Edi Rampa si zakonisht mban një qëndrim sa i përket armatimit të Serbisë, që vetëm qëndrim kombëtar nuk mund të quhet. Ai deklaron se Shqipëria nuk brengoset për armatimin e Serbisë me raketat kundërajrore kineze, sepse ajo i ka ato për mbrojtjen e saj?! Nga kush lind pyetja? E kur jemi tek Edi Rampa, ai së fundmi ishte edhe në vizitë në Gjermani, ku u takua me homologun e tij, kancelarin Olaf Scholz, i cili mes të tjerash i tregoi Edi Rampës se ai nuk njeh proces tjetër përveç atij të Berlinit dhe kjo ishte edhe një gozhdë e radhës në arkivolin e coftinës politike, e veshur nën petkun ekonomik të quajtur “Ballkani i Hapur”
Sapo e lamë pas edhe një javë të zhvillimeve dramatike e që, thënë ndryshe, janë tashmë pjesët e mozaikut të ri të rendit botëror, i cili gradualisht është duke u vendosur në glob.
Përkundër të gjitha parashikimeve, qoftë të ekspertëve, profesionistëve apo analistëve ushtarakë, lufta në Ukrainë nuk përfundoi as pas 48 e as pas 96 orësh. Ajo sot hyn në ditën e saj të 50-të.
Ushtria dhe mbrojtja territoriale ukrainase arritën që ta ndalnin avancimin e ushtrisë agresore ruse për të pushtuar kryeqytetin Kiev dhe t’i shkaktonin asaj humbje të konsiderueshme në njerëz dhe në makineri ushtarake. Ushtria e tërhequr nga shtetrrethimi i Kievit dhe i pjesës veriore të Ukrainës tashmë ka arritur në pjesën lindore dhe në atë jugore të Ukrainës, ku këtyre ditëve priten të zhvillohen betejat vendimtare të këtij invazioni të çmendur rus.
Shkalla e krimeve të shkaktuara nga forcat ruse pas tërheqjes së tyre nga pjesa veriore e Ukrainës është tmerruese. Për ne kosovarët, skena shumë mirë të njohura. Civilë të pafajshëm të vrarë dhe të ekzekutuar, gra të dhunuara, fëmijë dhe pleq të vrarë, infrastrukturë e shkatërruar dhe e shndërruar në hi.
E gjithë kjo për të thyer popullin ukrainas, për t’i bërë ata që eventualisht t’i kundërvihen udhëheqjes së tyre, të mbjellin terrorin dhe frikën në palcën e njerëzve dhe të zhdukin gjithçka që identifikohet me kulturën ukrainase. Jo rastësisht, para tre ditësh, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, invazionin rus në Ukrainë e quajti gjenocid dhe në pyetjet e gazetarëve se a mos ishte ky një përshkallëzim i skajshëm i retorikës, ai u përgjigj se sa i përket atij, ai i ka parë të gjitha provat e nevojshme për ta quajtur gjenocid dhe do ta quan të tillë, ndërsa organet ndërkombëtare ligjore do ta kryejnë punën e tyre me hulumtime për të kuptuar nëse do të kategorizohet si e tillë kjo luftë e paprovokuar ruse ndaj popullit dhe shtetit të Ukrainës.
Të dielën e kaluar u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Francë. Presidenti aktual, Macron, arriti që ta fitojë raundin e parë me vetëm më pak se 5 për qind të votave para Marine Le Penit, e cila tash pas dy javësh do ta sfidojë në garën e radhës të raundit të dytë final për zgjedhjen e presidentit të Francës.
Është më se e mundshme që Evropës do t’i vendoset një copëz e re e mozaikut të rendit të ri botëror. Gjasat që përfaqësuesja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, ta fitojë këtë garë janë reale dhe nëse bazohemi në të gjitha veprimet dhe deklaratat e Le Penit gjatë viteve dhe ditëve të fundit, atëherë Francën dhe raportin e saj me BE-në dhe me NATO-n e presin ditë të errëta.
Në anën tjetër, presidenti aktual Macron nuk pranoi që të bashkërenditej prapa presidentit amerikan, Biden, dhe ta quante invazionin rus në Ukrainë gjenocidal. Se a e bëri këtë për shkak të raporteve të Francës me Rusinë, të tijat personale me Putinin apo thjesht që të mos i japë municion të gatshëm kundërkandidates së tij në fushatën dyjavore për garat presidenciale në Francë, mbetet që të shihet.
Në Britaninë e Madhe, para ca ditësh iu shqiptua gjoba nga ana e Policisë britanike kryeministrit Boris Johnson dhe ministrit të tij të Financave, Rishi Sunak. Dënimi ka të bëjë me shkeljen e ligjit me organizimin e ahengjeve të tyre gjatë kohës së pandemisë, ligj ky i sjellë pikërisht nga këta të dy dhe të cilin shumë familje asokohe e përjetuan me aq shumë vuajtje dhe dhimbje kur ata nuk ishin në gjendje që t’i vizitonin të afërmit e tyre që po luftonin për jetën nga COVID-19. Edhe më e dhimbshme është se as varrimet e më të dashurve të tyre nuk mundëm që të mbaheshin me ceremonitë të cilat familjarët e tyre do t’i preferonin në ato ditë mërzie. Për ahengjet as që bëhet fjalë. Ato lëre se ishin të ndaluara, por as atmosfera në Britani nuk ishte e tillë që dikujt t’i kishte mbetur deri tek ato.
Në historikun e Britanisë së Madhe është hera e parë që një kryeministër gjobitet për thyerje të ligjit dhe normalisht njerëzit, por edhe opozita politike, janë shumë të frustruar dhe kërkojnë largimin e tij nga pozita. Ata të dy, kryeministri dhe ministri i Financave, ishin aq të pafytyrë saqë gënjyen edhe në Parlament se ata nuk kishin organizuar aheng dhe aq më pak të kenë qenë pjesëmarrës në diçka të tillë.
Ndërkohë, që të dy kërkuan falje publike për sjelljet e tyre dhe deklaruan se i paguan gjobat e që tash duhet shikuar nga e ardhmja pasi që situata aq e rëndë në Ukrainë, rrjedhimisht edhe në Evropë dhe botë. Mirëpo, pjesa më e madhe e publikut britanik, e edhe e opozitës politike, nuk do të kënaqet me asgjë më pak sesa dorëheqjen e tyre nga pozitat që i ushtrojnë.
Në Ukrainë, presidenti Zelenskyy nuk e pranoi vizitën nga presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier, me arsyetimin se ai ishte njëri nga njerëzit përgjegjës përse Ukraina nuk u pranua në NATO. Njashtu edhe se ai ishte përkrahës i madh i gazsjellësit NORD STREAM 2, të cilin ukrainasit e kundërshtonin fuqimisht. Edhe pse Gjermania në shumë aspekte ka ndërruar kurs sa i përket përkrahjes së saj për luftën në Ukrainë, përkrahje e cila në mënyrë cinike filloi me donacionin e 5.000 helmetave pak para fillimit të luftës e deri në dërgesat e armatimit të rëndë tash pas ndërrimit të kursit. Mirëpo, ajo që Gjermania nuk është në gjendje që ta bëjë as në koordinim me sanksionet e BE-së, të Amerikës dhe as me plotësimin e kërkesave të presidentit Zelenskyy është që ajo ta ndërpresë furnizimin e saj me gazin dhe naftën ruse, ku 50 për qind e ekonomisë së saj është e varur nga ajo. Përndryshe, shteti rus paguhet 1 miliard euro në ditë për furnizimin me gaz, të cilin ua bën shteteve të BE-së, ndonjërës më shumë e ndonjërës më pak. Mirëpo, ky për momentin mbetet i vetmi motor që e lejon financimin dhe mbështetjen e ushtrisë dhe të invazionit të saj pas të gjitha sanksioneve dhe bllokadave të vendosura nga vendet e BE-së, Amerika dhe shtetet demokratike botërore.
Me gjithë kërcënimet ruse për pasojat, Suedia do të aplikojë për anëtarësimin e saj në NATO, e sipas të gjitha gjasave këtë do ta bëjë edhe Finlanda, fqinji tjetër i Rusisë. Sipas logjikës putiniane dhe pas invazionit rus në Ukrainë për ta parandaluar një shtrirje dhe ndikim të NATO-s, e njëjta gjë do të duhej që t’i ndodhte edhe Suedisë e Finlandës. Këtë unë e dyshoj me gjithë qenien time dhe është ky një fakt që do ta shpalosë hipokrizinë ruse dhe ekspansionizmin e saj nën ideologjinë e saj të re putiniane, të zgjuar si vampir nga një e kaluar e errët për të cilën evropianët menduan se ishte gjë e harruar dhe e tejkaluar. Nuk mësuan gjë nga luftërat e viteve 90’ në Ballkan. Vazhduan t’i miklojnë po të njëjtit nacionalistë të cilët i shkaktuan ose ishin pjesëmarrës direkt në to e në Rusi me duar të veta i ushqyen këta nacionalistë që sot po i kryejnë krimet, të cilat Evropa nuk i ka parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Serbia, në anën tjetër, bëhet shteti i parë evropian që pajiset me raketat ushtarake kineze dhe kjo politikë e saj “me të gjithë mirë dhe përfituese nga të gjitha palët në konflikt” ka ardhur koha që të përfundojë. Ajo do të duhet që përfundimisht të zgjedhë se me kënd do të rreshtohet. Me integrimin e saj në BE apo me mbrojtjen e interesave të saja me Rusinë dhe Kinën. BE-ja, siç po shihet, i ka mjaft telashet e saj nga shtetet anëtare e edhe nga ato që e formuan këtë organizim ekonomiko-politik të shteteve evropiane e që t’i fusin vetes therë në këmbë me një Serbi e cila dëshiron të ulet në tri karrige, mundësisht.
Edi Rampa si zakonisht mban një qëndrim sa i përket armatimit të Serbisë, që vetëm qëndrim kombëtar nuk mund të quhet. Ai deklaron se Shqipëria nuk brengoset për armatimin e Serbisë me raketat kundërajrore kineze, sepse ajo i ka ato për mbrojtjen e saj?! Nga kush lind pyetja?
E kur jemi tek Edi Rampa, ai së fundmi ishte edhe në vizitë në Gjermani ku u takua me homologun e tij, kancelarin Olaf Scholz, i cili mes të tjerash i tregoi Edi Rampës se ai nuk njeh proces tjetër përveç atij të Berlinit dhe kjo ishte edhe një gozhdë e radhës në arkivolin e coftinës politike, e veshur nën petkun ekonomik të quajtur “Ballkani i Hapur”.
Përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnje, Christian Schmidt, të martën pezulloi legjislacionin e ri nga Republika Srpska, i cili kërcënonte ta dobësonte qeverinë qendrore të vendit.
Ligji, i miratuar nga Asambleja kombëtare e Republika Srpskas në muajin shkurt, përcakton se njësia me shumicë serbe mund të marrë pronën shtetërore në territorin e saj.
Kjo ka bërë që Qeveria britanike të vendosë sanksione ndaj Milorad Dodikut dhe Zhelka Cvijanoviqit, për sjelljet e tyre të rrezikshme dhe obstruktive. Në anën tjetër, Rusia deklaron se do të ketë destabilitet në Bosnjë-Hercegovinë, gjë kjo në të cilën ajo edhe ashtu ka kohë që kishte punuar.
Siç po shihet, Evropa aq sa është e bashkuar është edhe e përçarë me probleme të shumta interne e të cilat vetëm Putinit mund t’i shkojnë për shtati në këto kohëra aq të ndjeshme historike për Evropën dhe botën. Në javët në vijim do të ketë zhvillime të reja të cilat përfundimisht do t’i vendosin pjesëzat e mozaikut në vendet e tyre. Nëse për të mirë apo për të keq, mbetet që të shihet.