OpEd

Letrat që nuk ekzistojnë

Publikimi i non-paperit të dytë është më i rëndësishëm për nga akti sesa për nga thelbi. Dikush i rëndësishëm ka dashur që ky dokument të publikohet. Prandaj dokumenti është më i rëndësishëm për ato që nuk tregon sesa për ato që tregon. Pas publikimit të non-paperit “të Sllovenisë” dikush ka dashur ta kthejë vëmendjen në drejtimin e duhur. Për mua këto janë shtatë mesazhe nga letrat që nuk ekzistojnë

1. Ka momentum të ri diplomatik për përfundimin e dialogut Kosovë – Serbi. Para pak kohësh SHBA-ja dhe BE-ja prezantuan në KOHA një qëndrim të përbashkët për dialogun Kosovë – Serbi. SHBA-ja dhe BE-ja janë tani në kontakt ditor për koordinimin e dialogut. Para nisjes për në Bruksel, KM Kurti pati takim virtual me përfaqësues të SHBA-së. Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i kanë shkruar Kurtit për rëndësinë e dialogut. Kurti në Bruksel do të këtë takime me përfaqësues më të lartë të institucioneve të BE-së. Non-paperi i publikuar nga KOHA jap një ide për elementet kyç të dialogut, por njëkohësisht është indikator i lëvizjeve të shtuara dhe intensive në prapaskenat e diplomacisë.

2. Momentumi i ri diplomatik mund të jetë i lidhur me synimin e kancelares Merkel dhe presidentit Macron për përmbylljen e dialogut Kosovë – Serbi para zgjedhjeve respektive në këto dy vende. Mandati i kancelares Merkel do skadojë në shtator të këtij viti, përderisa mandati i presidentit Macron në prill vitit tjetër. Arritja e marrëveshjes, tani në koordinim të afërt me administratën Biden, do t’u jepte atyre një fitore të rëndësishme në politikën e jashtme. Personalisht jam “skeptik optimist” se një marrëveshje mund të arrihet në 2021, dhe kjo për shkak të hezitimit të Serbisë - por lëvizjet e shtuara vazhdojnë të janë inkurajuese.

3. Edhe pse me gjasë pjesa dërrmuese e elementeve të non-paperit të publikuar nga KOHA qëndrojnë, një pjesë e tyre duhet marrë me një dozë skepticizmi. Për dy arsye. E para, qëllimi i non-paperit i cili rrjedh në publik nuk është të tregojë se çfarë realisht po diskutohet në kuadër të dialogut, por të ngrejë në diskurs publik çështjet mbi të cilat palët mund të pozicionohen më vonë. E dyta, po të kishte qenë ky non-paper një version serioz, nuk besoj se do të ishte lejuar rrjedhja e tij. Pra, dikush ka dashur që ky dokument të dalë në publik.

4. Çdo herë kur flitet për platforma, strategji, non-paper për dialog me Serbinë, e gjej veten në një konflikt të brendshëm. Me një anë patjetër se mendoj se institucionet duhet të kenë një strategji për dialogun me Serbinë. Por nga ana tjetër, po ashtu kuptoj se kjo asnjëherë nuk ka ndodhur - as në Rambouillet, as në Vjenë, as për 10 vjet dialog në Bruksel dhe gjasat janë që kjo nuk do të ndodhë as në të ardhmen. Kosova nuk ka pozicion karshi Serbisë, pasi që pozicioni i Kosovës është pozicioni i aleatëve tanë perëndimorë. Prandaj, edhe në Rambouillet pozicioni i Kosovës është shkruar në anglisht. Pra, me fjalë të tjera, këtu nuk bëhet fjalë për ballafaqimin Kosovë – Serbi, por për ballafaqimin Perëndim - Lindje.

5. Rusia është duke vëzhguar nga afër zhvillimet për dialog. Ajo nuk mirëpret asnjë përafrim të vendeve të rajonit me strukturat perëndimore. Kësisoj, kur Maqedonia dhe Mali i Zi morën hapa të mëdhenj drejt strukturave perëndimore, Rusia nuk qëndroi duarkryq por tentoi të destabilizonte dy vende fqinje. Nuk ka arsye të mos e presim të njëjtën sjellje të Rusisë në rast të një marrëveshjeje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të konsolidonte rrugën perëndimore të dy vendeve. Në këtë drejtim, shoqëria jonë duhet të jetë vigjilente ndaj ndikimeve malinje gjatë muajve para nesh.

6. Këtë vit Kosova është shumë më e përgatitur politikisht për dialog. Përderisa vitin e kaluar kemi pasur një qeveri e cila nuk gëzonte legjitimitetin minimal politik dhe as kapacitet për të kaluar ligje më të thjeshta, sot kemi mazhorancë plotësisht legjitime e cila, me pak inxhiniering ndërkombëtar, është e aftë të kalojë me 2/3 të deputetëve marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Po ashtu, kemi një lidership institucional i cili koordinimin politik në kuadër të dialogut nuk e bazon mbi ngjyrën e këmishëve që do t’i veshin në Bruksel apo Washington.

7. Dialogu është qartazi prioritet kyç i Kurtit. Rangimi i prioriteteve nuk bëhet mbi fjalë, por mbi aktet. Kurti vazhdon të thotë se dialogu është prioritet i katërt, por në vizitën e parë jashtë vendit ai shkon për dialog në Bruksel. Në bisedat e para me SHBA-në ka biseduar për dialog. Në bisedat e para me përfaqësues të BE-së ka biseduar për dialog. Personin e dytë më të lartë në Qeveri ka ngarkuar me dialog. Sipas raportimeve, Kurti po synon të përfshijë në dialog persona më kompetentë nga diskursi publik. Pra, të gjitha këto të dërgojnë në një përfundim: dialogu është me rëndësi për Kurtin - dhe me të drejtë.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK)