OpEd

Lamtumirë Alban: Një foto flet më shumë se 1000 fjalë

Shumë i dhimbshëm për mua dhe shumë kolegë ishte lajmi se miku dhe kolegu i dashur Alban Bujari ka ndërruar jetë. Edhe më rëndë është për familjen që i shpreh ngushëllime. Albani shkoi duke lënë gjurmë të pashlyera. Shikoj mesazhet që kemi shkëmbyer për vite. Më të shpeshta janë në përvjetorët e ndryshëm. Pashë një komunikim nga 12 qershori i vitit të shkuar. Më uroi Ditën e Çlirimit të Kosovës. Dhe shkëmbyem disa kujtime të asaj dite.

„Hej Alban. Të përmenda në televizion“

„Faleminderit shoki: Ku ashtu“

„Në emision te Moza“

„Më pyeti se si e kalova këtë dit“

„I thash: duke dëgjuar intervistën e Alban Bujarit“.

„I thash se shpesh përmendim fotografitë  nga lufta nëpër mediat nëpër botë e harrojmë se prapa tyre qëndrojnë fotografët kolegë tanë Kosovarë që i kanë bërë“.

Në lajmin për vdekjen e Albanit, KOHA ka përmendur disa media nëpër botë që kanë botuar fotografitë nga lufta që i ka shkrepur Albani. Por janë edhe shumë e shumë të tjera që nuk janë përmendur. Madje as vetë Albani nuk e ka ditur se ku krejt kanë përfunduar fotografitë e tij.

Ai vërtet e ka dokumentuar luftën dhe paqen. Prej fotografive të para të njerëzve të UÇK-së, kur akoma shumë njerëz ishin të bindur se ata nuk ekzistojnë, pamjeve të tmerrshme të krimeve të forcave të Millosheviqit, e deri te ditët e gëzimit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, çlirimit dhe kthimit të refugjatëve.

Të gjitha fotografitë e Albanit janë dokumente të përjetshme që dëshmojnë një periudhë dramatike historike. Një periudhë të kalimit nga një shekull në tjetrin në të cilin Kosova, me apo pa fajin e vet, u bë fokusi i vëmendjes së tërë botës. Dhe ishin fotografitë e Albanit, sikur edhe të disa kolegëve të tjerë kosovarë, që i treguan botës realitetin e Kosovës. Ato fotografi vërtet kanë folur më shumë se 1000 fjalë. Kanë lënë përshtypje në qytetarë, intelektualë, politikanë të botës më shumë sesa konferencat dhe debatet politike.

Nuk është aspak patetike të thuhet se objektivi i aparatit të Albanit ishte një armë kundër armikut dhe kundër kriminelëve. Janë shumë foto të shkrepura nga Albani që armiku do të bënte çmos të mos ishin. Sepse ato foto linin pa fjalë të gjithë, në Bruksel e Londër, Berlin e Paris, kur tentonin të kuptonin se çfarë po ndodhte në Kosovë. Ishte akoma koha e „zhvillimit“ të fotografive. Për ata që sot bëjnë brenda sekondash foto dhe i postojnë, në atë kohë fotografitë bëheshin në film të celulozës, zhvilloheshin dhe pastaj postoheshin në ebin e gazetës, e të nesërmen edhe në letër. Dhe nuk kishte propagandë të Serbisë që do të mund të vinte në dyshim autenticitetin e tyre.

Jo i vjetër në moshë, por veteran me përvojë, ndonëse me shpejtësi marramendëse kapte hapat e zhvillimit teknologjik në fushën e fotografisë, Albani i mbeti besnik fotografisë profesionale gazetareske. Këtë e dëshmojnë fotot e shkrepura nga ai të botuara nëpër shumë media të botës, por edhe ekspozitat në Kosovë. Këto janë kujtime për ne që i kemi përjetuar dhe mësim për të rinjtë që vetëm kanë dëgjuar për atë që ka ndodhur në të kaluarën.

Kur bisedonim, ndanim mendimet se si sot më pak po respektohet nëpër media fotografia profesionale. Sepse postimet e fotografive buzë plazheve, pishinave, pranë veturave, po zënë vend më shumë nëpër rrjetet sociale e mediat gjithnjë e më shumë po përcjellin nga këto rrjete sesa që bëjnë gazetari origjinale. E fotografia, fotoreportazhi, janë po ashtu gazetari.

Ata që e kanë njohur dhe kanë kaluar kohë me Albanin e dinë se ai ishte një person me përvojë të jashtëzakonshme. Prapa secilës fotografi të tij qëndronte një tregim, një rrethanë se si ka ardhur deri tek ajo. Albani kujtonte në secilin moment për secilën foto se si e ka bërë. Kujtonte edhe njerëzit të cilët i kishte ngushëlluar për humbjet e familjarëve të tyre, humbje të cilat ai me fotografi i dokumentonte. Dhe nuk ka qenë lehtë për të. Sepse ai mbi të gjitha ishte njeri. Nuk ishte robot që bën foto. E ndoshta një ditë vërtet do të na zëvendësojnë robotët në gjithçka.

Albani shpesh tregonte se si e linte aparatin në tokë për të përqafuar njerëzit e pikëlluar. Kishte pasur rastin të njohë shumë fshatra të Kosovës. Tregonte se si, duke parë gëzimin e njerëzve që përqafonin ushtarët britanikë kur hynë në Kosovë, edhe ai vendosi rreth qafe aparatin dhe nisi të përqafonte ata. Por gjithë ajo që kishte kaluar nëpër vijat e frontit, ajo që kishte parë në vendet e krimeve të luftës, patën lënë gjurmë në Albanin. Dhe i kujtonin shpesh.

Si fotoreporter ka njohur shumë njerëz, të profileve të ndryshme. Fotoreporterët kanë pasur shpesh qasje edhe aty ku gazetarët nuk kanë. Dhe ka kapur njerëz të rëndësishëm nëpër momente të ndryshme. Sepse fotografia është një moment. Albani nuk ka shkruar, por po të kishte shkruar do të ishte një gazetar i jashtëzakonshëm. Sepse ishte një njohës i jashtëzakonshëm i situatës dhe jashtëzakonisht racional dhe real. I mbeti besnik dashurisë dhe profesionit të tij deri në fund.

Lamtumirë Alban! Ke lënë gjurmë të pashlyer në këtë botë. Ato gjurmë do të jenë mjet kundër harresës.