OpEd

Liderët sekserë

Rasti i Haxhi Shalës – “Topit” dëshmon për mënyrën se si liderët partiakë e institucionalë kanë funksionuar këta 20 vjet. Cilat janë metodat e tyre të eliminimit të pengesave e rreziqeve personale, të bërjes së koalicioneve, të emërimeve e shkarkimeve, të shantazhit e kërcënimeve, të kapjes e abuzimit, të kontrollit e të vendimmarrjes

Tri ditë pasi nisi të gjejë zbatim përdorimi i stemës dhe emrit “Republika e Kosovës” në certifikata fitosanitare dhe veterinare në kufirin Kosovë-Serbi, Qeveria Hoti mori vendimin për heqjen e masave të reciprocitetit të vendosura nga Qeveria Kurti. Vendimi i qeverisë së sapovotuar në Kuvend ishte i pritur.

E i pritur ishte edhe votimi popullist i ministrave të AAK-së, kundër.

Jo një herë në historinë e shkurtër parlamentare të Kosovës, deputetë të AAK-së kanë votuar kundër disa vendimeve që rrezikonin “interesin nacional”, por indirekt i kanë ndihmuar ato të kalojnë tutje duke ua plotësuar kushtin procedural propozuesve. Ajo ka dëshmuar se për të është e rëndësishme të mbahet mend se si në “momentet historike për vendin” njerëzit e saj nuk janë treguar të “ligsht”.

Kësaj taktike tashmë i ka dalë boja. Të jesh kundër një vendimi që vlerëson se prek interesat nacionale dhe të bashkëjetosh me ata që janë për, nuk është aspak parimore. Aq më tepër, për një subjekt që mbijetesën në skenën politike e ka ndërtuar mbi vlerat patriotike, e tre vjetët e fundit pikërisht me “taksën” kundër mallrave të Serbisë, si xhoker elektoral.

AAK-ja po dëshmon se me LDK-në, qëndrimin e së cilës ndaj reciprocitetit e kanë ditur që më parë, i ndajnë politikat nacionale e i bëjnë bashkë interesat personale. Se prishja e raporteve mes tyre mund të ndodhë vetëm për pushtetin e parasë. Po të ishte e ndryshe, AAK-ja të shtunën do ta braktiste Qeverinë.

Interesat personale tashmë kanë hequr edhe dallimet programore të partive politike. AAK-ja dhe PDK-ja për çështjet nacionale kanë qëndrime të përafërta me VV-në, por u pëlqen të jenë bashkë me LDK-në. Edhe LDK-ja nuk ngurron të bëjë koalicion me partitë që i akuzon për gjithçka edhe për vrasjet e aktivistëve të tyre. Udhëheqësit e saj më lehtë gjejnë zgjidhje me kundërshtarët e jashtëm sesa me kundërshtarët e brendshëm. LDK-ja ka arritur t’i bindë partnerët në marrëveshjen për bashkëqeverisje, përfshirë edhe Listën Serbe që udhëhiqet nga Vuçiqi, që veç tjerash, të mos votojnë as mocionin për qeverinë, e nuk ka mundur t’i bindë të gjithë deputetët e vet as për rrëzimin e Kurtit e as për zgjedhjen e Hotit.

Presidenti Thaçi, me regjinë dhe skenarin e të cilit është zhvilluar e tërë drama e fundit, ka arritur t’i bindë LDK-në, AAK-në, Nismën e AKR-në që ta votojnë Qeverinë Hoti, por “jo” partinë që e ka drejtuar për mbi 15 vjet, PDK-në.

Fatmir Limaj ka mundur lehtë të bëjë marrëveshje për koalicion, por nuk ka bindur deputetin e partisë së tij dhe shokun e luftës që ta votojë qeverinë Hoti.

Thaçi, Haradinaj, Mustafa, Pacolli e Limaj tashmë është e qartë se përfaqësojnë grupe interesi mbipartiake, që i bashkon vetëm buxheti. Secili prej tyre ka njerëz që u binden në secilën parti. Çfarë s’mundet Mustafa në LDK, mundet Thaçi, çfarë s’mundet Limaj te Nisma, mundet Haradinaj... Kur vjen puna te Lista Serbe gjërat bëhen më të thjeshta – ata dinë çfarë përfaqësojnë dhe kush flet në emër të tyre.

Shkathtësitë e liderëve tash maten me performancën si sekserë. Rasti i deputetit Haxhi Shala është ilustrimi më i mirë, por jo i pari, për taktikat e ngjashme me të cubave.

Shala nuk është vendimtar në bërjen e Qeverisë Hoti. Ai është i fundit në listën e klientëve me të cilët liderët - sekserë negociuan në terr e pas perdeve në ofertën e tyre për krijimin e qeverisë.

Shala bëhet interesant në këtë histori të panjohur për shoqëritë demokratike, për shkak se është i vetmi që denoncoi publikisht “pazarin”. Bëhet i rëndësishëm për atë pjesë të publikut që ka besuar ende në “pastërtinë” e heronjve e idhujve të tyre. Rasti i tij dëshmon për integritetin e deputetëve, të udhëheqësve partiakë e edhe më keq të atyre institucionalë. Tregon për degradimin e skajshëm të moralit shoqëror.

Rasti i ish-komandantit të UÇK-së që njihej me nofkën “Topi”, na bën me dije për dramat personale të liderëve dhe mënyrën si kanë funksionuar këto 20 vjet. Cilat janë metodat e tyre të eliminimit të pengesave e rreziqeve personale, të bërjes së koalicioneve, të emërimeve e shkarkimeve, të shantazhit e kërcënimeve, të kapjes e abuzimit, të kontrollit e të vendimmarrjes.

Rasti i Haxhi Shalës dhe bërja e votave për qeverinë tregon se cila ka qenë agjenda e liderëve partiakë e institucionalë edhe në historinë e fundit disamujore.

Tregon se si kanë operuar me listën e deputetëve dhe si një ditë para votimit u kanë dalë vetëm 60 vota të sigurta. Do të duhej të kishe një hall të madh, një fatkeqësi familjare apo një emergjencë kombëtare që në gjysmën e natës, një ish-kryeministër e lider partie dhe një president në detyrë e ish-lider partie, të dalin nga roli i tyre. T’i trokasin në derë një “miku”, t’ia shqetësojnë familjarët e fqinjët, e t’i bien në “gjunjë” për një votë.

Rasti Haxhi Shala përshkruan me saktësi raportin e këtyre liderëve me institucionet drejtësisë. Presioni ndaj tij për të votuar Qeverinë na shpie te dyshimi se të njëjtin favor, me të njëjtat arsye, ata ua kërkuan gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, e po kështu edhe në të kaluarën edhe në të ardhmen do të veprojnë ndaj secilit institucion që fut hundët në rrezen e veprimit të tyre.

Kryeministri Hoti të shtunën e ka marrë mesazhin e parë të fortë, kur ministrat e AAK-së votuan kundër heqjes së reciprocitetit. Nuk është vetëm ai kryeministër, përkatësisht Isa Mustafa, por kryeministra janë edhe Haradinaj, Limaj, Thaçi e Vuçiqi. Këta marrin vendime e Hoti i bën të ditura për publikun. Nëse Hoti, si përfaqësues i Mustafës në kryeministri nuk zbaton urdhrat, atëherë aktivizohen “siguresat” e çmontimit të qeverisë.