OpEd

Last minute

Improvizimi, kjo makinë e pamëshirshme progresi! Nëse nuk di ta përdorësh, të shkel. Të lë kilometra mbrapa. Koha që ke në dispozicion në këtë planet nuk të mjafton për ta mbërritur ritmin. Ndërkaq, improvizuesit janë pozicionuar shkëlqyeshëm përpara. Ata e drejtojnë fuqishëm shoqërinë

Të kujtohet ai momenti kur mezi prisje të shkoje në një festë, e në momentin e fundit të erdhi një thirrje për një takim të rëndësishëm? Gjendesh aty, një hapa përpara restorantit, me një dhuratë të madhe në duar, e nuk di në ta hedhësh hapin apo të kthehesh mbrapa. Situata mund të ishte edhe më ndryshe. Për shembull, ke një fëmijë me temperaturë e barkqitje e të thërrasin urgjent për një konkurs publik. Detyra përpara jetës apo detyra përpara shtetit? Të dyja vihen në pikëpyetje.

Por mund të të ketë ndodhur edhe ndryshe, dhe kjo është përvoja më e bukur për mua. Të ftojnë në një ngjarje të rëndësishme për të nesërmen e ti ke qëlluar mijëra kilometra larg, për dreq nuk di të fluturosh. Me keqardhje u tregon se e ke të pamundur të jesh e pranishme, duke pritur që personi zyrtar nga ana tjetër do të kërkojë falje për ftesën last minute. Por jo. Je në vendin e gabuar. Në kutinë e gabuar. Aty ku personi zyrtar gjithmonë përton.

Në fakt, duhet të të falënderojë edhe për përgjigjen negative. Jo vetëm pse ti ke shpenzuar kohë për ta formuluar me kujdes pa e lënduar as institucionin e as veten, por edhe pse brenda asaj përgjigjeje ka ndjenja të përziera me përgjegjësi qytetare. Refuzimet janë formulimet mentale më të vështira për trurin e njeriut, ndaj ato shkruhen gjithmonë pas justifikimit. E kundërta, pranimi, është i shpejtë dhe entuziast. Me kënaqësi do të vij i/e nderuar. Faleminderit!

Improvizimi. Kjo aftësi për të krijuar në moment, pa asnjë përgatitje! Kryevepra arti mund të lindin pikërisht në këtë moment që për artistin mund të përbëjë edhe një kátharsis, një çlirim shpirtëror nga barra emocionale që mban brenda. Nuk mund të jetë mirë nëse nuk e shkarkon. E nëse kjo kátharsis godet edhe të tjerët, çlirimi bëhet universal. Dalim nga salla shumë më të lehtë, të shkarkuar nga ndjenja që ndoshta as e dinim që i mbanim të fshehura brenda. Të pastruar shpirtërisht, si thoshte Aristoteli ku fliste për efektin e tragjedive greke. Deri këtu folëm për art.

Po kur improvizimi bëhet modus operandi e një shoqërie, në gjithë hallkat e saj, atëherë khátarsis zëvendësohet me një ndjenjë të çuditshme, të papërcakuar, një konfuzion mental e shpirtëror, një marrëzi kolektive do të thosha, ku në mënyrë konstante njeriu ndjen pasiguri. Është e pamundur të mos ndihesh i pasigurt kur në momentin e fundit gjithë puna apo përgatitjet e tua të marrin një drejtim krejt tjetër. Sa herë të ka ndodhur që prej sot nesër të të shfaqet në zyrë tërë pompozitet një shef i ri. Sa herë ke pyetur r veten, po këtë prej balte e krijuan? Kur Zoti krijoi njeriun, çfarë do të ishte për shëmbëlltyrën e tij krijimi i një shefi?

Në po këtë formë superkreative ne emërojmë profesorë, akademikë, biznese, strategji kombëtare e ballkanike e, Zoti na dhëntë shëndetin se edhe botën e marrim në sy. Ne kemi aftësi më të mëdha sesa mund të imagjinohet. Thjesht na duhet t’i aplikojmë. Ja ku e kemi provën. Në cilën shoqëri fle si anonim e zgjohesh deputet/e apo president/e?! Në cilën shoqëri akademikët diskutojnë me pasion ‘Big brother-in’ e improvizojnë diskurse mediokre për gjendjen serioze politike, ekonomike e sociale të Kosovës? Në cilën shoqëri, gjemani një, askush nuk ka respekt për kohën e tjetrit? Madje as shteti?

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka premtuar instrumente për matjen e zhurmës nëpër bare, gjë që më gëzoi shumë. Për një shoqëri si e jona, ku bari është institucion, aty krijohen miqësitë, zhvillohen politikat, ekonomia, shkenca, lindin dashuritë, martesat, tradhtitë e gjithë ato që nuk mund t’i nxënë këto rreshta, është domosdoshmëri të ulet niveli i zhurmës, të paktën të dimë kë po martojmë mes shtëllungave të duhanit që na lotojnë sytë.

Niveli i improvizimit merr përmasa alarmante kur lexon tekste shkollore e nuk mund t’u besosh syve, kur lexon libra studimorë me nga pesëqind faqe e ku referencat i numëron me gishtat e një dore. Çfarë është Zoti përpara mbinjeriut tonë akademik?!

Improvizimi, kjo makinë e pamëshirshme progresi! Nëse nuk di ta përdorësh, të shkel. Të lë kilometra mbrapa. Koha që ke në dispozicion në këtë planet nuk të mjafton për ta mbërritur ritmin. Ndërkaq, improvizuesit janë pozicionuar shkëlqyeshëm përpara. Ata drejtojnë fuqishëm shoqërinë. Në çfarëdo ndryshimi radikal qeverish ata janë numri Një. Ti mundesh vetëm t’i xhelozosh për aftësinë kreative ose t’i injorosh e të merresh me gjëra reale, të mësohesh të mos shpenzosh më kohë për flluska sapuni, për kotësira. Kotësirat kanë efektin e fuqishëm që të mbështjellin në vorbullën e tyre pa asnjë fije logjike. E ty logjika të duhet, të duhet për të jetuar. Je njeri. Cogitas ergo es.

Një shoqëri që nuk çmon trurin, dijen, thellësinë, përgatitjen, hulumtimin, ngjan me një mace që përpiqet të kacavirret në pasqyrë. Por macja i ka shtatë shpirtra, ti vetëm një.

Je bërë shumë zyrtare, më shpotiti një mike pse i kërkova konfirmimin për të shkuar në një shfaqje deri në një orë të caktuar. I kërkova edhe unë falje për turbullirën që i krijova. Por duke dashur ta ruaja aftësinë e saj për improvizim në momentin e fundit, po rrezikoja të mbetesha vetëm e nuk më pëlqen të ftoj miq last minute sikur të ishin një biletë low cost. Miqtë vlejnë shumë më shumë sesa kaq. Ata meritojnë kohë e dashuri, sepse jo vetëm na gjenden më momente të vështira, por na mbushin pjesën më të rëndësishme të jetës. Ne jetojmë edhe për ta. Ndaj ju uroj të gjithëve: mësoni t’i doni! Qoftë ky Vit i Ri viti yt!