Një tjetër deklaratë e emisarit të Donald Trumpit për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e për mua si qasje shumë problematike, ka të bëjë me denigrimin e mëtutjeshëm që fjala luftë e kishte pësuar në Kosovë, e cila fjalë ishte zëvendësuar me fjalën konflikt qysh nga koha e UNMIK-ut. Richard Grenell tashmë këtë fjalën konflikt e devalvon në fjalën konflikt të perceptuar, gjë që e lë të hapur edhe mundësinë që ai konflikt të mos ketë ndodhur fare në të kaluarën, sepse është vetëm perceptim se ai mund të ketë ndodhur
Të shkruash Ditar një herë në javë dhe të mbetesh aktual me temat dhe vrullin e ngjarjeve të cilat ndërlidhen me Kosovën, si dhe ngjarjet në botë, nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë. Të shkruash dhe të tentosh që të thuash diçka që veç nuk është thënë mbi takimin dhe zotimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë në Washington, është edhe po aq më e vështirë. Por ashtu siç e kërkon Ditari, gjithsesi edhe unë do të ndalem pak në ngjarjen e 4 shtatorit 2020 dhe ta jap shpjegimin e gjithë asaj e cila ndodhi aty, nga këndvështrimi im.
A ishte ky një takim historik? Jo. A kishte ndonjë marrëveshje historike? Jo. E pse pra ngrihet aq shumë bujë? Kur disa nga analistët dhe gazetarët e paktë të cilit do ta meritonin këtë titull meritor thoshin se Trump dhe administrata e tij po e bënin këtë marrëveshje qysh para qershorit për qëllimet e veta elektorale, të gjithë ata të cilët e mbajtën këtë qëndrim u përqeshën nga pjesa tjetër e gazetarëve e analistëve të servilosur deri në palcë. Edhe unë në Ditarin tim i kisha shkruar argumentet e mia se pse edhe unë besoja që involvimi dhe mënyra e qasjes së kësaj administrate amerikane ndaj zgjidhjes së problemit midis Kosovës dhe Serbisë ishte se ajo do ta bënte të gjithë këtë për vjeljen e ndonjë vote elektorale.
T’u kthehemi ngjarjeve të 4 shtatorit. Ditën e premte delegacionet e të dyja vendeve, asaj të Republikës së Kosovës, të përfaqësuar nga kryeministri i saj Avdullah Hoti, dhe të Republikës së Serbisë e përfaqësuar nga presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar zotimet e tyre të diskutuara dhe dakorduara një ditë më parë mbi disa çështje "ekonomike" të pazgjidhura midis këtyre dy vendeve.
Emisari i Donald Trumpit për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, deklaroi se do të kishte edhe surpriza. Surpriza e parë, ashtu siç lajmëruan që në mëngjesin e 4 shtatorit, ishte se në tavolinë të dyja ekipeve negociuse u ishte vendosur një letër me përmbajtjen e zotimeve ku pika e 10-të e këtyre zotimeve (edhe pse nuk ishin të listuara me numra rendorë, mirëpo vetëm me pika rendore) ishte se të dyja shtetet do të bënin njohjen reciproke midis tyre.
Kjo bëri që delegacioni serb ta refuzonte këtë pikë kategorikisht me kërcënimin e mosnënshkrimit të këtyre pikave. Letra para përfaqësuesve të të dyja vendeve u vendos dhe ajo u firmos.
Të gjithë ne të cilët sado pak kemi njohuri mbi protokollet dhe detajet e vogla të cilat implemetohen aty është e pamundshme mos t’i kishim vërejtur gjërat të cilat ndodhën aty. Supermacia dhe fuqia e Donald Trumpit mbi çdo detaj protokollar ishin simbolika të cilat përçonin mesazh.
Ceremonia e nënshkrimeve dhe 5 minutat e dedikuara nga agjenda e ngjeshur ditore e presidentit Donald Trump u realizuan në Zyrën Ovale. Aty përskaj tavolinës së madhe të punës së presidentit Trump ishin vendosur dy tavolina shumë më të vogla, një nga secili krah i presidentit Trump.
Pasi që këta nënshkruan zotimet e tyre, presidenti Trump e bëri një prononcim të rastit. Ai gjithashtu e shfrytëzoi këtë kohë që tash në tavolinën e vendosur para tavolinës së tij të bënte bisedë të shkurtër një herë pasi që të ulej presidenti Vuçiq e më pas edhe kryeministri Hoti, para tij. Pasi që u ul kryeministrit Hoti ndodhi surpriza. Trump i bëri telefonatë kryeministrit të Izraelit, Natanyahut, dhe ia shpjegoi shumë shkurtimisht zotimin e marrëveshjeve midis këtyre dyja vendeve. Aty e bëri publike se Kosova me popullatën shumicë myslimane do ta njihte Izraelin e edhe Izraeli Kosovën dhe se do të vihej bashkëpunimi diplomatik dhe normalizimi i raporteve midis këtyre të dyja vendeve dhe se ambasada e Kosovës dhe ajo e Serbisë në Izrael do të vendoseshin në Jerusalem. Njohja e Izraelit dhe kryeqytetit të "saj" Jerusalemit do të njihej nga shumë shtete të tjera myslimane, së shpejti. Po qe se e lexoni paragrafin e fundit edhe një herë do të kuptoni se kjo njohje sigurisht e siguruar nga Jarred Kushner, dhëndri i presidentit Trump dhe përfaqësuesi direkt i komunitetit hebraik në administratën Trump, në vete e kishte të mbështjellë një salto të PR-it. Fillimisht Kosova u portretizua si një vend i një shumice myslimane, më pas flitet se Kosova e ka njohtë Izraelin e më pas Izraeli Kosovën, këtu votuesi injorant amerikan vihet në lajthitje në lidhje me këtë raport dhe vihet në pah një realitet i ri kinse Kosova na qenka një vend diku në Lindjen e Mesme dhe se me Izraelin paskan qenë në konflikt shumëvjeçar dhe tashmë kjo gjë është diçka e tejkaluar. Unë për vete e kuptoj rëndësinë e njohjes së Izraelit, mirëpo nuk e kuptoj se pse Kosova e vogël dhe e pafuqishme do të duhej të hynte në këso aventurash diplomatike pavarësisht se bëhet fjalë për mikun dhe aleatin tonë kryesor Amerikën. Zotimi për vendosjen e ambasadës në Jerusalem paraqet problem dhe skandal diplomatik edhe me Kombet e Bashkuara dhe rezolutave të saj në raport me Jerusalemin, si dhe me Bashkësinë Evropiane dhe qëndrimeve të saj në raport me pranimin e Jerusalemit si kryeqytet Izraelit. Të mos flasim edhe për irritimin e shumë shteteve individuale mike.
Pikat e tjera për të cilat u fol dhe u diskutua e u analizuan shumë këtyre ditëve në vete i kishin për mendimin tim edhe dy pika diskutabile.
Çështja e Liqenit të Ujmanit, pikë kjo për të cilën asnjëherë nuk ishte diskutuar deri më tash. Unë aspak nuk jam i bindur mbi sinqeritetin e kësaj pike. Çfarë studimi i fizibilitetit për këtë liqen artificial. Po dihet roli i tij. Furnizimi me ujë të pijshëm për 40%+ të popullatës së Kosovës, për ftohjen e gjeneratorëve të termocentraleve të korporatës së energjisë elektrike, për vaditjen e tokave pjellore në sistemin e “Ibër-Lepencit”. Ai gjithashtu provon edhe 80+ megavat rrymë. Pika tjetër diskutabile për mendimin tim ka të bëjë me ndërtimin e hekurudhës në Merdar, e cila do ta lidhte Kosovën me Serbinë. Pse jo rivitalizimin dhe modernizimin e asaj ekzistueses nëpërmjet Mitrovicës, por një të re në Merdar? Mos ka plane të tjera për Mitrovicën dhe ajo më nuk do të ishte pikë kufitare me Serbinë? Është e njohur në marrëveshjet diplomatike djalli fshihet në detaje. E në gjithë atë jotransparencë në lidhje me këto apo cilado biseda paraprake me Serbinë të cilat janë bërë, ne kemi të drejtë të ngrehim dyshimet dhe mosbesimin tonë qoftë edhe nëse bëhet fjalë për ndërmjetësimin e aleatëve tanë. Fundja, vetë deklaratat e emisarit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, më shtojnë edhe më shumë dyshimin në josinqeritetin e qasjes së kësaj administrate për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikë së pari, mohimi i tij i para disa muajve për mini-shengenin dhe zëvendësimin e atij termi me zonën e Shenzhenit në Kinë ishte me të vërtetë fyerje e inteligjencës asokohe e fyerje e inteligjencës tash përsëri kur mini-shengeni na paraqitet në njërën nga pikat e këtij zotimi të këtyre dy vendeve. Ai thotë se Amerika nuk është nënshkruese e as garantuese e implementimit të këtyre zotimeve, por vetëm dëshmitare e këtyre zotimeve me nënshkrimin e dëshmisë nga ana e presidentit Donald Trump. Një tjetër deklaratë e emisarit të Donald Trumpit për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e për mua si qasje shumë problematike kishte të bënte me denigrimin e mëtutjeshëm që fjala luftë e kishte pësuar në Kosovë, e cila fjalë ishte zëvendësuar me fjalën konflikt qysh nga koha e UNMIK-ut. Richard Grenell tashmë këtë fjalën konflikt e devalvon në fjalinë konflikt të perceptuar, gjë që e lë të hapur edhe mundësinë që ai konflikt të mos këtë ndodhur fare në të kaluarën, sepse është vetëm perceptim se ai mund të ketë ndodhur.
Në anën tjetër edhe si mund ta fajësosh? Qëndrimi prej eunukësh politikë i secilit delegacion kosovar, i cili deri më sot ka marrë pjesë në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e ka arritur atë efekt. Serbia gjatë vitesh ka arritur që veten ta paraqesë si viktimë të asaj periudhe, ndërsa Kosovën dhe banorët shqiptarë të saj sikur agresorë. Korrupsioni dhe shantazhueshmëria e thuajse secilit politikan kosovar kanë bërë që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve më shumë të merren me Kosovën sesa me Serbinë. Lëshimet e njëpasnjëshme të cilat i janë bërë Serbisë, e kanë vendosur atë në pozitë më të favorshme negociuese dhe pas secilit takim të radhës Serbia e shënon nga një fitore dhe progres të radhës, sado i vogël që ai mund të duket apo të mos duket fare në shikim të parë.