Fillimisht dëshiroj që komentet e cinikëve t’i eliminoj që në fillim të këtij ditari, i cili do të merret me temën e LDK-së dhe akuzat të cilat do të pasojnë nga ta se unë shikoj me anë të syzeve të Vetëvendosjes, gjë e cila nuk qëndron. Në shkrimet e shumta me kabllogramet diplomatike jam marrë me temën e LDK-së dhe reformën e saj (tashmë të paevitueshme dhe shumë të vonuar), të cilën miqësisht, pa kurrfarë prapavije politike e as interes politik, ka kohë që ua kam kërkuar dhe sugjeruar
Zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt, përfunduan. Ato si fituese e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje, me një rezultat prej 47.85% të votave, diçka e paparë deri më tani në Kosovën e pasluftës.
Mbetet të theksohet se votat me postë të mërgatës si dhe ato me kusht ende nuk janë numëruar. Nisma për Kosovën, ashtu siç edhe parashihej, nuk e kaloi pragun zgjedhor, ndërsa rënie në numra pësuan edhe AAK-ja e PDK-ja. Mirëpo, ishte LDK-ja ajo e cila pësoi debakël me 13.07% të votave, së bashku me partnerin e saj të koalicionit, AKR-në. Thënë realisht, përqindja e LDK-së do të duhej të jetë diku midis 9-10% të votave.
Fillimisht dëshiroj që komentet e cinikëve t’i eliminoj që në fillim të këtij ditari, i cili do të merret me temën e LDK-së dhe akuzat të cilat do të pasojnë nga ta se unë shikoj me anë të syzeve të Vetëvendosjes, gjë e cila nuk qëndron.
Në shkrimet e shumta me kabllogramet diplomatike jam marrë me temën e LDK-së dhe reformën e saj (tashmë të paevitueshme dhe shumë të vonuar), të cilën miqësisht, pa kurrfarë prapavije politike e as interes politik, ka kohë që ua kam kërkuar dhe sugjeruar. Por, natyrisht, duke e njohur mentalitetin e politikanëve tanë, egot si dhe interesat e tyre, sugjerimet miqësore as që merren parasysh. Por, miqësisht, unë përsëri si ambasador i cili e përfaqësoj mbarë popullin kosovar në Facebook, prapë do t’i këshilloj se ata gjenden para dy opsioneve se si të veprojnë më tutje me reformimin e tyre.
Njëri opsion ka të bëjë me filozofinë "ti vazhdoje aty ku e lashë unë" dhe që pas dorëheqjes së Isa Mustafës aty të vendoset një figurë të cilën i dorëhequri e kontrollon si proxy, qoftë edhe me anë të SMS-ve, sport ky i njohur edhe në Kosovë.
Opsioni tjetër ka të bëjë me një reformë dhe riorganizim të plotë, duke filluar nga degët e deri te vetë kuvendi, dhe zgjedhja e kryetarit.
Për opsionin e parë mund t'jua garantoj me gjithë përvojën time diplomatike se LDK-ja brenda një periudhe 5-7-vjeçare do t’i bashkëngjitet NISMËS dhe analistëve të tjerë nëpër studio si dhe do të mbetet vetëm një parti politike në kujtesën tonë – dhe atë historike e institucionale.
Opsioni i dytë, gjithsesi, është i dhimbshëm mirëpo ashtu siç ndodh pas çdo demolimi, pjesët e vjetra mblidhen dhe hidhen në deponinë e mbeturinave. Nën rrënoja vendosen themelet e reja, ndërtohen shtyllat e reja, fasada e re, izolimi i ri, e për pamje dhe përmbajtje ajo natyrisht se mund dhe do të duhej ta kishte atë që i mungon skenës politike kosovare – LDK-ja e mirëfilltë rugoviste. Një LDK e reformuar dhe jokonformiste. Nuk mjafton dorëheqja e Isa Mustafës. Aty duhet të dorëhiqet Hashim Thaçi dhe mendësia të cilën ai e ka lënë brenda LDK-së. Atje fillon teposhta dhe shndërrimi i kësaj partie në një monstrum politik. Protagonistët e kësaj periudhe i dimë të gjithë. Janë të njëjtit ata të cilët e rrëzuan qeverinë në të cilën ishin vetë në kohën kur pandemia i kishte 1001 të panjohura, vetëm që më pas të qeverisnin vetë, duke mos qenë as fitues të zgjedhjeve bashkë me humbësit e tjerë, kësaj radhe me PDK-në si proxy në "opozitë". Por, ashtu siç edhe e kam shkruar shumë herë, ajo qeveri rezultoi të ishte kundërkushtetuese, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe votës numër 61 nga ish-deputeti Etem Arifi. Të gjitha këto sjellje të LDK-së, duke mos i harruar edhe sjelljet ndaj anëtares së kryesisë së tyre, znj.Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte kandidate e tyre për kryeministër, e agjituan votuesin kosovar dhe anëtarin e simpatizantin e LDK-së. Këtë ishim në gjendje ta shihnim të gjithë, përveç kryetarit, kryesisë si dhe, siç ata shprehen, organeve të tyre. Joserioziteti me partnerin me të cilin dëshironin ta ndërtonin "koalicionin e shpresës" gjithashtu ishte pikë agjituese për shumë përkrahës. Ishte pikërisht edhe për mua, që dëshiroja një bashkëpunim dhe sinergji midis këtyre dy partive. VV-së, e cila kryesisht ka të rinj, dhe "Brezit të Republikës", i cili do ta vinte në baraspeshim këtë lloj qeverisjeje. Por, fatkeqësisht, ai brez i republikës nuk u dëshmua të jetë asgjë më shumë se konformistë dhe puthadorës së kryetarit partiak. I zhgënjyer totalisht nga ajo qasje e njerëzve, që për mendimin tim – së paku në sytë e mi – janë të djegur politikisht.
Si të veprojë LDK-ja më tutje?
Strategjia e LDK-së, duke e pasur parasysh se do të mbahen zgjedhjet lokale në tetor, duhet të jetë që të sigurohet që deri atëherë ta kthejë reputacionin e saj dhe besueshmërinë në binarët e duhur dhe të mos e lejojë rrjedhjen e votës në nivel komunal, aty ku tradicionalisht LDK-ja ka qeverisur. Kjo do të jetë mjaft e vështirë, por është e vetmja rrugë. Kthimi në binarët e besueshmërisë dhe normalitetit duhet të bëhet me hapa të vegjël, por të sigurt. Besimi i humbur nuk kthehet lehtë. Këtë e dinë të gjithë. E si të arrihet ajo? Koha dhe proceset të cilat priten të ndodhin, si konstituimi i kuvendit, votimi i qeverisë e votimi i presidentit, kërkojnë nga LDK-ja veprime të shpejta dhe të menjëhershme, edhe pse nuk jam në dijeni për afatet kohore të caktuara me statutin e tyre partiak. Sidoqoftë, dilemave morbide të trumbetuara nëpër studiot televizive se a do të qëndrojë Lista Serbe në sallë gjatë votimit për president (Vjosa Osmani), LDK-ja e re dhe e reformuar do të duhet që kësaj qasjeje dhe koketimi me Listën Serbe në dëm të interesave të institucioneve të Kosovës t’i thotë NDAL njëherë dhe përgjithmonë, dhe jo që LDK-ja e re e reformuar të qëndrojë në sallë për ta bërë kuorumin e nevojshëm, por ata do të duheshin që ta votonin Vjosa Osmanin për presidente. Ajo tashmë e ka edhe legjitimitetin e plotë të votuesit kosovar, me 206.570 votat e saj të besuara në zgjedhjet e sapopërfunduara me cilësi referendumi. LDK-ja duhet t'u paraprijë ndërprerjeve të inateve dhe kapriçeve politike dhe të kthehet në rrënjët e saja të mirëfillta shtetformuese. Ajo duhet ta dëgjojë zërin e votuesit kosovar dhe duhet ta zgjasë dorën e pajtimit e bashkëpunimit. Lista Serbe dhe të gjithë ata të cilët janë shërbyer me djallëzitë e saj mund të shkojnë dhe të kthehen vetëm atje prej nga kanë ardhur. Në kuvend dhe qeveri do të duhej t'u takojë aq sa ua garanton Kushtetuta, e ajo është mjaft gjeneroze për pakicat, e jo të futemi në lojëra të pista e koalicione të dyshimta të errësirës.
Këto do të duhej të ishin veprimet e para të një LDK-je të re e të reformuar, sipas opsionit të dytë të cilin e ceka më herët. Këto sado pak do ta kthenin në binarët e duhur këtë parti tradicionalisht shtetformuese, por e cila kalin e Trojës përbrenda saj asnjëherë nuk dëshiroi ta shohë. Me kalimin e kohës dhe me rolin e saj konstruktiv si pjesë e një opozite të mirëfilltë, edhe besimi i saj do të fillonte të kthehej në bazë, aty në elektoratin e dikurshëm të saj. Mirëpo, ajo tani duhet ta ketë parasysh se me kalimin e secilit vit mosha e elektoratit kosovar po bëhet më e re dhe LDK-ja duhet që shumë të analizojë se si ta tërheqë këtë grupmoshë dhe si partia e re dhe e reformuar të jetë dinamike, moderne, në hap me kohën dhe kërkesat e kohës, dhe e udhëhequr nga djem e çika të reja, të cilat unë mendoj se nuk u mungojnë strukturave të saj, mirëpo ata duhet përkrahur dhe mbështetur. Ashtu do ta çonit edhe një amanet të liderit tuaj historik, Dr. Ibrahim Rugovës, në vend, i cili aq shumë e deshi rininë e i cili e dinte se e ardhmja e Kosovës gjithmonë do të ishte rinia e saj e gjallë, e mençur dhe vitale.
LDK-së së riformuar, pas një kohe, do të mund t’i ktheheshin në gjirin e saj asetet e saj, të cilat faktikisht nuk i takojnë Vetëvendosjes, siç janë: Donika Gërvalla, Faton Peci e pse jo edhe Vjosa Osmani, pas përfundimit të mandatit të saj 5-vjeçar si presidente e Republikës së Kosovës.
Kjo është LDK-ja e cila i mungon skenës politike të Kosovës, jo sipas kutit të Vetëvendosjes apo kujtdo qoftë tjetër, por sipas themeleve të forta demokratike të kalitura në LDK nga prijësit e saj të ndritur, në krye me presidentin historik Dr. Ibrahim Rugovën.