OpEd

Lojtarë të regjur të “Texas Hold 'Em”-it politik

Në rrafshin e politikës ndërkombëtare jemi dëshmitarë se tashmë Amerika e ka ngritur nivelin, nga “Pishpiriku ballkanas” në lojën e pokerit nga lojtarët e tavolinave e salloneve të filmave western, në nivelin e lojtarëve të lojës “Texas Hold 'Em” të Las Vegasit, ku hyrja është vetëm për lojtarët e dëshmuar të asaj loje. Provë e kësaj janë emërimet e fundit nga presidenti Biden. Nga këto emërime, është lehtë e kuptueshme se Amerika dëshiron që në mandatin e kësaj presidence ta përmbyllë çështjen e Kosovës

Përfunduan edhe një palë zgjedhje lokale në Republikën e Kosovës. Shumë premtime të pretenduesve për kryetarë komunash e asamblistësh komunalë do të harrohen dhe do të mbesin vetëm në kujtesën tonë të pjesës humoristike. Ca nga kandidatët për kryetarë komunash arritën që fitoret e tyre t’i shënonin pa shkuar fare në balotazh dhe gjumi i tyre tashmë mund të jetë më i qetë dhe më i rehatshëm. Njëri nga ta është tashmë fituesi i zgjedhjeve komunale në qytetin e Mitrovicës, z. Bedri Hamza. Ai në këto zgjedhje deklasoi kryetarin e dy mandateve të kaluara, z. Agim Bahtiri, i cili dy mandatet e kaluara i fitoi si kandidat i AKR-së vetëm që gjatë mandatit të dytë të bëhej anëtar i VV-së dhe të ndërronte tabor. Gjithmonë kam kritikuar këtë lloj praktike politike, e cila ndodh në Kosovë: Fito mandat me tjetër parti politike, tjetër platformë e tjera premtime, e më pas bartte atë sukses nën siglën e një partie tjetër. Njëjtë siç ishte rasti me ish-anëtarët e zgjedhur të VV-së për kryetarë komunash, siç ishin Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qëndron Kastrati i Kamenicës. Kalimi i mandateve të tyre nga grupi ikanak i deputetëve nga VV-ja në PSD, u bart edhe në këto dy pozitat e kryetarëve të komunave. Përderisa e kam kritikuar këtë akt të PSD-së, nuk duhet pasur standarde të dyfishta as për kalimin e mandatit të Agim Bahtirit te Vetëvendosja.

Mirëpo, edhe më tragjike për votuesin mitrovicas ishte rikandidimi i Agim Bahtirit nga ana e VV-së për edhe një mandat për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Ata nuk ishin në gjendje që ta matnin disponimin e qytetarëve të Mitrovicës për ndryshim. Mësim i mësuar me kosto të lartë, pas deklasimit të cilin e pasoi Bahtiri nga kundërkandidati nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza.

Në fakt, të gjitha pritjet e Vetëvendosjes për vendet që mendohej se do të fitoheshin pa balotazh, ranë në ujë.

Mirëpo, për dallim nga analizat e komikëve analitikë, të cilët i shohim çdo natë në televizionet tona, është evidente se Vetëvendosja ka shënuar rritje dhe shtrirje në të shumtën e komunave të Kosovës dhe ajo shkon në balotazh në 12 prej sosh. Se a do të ndizen turbinat dhe zvogëlohet arroganca e numrave të zgjedhjeve qendrore, vota të cilat nuk ishin thjesht blanko dhe do të përktheheshin në vota për qeverisje lokale e sidomos duke pasur parasysh se për zgjedhje lokale nuk ka pasur as mobilizim të mërgatës për të votuar, rezultatet janë këto të cilat janë.

Asnjë parti politike nuk e ka luksin që zgjedhjet lokale t’i nënçmojë, duke mos ofruar program dhe premtime konkrete se çfarë projektesh do të realizojnë kandidatët e tyre për komunat gjegjëse, qoftë ajo parti e madhe, sa asnjë deri më tash në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës. E aq më pak me kandidatura të kandidatëve anonimë në ato qytete apo thjesht nominim të figurave komike politike, të cilat janë nënçmim për qytetarin, qoftë ai edhe një votues i Vetëvendosjes. Thjesht qytetari i Kosovës di të ndëshkojë dhe tashmë shumë nga ne këtë gjë e kemi kuptuar me shumë shembuj më parë. Të vetmet të cilat nuk po e kuptojnë janë partitë politike, të cilat presin se me sjellje të njëjta do të shënojnë rezultate të njëjta. Më 14 nëntor do të kuptojmë më saktësisht se çfarë mësimi ka nxjerrë nga kjo lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe strukturat udhëheqëse partiake dhe si do t’i qasen tash fushatës në 30 ditët e mbetura dhe sa nga 12 komunat të cilat shkojnë në balotazh do të arrijnë që faktikisht t’i fitojnë. Vetëm atëherë do të mund ta matim suksesin apo mossuksesin e VV-së në këto zgjedhje lokale. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, që të tria, kanë arritur që t’i fitojnë disa komuna pa balotazh dhe shumica e tyre këtë gjë prapë e përkthejnë në kthim bastionesh, term dhe dukuri të cilën unë asnjëherë nuk e kam pëlqyer, sepse i krijon ndasitë dhe thjesht tribalizmin partiak. I pamë skenat e kremtimit të fitores së PDK-së në Skenderaj. Normalisht që festimi është gjë legjitime, mirëpo ajo e cila e la shijen e hidhur në sytë e qytetarëve kosovarë ishte se ajo fitore ishte shënuar kundër një kandidati që rastisi të jetë anëtar i familjes emblematike Jashari dhe kremtimet me gjuajtje të armëve lanë me të vërtetë shije shumë të hidhur te shumica nga ne, të cilët i pamë ato pamje makabre. Për ca deklarata të kremtuesve në atë festim, të cilat u publikuan nga intervistimet e ca medieve kosovare, as që dëshiroj të komentoj sepse në demokraci edhe ata njerëz kanë të drejtë vote dhe vota e tyre është po aq e fuqishme sa vota e kujtdo tjetër. E kuptoj shumë mirë se kandidatura e Bekim Jasharit nuk do të duhej të ndërlidhej me emrin emblematik të familjes Jashari, njëjtë si edhe emri im që nuk bën të ndërlidhet me emrin e stërgjyshit tim, Isa Boletini, sepse veprat e tij mbesin vepra dhe merita të tija dhe nuk më barten mua, ndërsa veprat e mia mbesin të mijat, mirëpo ai lloj festimi na la shije të hidhur. Në fund të ditës, nuk u mund Lista Serbe në Skenderaj, por kandidatura e një pjesëtari të popullit shumicë shqiptare, që rastisi të jetë anëtar i familjes emblematike Jashari. Gjuajtjet me armë na lanë shije të hidhur. Situatë që PDK-ja të reflektojë dhe ta emancipojë votuesin e saj, e jo të krekoset me Drenicën si zemër e bastion i PDK-së. Janë edhe ca të tjerë që krekosen se Kosova është zemra e tyre, edhe pse e mohojnë faktin se asaj zemre i ishte bërë transplanti në qershorin e vitit 1999.

Në rrafshin e politikës ndërkombëtare, jemi dëshmitarë se tashmë Amerika e ka ngritur nivelin nga “Pishpiriku ballkanas”, në lojën e pokerit nga lojtarët e tavolinave e salloneve të filmave western, në nivelin e lojtarëve të lojës “Texas Hold 'Em” të Las Vegasit, ku hyrja është vetëm për lojtarët e dëshmuar të asaj loje.

Kjo shihet nëpërmjet emërimeve të fundit nga presidenti Biden, siç është emërimi për ambasador të SHBA-së në Serbi i Christopher Hillit, një lojtari të rryer të kësaj “loje” nga këto treva qysh kur protagonist ishte famëkeqi Slobodan Milosheviq, pastaj emërimi i Gabriel Escobarit, ish-zëvendës-ambasadorit të SHBA-së në Serbi në pozitën e zëvendës-sekretarit për Byronë e Ballkanit Perëndimor dhe Euroazisë, si dhe emërimi i ambasadorit të ri në Republikën e Kosovës z. Jeffrey Hovnier, i cili pritet ta zëvendësojë ambasadorin aktual Kosnett dhe që është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan dhe pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Nga këto emërimet e fundit të presidentit amerikan, Biden, është lehtë e kuptueshme se Amerika dëshiron që në mandatin e kësaj presidence ta përmbyllë çështjen e Kosovës. Me lojtarët, të cilët e njohin shumë mirë rajonin, proceset nga e kaluara e edhe vetë protagonistët aktualë e joaktualë në Kosovë e në Serbi, nuk do të ketë më politikë shterpe apo qoftë edhe diletanteske nga e kaluara, të cilën amerikanët nuk e thonë hapur sepse do të ishte njohje e degradimit të politikave të tyre në nivelet më të larta dhe gabimeve të shumta, të cilat u bënë në planin e politikës së jashtme të administratës së kaluar. Duke mos bërë shumë zhurmë për atë gjë, mirëpo duke filluar në riparimin e atyre gabimeve nga e kaluara, tashmë e shohim prapë një Amerikë e cila e kërkon primatin në sferat e interesave të saja në politikën e jashtme. Fryti i parë i këtij rezultati dhe kësaj qasjeje të re ishte edhe deklarimi i përfaqësuesit të lartë të SHBA-së në Kombet e Bashkuara për nevojën e përfundimit të mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, si dhe vizita e djeshme e sekretarit të Shtetit amerikan, Anthony Blinken, në selinë e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, ku deklarata e mëhershme skandaloze e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Çështjet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, z. Josep Borell, se Kosova e bart fajin për intervenimin me forcat speciale në veri dhe luftën kundër kontrabandës, tani u kthye në një deklaratë të përbashkët me sekretarin amerikan, Blinken, për përkrahjen e Kosovës në luftimin e saj kundër kontrabandës dhe korrupsionit.

Këto janë indikacionet më se të qarta për të gjithë protagonistët e rajonit e edhe më gjerë se Amerika kësaj radhe “means business”.

Unë besoj se sjelljet dhe defilimet e Serbisë në kufirin me Kosovën me ushtrinë e saj, aeroplanët, tanket, dronët dhe vizitën e ambasadorit rus atyre trupave në Rashkë afër kufirit me Kosovën për amerikanët ishin ngritje e flamurëve të kuq në sistemin e tyre alarmues dhe veprimet e tyre nuk bëhen me zhurmën e mentalitetit ballkanas, por me akte konkrete të shtrëngimit të të gjitha vidave, të cilat përgjatë viteve paksa janë liruar më shumë nga boshtet, të cilat duhet mbajtur stabile. Këtu gjithsesi hyjnë edhe sjelljet e Serbisë për destabilizimin e Malit të Zi, partnerit amerikan në NATO e edhe sjelljet e presidentit të Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, i cili kërcënon me ndarje nga Bosnjë-Hercegovina. Politika shterpe dhe e fjetur e Bashkimit Evropian për t’i zgjidhur këto probleme në oborrin e saj, e edhe problemet e shtuara përbrenda vetë BE-së, siç janë rastet me Poloninë dhe Hungarinë, e kanë shtyrë Amerikën që ajo përsëri ta marrë rolin e saj prijës në zgjidhjen e problemeve në sferat e mbrojtjes të interesave të saj në Ballkan dhe në Evropë.