Albanofobia e shpërfaqur në nivelet më të larta politike atje, duhet të shërbejë në radhë të parë si këndellje e përhershme për partitë politike shqiptare që ushtrojnë veprim në Maqedoni. Bërja bashkë e shqiptarëve ka qenë arritja më e madhe në një vend që tregon edhe haptas se nuk i do. Qëndrimi bashkë, rrjedhimisht, është domosdoshmëri. Veç kështu, assesi ndryshe, një aparat racist mund të bjerë
-1-
Për shumë anë, rasti i kapjes së pushtetit në Maqedoni replikon kapjen e 2014-s që ndodhi në Kosovë. Njëjtë, sikurse këndej, numrat e shumicës s’bëjnë shumicën. Njëjtë, sikurse këndej, i gjithë aparati institucional – i kapur natyrisht – duhet të prodhojë ndalje të ndërrimit të pushtetit. Tek ne nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, tek ata nëpërmjet presidentit.
Për dallim nga Kosova, në Maqedoni, kapja e ndalja kanë për barrë shqiptarët etnikë. Arsyetimi i kapjes e ndaljes ushqen gjuhën raciste e të urrejtjes ndaj një së tretës së popullsisë atje. Fillimisht nëpërmjet protestave raciste e ultranacionaliste të organizuara nga – deri dje – partneri i shqiptarëve në qeverisje; e më pas nëpërmjet një presidenti që, në secilin interpretim kushtetues të atjeshëm, do të duhej të ishte i gjithë qytetarëve pa dallim etnik. Por s’është.
Në të vërtetë, vetë arsyetimi i tij është monoetnik; kundërshqiptar. Ndalesa bëhet, në shprehjen më të thjeshtë të tij, për shkak të avancimit të çështjes shqiptare në Maqedoni. Thuajse shqiptarët janë alienë e imigrantë në Maqedoni. Thuajse shqiptarët, shqipja, të drejtat e tyre bazike, s’janë pjesë përbërëse e Maqedonisë.
-2-
Ç’është e vërteta, shteti i Maqedonisë është po aq i maqedonasve sa edhe i shqiptarëve. Dhe këtë konstelacion duhet ta ketë kuptuar lideri socialdemokrat, Zaev, i cili, me gjithë defektet eventuale, kishte pranuar platformën shqiptare atje. Një pranim i tillë megjithatë jepte shpresë për bashkëjetesë në mes të shqiptarëve etnikë dhe shtresave liberale e demokrate nga radhët e maqedonasve.
Por këto shtresa s’janë shumicë. Dhe sado që premtuese mund të duket një ide e tillë, ajo vazhdon të jetë me gjasa pak. Me gjasa shumë duket të jetë rritja e nacionalizmit në një shtet që për vite të tëra ka ndërprerë në plotni rrugën e integrimit në BE dhe NATO. Në një shtet ku kontrolli i mediave, i mendimit të lirë e shprehjes së lirë janë bërë krejtësisht të zakonshme.
Një diktaturë e tillë, në bërje apo e bërë, do të duhej të mjaftonte për shqiptarët të shprehnin pakënaqësi e refuzim ndaj shtetit. Shtimi i racizmit dhe albanofobisë, jep rrugëdalje pak ose hiç. Dhe nuk bëhet fjalë këtu për albanofobi të rëndomtë, të huliganëve e grupeve kriminale që kanë keqtrajtuar shqiptarët etnikë nëpër vite; në rrugë, në shkolla, në punë. Bëhet fjalë për institucionalizimin e racizmit në nivelin më të lartë të saj. Tek presidenca dhe interpretimi kushtetues i të drejtave të shqiptarëve. Sot, me këtë interpretim, të jesh proshqiptar do të thotë të jesh kundër Maqedonisë. Dhe ky konstatim s’mund e s’bën të qëndrojë.
-3-
Koha kur shqiptarët presin qejfet e kombësive të tjera për të drejtat e tyre është e vdekur. E vdekur do të jetë gjithçka që provon institucionalizimin e racizmit ndaj shqiptarëve në Maqedoni, qoftë shtet apo pushtet ai.
Albanofobia e shpërfaqur në nivelet më të larta politike atje, duhet të shërbejë në radhë të parë si këndellje e përhershme për partitë politike shqiptare që ushtrojnë veprim në Maqedoni. Bërja bashkë e shqiptarëve ka qenë arritja më e madhe në një vend që tregon edhe haptas se nuk i do. Qëndrimi bashkë, rrjedhimisht, është domosdoshmëri. Veç kështu, assesi ndryshe, një aparat racist mund të bjerë.
Bashkimi rreth shqiptarëve në Maqedoni duhet të ndodhë edhe këndej tek ne. Për këtë pati dy reagime të dy shteteve shqiptare në regjion. I pari, nga një vend i NATO-s, nëpërmjet kryeministrit të Shqipërisë, i dyti nga Kosova, një vend që ndanë e ka ndarë histori shumë me shqiptarët etnikë në Maqedoni. Qëndrimet e dy vendeve kishin një ton, s’ka asgjë të keqe në mbrojtjen e shqipes e të drejtave shqiptare në Maqedoni. Secili refuzues i saj është dhe kërkues i destabilizimit.
Bashkësia ndërkombëtare, çfarëdo që ka mbetur nga ajo, duhet të marrë me shqetësim serioz veprimet populliste e nacionaliste në Maqedoni, por mbi të gjitha reagimin eventual që mund të pasojë. Si një vend fragjil, me influencë ruse për destabilizim e me tendencë atraktive për të sulmuar shqiptarët etnikë, pushteti i atjeshëm do të provojë gjithçka. Ky provim i tyre do t’i ndalojë nga të drejtat bazike të zgjedhjes dhe një pjesë të madhe të maqedonasve etnikë që megjithatë pranojnë bashkëjetesën si normale. Në frymë të bashkëjetesës e normalizimit të Maqedonisë e gjithë rajonit, presioni ndërkombëtar duhet të jetë i menjëhershëm.
Heshtja eventuale do të thotë tolerancë për destabilizim, futje në qorrsokak. Jo pak herë, jo rrallë herë, Maqedonia është parë si përplasje eventuale e Perëndimit me Rusinë. Një akt si ky, veçse është nisje e përplasjes së tillë. Nisja mund të kalojë në përshkallëzim po s’pati ndërhyrje e kërcënim politik për racistët në Maqedoni.