OpEd

Lajm i mirë në kohë të këqija

Së paku tani do të ishte e pritshme që politikanët e zgjedhur nga populli të veprojnë bashkë. Sepse për të luftuar koronavirusin dhe për të mirën e njerëzve nuk mund dhe nuk duhet të ketë këso lloj kundërshtimesh!

Me vendimin për pezullimin e dekretit të presidentit deri më 29 maj, Gjykata Kushtetuese bëri gjënë e duhur. Nga njëra anë, vendime të tilla duhet të mendohen mirë, të peshohen dhe diskutohen me kujdes; nga ana tjetër, vendimi i jep një Qeverie që funksionon mirë mundësinë për të punuar edhe një muaj për Kosovën dhe për të justifikuar besimin e popullatës.

Për Kosovën asgjë nuk është më pak e rëndësishme sesa një Qeveri e re

Nëse i hedhim një vështrim punës tani afërsisht tetjavore të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti - përkundër të gjitha kufizimeve që ka - mund të thuhet një gjë: Qeveria po zbaton premtimet e dhëna para zgjedhjeve – madje edhe premtimet e LDK-së, e cila ishte treguar shumë e gatshme të rinovohej deri më 7 tetor dhe kështu e kishte rekomanduar veten si partner koalicioni për LVV-në. Të paktën kështu e panë votuesit dhe u dhanë këtyre dy partive shumicën e votave, dhe me këtë përgjegjësinë për të qeverisur. Tani LDK-ja ka mashtruar të gjithë: së pari kandidaten e tyre për kryeministre, pastaj partnerin e tyre të koalicionit, por veçanërisht shumicën e votuesve të vet. Por çfarë kishin premtuar LVV-ja dhe LDK-ja para zgjedhjeve?

Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit - nga fjalë boshe më parë në veprime të dukshme sot

Së pari, të dyja partitë fituese u zotuan se do t’i luftojnë në mënyrë aktive korrupsionin dhe nepotizmin, problemet më të mëdha për elitat politike deri më tani (por pa dyshim edhe për disa brenda LDK-së). Ata në fjalimet e tyre vazhdimisht theksonin luftën kundër korrupsionit - veçanërisht përballë ndërkombëtarëve - ndërsa në të njëjtën kohë bënin të kundërtën.

Qeveria e re bëri mirë dhe u tregua e guximshme me zëvendësimin eksplicit të përkohshëm të pozitave në ndërmarrjet publike, të cilat ishin plotësuar në mënyra të paligjshme ose me persona të pakualifikuar; njëjtë edhe me ndryshimet në personelin e politikës së jashtme - gjë që është aq e rëndësishme për Kosovën. Shikuar në perspektivë afatgjatë, vetëm me procedura të hapura dhe transparente të përzgjedhjes mund t'i kundërvihet efektshëm kapjes së plotë të shtetit nga ana e partive dhe rrjeteve të tyre. Në këtë aspekt, mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë me siguri do të jetë e dobishme në të ardhmen.

Një qasje e re për dialogun me Serbinë - bisedime profesionale

Së dyti, Qeveria Kurti, me një qasje të njohur ndërkombëtarisht, hapi dyert për dialog të vërtetë me Serbinë. Asnjë politikan serioz (apo politikë e jashtme serioze) në situata të tilla nuk do të bënte oferta pa kërkuar diçka në këmbim. Dhe Kurti e bëri pikërisht këtë. Një qasje të tillë e kishte mbështetur edhe LDK-ja, por vetëm derisa kaloi përsëri në kampin e vjetër. Qeveria e mëparshme nuk e kishte bërë këtë, pra nuk kishte hapur dyer dhe as nuk i kishte ruajtur pozitat negociuese. Të vetmit që nuk pajtohen me qasjen e Kurtit ndaj dialogut janë Serbia dhe administrata aktuale amerikane me negociatorin e tyre "të fortë" Grenell. Dhe natyrisht të gjitha partitë e opozitës, megjithëse nuk duket se kanë ndonjë koncept më të mirë sesa të ndjekin Grenellin në gjithçka ose të përkulen para presionit masiv të Qeverisë aktuale amerikane. Këtu u bashkua edhe LDK-ja, dhe kjo mund t'i duket dikujt e çuditshme vetëm sipërfaqësisht, nëse i kemi parasysh diskutimet disamujore ndërmjet Grenellit dhe LDK-së.

Dhe më e rëndësishmja: Menaxhimi vërtet i mirë i krizës së koronës

Edhe për vëzhguesit ndërkombëtarë ishte pozitivisht befasuese sa shpejt dhe me kujdes Qeveria e sapokrijuar trajtoi aktivisht krizën e koronës në mars. Për këtë ajo mori mirënjohje përkatëse kudo - si jashtë vendit, ashtu edhe brenda vendit nga qytetarët, dhe me sa duket shumica dërrmuese u përmbahen masave dhe përkrahin mënyrën e menaxhimit të krizës. Ministri i Shëndetësisë udhëhoqi në mënyrë kompetente fazën e parë të masave për kufizimin e përhapjes së virusit dhe fazën e dytë të konsolidimit, dhe tregoi aftësi të cilat qytetarët me të drejtë mund t'i presin nga Qeveria e tyre. Dhe në fazën e ardhshme, të kthimit gradual në normalitet, ai do të vazhdojë të bëjë atë që mund të bëhet në një situatë kaq kritike dhe të panjohur.

Kurse opozita është kundër gjithçkaje - por deri më tani pa ide të vetat

Është disi interesante të vështrohet se me çfarë pengesash po përballet Qeveria në këtë fazë. Opozita tani përbëhet nga tri parti, të cilat siç duket kishin kohë që kishin bërë planin e tyre të përbashkët: Partitë e opozitës, të cilat siç duket ende nuk kanë mësuar se opozita në demokraci është më shumë sesa thjesht "të qenit kundër" - veçanërisht në kohë krize. Një president, i cili deshi të shpallte emergjencë kombëtare (gjendjen e jashtëzakonshme) për t'iu shmangur rregullave demokratike. Megjithatë, pas dështimit të marrjes së pushtetit në atë mënyrë, ai ishte i pari që akuzoi Qeverinë për të ashtuquajturat “masa antikushtetuese”. Këtu shtrohet pyetja se çfarë masash do të merrte dhe çka do të shfuqizonte apo pezullonte ai gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Shumëkush e di përgjigjen!

Më pas në këtë lojë - edhe me ndikimin e amerikan - u fut edhe ish-partia partnere, LDK-ja, fatkeqësisht me shumë pak përjashtime. Dhe nëse i shikoni argumentet e javëve të kaluara do të kuptoni shpejt se kundërshtarët e Qeverisë asnjëherë nuk kanë qenë të shqetësuar me vetë çështjet. Sepse qëndrimet e opozitës ndryshuan shumë shpejt dhe tepër rrënjësisht që fjalët e tyre të jenë të besueshme. Në njëfarë mënyre, sikur për ta vërtetuar që opozita - nga Thaçi deri te Mustafa – kishte për qëllim vetëm rikthimin në pushtet, tani po prezantohet një ekip qeveritar "i arnuar", i cili nuk duket se ka gjasa ose vullnet të prezantojë kompetencë apo ndonjë program të përbashkët. Për fat të keq, ndihemi të rikthyer në kohën kur qeveritë e fryra fillonin punën pa ndonjë program pune apo caqe të caktuara e të matshme – edhe ashtu kjo nuk është histori shumë e largët!

Për Kosovën asgjë nuk është më e rëndësishme sesa përpjekjet e përbashkëta për ta tejkaluar krizën ...

…dhe rrjedhimisht mbështetja për punën e mirë të Qeverisë! Vështirë se ka ndonjë vëzhgues i cili nuk është i befasuar dhe i zemëruar nga mosmarrëveshjet aktuale politike në Kosovë.

Pa dyshim që edhe në disa vende të tjera po ndodh një shfrytëzim i qëllimshëm jodemokratik i situatës së një krize të paparë. Qoftë në Hungari, ku Parlamenti është shfuqizuar me afat të pacaktuar, apo në vende të tjera, ku tani merren masa jodemokratike në emër të luftimit të koronës, masa të cilat nuk kanë kurrfarë lidhjeje me vetë luftimin e virusit. Por Kosova, edhe më pak se të tjerët, nuk mund dhe nuk duhet t'i lejojë vetes gjëra të tilla. Sepse vendi akoma është i mbështetur për muri për shkak të shumë çështjeve të politikës së jashtme që nuk janë zgjidhur që nga themelimi i tij. Së paku tani do të ishte e pritshme që politikanët e zgjedhur nga populli të veprojnë bashkë. Sepse për të luftuar koronavirusin dhe për të mirën e njerëzve nuk mund dhe nuk duhet të ketë këso lloj kundërshtimesh!

(Frank Hantke, ish-drejtor për Kosovë i fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, ka 15 vjet që jeton dhe punon në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai tani jeton dhe punon në Prishtinë)