OpEd

Liria e demokracia s’mund të merren si të mirëqena, për to duhet të luftohet

Ashtu si konfliktet e luftës të viteve 1990, sulmi brutal i Rusisë ndaj Ukrainës ka dhe do të ketë efekte negative afatgjate në prosperitetin, demokracinë dhe zhvillimin e përgjithshëm, jo vetëm të vendeve të prekura drejtpërdrejt nga ky agresion, por të të gjithë neve – të gjithë Evropës dhe pjesës tjetër të botës. Më shumë se kurrë që nga viti 1989, është bërë e qartë se liria dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena dhe se këto vlera themelore duhet të mbrohen, dhe për to duhet të luftohet. Agresioni rus nuk është një bubullimë e largët diku në fushat e Ukrainës. Nuk është vetëm imazhi i shtëpive të shkatërruara dhe i civilëve të vrarë në lajmet e mbrëmjes. Është një luftë për shpirtin e secilit prej nesh dhe për atë që jemi të gatshëm të sakrifikojmë për lirinë dhe një shoqëri demokratike

Më 17 nëntor, Republika Çeke përkujton 35-vjetorin e shtypjes brutale të një demonstrate studentore në qendër të Pragës nga policia komuniste. Ky akt arbitrar i pushtetit shtetëror jodemokratik i inicioi ngjarjet që më vonë do të njiheshin si Revolucioni i Kadifenjtë. Ai i dha fund ekzistencës së sistemit totalitar komunist dhe e nisi transformimin e Çekosllovakisë në një vend demokratik, që në vitet në vijim e menaxhoi ndarjen paqësore të shtetit dhe një transformim themelor ekonomik, politik dhe social, i simbolizuar me sloganin “kthim në Evropë” dhe u kurorëzua me hyrjen e Republikës Çeke dhe të Sllovakisë në NATO dhe në BE.

Studentët nuk zgjodhën rastësisht datën 17 nëntor për të demonstruar pakënaqësinë e tyre me situatën në Çekosllovaki, në vitin 1989. Ishte 50-vjetori i një ngjarjeje tjetër të vitit 1939, kur pas pushtimit të Republikës Çeke dhe protestave shoqëruese, veçanërisht të studentëve, autoritetet naziste mbyllën të gjitha universitetet çeke dhe filluan represionin kundër drejtuesve studentorë dhe profesorëve të universitetit. 17 nëntori shpejt u bë Dita Ndërkombëtare e Studentëve.

Në vitin 1989, ndryshe nga viti 1939, studentët protestues nuk kërcënoheshin më me dënime me vdekje apo kampe përqendrimi. Megjithatë, ata rrezikonin përjashtimin nga studimet, burgimet e mundshme ose probleme për familjet e tyre. Pavarësisht nga këto pasoja të mundshme, ata treguan guxim të vërtetë që frymëzoi shumicën e shoqërisë çeke.

Ngjarjet e 17 nëntorit u zhvilluan në kuadrin e një procesi më të gjerë global të demokratizimit. Vetëm pak më herët ra Muri i Berlinit, që e simbolizonte ndarjen e Evropës në dy blloqe. Në vetë Bashkimin Sovjetik po ndodhte “Perestrojka”, ndërsa në vitin 1989 edhe Kina përjetoi një përpjekje për demokratizim, ndonëse të pasuksesshme.

Në Evropë, ngjarjet e vitit 1989 e rrëzuan perden dhe ndikuan në zgjerimin dhe në thellimin e integrimit evropian, gjë që forcoi demokracinë dhe rritjen ekonomike në një sërë vendesh, përfshirë Republikën Çeke.

Megjithatë, përhapja e demokracisë, e stabilitetit dhe e prosperitetit nuk ndodhi në mënyrë të barabartë në të gjithë kontinentin. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe e Bashkimit Sovjetik çoi në konflikte të armatosura, shpesh brutale, pasojat e të cilave ndihen edhe sot. Reformat ekonomike shpesh nuk u kryen ose, nën maskën e tyre, vetëm pasuruan elitat në kurriz të popullsisë së thjeshtë, ish-udhëheqësit komunistë u zëvendësuan në shumë raste nga nacionalistët dhe populistët. Shumë shpejt u bë e qartë se nuk mjafton vetëm koha që ndryshimet pozitive të përhapen në të gjithë Evropën, madje se, përkundrazi, me kalimin e kohës, mund të ndodhë regresi.

Ndërkohë, që nga viti 2008 ne kemi parë manifestime konkrete të lidershipit rus për ta kthyer Evropën në kohën e para vitit 1989. Këto tendenca negative janë thelluar viteve të fundit. Manifestimi i tyre më i spikatur është agresioni i pajustifikuar, i paprovokuar dhe i paligjshëm i Rusisë kundër Ukrainës, i cili u nis vetëm sepse kombi ukrainas demonstroi qartë dëshirën e tij për të qenë pjesë e një Evrope demokratike.

Ashtu si konfliktet e luftës të viteve 1990, sulmi brutal i Rusisë ndaj Ukrainës ka dhe do të ketë efekte negative afatgjate në prosperitetin, demokracinë dhe zhvillimin e përgjithshëm, jo vetëm të vendeve të prekura drejtpërdrejt nga ky agresion, por të të gjithë neve – të gjithë Evropës dhe pjesës tjetër të botës.

Më shumë se kurrë, që nga viti 1989, është bërë e qartë se liria dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena dhe se këto vlera themelore duhet të mbrohen, dhe për to duhet të luftohet. Agresioni rus nuk është një bubullimë e largët diku në fushat e Ukrainës. Nuk është vetëm imazhi i shtëpive të shkatërruara dhe i civilëve të vrarë në lajmet e mbrëmjes. Është një luftë për shpirtin e secilit prej nesh dhe për atë që jemi të gatshëm të sakrifikojmë për lirinë dhe një shoqëri demokratike. Është kambana e famshme që bie, për të cilin shkroi Ernest Hemingwayi.

Siç e dëshmon data 17 nëntor, studentët dhe të rinjtë kanë qenë gjithmonë forca lëvizëse e shoqërisë dhe barometri i zhvillimit demokratik. Falë tyre, Republika Çeke ka qenë një vend i lirë dhe i begatë për 35 vjet. Le të frymëzohemi prej tyre dhe trashëgimisë së tyre. Le të mos zhytemi në indiferencë ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë apo në vendet tona. Le të luftojmë për një shoqëri të hapur, demokratike - në zgjedhje, përmes medieve të lira, sektorit joqeveritar, me shembullin tonë. Le të mbështesim Ukrainën në luftën e saj për liri, sepse ka të bëjë edhe me lirinë tonë. Në fund të fundit, siç tha presidenti i parë çek, Václav Havel: “Liria është një vlerë, për të cilën ia vlen të sakrifikohet, dhe nëse njeriu është i bindur për të, ka kuptim që të ndërmarrë një luftë edhe duke rrezikuar veten”.

(Autori është ish-shef i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe aktualisht drejtor i Departamentit të Evropës Jugore dhe Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë).