dy shekujt e fundit, Rusia ka pasur tri regjime sunduese: cariste, sovjetike dhe postkomuniste. Por i njëjti mentalitet imperialist ka mbetur. Për Ballkanin, kjo nënkupton se presidenti Vladimir Putin do të vazhdojë të keqpërdorë çështjen e pakicave rusofolëse jashtë Rusisë dhe të aktivizojë komunitetet sllavo-ortodokse, kryesisht përmes Serbisë. Për të larguar vëmendjen ndërkombëtare nga Ukraina, provokimet e frymëzuara nga Kremlini mund të ndodhin në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi.
Zëri i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Shqipëria, aktualisht anëtarja e vetme nga Ballkani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së 15-anëtarësh, inicioi më 25 shkurt të këtij viti një rezolutë për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Dështoi për shkak të vetos ruse. Kina abstenoi. Por në një seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 141 shtete anëtare votuan për një rezolutë që dënon pushtimin rus të Ukrainës, ndërsa pesë votuan kundër e 34 abstenuan.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur mbledhje të jashtëzakonshme të këshillave të tyre të sigurisë, duke rreshtuar pozicionin e tyre me atë të Perëndimit. Parlamentet e tyre votuan rezoluta kundër pushtimit rus të Ukrainës. Qeveritë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut dënuan pushtimin rus, përkrahën sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe vendosën sanksione kundër Rusisë. Qytetarët e tyre protestuan jashtë ambasadave ruse.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës kërkoi një bazë të përhershme ushtarake të SHBA-së në Kosovë, duke ofruar ushtarët e saj si përkrahje për NATO-n në Evropën Lindore, dhe po ashtu po e kërkon anëtarësimin në NATO.
Ndonëse protesta u mbajtën edhe në Rusi, serbët në Beograd dhe Mal të Zi protestuan në përkrahje të presidentit rus Putin.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO
Sipas Traktatit Veriatlantik të vitit 1949, dokument themelues i NATO-s, një shtet evropian nuk duhet të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara që t’i bashkohet aleancës. Megjithatë, ajo duhet të pranojë parimet e traktatit dhe të kontribuojë në sigurinë euroatlantike (neni 10). Kosova plotëson këto kushte.
Pranimi i Kosovës në NATO do të prodhonte përfitim të dyfishtë: Krahu jugor i aleancës do të forcohej dhe NATO-ja do ta mbronte integritetin territorial të Kosovës sipas nenit 5 të klauzolës për mbrojtje reciproke, edhe nëse kjo do të nënkuptonte se baza e misionit ndërkombëtar paqeruajtës të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja do të mbyllej së shpejti.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO po përkrahet nga Turqia, Kroacia dhe kongresisti amerikan Ritchie Torres, që i shkroi presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në mbështetje të aspiratave të Kosovës. Po ashtu Qeveria e Kosovës njoftoi se do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas pezullimit të Rusisë nga kjo organizatë.
Kosova do t’i intensifikojë aktivitetet diplomatike drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe Këshill të Evropës. Ka mbështetjen kyç për të arritur të paktën një nga qëllimet e saj. Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas Manuel Sarrazinit, i dërguar special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Qeveria e Kosovës po ashtu pritet të arrijë statusin e shtetit kandidat të BE-së këtë vit, me presidentin kroat Zoran Milanoviq, që i jep mbështetjen kandidaturës së Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës për anëtarësim në BE.
Ndikimi rus
Ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk po mund ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës për shkak të fuqisë së vetos që ka aleati i Putinit, Milorad Dodik, në presidencën federale, situata është më e komplikuar në Mal të Zi. Partitë pro-Beograd atje nuk lejuan formimin e një qeverie të re properëndimore, ndonëse presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, qëndron fuqishëm nga Perëndimi.
Lidhja e fortë mes kishave ortodokse serbe dhe ruse mbetet instrument kyç i ndikimit të Rusisë në rajon, ku narrativa e Kremlinit po shpërndahet nëpërmjet Sputnikut, mjeti i propagandës së Qeverisë së Rusisë.
Rusia ka rritur ndikimin e saj jo vetëm në Serbi, Republikën Sërpska dhe Mal të Zi, por edhe në Maqedoni të Veriut. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka ngritur shqetësimet për përkrahjen e madhe për Rusinë në mesin e maqedonasve etnikë.
Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq ka urdhëruar ushtrinë dhe policinë të përgatiten dhe vazhdon investimet në pajisje dhe armë, kryesisht nga Rusia, por edhe të shesë armët në Birmani. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se ushtria është në gjendje gatishmërie, ndërsa Serbia ka nisur të mobilizojë rezervistë në mesin e serbëve në Kosovë, sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes të Kosovës.
Brenda një jave, presidenti Vuçiq thirri dy mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke deklaruar më 25 shkurt se Serbia e njeh integritetin territorial të Ukrainës, porse nuk do t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, duke rrezikuar më tepër perspektivën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Kanalet e inteligjencës mes Beogradit dhe Moskës janë duke funksionuar mirë, siç u tregua edhe në skandalin ku u përfshi ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin. Z. Vulin i dha Kremlinit transkriptimet nga takimet e përgjuara në Beograd të liderëve opozitarë rusë, duke çuar në arrestimin e Andrei Pivovarov në Moskë, ish-drejtorit të organizatës joqeveritare “Rusia e Hapur”.
Vulin dhe Ivica Daçiq, kryetar i Kuvendit të Republikës së Serbisë, mbesin dy mbështetësit më të fuqishëm të Kremlinit. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, thotë se 85 për qind e serbëve do të përkrahin politikat ruse, pavarësisht se çfarë do të ndodhte. Ai do t’i përdorë narracionet proruse për t’i mobilizuar votuesit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 3 prill, ndërsa po kërkon të rizgjidhet.
Më 8 mars, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ftoi të kthehen 40 ushtarë ukrainas të angazhuar në misionin paqeruajtës të KFOR-it, në mënyrë që ata t’i bashkohen luftës kundër pushtimit rus.
Z. Putin gjithashtu ka qenë i obsesionuar me Kosovën, të paktën që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur u mundua t’ia shiste Perëndimit një “analogji” të rreme mes Kosovës dhe Krimesë. Dy çështjet, në fakt, janë totalisht ndryshe. Kosova e shpalli pavarësinë e saj pasi ishte subjekt i gjenocidit dhe aparteidit nga Serbia. Por ky nuk ishte rasti i Krimesë, ku Ukraina kurrë nuk shtypi popullsinë ruse. Kosova luftoi për ta çliruar veten nga regjimi brutal i Sllobodan Millosheviqit. Krimea, në anën tjetër, u pushtua nga një shtet i huaj – Rusia. Më 7 mars, presidenti Putin nënshkroi një dekret që i vendos Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në listën e “shteteve jomiqësore” së bashku me SHBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ballkani i shqetësuar
Ekspertët ndërkombëtarë kanë mbetur të shqetësuar se dhuna nga lufta e Rusisë mund të përhapet edhe në Ballkan.
Ivana Strander nga Instituti i Sipërmarrjeve Amerikane ka paralajmëruar për zgjerimin e një lufte hibride në të cilën Ballkani “do të ishte beteja e radhës”. Një vit më parë, ajo dhe një ekspert tjetër, paralajmëruan Perëndimin të mos i japë presidentit të Rusisë, Putin, leje të lirë në Ballkan e Lindje të Mesme.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një takimi të jashtëzakonshëm të aleancës më 4 mars, ka paralajmëruar se, pas Ukrainës, Rusia mund t’i kërcënojë edhe Gjeorgjinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Shefi diplomatik i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se blloku prej 27 anëtarëve është i shqetësuar se pushtimi rus mund të përhapet edhe në Moldavi, Gjeorgji dhe Ballkan Perëndimor. Ai vizitoi rajonin nga 13 deri më 16 mars, pasi paralajmëroi se është shënjestër e operacioneve dezinformuese ruse. BE-ja, më 2 mars, ndaloi zyrtarisht mediat e financuara nga Kremlini, si Russia Today dhe Sputnik, së cilës iu bashkuan edhe Kosova e Maqedonia e Veriut.
Ndërhyrja e Rusisë në rajon ka të ngjarë të rritet, nëpërmjet bazës së saj ushtarako-inteligjente në Serbi.
Në planin e Kremlinit mund të përfshihet provokimi i incidenteve në Kosovë për “të mbrojtur” minoritetin serb, siç ka pretenduar se po bën me rusofolësit në lindje të Ukrainës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës tregon se “Ballkani Perëndimor është në rrezik edhe më të madh sesa shtetet baltike dhe Moldavia, pasi atje Rusia duhet të lëvizë një pjesë të forcës së saj ushtarake”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në vizitën e saj të parë në rajon ka deklaruar qartazi se nuk do të lejohet ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Krahas rreziqeve të sigurisë, pushtimi rus sjell edhe pasoja ekonomike dhe të migrimit. Më tepër se 3 milionë ukrainas kanë ikur nga bombardimet ruse, ndërsa sipas një parashikimi të Kombeve të Bashkuara, deri 10 milionë refugjatë mund të ikin përfundimisht nga Ukraina për në shtetet fqinje.
Shumica shkuan në Poloni, por edhe shtetet e tjera evropiane kanë pranuar numër të konsiderueshëm të refugjatëve nga Ukraina.
Në Ballkan, vala e parë e refugjatëve ukrainas ka arritur në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri. Maqedonia e Veriut ka shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 10 mijë refugjatë, ndërsa Kosova deri në 5 mijë, duke filluar nga 20 gazetarë ukrainas.
Pushtimi rus i Ukrainës do të krijojë edhe probleme ekonomike. Serbia ka ndaluar eksportin e ushqimit në pritje të furnizimeve më të ulëta për shkak të luftës. Vendet e tjera të Ballkanit kanë marrë masa të ngjashme.
Skenarët
Pushtimi rus i Ukrainës është sfida e fundit ndaj rendit të pas-Luftës së Ftohtë, që ishte supozuar të garantonte se luftëra të tilla pushtuese në Evropë nuk do të ndodhnin më. Në Ballkan po merren seriozisht pasojat.
Rajoni tashmë ka një ndarje lindje-perëndim mes kampeve proruse të mishëruara nga Serbia dhe Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, dhe vendeve properëndimore si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Mali i Zi, anëtar i NATO-s dhe me një president properëndimor, Milo Gjukanoviqin, ka një krizë qeveritare dhe një komunitet të madh serb prorus. Me gjasë do të formohet një qeveri e pakicave, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Po ashtu, zgjedhjet e reja presidenciale në Serbi janë caktuar për 3 prill dhe rezultati i tyre do të ketë ndikim dukshëm më të madh sesa vetëm në Serbi. Presidenti Vuçiq mbetet i preferuari për shkak të kontrollit absolut të Qeverisë dhe mediave. Perëndimi ka të ngjarë ta këshillojë atë që të mbetet i vendosur në rrugën euroatlantike, por ai ka luajtur lojë të dyfishtë. Prisni që Perëndimi të humbë durimin me këtë lojë të tij dhe t’i kërkojë atij të bëjë një zgjedhje të qartë.
Por ka shumë pak gjasa që Serbia të kthehet së shpejti kundër Rusisë, duke pasur parasysh përkrahjen e madhe që ka Rusia në mesin e serbëve, e po ashtu lidhjet e forta me Kishën Ortodokse Ruse dhe varësinë ekonomike.
Më tepër se gjysma e industrisë së saj të naftës është në pronësi të gjigantëve rusë. Siç thuhet, Sputnik dhe mediat e tjera lokale financohen nga Rusia. Dhe dy aleatë të fortë të Kremlinit kanë pozita të fuqishme në Serbi: z. Daçiq është kryetar i Kuvendit, ndërsa Aleksandar Vulin është në Qeveri.
Rusia do të vazhdojë ta shpërndajë nëpërmjet Serbisë luftën e saj hibride kundër shteteve të orientuara nga Perëndimi, duke manipuluar opinionin me lajme të rrejshme dhe me propaganda ushtarake, e po ashtu duke përdorur provokimet në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Republika Sërpska më herët deklaroi qëllimet për t’u ndarë nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës, dhe lideri i saj, Milorad Dodik, mund ta përdorë pushtimin rus të Ukrainës për të realizuar qëllimin. Nuk përjashtohet mundësia që Dodik ta shpallë pavarësinë e Republika Sërspkas dhe 1,3 milionë banorëve të saj duke e ndjekur shembullin e Donetzkut dhe Luhanskut. Më pas do të kërkojë “mbrojtje” ruse. Si një hap parandalues kundër këtij skenari, BE-ja ka dërguar 500 trupa shtesë të misionit EUFOR në Bosnjë-Hercegovinë.
Serbia kërkon që i njëjti model i Republika Sërpskas të zbatohet në Kosovë përmes “Zajednicës” (i njohur si Asociacioni i Komunave me shumicë serbe), por Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur këtë si jokushtetuese. Por dëshira e Beogradit për të shtyrë këtë çështje po rrit tensionet. Ushtria e Kosovës dhe misioni i NATO-s në Kosovë ka të ngjarë të reagojnë menjëherë dhe të mos lejojnë destabilizim të madh. Në Shqipërinë fqinje, forcat speciale të SHBA-së u vendosën së fundi për të parandaluar destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit. Për shkak të këtyre kërcënimeve të sigurisë, NATO mund ta konsiderojë më seriozisht anëtarësimin e Kosovës në aleancë.
BE-ja ndoshta do t’i përshpejtojë negociatat e pranimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, ku kancelari gjerman, Olaf Scholz, thotë se BE-ja duhet të japë një përgjigje përfundimtare ndaj integrimit të rajonit. Z. Borrell ka shprehur po ashtu përkrahjen, duke thënë për Radio Evropën e Lirë më 14 mars se procesi i pranimit për të dyja vendet duhet të përshpejtohet.
Skenari më i mundshëm është që zëri i bashkuar i BE-së kundër pushtimit rus të Ukrainës do të ringjallë vrullin për zgjerimin e BE-së, duke i dhënë fund stagnimit dydekadësh në Ballkanin Perëndimor. Kostoja e një vakumi gjeostrategjik është shumë e madhe, siç ka treguar lufta e presidentit Putin. Megjithatë, Deklarata e Versajës, e arritur në samitin e BE-së më 11-12 mars, nuk premtoi veçanërisht përshpejtimin e bisedimeve për zgjerim, duke sugjeruar se Brukseliende nuk e kupton këtë moment të sigurisë rajonale.
Zgjerimi më i madh i BE-së në periudhën pas Luftës së Ftohtë ndodhi më 2004. Tani, në një situatë që është e ngjashme me Luftën e Ftohtë, mund të jetë koha për t’u marrë seriozisht me pranimin e shteteve të Ballkanit.
*Ky opinion është publikuar në "Gisreportsonline.com"
Përktheu: Shkumbin Sekiraqa