OpEd

Lojëra pa kufi me kufijtë

Ç'është e vërteta, duke u bazuar në historitë me pikat kufitare 1 dhe 31 që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, ishte koreografia tashmë e njohur e nacionalistëve serbë që ndërlidhej me djegien e këtyre pikave kufitare në të kaluarën. Pse edhe kësaj radhe do të pritej se ata do të silleshin ndryshe? A nuk i pamë qendrat e regjistrimit të automjeteve të djegura në Zubin-Potok, si dhe bombat e dorës të cilat u hodhën në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, të cilat fatmirësisht nuk u aktivizuan? A nuk i pamë bilbordet për "mirëseardhjen në asociacionin e komunave serbe"? Në pamundësi të djegies së pikave kufitare, ata vazhduan me koreografinë e mbetur të tyre nga arsenali nacionalist

Kemi hyrë në ditën e 11-të të odisesë së tabelave të regjistrimit të veturave me Serbinë dhe bllokimit të pikave kufitare nga ana e "protestuesve" të pakicës serbe, si dhe dërgimin e forcave speciale policore të Republikës së Kosovës në atë pjesë të vendit e së fundmi edhe patrullimit të njësiteve të ushtarëve të KFOR-it.

Kanë kaluar më shumë se 48 orë që nga skadimi i ultimatumit të Aleksandar Vuçiqit për tërheqjen ushtarake të NATO-s ose intervenimit të Serbisë. Ai pardje kishte qenë shumë i stresuar dhe, sipas kryeministres Burnabitch, ai nuk po flinte natën nga stresi dhe mërzia për situatën e krijuar në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. E me gjithë faktin se shumë portale mediatike të Kosovës na e sforcuan këtë lajm për gjendjen shëndetësore të Vuçiqit gjatë gjithë kohës së ditës së djeshme, ne mos paçim tjetër gajle sesa gjendja shëndetësore e Vuçiqit.

Dje në Bruksel u mbajt edhe takimi i përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, si dhe me përfaqësuesin amerikan Gabriel Escobar, i cili është zëvendëssekretar i Byrosë së shtetit amerikan për Evropën dhe Azinë. Takimi kishte të bënte mbi zgjidhjen e situatës me tabelat e regjistrimit. Tashmë i dimë deklaratat e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili deklaroi se ishte arritur një marrëveshje në parim dhe se pritej vetëm edhe dakordimi i palës serbe për mbështetjen e kësaj marrëveshjeje. Nuk vonuan shumë deklaratat e Bashkësisë Evropiane, të Ambasadës Amerikane, si dhe të palës serbe, të cilët deklaruan se asnjë lloj marrëveshjeje nuk ishte arritur dhe se bisedimet do të vazhdonin.

Në marrëveshjen në parim, për të cilën u deklarua zëvendëskryeministri Bislimi, u tha se do të aplikoheshin stickersat (letrat ngjitëse) nga të dyja palët në veturat që do të hynin në shtetet e tyre. Problem për palën serbe paskan paraqitur targat KM të skaduara dhe jashtëligjore të Mitrovicës, të cilat qytetarëve serbë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës u janë lëshuar nga Serbia. Për palën kosovare kjo e paraqiste një nonsens dhe me aq sa unë arrita të kuptoja, edhe ato tabela do të duheshin të mbuloheshin me stickersa në pjesën veriore të vendit, ndërsa në pjesën jugore ato do të konfiskoheshin.

Në njërën nga debatet politike televizive të telenovelave debatuese u analizua shumë kjo pjesa e fundit në lidhje me këto targat KM dhe deklaratën e zv.kryeministrit Bislimi në lidhje me to. Aty disa nga analistët vazhdonin që të deklaronin se dërgimi i njësive speciale policore atje në veri ishte i kotë dhe asnjë rezultat nuk është arritur me atë gjë.

Ç'është e vërteta, duke u bazuar në historitë me pikat kufitare 1 dhe 31 që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, ishte koreografia tashmë e njohur e nacionalistëve serbë që ndërlidhej me djegien e këtyre pikave kufitare në të kaluarën.

Pse edhe kësaj radhe do të pritej se ata do të silleshin ndryshe? A nuk i pamë qendrat e regjistrimit të automjeteve të djegura në Zubin-Potok, si dhe bombat e dorës, të cilat u hodhën në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, të cilat fatmirësisht nuk u aktivizuan? A nuk i pamë bilbordet për "mirëseardhjen në asociacionin e komunave serbe"? Në pamundësi të djegies së pikave kufitare ata vazhduan me koreografinë e mbetur të tyre nga arsenali nacionalist.

A nuk i pamë aeroplanët luftarakë dhe helikopterët e Serbisë të patrullonin pranë veriut të Kosovës, si dhe grumbullimin e mjeteve ushtarake pranë kufirit me Kosovën, si dhe vizitën e ambasadorit rus në Beograd këtyre forcave?

Jam i mendimit se prania e forcave speciale të Policisë së Kosovës e la në gjysmë koreografinë e përgatitur të këtyre "protestuesve" të mbështetur nga paramilitarët serbë dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë së Serbisë, e që si pasojë do ta shihnim një aneksim në stilin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

Të kthehemi pak edhe tek aktivizimi i KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës. Thuhet se kthimi i tyre në veri e riaktualizon Rezolutën 1944 të Kombeve të Bashkuara. Ishte po ajo rezolutë e cila e legjitimoi praninë e KFOR-it në Kosovë. Nuk e besoj se shpallja e Pavarësisë së Kosovës e ka ndërruar legjitimitetin e pranisë së KFOR-it në Kosovë. Ata aty qëndrojnë në atë mandat të Kombeve të Bashkuara dhe janë neutralë ndaj statusit politik të Kosovës. Prandaj të thuhet se bëhet kthimi në Rezolutën 1944 është një nonsens i llojit të vet. Kjo rezolutë do të mund të ndërrohej vetëm me një rezolutë tjetër të Kombeve të Bashkuara e që unë personalisht nuk besoj se do të ndodhë deri në marrëveshjen finale midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe me pranimin eventual të Kosovës si anëtare e re e Kombeve të Bashkuara. Rezolutën 1944 e kemi parë të zbehet në administrimin e Republikës së Kosovës, siç ishte rasti me UNMIK-un, mirëpo prania e KFOR-it mbetet aty dhe është ende në fuqi me anë të asaj rezolute. Prandaj, shitja e mjegullës nga tjerrësit e analizave politike nëpër studiot televizive për kthimin/ringjalljen e njëfarë rezolute 1944 është shumë e kotë.

Ditën e hënë ishte edhe vizita e kryeministrit Edi Rampa në Kosovë, i cili u prit me nderimet më të larta shtetërore nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Deklaratat e kryeministrit Rampa e vunë Kosovën në të drejtën e saj për reciprocitetin me tabelat e regjistrimit ndaj Serbisë dhe ai ishte kritik ndaj Serbisë me aktrimin e saj teatral, defilimin dhe kërcënimin me forca ushtarake ndaj Kosovës. Mirëpo pas këtyre deklaratave ai ende mbetej i mendimit se e ardhmja e Kosovës është kyçja e saj në iniciativën e "Open Balkan" e që më vete e paraqet një oksimoron tipik në renditjen e këtyre deklaratave. E logjikshmja do të ishte se me gjithë "mendimet dhe qëllimet e mira për iniciativën në rajon", fatkeqësisht Serbia ende nuk shfaqet e gatshme që me fqinjët e saj të sillet si e barabartë dhe se hegjemonizmi i tyre shovinist fatkeqësisht nuk ka pushuar me largimin e Slobodan Milosheviqit, siç thotë një thënie e vjetër serbe "gjithçka është e njëjtë, vetëm ai nuk është më" (sve je isto samo njega nema). Në fakt, Edi Rampa midis rreshtash prapë e amnistoi presidentin Aleksandar Vuçiq dhe veprimet e shtetit të Serbisë, e që për mua personalisht është më problematike se aktivizimi i KFOR-it në veriun e vendit.

Si anëtare e re e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të pritej që të thërriste mbledhje emergjente të sigurisë në Kombet e Bashkuara, ashtu siç bën Serbia çdoherë edhe kur ndonjë sorrë glacon mbi enklavat serbe në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Veprimet e Qeverisë së Kosovës e kthyen Amerikën në tavolinën e bisedimeve në Bruksel dhe, shih ti, deklarohet nga ish-aktorë politikë kosovarë se Qeveria e paska zbritur bisedën në nivel të tabelave të regjistrimeve, ndërsa harrojnë se ata heshtnin kur ish-presidenti Thaçi i "zbriti" ato biseda në nivel të shkëmbimeve të territoreve, duke dashur ta dorëzonte veriun e Kosovës për disa fshatra në Luginën e Preshevës, e që zëri i këtyre protagonistëve Tarzana të sotëm asokohe ishte i mekur dhe nuk dëgjohej.

Nuk aludoj të them se kjo qeveri është e pagabueshme dhe e përkryer, mirëpo dëmet e shkaktuara nga qeverisjet dhe bisedimet e së kaluarës me palën serbe e kanë koston e vet, e atë gjë të gjithë sikur dëshirojnë ta mohojnë apo thuajse s’ka ndodhur fare.

E ashtu nuk shkon. Memoria ende nuk na ka lëshuar të gjithëve, e sidomos jo pjesën që asnjëherë nuk përfitoi asgjë nga asnjëra qeveri e deritanishme e as nga kjo aktualja.