Për të dalë nga ngërçi institucional dhe për ta forcuar kulturën demokratike, nevojitet ndryshim paradigme drejt një kulture politike që e vlerëson kompromisin si mjet të domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve funksionale. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, sistemi politik në Kosovë mund t’i ruajë stabilitetin, legjitimitetin dhe përfaqësimin demokratik të qytetarëve
Kultura politike u propozua si koncept politik nga Gabriel Almondi më 1956 në punimin e tij “Politika krahasuese”, e në të cilin e definoi kulturën politike si “mënyrë e orientimit ndaj veprimit politik”. Mendimet mbi kulturën politike rrjedhin nga shkrimet e Montesquieu dhe de Toqueville, të cilët e vështruan qeverisjen dhe politikën si konstrukte kulturore. Harold Laswelli e definoi më tej kulturën politike si mënyrë të zgjidhjes së konflikteve brenda shoqërisë apo si mënyrë se kush çka fiton, kur fiton dhe si fiton. Pra, kultura politike është një koncept behaviourist, i cili i përcakton sjelljet politike. Për shembull, kultura e gjerë politike merret me atë se a e respektojnë qytetarët ligjin për shkak të pranisë dhe veprimeve të institucioneve ligjzbatuese apo për shkak se e konsiderojnë ligjin të shenjtë. Kultura politike po ashtu i përcakton “qëndrimet, bindjet dhe vlerat që e mbështesin një sistem politik”. Kështu, për shembull, sistemi zgjedhor mazhoritar, siç janë SHBA-ja e Britania e Madhe, përcakton se fituesi i merr të gjitha, kurse sistemi proporcional, siç e ka Kosova dhe shumica e shteteve evropiane, e ka dialogun, kompromisin dhe marrëveshjen politike në thelb të veprimit institucional, sepse ky sistem, në përgjithësi, nuk lejon fitues absolut. Këtu përjashtim bën rezultati zgjedhor i vitit 2021, kur Lëvizja Vetvendosje (LVV) doli fituese me mbi 50% të votave. Mirëpo, rezultati zgjedhor i vitit 2025 tregoi se 2021-ta nuk është rregull por përjashtim në kontekstin e asaj se çka u mundëson partive politike sistemi zgjedhor proporcional.
Javën e kaluar e trajtova çështjen e konstituimit të Kuvendit nga prizmi i teorisë së institucionalizimit. Këtë javë po u paraqes lexuesve një trajtim të po të njëjtës problematikë, duke e përdorur konceptin e kulturës politike, mbështetur në definimin se kultura politike e përcakton mënyrën e zgjidhjes së konfliktit shoqëror e politik, mënyrën se si ndërtohet, si ndahet dhe si ushtrohet pushteti si dhe në qëndrimet, bindjet dhe vlerat që përcaktojnë sjelljen e akterëve të veçantë politikë që e përbëjnë atë që quhet nën-kulturë politike.
Qytetarët
Mënyra se si ndërveprojnë qytetarët e Kosovës me politikën është kryesisht përmes pjesëmarrjes në zgjedhje. Qytetarët në përgjithësi nuk angazhohen aktivisht në çështjet politike përmes grupeve të interesit, presioneve, protestave, debateve e diskutimeve publike, sindikatave, kurse bizneset, universitetet dhe bashkësitë fetare qëndrojnë larg politikës. Kjo tregon se qëndrimet, bindjet dhe vlerat e përbashkëta të qytetarëve përkojnë me elitizmin, sipas të cilit, elitat politike të organizuara në parti garojnë për pushtet dhe e qeverisin vendin në emër të qytetarëve.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare morën pjesë 966,283 votues apo 46.55% të të gjithë të regjistruarve. Edhe pse si përqindje mund të duket e vogël në raport me numrin e gjithmbarshëm të votuesve të regjistruar, ky numër megjithatë është më i madhi prejse janë organizuar zgjedhjet paralmentare për herë të parë, kurse numri i gjithmbashëm i votuesve të regjistruar mund të jetë i fryrë, ngase, përderisa numri i banorëve ka rënë nga viti 2011, në raport me 2021-tën, më 2025 kemi rreth 220.000 më shumë votues të regjistruar.
Pra, pjesëmarrja në zgjedhje tregon se qytetarët e mbështesin sistemin politik parlamentar, në të cilin partitë politike që fitojnë mandate parlamentare e kanë rolin kryesor në konstituimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Ata, pra, presin që përfaqësuesit e tyre të sigurojnë formimin dhe funksionimin e institucioneve ligjvënëse dhe ekzekutive për të cilat kanë dhënë votë.
Partitë politike
Kultura politike në Kosovë është ndikuar në masë të madhe nga sistemi zgjedhor dhe prania qeverisëse ndërkombëtare. Kështu, prej vitit 2001, pyetja se kush fiton çka, kur dhe si është zgjidhur përmes dialogut, kompromisit dhe marrëveshjeve mes elitave politike. Pra, konfliktet politike janë zgjidhur me bisedime dhe me ndarje të pushtetit mes forcave politike. Kjo traditë politike u përcaktua nga fakti se asnjëra parti politike nuk arrinte të fitonte shumicën parlamentare. Në një masë të madhe, në ndërtimin e kësaj kulture politike ndikuan edhe dispozitat kushtetuese mbi përfaqësimin e minoriteteve në parlament, gjë që e pamundësonte krijimin e një shumice parlamentare nga një parti e vetme politike. Kështu, ndarja e pushtetit përmes kompromiseve u shëndrrua në metodë gjërësisht të pranueshme për funksionimin e institucioneve të pushtetit. Por, rezultati zgjedhor i 2021-tës, në të cilin LVV-ja i fitoi 50.3% të votave dhe 58 deputetë në Kuvend, i mundësoi asaj që ta formojë shumicën parlamentare në koalicion me deputetët minoritarë, dhe një mbështetje solide për ekzekutivin e udhëhequr nga LVV-ja.
Kjo shumicë përbën përjashtim e jo rregull dhe kësisoj në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja i humbi dhjetë mandate parlamentare, të cilat së bashku i fituan Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me NISMA-n mbeti në tetë mandate. Ky rezultat nuk e mundëson jetësimin e parimit se fituesi i merr të gjitha, sepse asnjëra parti politike nuk mund ta formojë shumicën parlamentare vetëm me ndihmën e partive minoritare.
Sipas Kushtetutës, partia me numrin më të madh të mandateve e propozon kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicë prej 61 votash të të gjithë deputetëve të zgjedhur. Në pesë seanca parlamentare, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit. Megjithëkëtë, as pas këtyre dështimeve, edhepse përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit i takon asaj, si partia më e madhe, LVV-ja insiston në kandidaten që është e papranueshme për partitë e tjera, duke e zvarritur konstituimin e legjislaturës së re.
Sipas LVV-së, partitë tjera e kanë për obligim ta votojnë kandidaten e propozuar, kurse partitë e tjera theksojnë se LVV-ja duhet të propozojë një kandidat/e të pranueshmëm/e. Ky është konflikt politik klasik, për të cilin ende nuk ka zgjidhje, ani se tradita politike ka dhënë prova se ekzistojnë mënyra se si të zgjidhen konfliktet e tilla. Pra, fjalët kyç për të dalë nga ngërçi politik janë bisedimet, kompromiset dhe marrëveshja për kandidatin që e propozon LVV-ja dhe që është i pranueshëm edhe për forcat e tjera politike. Në mungesë të kësaj, ajo që po shohim është se LVV-ja po i mëshon murit me kokë, më parë sesa të bëjë hap përpara në konstituimin e Kuvendit. Nënkultura politike e LVV-së është ndikuar nga rezultati zgjedhor i 2021-tës kur i mori të gjitha.
Mënyra se kush fiton çka, kur dhe si, përcaktohet para së gjithash nga rezultati zgjedhor. Rezultati zgjedhor i 9 shkurtit nuk ia mundëson LVV-së t’i marrë të gjitha dhe me këtë, nëse i përgjigjemi pyetjes se çka fiton, kur fiton dhe si fiton LVV-ja, i bie që ajo nuk e fiton pushtetin absolut më 2025 përmes shumicës parlamentare, sepse këtë nuk ia mundëson përbërja e Kuvendit që është përcaktuar nga qytetarët. Këtu i rikthehemi rregullave të lojës, në të cilat ajo se kush fiton çka, kur dhe si përcaktohet me marrëveshje mes forcave politike. Duke qenë se LVV-së i takon ta propozojë kandidatin apo kandidaten për kryetar/e të Kuvendit, përgjegjësia për daljen nga bllokada aktuale politike, përkatësisht, për zgjidhjen e këtij konflikti, i takon LVV-së, e cila e ka për detyrim, si partia më e madhe parlamentare, funksionimin e institucioneve të pushtetit, të gjejë mënyrë se si t’i bëjë këto institucione funksionale. Pra, gjetja e një kandidati apo kandidateje të pranueshëm për të gjithë është përgjegjësi e LVV-së. Aq më tepër, kur ka gjasa të mëdha që ky apo kjo kryetar/e i/e Kuvendit të ushtrojë detyrën e presidentit të shtetit pasi t’i kalojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, më 2026, deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo e përforcon argumentin se kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë figurë që nga partitë e tjera konsiderohet figurë përçarëse, e cila në numrin më të madh të ligjeve të propozuara e ka shkelur Kushtetutën, ka qenë në konflikt të përhershëm me institucionet e drejtësisë dhe ka dhënë deklarata që i thellojnë përçarjet në shoqëri, por duhet gjetur një figurë unifikuese që e udhëheq Kuvendin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Mirëpo, nëse konstelacioni aktual në Kuvend bie ndesh me nënkulturën politike të LVV-së, se ajo e ka të drejtën ekskluzive të pushtetitit, atëherë mund të presim që qëndrimi i kësaj partie mbi kandidaten për kryetare të Kuvendit të mos ndryshojë me qëllim të thirrjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në të cilat LVV-ja do të provojë ta rikthejë shumicën që e ka pasur në legjislaturën e tetë, prej 2021-tës deri më 2025. Kjo ka gjasa të mëdha të ndodhë ngase nënkultura politike e LVV-së është ndërtuar për një kohë të gjatë mbi bazën e konfrontimit e jo të bashkëpunimit. Prandaj, mënyra e orientimint të saj ndaj veprimit politik, siç e ka definuar Gabriel Almond kulturën politike, përkon me sjellje konfrontuese, në të cilën kjo parti synon ta ketë pushtetin e plotë, duke i përjashtuar partitë tjera politike nga vendimarrja.
Kjo nënkupton se rezultati zgjedhor i 9 shkurtit, i cili ia pamundëson LVV-së pushtetin e plotë, nuk i përshtatet asaj, prandaj, e vetëdijshme se nuk e ka shumicë parlamentare, e bllokon konstituimin e Kuvendit qëllimisht, duke e propozuar një kandidate të papranueshme për partitë tjera dhe duke i akuzuar ato për bllokadë institucionale, ashtu që ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme me synimin që të fitojë shumicën e votave, synim që nuk i është realizuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
E bindur që qytetarët e indinjuar shkaku i bllokadës së konstituimit të Kuvendit do ta fajësojnë opozitën e deridjeshme dhe se për këtë do ta votojnë LVV-në, ajo nuk do ta kërkojë zgjidhjen e konfliktit lidhur me konstituimin e Kuvendit përmes marrëveshjes politike, në të cilën Kuvendi konstituohet me shumicë votash, por këtë zgjidhje do t’ua lë qytetarëve në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në këtë kontekst, insistimi i LVV-së në një kandidat të papranueshëm nuk e përfaqëson thjesht një strategji politike momentale por manifestim të një nënkulture politike që e synon ekskluzivitetin e pushtetit. Kjo qasje jo vetëm që e bllokon konstituimin institucional, por rrezikon ta çojë vendin në një krizë të përsëritur demokratike, ku zgjedhjet e jashtëzakonshme shihen si mjet për të arritur një shumicë parlamentare, në vend të zgjidhjes së konfliktit përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Se çfarë rezultatesh mund të prodhojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo u mbetet në duar qytetarëve. Ata, siç edhe e thashë, funksionimin e pushtetit ua lënë në duar përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Qytetarët nuk mund të thirren t’i zgjidhin konfliktet politike sa herë që ato ndodhin. Këtë duhet ta bëjnë partitë politike që e kanë fituar mandatin popullor për t’i dhënë shtetit institucione demokratike e funksionale që reflektojnë vullnetin qytetar. Prandaj, për të dalë nga ngërçi institucional dhe për ta forcuar kulturën demokratike, nevojitet ndryshim paradigme drejt një kulture politike që e vlerëson kompromisin si mjet të domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve funksionale. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, sistemi politik në Kosovë mund t’i ruajë stabilitetin, legjitimitetin dhe përfaqësimin demokratik të qytetarëve.