OpEd

Lehtësia e shkatërrimit

Është perëndimi i shekullit XIX. Komanda serbe ia kishte besuar Mita Rakiqit të bënte regjistrimin e objekteve të rëndësishme në viset e pushtuara. “Udhëtime nëpër Serbinë e Re” do t’i quante raportin e udhëpërshkrimin.

Me Serbi të Re e ripagëzoi atë së cilës më parë i referohej me Arnautllëk.

Ishte koha e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga forcat ushtarake serbe. Do t’i akuzonte bashkëkombësit për kujtesën e venitur mbi të kaluarën.

E për shqiptarët do të shkruante se “janë të vetmit që e kanë të gjallë traditën për të kaluarën e këtyre vendeve, për kishat e rrënojat e vjetra”. Rakiqi kishte një hall se me largimin e shqiptarëve prej këtyre viseve serbët do të humbnin shumë informacione të çmuara. Pjesa tjetër e rrëfimit është në kontrast të thekshëm.

“Në Siarinë një shqiptar në oborrin e tij i ka dy pitosë të mëdhenj, që janë të lartë rreth dy metra dhe kanë një diametër prej afro një metri. Ky shqiptar thotë se pitosët i ka gjetur në arën e tij derisa po lëvronte”, shkruante Rakiqi, i angazhuar nga gjenerali, shtabi i të cilit ishte në Nish.

“Njëri pitos është fare i paprekur, ndërsa tjetri është paksa i dëmtuar. Këtë të paprekurin e bleu gjenerali K. S. Protiq dhe ai do të vendoset në muzeun tonë popullor”.

Këtë copë rrëfimi do ta rikthente javën e kaluar studiuesi Skënder Latifi. Nja dy orë pasi shkrimi i tij “Miti i Kosovës dhe problematizimi i marrëdhënieve fqinjësore” do të bëhej gati për faqosje në “Shtojcën për Kulturë” të 7 shtatorit, Ministria e Kulturës e Kosovës me një komunikatë për media do të bënte me dije se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj atyre që i quajti përgjegjës për dëmtimin e Kalasë së Novobërdës.

“Përgjegjësinë” ia la kompanisë “Koto” të Beogradit, si dhe Srgjan Gjorgjeviqit, të cilin po kjo kompani e angazhoi si mbikëqyrës. S’e ngarkoi as UNESCO-n, që e përzgjodhi kompaninë. Mbi të gjitha, u vetëshfajësua bashkë me institucionet vartëse të saj që dhanë leje për atë që u quajt restaurim e konservim e më pas edhe për rehabilitim. Dënoi ndërhyrjen me ekskavator dhe alarmoi se Kalaja rrezikon të shembet tërësisht.

“Historia që përsëritet” qe mbititulli i shkrimit për “Mitin i Kosovës...”. E qartë, krejt rastësi dhe pa kurrfarë dialektike që lidh ngjarjen e mbi një shekulli më parë me atë të tashmen.

Por në qasjen e institucioneve vendore ndaj trashëgimisë kulturore parashikimi s’është ndonjë profeci. Sepse asgjë s’ka ndryshuar bash si në kohën kur shqiptari ia shet pitosin gjeneralit serb. Mbase edhe më keq.

* * *

Fundpranverë e këtij viti. Katër punonjës të institucionit që jep leje për çdo gjë që lidhet me trashëgiminë kulturore janë bërë tok që me litar ta lëshojnë nga çardaku me parmakë druri të objektit dykatësh një alamet pitosi. Litari këputet, artefakti bëhet copë-copë.

Njëri murmurit si për t’u shfajësuar. Dhe pastaj heshtjen e thyen shpërthimi i të qeshurave që e përmbyll videon 30-sekondëshe. Kur kjo del në publik, zyrtarët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve fajësojnë mediat e këdo tjetër, pos vetvetes.

Një ditë më pas njoftojnë se e kanë restauruar, se pitosë të tillë ka me mijëra. Sërish fajësojnë mediat se kot e bënë të madhe. Dhe në krejt këtë muhabet del se litari i pati fajet, ndodh të këputet dhe kaq mjafton.

Në versionin optimist të arsyetimit, aksidental do të mund të cilësohej rasti i pitosit të bërë copash në oborrin e një institucioni. Në atë realist, papërgjegjësi e joprofesionalizëm. Litari s’është aksidenti, por laku që ia ka vënë trashëgimisë kulturore krejt qasja ndaj saj e institucioneve deklarativisht kompetente.

Kalasë së Novobërdës ka kohë që i është vënë laku. “Gjendje e vështirë që krijohet me dredhi e me keqdashje për ta dëmtuar a për ta asgjësuar dikë; rrethanë a gjendje e përgatitur me dinakëri nga dikush, në të cilën s’kemi nga t’ia mbajmë”, është shpjegimi i dytë që fjalori i shqipes jep për fjalën “lak”. Konspiracion do të ishte sikur për lakun të fajësohej vetëm dikush i jashtëm.

* * *

Fundverë e këtij viti. Goditja e Kalasë së Novobërdës me ekskavatorin e kompanisë nga Serbia qe alarm. Mjaftoi për ta rikthyer krejt kronikën e restaurimit të këtij monumenti që nisi më 2015.

Politikës kaq iu desh ta fajësonte të jashtmin e ta shfajësonte veten, a ta përdorte për të marrë edhe ca pikë në kohë fushate zgjedhjesh, se po brengosej për trashëgiminë kulturore. Pavetëdijshëm, ta legjitimojë edhe krejt tjetërsimin e këtij monumenti, që sot ka versionin që e kishte në mesjetë, projektuar prej jashtë e me miratim nga brenda.

Ku s’dallohen muret që iu shtuan prej themeleve që u mbijetuan shekujve e pushtuesve të njëpasnjëshëm. Që për serbët është monument serb, e zyrtarët e shtetit mjaftohen t’ia ruajnë autenticitetin me vendosjen e një flamuri të Kosovës në majë, sikur ia dolën ta pushtonin tash, në kohën tonë.

Kryekuvendari i dikurshëm do të krenohej me valëvitjen e simbolit, e edhe më shumë me bukurinë e flamurit të Kosovës “që valëvitet krenar në kullat e saj”. “Serbia e ka të kotë që përpiqet t’i përvetësojë kulturën dhe trashëgiminë tonë. Si kryeministër i ardhshëm nuk do të lejoj që të instrumentalizohet politikisht apo të preket nga askush dhe për asnjë motiv kjo pasuri e lashtë e Kosovës”, do t’i jepte hov deklaratës në një ditë përcëlluese gushti të këtij viti, tek fliste për monumentin gurët e të cilit vazhdonin ta lëshonin fasadën. Do të “garantonte” që në të ardhmen s’do të lejonte që ajo “të instrumentalizohej politikisht” me vetëdije se atë e kishte politizuar tashmë. Diku në mes do të kujtohej se Kalaja është “perlë e trashëgimisë sonë kulturore” a “vendbanim antik që ndër shekuj ka shërbyer si udhëkryq qytetërimesh”.

Historiografia e ka dëshmuar se Kalaja ka qenë “udhëkryq qytetërimesh”, por e tashmja e dëshmon se qasja ndaj saj është udhëkryq papërgjegjësish të institucioneve vendore e ndërkombëtare bashkë me to.

Kronika e Kalasë së Novobërdës e rrethuar me shiritat e verdhë të rrezikut do të ketë edhe kapituj të tjerë. Historia e goditjes së saj nuk përfundon me kaq. Gurët që i shkëputen do të rrokullisin edhe papërgjegjësi të tjera. Dhe do të rëndojnë edhe më në atë që gjeneratave të cilat do të vijnë pas, u lihen si trashëgimi. Është lehtësia e shkatërrimit.

© KOHA Ditore