OpEd

Lufta e Azisë Qendrore për refugjatët rusë

Shumë nga ata që ikin nga Rusia këto ditë i përkasin elitës intelektuale të vendit. Nëse lufta në Ukrainë çon në ikje të përhershme të trurit, ekonomia ruse do të vuajë edhe më shumë sesa që po përjeton tani. Mendjet më të mira të vendit do të vazhdojnë të kërkojnë shtëpi të reja jashtë vendit dhe ish-bashkatdhetarët e tyre sovjetikë do të jenë shumë të lumtur për t’u shërbyer

Banorët e Bishkekut janë përballur me një pamje të pazakontë këto javë të fundit: rrugët e kryeqytetit të Kirgizisë u stërmbushën me dhjetëra mijëra burra të arsimuar me tipare evropiane: Qytetarët rusë që ikin nga “mobilizimi i pjesshëm” prej 300 mijë rezervistësh për të luftuar në luftën e presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës. Populli dhe Qeveria e Kirgizisë i mirëpritën me krahë hapur.

Shumë qytete të tjera euroaziatike, si Tbilisi (Gjeorgji), Bakuja (Azerbajxhan), Jerevani (Armeni) dhe Almaty (Kazakistan) po ashtu kanë përjetuar një fluks të rusëve që e shmangin mobilizimin. Përderisa rusët po zhvendosen në Evropën Lindore dhe në Azinë Perëndimore që kur Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt, përpjekja e parë e madhe e mobilizimit e Kremlinit që prej Luftës së Dytë Botërore e ka kthyer atë që kishte qenë një rrjedhë e vazhdueshme në një përmbytje. Arsyeja është e thjeshtë: Asnjë nga këto ish-republika sovjetike – në Rusi, ato shpesh quhen “jashtë vendit” – nuk kërkon viza hyrëse për qytetarët rusë. Të lëna anash prej kohësh nga rusët si rezervuarë të thjeshtë të fuqisë së lirë punëtore, këto vende tani e shohin ikjen e trurit të Rusisë si një mundësi për t’i përvetësuar punëtorët e kualifikuar me njohuri për të cilat kanë shumë nevojë.

Menjëherë pasi që Putini e shpalli mobilizimin, radhët filluan të formoheshin në pikat e kontrollit përgjatë të gjithë kufijve të Rusisë me ish-republikat sovjetike. Në pikën e kontrollit të Upper Larsit në kufirin ruso-gjeorgjian, u rreshtuan aq shumë makina, saqë njerëzit duhej të prisnin deri në katër ditë për të kaluar.

Në tri javë që kur Putini e nisi draftin e tij, 700 mijë njerëz thuhet se janë larguar nga Rusia. Në fillim të këtij muaji, Kazakistani raportoi se 200 mijë shtetas rusë kishin hyrë në vend që nga 21 shtatori.

Gjeorgjia ndërkohë raportoi se numri i rusëve që mbërritën në vend u rrit për 40-45 për qind, në 53 mijë gjatë së njëjtës periudhë. Dhe Agjencia e Rojave Kufitare dhe Bregdetare e Bashkimit Evropian, Frontex, raportoi se 66 mijë rusë hynë në BE në javën e fundit të shtatorit, rritje kjo prej 30 për qind nga java e kaluar.

Deri më tani, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka kërkuar që qeveritë e Gjeorgjisë, Kazakistanit dhe vendeve të tjera t’i ekstradojnë dezertorët rusë dhe ata që e shmangën mobilizimin dhe të cilët kanë kaluar kufijtë e tyre. Por është për dyshim që kjo politikë lejuese do të zgjasë po qe se ushtria ruse vazhdon që të vuajë mungesa të mëdha në numra.

Në ndërkohë, emigrantët rusë në Azinë Qendrore dhe ata që planifikojnë të emigrojnë kanë përdorur kanalet Telegram si burimin e tyre kryesor të informacionit. Kanalet më të njohura përfshijnë “Zhvendosja në Kazakistan” (34 mijë ndjekës), “Zhvendosja në Uzbekistan” (26,000 ndjekës) dhe “Mirë se vini në Kirgizi” (22,000 ndjekës). Gazetarja ruse Maria Maksimycheva, e cila u zhvendos nga Shën Petersburgu në Tashkent këtë pranverë dhe që operon me kanalin Telegram për jetën në Uzbekistan, përshkroi përfitimet e lëvizjes në Azinë Qendrore: “Komunitete të mëdha mbështetëse për të zhvendosurit, ekonomi në zhvillim të shpejtë, klimë e ngrohtë, jetë komode”

Nuk duhet të jetë befasi që emigrantët rusë tashmë po transformojnë vendet e tyre pritëse. Teksa hotelet dhe bujtinat janë të mbushur, qiratë po rriten deri në qiell. Disa qiramarrës janë dëbuar nga banesat e tyre në favor të rusëve me pagesë më të lartë. Megjithatë, vendasit dashamirës në të gjithë vendet ish-sovjetike i kanë mirëpritur të ardhurit e rinj.

Qeveritë e Azisë Qendrore, nga ana e tyre, e kanë kuptuar shpejt se pranimi i profesionistëve rusë shumë të aftë, veçanërisht elita e teknologjisë shumë e lavdëruar e Rusisë, mund të nxisë ekonomitë e tyre dhe të përmirësojë sistemet e tyre arsimore.

Kazakistani, për shembull, po përpiqet me entuziazëm që të tërheqë emigrantët rusë. Vendi u siguron viza pesëvjeçare të huajve që punojnë në parkun industrial të Astana Hub dhe i përjashton ata nga pothuajse të gjitha taksat. Startupeve u jep gjithashtu grante për zhvillimin e biznesit deri në 50 mijë dollarë dhe 12 muaj qira zyre falas. Po kështu, Uzbekistani tani po lëshon viza trevjeçare që u ofrojnë punonjësve të teknologjisë qasje në të gjitha shërbimet sociale dhe të drejtën për të aplikuar për qëndrim të përhershëm.

Kirgizia gjithashtu ka hyrë në këtë garë, duke ua dhënë të mërguarve rusë statusin “nomad digjital”, i cili u lejon rusëve të punojnë pa leje, të marrin menjëherë një numër identifikimi personal dhe të marrin shërbime të thjeshtuara nga Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet tatimore. Sipas ministrit të ekonomisë dhe tregtisë, Daniyar Amangeldiev, qëllimi është “krijimi i kushteve të favorshme për zhvendosjen e njerëzve të tillë në Republikën e Kirgizisë”.

Pa dyshim, vala e migrimit është ndoshta e përkohshme. Shumë emigrantë rusë, veçanërisht ata që lanë punën dhe nuk gjetën burime të reja të ardhurash jashtë vendit, ka shumë të ngjarë që të kthehen në Rusi kur të ndiejnë se është e sigurt. Por ata që mund të punojnë, të fitojnë para dhe të ndihen rehat në mërgim, nuk do të nxitojnë të kthehen. Dhe, sigurisht, do të ketë nga ata që nuk do të dëshironin të jetonin në një vend të izoluar si Rusia sot. Disa kanë blerë tashmë shtëpi në Bishkek, ndërsa të tjerë kanë aplikuar për shtetësinë e Kirgizisë.

Shumë nga ata që ikin nga Rusia, këto ditë i përkasin elitës intelektuale të vendit. Nëse lufta në Ukrainë çon në ikje të përhershme të trurit, atëherë ekonomia ruse do të vuajë edhe më shumë sesa që po përjeton tani. Mendjet më të mira të vendit do të vazhdojnë të kërkojnë shtëpi të reja jashtë vendit dhe ish-bashkatdhetarët e tyre sovjetikë do të jenë shumë të lumtur për t’u shërbyer.

(Djoomart Otorbaev, ish-kryeministër i Kirgizisë, është autor i librit të ardhshëm: “Central Asia’s Economic Rebirth in the Shadow of the New Great Game” (Routledge, 2023). Ky vështrimi është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).