OpEd

Liberalizimi dhe PTSD

Pezullimi i liberalizimit të vizave do të ishte akt barbar i papranueshëm për një vend që në themelet e veta ka “Liberté”. Një akt i tillë do të ishte i padenjë për diplomacinë dhe popullin francez. Prandaj është i pamundur

Ishte kurioze të vështrosh se çfarë furtune prodhoi një fjali e vetme e presidentit Macron për rishqyrtimin potencial të liberalizimit të vizave. Ajo ngjalli reagime pasionante të politikanëve, tituj alarmues të mediave dhe reagime emocionale të qytetarëve. Nga debatet e studiove televizive e deri te llafet e kafeve secili prej nesh ishim të preokupuar me deklaratën e presidentit Macron. Dhe nga diskutimet me njerëzit ishte shumë e qartë që ideja e pezullimit të liberalizimit të vizave prodhonte ndjenja shumë të forta emocionale te secili prej nesh. Ishte sikur e gjithë shoqëria përjetonte PTSD nga liberalizimi i vizave.

Sipas shoqatës psikiatrike amerikane, Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik apo “Posttraumatic Stress Disorder” (PTSD) është një çrregullim psikiatrik që mund të ndodhë te njerëzit që kanë përjetuar një ngjarje traumatike. Njerëzit me PTSD shmangin situatat ose njerëzit që ua kujtojnë atyre ngjarjen traumatike dhe mund të kanë reagime të forta kur ekspozohen ndaj rrethanave të tilla.

Ky përkufizim aplikohet në tërësi në rastin tonë të liberalizimit të vizave. Për shoqërinë tonë e gjithë historia e liberalizimit të vizave ishte një ngjarje traumatike. Sot ne shmangim situatat ose njerëzit që na i kujtojnë këtë ngjarjen traumatike dhe sikur që dëshmoi episodi i fundit i deklaratës së presidentit Macron kemi reagime të forta kur obligohemi të rijetojmë diçka për të cilën kemi menduar se është mbrapa nesh.

Në këtë sfond, reagimi ynë kolektiv ndaj deklaratës së Presidentit Macron ishte absolutisht i mirëkuptueshëm. Për kohë të gjatë, qytetarët e Kosovës janë privuar nga e drejta e lëvizjes së lirë dhe i gjithë ky rrugëtim ka pasur episodet e veta dramatike të shpresës dhe zhgënjimit. Sidoqoftë, përkundër deklaratës së presidentit Macron, konsideroj se nuk ekziston asnjë arsye që të shqetësohemi për pezullimin eventual të liberalizimit të vizave. Këtë e them për disa arsye.

E para, duhet pasur parasysh kontekstin e fjalimit të presidentit Macron. Ai ishte duke iu drejtuar të gjithë ambasadorëve të diplomacisë franceze dhe në kuadër të këtij fjalimi ai ka mbuluar interesat kyçe të diplomacisë franceze në botë. Rrjedhimisht, presidenti Macron nënvizoi se interesi kyç i diplomacisë franceze në Ballkan është një rajon stabil dhe në paqe. Prandaj, Franca do të përdor çdo instrument politik, përfshirë liberalizimin, për të dënuar këndo që kërcënon sigurinë në rajonin tonë. Dhe kjo është tërësisht e arsyeshme, sidoqoftë ne jemi shumë larg këtij skenari. Sot në asnjë formë siguria e rajonit tonë nuk është e kërcënuar. Dhe kjo më sjell te pika e dytë.

Presidenti Macron nuk ka folur për të sotmen, por për të ardhmen. Ai nuk ka propozuar rishikimin e politikës së sotme franceze karshi rajonit tonë, por ka paralajmëruar liderët e rajonit për pasojat që mund të kenë nëse sillen në mënyrë të papërgjegjshme në të ardhmen. Pra, nuk bëhet fjalë për asnjë ndryshim kursi francez sa i përket Kosovës apo liberalizimit të vizave.

E treta, çfarë duhet kuptuar është se pezullimi i regjimit të liberalizimit të vizave ndaj cilitdo shtet është masë ekstreme politike. Pra, duhet ndodhur një degradim shumë i madh në marrëdhëniet në mes të BE-së dhe një vendi për të pezulluar të drejtën e lëvizjes së lirë. Ajo është arma e fundit në arsenalin diplomatik. Për shembull, Rusisë iu pezullua vetëm pasi që e pushtoi Ukrainën. Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoi çfarëdo lloj bisede me BE-në për ndalimin e skemës së “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE. Shqipërisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër kërkesës formale nga parlamenti holandez për një gjë të tillë. Pra, që Kosovës t’i pezullohet liberalizimi i vizave, marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe BE-së duhet të degradojnë në një nivel shumë më alarmant se ku janë sot.

E katërta, e drejta e Kosovës për lëvizje të lirë është sot ligj i aplikueshëm në gjithë BE-në. Kësisoj, legjislacioni evropian ia mbron dhe ia garanton të drejtat themelore evropiane edhe vendit tonë. E drejta jonë për lëvizje të lirë është kodifikuar në kuadër të Rregullores 2023/850 dhe Rregullores 2018/1806 të BE-së. Rrjedhimisht, kjo e drejta e Kosovës nuk është diçka që pezullohet lehtësisht. Ajo nuk mund të pezullohet thjesht sepse një politikan apo dhjetë politikanë evropianë dëshirojnë ashtu. Kjo nuk është si funksion BE-ja. Legjislacioni respektiv ka vendosur kriteret dhe procedurë komplekse se si dhe kur mund të pezullohet regjimi i liberalizimit të vizave. Asnjë nga këto kriteret nuk kanë të bëjnë asgjë me dialogun. Regjimi i liberalizimi të vizave mund të pezullohet në rast se një vend anëtar konkludon se Kosova përmbush njërin nga këto katër kritere: (1) një rritje e konsiderueshme e migrimit të parregullt; (2) një rritje e konsiderueshme e kërkesave për azil me shkallë të ulët të njohjes së drejtës së azilit; (3) mungesa e bashkëpunimit në ripranim; dhe (4) prezenca e rrezikut në rritje për sigurinë e Shteteve Anëtare, në veçanti për vepra të rënda penale.

Pra, që të pezullohet liberalizimi i vizave për Kosovën fillimisht një vend anëtar duhet t’i kërkojë Komisionit Evropian nisjen e procedurës së pezullimit të liberalizimit të vizave, nën arsyetimin se Kosova ka përmbushur njërin nga katër kriteret e lartcekur. Pas kësaj, është në prerogativën e Komisionit Evropian të vlerësojë nëse kërkesa respektive e njërit vend anëtar të BE-së me të vërtetë qëndron apo ajo duhet hedhur poshtë si e padrejtë. Në rast që edhe Komisioni Evropian e ndan mendimin se Kosova është duke e përmbushur njërin nga kriteret për pezullimin e liberalizimit të vizave, atëherë ajo e përgatit të gjithë dosjen respektive për një vendimmarrje me shumicë të kualifikuar brenda Këshillit të BE-së. Pra, çfarë dua të them me këtë është se pezullimi i së drejtës së lëvizjes së lirë nuk është një gjë që varet nga teket politike të një apo më shumë vende anëtare të BE-së, por ajo bazohet në legjislacionin evropian i cili e mbron Kosovën nga trajtimi i padrejtë.

Pra, këto janë gjërat të cilat më shtyjnë të besoj se nuk ka asnjë arsye që të shqetësohemi për pezullimin eventual të liberalizimit të vizave. Por ka edhe një gjë tjetër. Për mua është e pamundur që të besoj se Franca ndonjëherë do të bënte një gjë të tillë. Një ide e tillë do të ishte akt barbar i papranueshëm për një vend që në themelet e veta ka “Liberté”. Një akt i tillë do të ishte i padenjë për diplomacinë dhe popullin francez. Prandaj është e pamundur.