Epidermi, dermi dhe subdermi janë shtresat e lëkurës së gjarprit, secila shtresë kryen funksionet e veta, ashtu, njësoj siç Serbia ka vepruar duke shtrirë lëkurën e saj religjioze e politike në Kosovë. Prandaj, nëse situatën e lexojmë me vëmendje e mençuri politike dhe kombëtare shtetërore, na duhet një përbashkim politik në zbatim të parimit të së drejtës ndërkombëtare “Rebus Sic Stantibus” si valvul sigurie, ngase kjo, sa është sfida jonë e madhe po aq është përgjegjësia jonë historike
Po shkruaj këtë shkrim-proteste ndaj gjithë atyre politikanëve shqiptarë papolitikë dhe akademikëve të mbetur heshtur para kërkesave serbe. Të plota e të shumta janë propaganda serbe dhe jo vetëm, edhe ndërkombëtarë të shumtë ka (përfshirë emisarët), që po shkruajnë e kërkojnë për një asociacion serb në Kosovë. Sa keq, sa të padijshëm ishim ne, që nuk e njohëm historinë as faktografinë mbi autoktoninë shqiptare. Në kërkim të objekteve religjioze atyre bazilikave të krishtere iliriko-shqiptare e gjurmëve sakrale dhe toponimeve të shumta si emërvende: "livadhet e kishës", "bregu i kishës", "kodra e kishës", "kroi i priftit", "vendi i kishës", "vorret e kishës" apo "lisi i kishës" e të tjera, janë vetë herëshmëria e autoktonia jonë.
Por, sot, tashmë janë falur apo është hequr dorë nga trashëgimia jonë materiale e krishterë dhe Kisha Serbe Ortodokse i konsideron si serbe (pravosllave). Ajo trashëgimi u formalizua në bisedimet e Vjenës. Ky përvetësim i ortodoksisë i shërben strategjisë ruse për shtrirjen e sllavizmit përmes kishës, sipas projektit të "Nova Rusia". Politikanët që flisnin shqip, a nuk i dinin këto të dhëna dhe të vërteta arkeologjike, faktografike e historike? Çka ishte nënçmuese për ta, koka bosh apo barku i uritur? Pra, jo rastësisht, sot e çdo ditë, serbët e thonë, Kosova është sistemi shpirtëror serb. Serbia tani kërkon asociacion serb për administrim territori dhe asetesh ekonomike (kombinati “Trepça” dhe liqeni Ujmani) që shtrirjen dhe lidhjen do ta kishte horizontale po me një vendimmarrje vertikale tek Beogradi. Janë politike e juridike gabimet strategjike që kemi bërë, si dëm kombëtar e shtetëror të përhershëm, po tashmë duhet përdorur parimin e së drejtës ndërkombëtare “Rebus Sic Stantibus” si valvul sigurie, duke paraqitur argumentim ligjor dhe pragmatik politik, për shmangien e dëmeve ndaj Republikës, sipas praktikave të panumërta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Doktrina “Rebus Sic Stantibus” ia mundëson Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës që për shkak të arsyeve thelbësore ta ndryshojë rrënjësisht thelbin e "marrëveshjes (ve)" si kërkesa serbe shkatërruese për rregullimin shtetëror dhe unitar të Republikës së Kosovës. Zyrtarët shtetërorë të shteteve evropiane, përfshirë dhe emisarët, nuk guxojnë ta shkelin kushtetutën e tyre madje as vendimet e gjykatave kushtetuese të vendeve të tyre; po pse i kërkohet Prishtinës zyrtare ta shkelë Kushtetutën për ta krijuar “asociacionin serb”?, po pse këta zyrtarët evropianë e ndërkombëtarë na kanë kërkuar madje edhe kërcënuar politikisht që përmes draft(eve) statut(eve) për themelimin e një 'asociacioni serb' duan ta jetësojnë preambulën e kushtetutës së Serbisë (ku thuhet se; "Kosova dhe Metohia është pjesë integrale e territorit të Serbisë dhe se ka statusin e një autonomie substanciale brenda shtetit sovran të Serbisë dhe se nga statusi i tillë i Krahinës së Kosovës dhe Metohisë rrjedhin obligimet kushtetuese për të gjitha organet shtetërore për të ruajtur dhe mbrojtur interesat shtetërore politike e juridike të Serbisë në Kosovë dhe Metohi"), si dhe neneve 182 & 183?, po pse këta zyrtarët evropianë e ndërkombëtarë insistojnë ta kurdisin një minë me sahat në Kosovë?, po pse këta zyrtarët evropianë e ndërkombëtarë me qasje separatiste duan të krijojnë një "Srpska Republika" të dytë si në Bosnjë-Hercegovinë?, këto pyetje mund të kenë përgjigje të shumta, por një gjë është e sigurt, nuk na tregon shkurtpamësi politike dhe as naivitet diplomatik nga ana e tyre! Po sikur t'i pyesim zyrtarët evropianë e ndërkombëtarë mbi mundësitë e themelimit të asociacioneve në vendet e tyre, p.sh., a do të pranonte Belgjika të themelonte “asociacion maroken”? A do të pranonte Franca të themelonte “asociacion algjerian”? A do të pranonte Italia të themelonte “asociacion shqiptar”? A do të pranonte Gjermania të themelonte “asociacion turk”? A do të pranonte Amerika të themelonte “asociacion meksikan”? A do të pranonte Britania e Madhe të themelonte “asociacion afrikan”? Atëherë, pse duhet Kosova të themelojë “asociacion serb” kur, sipas obligimeve të dokumentit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit janë krijuar dhjetë (10) komuna serbe, njëzet (20) ulëse të rezervuara për pakica në Kuvend, dhjetë (10) nga to, të garantuara për pakicën serbe!. Duket kuptuar qartë se, diplomacia e errët ka ushtruar dhe ushtron trysni të jashtëzakonshme mbi krerët institucionalë të Republikës së Kosovës, në shpërputhje me dispozitat kushtetuese dhe të drejtën ndërkombëtare, e për fatin e keq, duke gjetur zëra politikanësh vendorë të papolitikë, si dhe akademikëve të shumë heshtur para kërkesave Serbe! Po kjo diplomaci e errët, evropiane e ndërkombëtare, bënte sikur e shqetësuar me fatin e Krimesë e Donbas (më 2014), ndërkaq kërkon me trysni krijimin e një territori me influencë serbo-ruse brenda Kosovës. Epidermi, dermi dhe subdermi janë shtresat e lëkurës së gjarprit, secila shtresë kryen funksionet e veta, ashtu, njësoj siç Serbia ka vepruar duke shtrirë lëkurën e saj religjioze e politike në Kosovë. Prandaj, nëse situatën e lexojmë me vëmendje e mençuri politike dhe kombëtare shtetërore, na duhet një përbashkim politik në zbatim të parimit të së drejtës ndërkombëtare “Rebus Sic Stantibus” si valvul sigurie, ngase kjo, sa është sfida jonë e madhe po aq është përgjegjësia jonë historike.