OpEd

Limitet e kontratës sociale serbe

Duke kopjuar kontratën sociale të Putinit me popullin rus, Vuçiqi ka lidhur një kontratë sociale me popullin serb, me ç’rast Vuçiqi i garanton popullit serb mbrojtje nga “armiku i jashtëm”, por njëkohësisht i siguron atij zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Problemi është se këto dy gjëra janë kontradiktore

Java e kaluar dhe kjo javë ishin javët e mira për të kuptuar teknologjinë dhe inxhinierinë e funksionimit të propagandës së regjimit të Vuçiqit. Le të fillojmë më javën e kaluar.

***

Presidenti i Serbisë e filloi javën në Bruksel – kryeqytetin jozyrtar të Perëndimit – i rrethuar nga komuniteti perëndimor dhe duke biseduar për temat perëndimore. Ai u lavdërua për takimin me kryetaren e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, me të cilën bisedoi për “të gjitha çështjet strategjike, për të ardhmen e Serbisë dhe avancimin tonë në rrugën evropiane”. Po ashtu, ai e postoi një fotografi të “takimit të përzemërt” me presidentin e Francës, z. Emmanuel Macron, me të cilin bisedoi për “fuqizimin e partneritetit në mes të Serbisë dhe Francës”. 

Por shtatëdhjetë e dy orë pas kësaj feste perëndimore, Vuçiqi e organizoi një tubim thellësisht antiperëndimor me qëllim të shënimit të 25-vjetorit të “agresionit të NATO-s”. Ai iu drejtua komunitetit perëndimor me fjalor dramatik dhe luftarak: “Do t’ju rezistojmë për aq sa marrim frymë, do t’ju rezistojmë, sepse nuk mund të na e merrni lirinë. Edhe ajrin mund të na merrni, por lirinë kurrë nuk do t’jua japim, sepse e duam Serbinë, jetojmë për Serbinë dhe kurrë nuk do të lejojmë të na merrni Kosovën dhe Metohinë, dhe të zhduket Serbia jonë”.

Në të njëjtën kohë ai e postoi në rrjete sociale një tekst solemn me rastin e përvjetorit të 25-të të bombardimeve, duke thënë: “Sot bëhen 25 vjet nga fillimi i agresionit të NATO-s. 19 vende më të fuqishme të botës sulmuan Serbinë. Pa asnjë të drejtë dhe për herë të parë pa vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Na shkatërruan vendin për 78 ditë. Ata vranë fëmijë. Copëtuan territoret. Megjithëkëtë, Serbia ende jeton. Më e zgjuar. Më e fortë. Më e guximshme. Më luftarake.  Dhe më e rëndësishme, e lirë. Liria është më e rëndësishme se ajri, lirinë kurrë nuk do të mund të na e marrin. Serbia do të jetojë!”

Dhe në po të njëjtën ditë, Vuçiqi e vizitoi një fabrikë armatimi, ku tha: “Për neve serbët liria është më e rëndësishme se ajri dhe çdoherë do të dimë si të ruajmë lirinë e popullit tonë dhe të mbrojmë ajrin dhe tokën e Serbisë sonë”.

Pra, brenda 72 orëve Vuçiqi në një anë bisedoi “ngrohtësisht” me liderët perëndimorë në Bruksel për “të gjitha çështjet strategjike dhe për të ardhmen e Serbisë”, e në anën tjetër nga fabrikat e armatimit serb iu premtoi se do t’iu rezistojë për aq kohë sa serbët “marrin frymë”, sepse “liria është më e rëndësishme se ajri”.

***

Mbyllja e javës së kaluar me kërcënime të hapura kundër komunitetit perëndimor nuk e parandaloi Vuçiqin që ta fillojë këtë javë me kuletën e Perëndimit: Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me FMN-në ai bisedoi për “investimet kapitale dhe financimin e projekteve në kuadër të planeve investuese të projektit të rritjes: Kërcimi drejt së ardhmes – Serbia 2027”.

Por njëzet e katër orë pas takimit me FMN-në, Vuçiqi e postoi një tekst kataklizmik: “Ditët e vështira janë para nesh. Në këtë moment nuk është lehtë të tregoj se çfarë lajmesh kam marrë në këto 48 orë të fundit...në mënyrë direkte janë duke na kërcënuar interesat vitale kombëtare”. 

Pra, brenda 24 orëve Vuçiqi në një anë bisedoi me Perëndimin për një të ardhme të ndritur dhe të gëzueshme, të quajtur “kërcimi drejt së ardhmes”, e në anën tjetër paralajmëroi kataklizëm dhe lajme të tmerrshme që “kërcënojnë interesat vitale kombëtare”.

***

Këto dy javë kanë kapur bukur teknologjinë dhe inxhinierinë e funksionimit të propagandës së regjimit të Vuçiqit. Duke kopjuar kontratën sociale të Putinit me popullit rus, Vuçiqi ka lidhur një kontratë sociale me popullin serb, me ç’rast Vuçiqi i garanton popullit serb mbrojtje nga “armiku i jashtëm”, por njëkohësisht i siguron atij zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Krejt përderisa ruhet ekuilibri i këtyre dy interesave, regjimi i Vuçiqit është i garantuar. 

Por ka një problem. Këto dy gjëra janë kontradiktore. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Serbisë është i mundshëm vetëm falë bashkëpunimit çdoherë e më të madh me “armikun e jashtëm”. Dhe këtu hyn në punë propaganda sikur kjo që e pamë këto dy ditë të fundit. Por dikur edhe propaganda i arrin limitet e saj. Me fjalë të tjera, ditët në vazhdim Serbia do ta gjejë veten para udhëkryqit: ose do ta zgjedhë “kërcimin drejt së ardhmes” dhe Perëndimin, ose do të rezistojë deri në frymën e fundit, sepse “liria është më e rëndësishme se ajri”.