Edhe pse shkalla e servilizmit nuk ma merr mendja të ketë qenë ndonjëherë më e lartë në historinë e shënuar dardane, prapë një numër i konsiderueshëm rebelësh nuk pajtohen me këtë lloj gjendjeje të shoqërisë, dhe gjërat do thënë troç, ashtu sesi ato janë, pa ekuivoke, duke e quajtur të bardhën të bardhë dhe të zezën të zezë.
Sot është ditë feste. Cinikët dhe punëtorët e zellshëm do t’i hapin kalendarët e tyre dhe do të kontrollojnë datën 19 korrik (respektivisht 22 korrik ata të cilët do ta lexojnë versionin elektronik) të ditarit tim në portal, dhe për zhgënjim nuk do ta gjejnë asnjë festë zyrtare shtetërore, në mënyrë që vikendi i tyre të zgjatet me një ditë pushimi më shumë dhe kjo do t’i bëjë ata që të frustrohen. Për çfarë feste bëhet fjalë? Unë e festoj ditëlindjen e parë të ditarit tim diplomatik. Ai sot i mbush një vit. Është java e 52-të e publikimit të tij. Disa nga ju mund ta ndieni si festë edhe tuajën dhe të kremtoni së bashku me mua, disa të tjerë nga ju as që do ta lexoni këtë numër jubilar e as që do ta kuptoni se për çfarë feste bëhet fjalë, ndërsa disa nga ju edhe do ta lexoni dhe do ta kuptoni, mirëpo me vetëdije do të vendosni që ta injoroni.
Në fakt, ky grupi i injorantëve është më i madhi ndër ne. Sikur të mos ishte unë nuk do të kisha nevojë që të shkruaja ditar me përmbajtje të kabllogrameve diplomatike pikësëpari, por do të dilja në peshkim, do të shkoja në ndonjë cocktail party me homologët e mi, ose do të dilja në gjueti, jo të kafshëve, sepse besoj në të drejtat e tyre për jetë të lirë pa kanosje nga vrasja për argëtimin e njeriut, por ka edhe gjueti të llojeve të tjera.
Pasi që përmenda fjalën vrasje, nuk kam sesi të mos e qortoj policinë e shtetit tim në dështimin e radhës që t’i bëjë edhe pjesëtarët e komunitetit rom që të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt në shtetin e quajtur Republika e Kosovës. Me gjithë faktin që denoncimi paska ndodhur qysh nga muaji janar nga djaloshi rom tashmë i ndjerë 11-vjeçar, policia nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për parandalimin e këtij krimi makabër. Kjo nuk është Kosova të cilën e kam paramenduar dhe dashur unë. Në Kosovën të cilën unë e kam dashur dhe e kam ëndërruar ajo është e barabartë për secilin qytetar dhe banor të saj, secilit do t’i ofrohej siguria dhe mirëqenia sociale.
Në Kosovën të cilën unë e kam ëndërruar nuk do të ndodhte linçimi ad hominem i një intelektuali të dëshmuar për fjalën e tij të lirë dhe të mbështetur me argumente nga eksponentët, të cilët udhëhoqën me proceset e "luftës" dhe me secilin proces politik të 20 vjetëve të pasluftës në Kosovë. Po a me të vërtetë po mendoni që i gjithë populli po e kullot barin të cilin ju po ia servoni? Edhe pse shkalla e servilizmit nuk ma merr mendja të ketë qenë ndonjëherë më e lartë në historinë e shënuar dardane, prapë një numër i konsiderueshëm rebelësh nuk pajtohen me këtë lloj gjendjeje të shoqërisë, dhe gjërat do thënë troç ashtu sesi ato janë, pa ekuivoke, duke e quajtur të bardhën të bardhë dhe të zezën të zezë.
E kjo gjë detyrimisht bie mbi supet e secilit që veten e konsideron intelektual, e intelektuali nuk është asgjë më shumë e as më pak se një njeri me integritet, përndryshe merrini ato diploma tuaja dhe varjani maceve për bishti ndoshta ua bëni pilifunc.
Kur jemi tek diplomat. Ky është numri jubilar i 52-të i publikimit të ditarit tim diplomatik. Mesatarisht në secilin numër i kam shkruar nga 1500 fjalë (+- 100). Me një matematikë të thjeshtë i bie që 52 x 1500 = 78.000 fjalë. Në definimin e asaj se sa fjalë i përmban një faqe thuhet "për faqet me margjinat prej 2 centimetrash, me shkronjat Times New Roman të madhësisë 12, dhe me elementet minimale të hapësirave ndërmjet tyre, rregulla e parë thotë se rreshtat me nga një hapësirë ndërmjet vete do t’i zënë 500 fjalë në një faqe, ndërsa rreshtat me një hapësirë të zbrazët të dyfishtë ndërmjet tyre do t’i zënë 250 fjalë. Për referencën tonë do ta marrim variantin me 500 fjalë.
78.000 / 500 fjalë = 156 faqe. Ku po dal me këtë? Një punim shkencor për disertacionin për doktoraturë duhet t’i përmbajë 140-150 faqe nëse nuk bëhet fjalë për doktoraturë nga lëmi i mjekësisë, ndërsa me parathëniet, diagramet, tabelat dhe referencat ajo lehtë mund të dyfishohet nga numri i faqeve. Kërkoj nga këto universitete, të cilave ende nuk ua kanë hequr akreditimet, që të më konsiderojnë për Doctor Honoris Causa ose nëse bash mendojnë që nuk ua rris prestigjin në atë mënyrë, atëherë le t'ma mbështjellin një porcion qebapësh me një diplomë PhD qaty sahora. Doktorr i Shkencave DipLLomatike hmmmm …
Një ditë po e diskutoja me një mikeshë rëndësinë e LEK-ut në shoqërinë mbarëshqiptare, edhe implikimet dhe begatitë që na i solli në historinë, jetën, fonetikën dhe në fjalorin tonë. Krejt teposhtën e morëm me gjeneralin tonë më të famshëm Aleksandrin e Madh, e që e quajtëm LEKa i Madh. Pas tij kodin e parë ligjor – Kanunin- na e solli LEKë Dukagjini.
Për shembull, engjëllit i themi meLEK. S'ka si do të mundë të quhej me një emërtim më "hyjnor" tjetër. Kështu që kur të dëgjoni për dikë se ky njeri është meLEK, mos e keqkuptoni si thënie, e ka kuptimin është engjëllor …
Zogun apo shpendin aq bujar i cili na i sjell fëmijët në këtë botë e quajmë lejLEK. Qysh në lindje të secilës foshnje pellazge lidhja me LEK-un është e pandashme dhe fuqiplote. Të ka pru lejLEKu.
Princin trashëgimtar të shqiptarëve e patëm LEKë Zogun, një kombinim fatal i LEK-ut me zogun. Ministër të Infrastrukturës në Republikën e Kosovës e kemi Pal LEKajn.
Nxënësit në mënyrë që t’i stimulojmë që të lexojnë gjatë muajve të pushimeve verore librat ua kemi emërtuar LEKtyra shkollore, që ata me lakmu e helbete me lexu najsen.
Në mënyrë që nxënësit të mësojnë edhe gjatë muajve të tjerë të vitit shkollor, mësimet i kemi quajtur LEKsione për një stimulim shtesë.
Personin, i cili do të na i përmirësojë gabimet drejtshkrimore në punimet tona shkencore-akademike e kemi quajtur LEKtor.
LEKsikografi e quajtëm studimin e thukët mbi përmbajtjen e tërësishme të fjalorit tonë të begatshëm gjuhësor.
Kryeprokuror të shtetit e kemi LEKë Lumezin. (Shih edhe një Aleksandër të vonshëm që e ndërruam me LEKë).
Siç po e shihni LEK-u ka lënë shumë gjurmë të thella në formësimin tonë si shoqëri. Mua mund të më ketë ikur ndonjë fjalë tjetër ku aq në mënyrë brilante e kemi të ndërlidhur LEK-un, mirëpo mendoj se shembujt e mësipërm mjaftojnë për ta argumentuar dukurinë.
***
Dje, në një ripostim të dikujt në Facebook më rastisi të shihja një emision të RTK-së, të cilët e kishin bërë një profil të Kadri Veselit. E kur një televizion publik dhe një gazetari bie në atë nivel servilizmi dhe ku pa kurrfarë pardoni na portretizohet një analfabet funksional si një njeri me vlera të larta ahmakdemike e shkencore, vajhalli për ne si shoqëri. Pafytyrësia shkon edhe më tutje, kur deputetët servilë dhe supozitorë të Kadrushit kërkojnë që të bihen ligje për pagesë prej 2.50 eurosh në muaj për këtë katrahurë mediatike.
Në ato rrenat dhe zbukurimet e biografisë së Kadrushit dilte se shkollë të mesme kishte kryer 5 vjet. Nuk përjashtohet si mundësi po qe se e ka përsëritur vitin. Pastaj perla e radhës "studioi Bujqësinë dhe Gjuhë dhe Letërsi pranë Fakultetit Pedagogjik?!? "Porca mizeria" do të thoshin miqtë e La Famiglias Siciliane. Fakultet Pedagogjik nuk ka pasur, ndërsa Gjuha dhe Letërsia kanë qenë në Fakultetin Filologjik. E nëse Kadrushi paska studiuar për gjuhë dhe letërsi, profesorëve të tij të cilët i kanë dhënë notë kaluese duhet rivokuar diplomat, po qe se janë ende gjallë. A lejohet kjo kshtY.
Përndryshe, rishtazi në një prononcim të vetin ai përdori termin "fosil", që nuk më la të kuptoj se ky individ ka studiuar për bujqësi apo gjuhë dhe letërsi. Më shumë më lë përshtypjen e një "paleontologu" apo të një arkeologu, të cilit në gërmimin për artefakte i has sakica në ndonjë asht coftine aty ndër sipërfaqen e mihur e as vetë nuk e di kuptimin e fjalës fosil, dhe pastaj tingëllon qesharak nga shkrimet/fjalimet të cilat ia shkruajnë të tjerët. Apo siç themi ne në gjuhën diplomatike "derisa po mbathej kali, bretkosa ngriti këmbën".
P.S. Ramush, këtë javë nëse më ngon mi jau shtin taksat 100% krejt instituteve edhe shoqatave të pavarura, burrë, po a bon kjo kështu? Boni të varuna deri në asht si tona tjerat në këtë vend.
Dr. Asdren Rrahmani, Ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook, PokLEK, Kosovë e Shqipërisë