OpEd

Leje për të vrarë

Izraeli ka mbërritur fundin e iluzioneve dhe, sipas HRW-së, kalimin e pragut të aparteidit dhe krimeve kundër njerëzimit

1.

E kam njohur në një konferencë rastësisht një filozof izraelit, për të cilin më vonë do të merrja vesh nga një libër se kishte një profesion nga më të çuditshmit, besoj krejtësisht të veçantë nga filozofët e nga ushtritë botërore. Ai është personi të cilin shërbimet sekrete izraelite, qoftë civile apo ushtarake, e kontaktojnë ditën e natën (jo rrallë pas mesnate) për ta dhënë vlerësimin në është etike apo jo vrasja e një caku të cilin këto shërbime e kanë vlerësuar të jetë terrorist. Detyra e filozofit është ta arsyetojë moralitetin apo jo të vrasjes, pas informatës së detajuar nga ana e Shtatmadhorisë mbi provat për krimet e supozuara të tij. Deri në momentin kur filozofi ta japë vlerësimin, caku i supozuar i vrasjes është i gjallë.

Filozofi është njëri prej intelektualëve të spikatur humanistë të vendit, prej gjeneratës themeltare të shtetit e të shtresës intelektuale të vendit, të asaj që beson se ruan etosin e David Ben-Gurionit të ndërtimit të një shteti me primesa të theksuara egalitare. Dhe, është njëkohësisht personifikimi i një drame të brendshme të intelektualëve izraelitë, gjegjësisht të Izraelit në tërësi, e ajo dramë është mbajtja e njëkohshme e dy qëndrimeve që kundërshtohen mes vete. Nga njëra anë është besimi në shtetin demokratik me institucione funksionale që më në fund pas dy mijë e sa vjetësh mund të mbrojnë ekzistencën e hebreut dhe dinjitetin e tij. Nga ana tjetër është cinizmi i realitetit të jetës në konflikt, pra bindja se Izraeli në gjendje lufte të përhershme me palestinezët jo domosdoshmërisht duhet të sillet si shtet demokratik me të drejta të garantuara për të gjithë qytetarët.

Në zgripin e dy qëndrimeve, apo të disonancës kognitive, njëra rrugë që shoqëria izraelite ka mundur të zgjidhte është ajo e fundit të konfliktit, nëpërmjet fundit të okupimit të palestinezëve dhe të arritjes së një paqeje me ta. Në vend të saj ka zgjedhur rrugën me të cilën e arsyeton okupimin, pra ndërton tërë një rrëfim etik për të aq sa në fund emëron edhe një person i cili do të vërë në peshoren morale vrasjen apo jo të një njeriu me snajper, eksploziv me detonator nga larg apo raketë me precizitet të lartë, dhe kështu t’i japë moralitet aktit të vrasjes.

2.

Nuk e di a është ende në detyrë filozofi i lejes për të vrarë, apo e ka trashëguar tjetërkush, por besoj se kur ushtria izraelite i drejtoi predhat e veta ajrore kundër disa caqeve në Gaza, në fillim të kësaj jave, disa ditë para Bajramit, mund të ketë kërkuar leje morale për ta bërë këtë, përfshirë edhe analizën e “dëmeve kolaterale”, pra të dëmit që mund t’u bëhet civilëve (gra, fëmijë, persona të papërfshirë në konflikt) me goditje raketore. Leja që mund të jetë dhënë për bombardimet e Gazës përmban në vete disonancën izraelite. Nga aspekti ushtarak, pikat nga të cilat janë lansuar raketat e “Hamasit” kundër caqeve civile izraelite, përbëjnë caqe legjitime ushtarake të cilat duhen ndëshkuar. Nga aspekti humanitar këto pika janë pjesë të strukturës urbane të Rripit të Gazës, janë pjesë të rrugëve që kanë shkolla, spitale, shitore, shtëpi. Ai që jep leje për të gjuajtur raketa në Gaza, si përgjigje legjitime ndaj lansimit të raketave të “Hamasit” kundër civilëve izraelitë, jep leje njëkohësisht që të vriten civilët palestinezë. Nëntë prej njëzet të vrarëve në Gaza në fillimjavë, sipas autoriteteve palestineze, ishin fëmijë.

3.

Leja për të vrarë është pjesë e një sistemi të mendimit i cili ndërtohet prej bashkëjetesës së dy realiteteve, të cilat mund të ishin përjashtuese me njëra-tjetrën, por në fakt bashkëjetojnë. Njëri realitet është se ekziston shteti i Izraelit tashmë 73 vjet dhe realiteti tjetër është se me përjashtim të gjashtë muajve të kësaj ekzistence, Izraeli ka administruar jetët e palestinezëve, qoftë brenda territorit të Izraelit të ndërtuar më 1948, qoftë me territore të okupuara më 1967. Apo, thënë thjesht, Izraeli është shtet i ndërtuar prej ëndrrave të hebrenjve të persekutuar deri në përpjekje për zhdukje në Holokaust e njëkohësisht është shtet i cili po ndërtohet mbi themelet e padrejtësisë sistematike ndaj palestinezëve.

Një formë e sundimit të këtillë tashmë ka marrë edhe një përshkrim juridik. “Human Rights Watch”, organizatë me kredibilitet shembullor në fushën e të drejtave të njeriut, konstatoi në raportin e botuar në muajin prillit të këtij viti se Izraeli kishte kaluar tashmë pragun e dy shkeljeve të mëdha të së drejtën humanitare. Me veprimet e veta tashmë ka instaluar një sistem aparteidi, pra kishte vendosur një sistem të mbrojtjes juridike për hebrenjtë, dhe një sistem më pak mbrojtës (apo diskriminues) për palestinezët, qoftë në territorin e Izraelit, të njohur ndërkombëtarisht, qoftë në territoret e pushtuara. Dhe, si mjet i vendosjes së këtij sistemi apo pastaj si derivat i tij, forcat ushtarake dhe policore të Izraelit kanë kryer krime kundër njerëzimit. Që të dyja ilustrohen me një shembull të thjeshtë: pushteti izraelit favorizon, duke përdorur dhunë, vendosjen e kolonëve hebrenj dhe njëkohësisht përdor instrumente ligjore e pastaj edhe dhunë për të shpërfillur të drejtën e pronës që kanë palestinezët, qoftë ata që ende jetojnë në territore të okupuara, apo ata që jetojnë në mërgim.

4.

Filozofët themelues të shtetit izraelit janë ende në zgripin e besimeve kundërshtuese. Përvoja e tyre jetësore i ka pajisur me cinizmin e nevojshëm për të shpërfillur kërcënimet e ndryshme të organizatave ndërkombëtare. Çfarëdo që të thuhet në OKB, për veshët e tyre është jorelevante; ata ende mbajnë mend se si OKB-ja ishte e paaftë për të krijuar dy shtete, Izrael e Palestinë, ashtu siç qe dakorduar në Këshill të Sigurimit më 1948. Në vend të dy shteteve, forcat e bashkuara arabe sulmuan hebrenjtë, dhe hebrenjtë e krijuan shtetin e tyre me luftë, madje përkundër deklaratave të ndryshme të OKB-së. Dhe, çfarëdo që thuhet në BE kundër Izraelit shkakton të qeshura; jo pak intelektualë e politikanë izraelitë i janë përgjigjur BE-së me “rregullojeni njëherë punën e Kosovës me Serbinë e pastaj ejani të na mbani ligjërata”.

Tash ka mbetur vetëm brendavështrimi i një shoqërie e cila ballafaqohet me fundin e iluzioneve të vetëbesuara, të përshkuara nga “Human Rights Watch” si “përfshirë ato se okupimi është i përkohshëm, se ‘procesi i paqes’ së shpejti do t’u japë fund abuzimeve izraelite, se palestinezët kanë kontroll të mirëfilltë mbi jetët e tyre në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, se Izraeli është një demokraci egalitare brenda kufijve të vet”.

Në këtë brendavështrim nuk shoh se ka një bindje të fuqishme, një bindje shumicë për paqe. Me mungesë lidershipi dhe me udhë të humbur në oborr, nuk shoh se ka bindje shumicë për paqe as nga palestinezët. Që të gjitha janë një arsye që të vazhdojë leja për të vrarë, derisa të ketë urdhër tjetër.