OpEd

Kusia ballkanike në pikën e vlimit!

Kam shkruar dhe kritikuar mjaft asokohe, në mënyrën se si u rrëzua qeveria në kohë pandemie. Na u tha nga ana e akterëve të njëjtë se Albin Kurti e kishte rrëzuar veten, ndërsa tani po deklarojnë se ishte kërkesa e Richard Grenellit ajo e cila e rrëzoi qeverinë. Nga kjo shtrohet pyetja e natyrshme: A është Kosova një banane republikë? Në pamundësinë e rritjeve të bananeve në Kosovë, ndoshta një kastravec republikë? Çfarë i duhen një vendi vullneti i popullit dhe zgjedhjet e lira demokratike, nëse qeveritë po mundeshin të rrëzoheshin me një mesazh, i cili ta cakton edhe afatin kohor se për sa kohë duhesh rrëzuar qeverinë

Si ambasador i vyer që jam, sot u zgjova herët në mënyrë që t’i shkruaj përmbajtjet e kabllogrameve diplomatike të javës, të cilën e shlyem nga kalendari ynë jetësor.

Është lajm i mirë të kuptosh se duke pasur parasysh numrin e të infektuarve dhe të vdekjeve për shkak të COVID-19 në Kosovë, për dallim nga shtetet të cilat e rrethojnë, situata duket të jetë më nën kontroll. Shpresojmë që kjo do të mbetet kështu edhe pas fluksit tjetër të diasporës, i cili mund të ndodhë para festave të fundvitit. E kujtojmë se hapja e fundit para pushimeve verore bëri që pandemia të shënonte numra rekord të të infektuarve, dhe fatkeqësisht edhe vdekjeve të shkaktuara nga ky virus.

Ajo që më shqetëson janë përmbajtjet e kabllogrameve diplomatike, të cilat vijnë nga Bosnjë-Hercegovina. Nga atje raportohet se iniciativat dhe kërcënimet e fundit të udhëheqësit serb, Millorad Dodik, cenojnë lirinë e brishtë të këtij shteti të brishtë. Raportet e të deleguarve të NATO-s, si dhe të atyre të BE-së, ngrenë alarmet për mundësinë që atje situata të dalë jashtë kontrollit dhe për mundësinë e fillimit të një konflikti të ri ballkanik.

Kërcënimet e Millorad Dodikut konsistojnë në atë se pjesa e ushtrisë serbe së Bosnjë-Hercegovinës mund të ndahet nga pjesa përbërëse e ushtrisë, dhe të tërhiqet në kufijtë e Republikës Serbe të Bosnjës. Çdo tentim i aleatëve të NATO-s dhe ushtrisë së mbetur të Bosnjës për ta rrethuar Ushtrinë serbe atje do të haste në rezistencë, derisa ai thotë të ketë premtime nga miqtë e “Republika Srpskas” se do t'u dalin në ndihmë, duke mos i lënë të vetmuar dhe duke aluduar kështu në Serbinë dhe Rusinë.

Këto janë vetëm taktet e para të politikës serbe, të përjetuar më parë në këto troje ballkanike. Është e pështirë se si as pas tri dekadash të nacionalizmit të egërsuar, dhjetëra e mijëra civilëve të vrarë të pafajshëm, dhunimeve, gjenocidit të paparë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, në politikëbërjen serbe ende kanë mbijetuar idetë e errëta nacionaliste të ekspansionit shovinist në llogari të shkatërrimit të popujve të tjerë fqinjë.

Gjatë dy dekadave të fundit, politikëbërja serbe e ka shfrytëzuar amullinë dhe inercinë e komunitetit perëndimor ndërkombëtar, i cili fokusin dhe energjinë e tij i shfrytëzoi gjetiu në glob, duke e luftuar terrorizmin islamik. Kjo e krijoi një lloj tampon zone, e cila mundësoi vazhdimin e ushqimit të nacionalizmit serb, i cili tashmë po fuqizohej edhe nga një Rusi më e fortë se ajo e viteve ‘90 e gjithashtu në prapaskenë është edhe Kina, si një superfuqi e interesuar për mbrojtjen e interesave të saja në “luftën” kundër perëndimit të zhvilluar demokratik dhe ruajtjen e balancave të fuqive dhe interesave në Evropë dhe Ballkan, respektivisht.

Kombi shqiptar në këtë kusinë ballkanike të mëlmesave nacionaliste me shije serbe gjatë dy dekadave të fundit nuk ishte aq bindës mbi mbrojtjen e interesave të tyre si komb i ndarë përbrenda 5 shteteve të ndryshme ballkanike. Natyrisht një nacionalizëm i egër i yni i krahasueshëm me atë serb assesi nuk do të ishte i dëshirueshëm, mirëpo një platformë e cila qartësisht do t’i shpjegonte interesat tona si komb do të duhej që të ishte në sirtarin e politikanëve shqiptarë dhe mbi të cilin pandërprerë do të duhej të punohej dhe përshtatej konform rrethanave gjeo-politike.

Fatkeqësisht, politikanët shqiptarë qoftë për interesa personale, meskine apo ku ta dish se çfarë ranë në kurthin e provokimeve të politikës shoviniste, nacionaliste serbe. Trazirat e vitit 2004 në Kosovë, shovinistëve serbë ua dha letrën e rrezikshmërisë së pakicës serbe në Kosovë nga ana e popullatës shqiptare. Kjo kartë në pronësinë e politikës së tyre u shndërrua në krijimin e komunave serbe në çdo lokalitet në Kosovë, ku ata ishin shumicë. Krijimin e gjykatave me gjykatës serbë, emërimin e shefave të policisë së këtyre lokaliteteve vetëm me pëlqimin e komunës respektuese serbe. E kjo tash na sjell edhe deri te kërkesa e krijimit të Asociacionit të komunave serbe nga e cila mëtohet të kërkohen ingerenca ekzekutive nga ana e serbëve, e që në fakt në përkthim të lirë do të thoshte krijimin e shtetit përbrenda shtetit, e që natyrisht një shtet të brishtë si Kosovën do ta mbante në një ngërç permanent zhvillimor qoftë demokratik, shoqëror apo edhe zhvillim ekonomik dhe ndasitë etnike, dhe integrimi etnik do të bëhej veçse një lojë e humbur.

Për të mos u mjaftuar me këtë kurthim, disa politikanë kosovarë u kurthuan edhe në lojën e shkëmbimeve të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, si një mundësi për zgjidhjen e kësaj nyje ballkanike. Ajo që ata nuk e “kuptuan” ishte se tashmë Kosova po vihej para dy zgjedhjeve; Asociacionit të komunave serbe ose shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Fatkeqësisht në mes të zgjedhjes së dy të këqijave asnjëherë nuk ishte evaluar se edhe sikur si të ishte bërë një gjë e tillë, vetë emërtimi e keqe më e vogël le hapësirën për interesin e asaj së keqe që të rritet në të ardhmen, ndoshta edhe në një madhësi të së keqes së paimagjinueshme.

Duke i shkruar këta rreshta mu kujtua edhe një thënie nga Nassim Nicholas Taleb, eseisti libanezo-amerikan, i cili thotë: “Kur bie ndesh midis dy zgjedhjeve mos e prano asnjërën”.

Në kurthimin, në të cilin politikanët kosovarë të së kaluarës e futën Kosovën nuk ndihmuan as politikat e shtetit shqiptar të Shqipërisë. Së fundmi, përqafimi i idesë së iniciativës “Open Balkan” nga ana e Edi Ramës, ku Serbia e konsideron Shqipërinë shtet fqinj, lë të kuptohet se Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj e përderisa kësaj qasjeje Edi Rama i hidhet në përqafim dhe me shumë pompozitet, ky është edhe një tregues se politikanëbërësit shqiptarë të shekullit 21 nuk janë në hap me qëllimet meskine të politikanëve serbomadh nga Serbia dhe me apo pa vetëdije janë duke vepruar kundër interesave mbarëshqiptare.

Mungesa e një platforme gjithëpërfshirëse të interesave shqiptare në Ballkan është më se evidente dhe gjërat fatkeqësisht kanë ndodhur ad-hoc, ashtu siç prore kishin ndodhur përgjatë historisë sonë kombëtare, me zgjidhje afatshkurtra, të vonuara dhe gjithnjë me çmimin të cilin ne e kemi paguar si komb.

Në skenën politike ditore vendore vazhdohet me përgatitjet për fushatat e balotazhit të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Shohim intervista të shumta nga protagonistë, e kryetarë partiakë në përkrahje të kandidatëve të tyre në balotazhin për zgjedhjet e kryetarëve të komunave.

Një intervistë të cilën do ta veçoja ishte ajo e anëtarit të kryesisë dhe deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili në njërën nga intervistat e debateve ditore televizive deklaroi diçka shumë interesante. Ai aty deklaroi se Qeveria Kurti 1 u rrëzua me kërkesën e ish-të deleguarit për çështjet e Ballkanit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i cili sipas deklaratës së Gashit kishte dërguar një mesazh ku u kishte dhënë 7 ditë partnerëve qeveritarë të atëhershëm, LDK-së, që ta rrëzonin Qeverinë Kurti 1. Çdo ditë ua dërgonte nga një mesazh, duke ua rikujtuar se u kishin ngelur 6 ditë, 5, 4, … në fund i kishte qerasë me 3 ditë shtesë derisa u arrit qëllimi dhe ajo qeveri u rrëzua.

Kam shkruar dhe kritikuar mjaft asokohe në mënyrën se si u rrëzua qeveria në kohë pandemie. Na u tha nga ana e akterëve të njëjtë se Albin Kurti e kishte rrëzuar veten, ndërsa tani po deklarojnë se ishte kërkesa e Richard Grenellit ajo e cila e rrëzoi qeverinë.

Nga kjo shtrohet pyetja e natyrshme. A është Kosova një banane republikë? Në pamundësinë e rritjeve të bananeve në Kosovë ndoshta një kastravec republikë? Çfarë i duhen vullneti i popullit një vendi dhe zgjedhjet e lira demokratike nëse qeveritë po mundeshin të rrëzoheshin me një mesazh, i cili të cakton edhe afatin kohor se për sa kohë duhesh rrëzuar qeverinë. Nëse kjo deklaratë është e vërteta e prapaskenave politike të rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, medoemos partitë politike e paguan atë çmim me ndëshkimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, mirëpo kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e saj mbetet një njollë në rrënimin e demokracisë dhe rendit të shtetit pavarësisht se nga ana e kujt ka arritur ajo kërkesë. Pa asnjë dyshim amerikanët mbesin miqtë tanë më të mirë, mirëpo unë ende mbetem skeptiku më i madh diplomatik se presidenti Trump, Grenelli dhe ca njerëz të tjerë përreth tyre ia kanë menduar apo dashur një të mirë afatgjate Kosovës. Fati është se për ta ne tani mund të flasim si disa akterë të kohës së shkuar, të cilët i shkaktuan dëme të pariparueshme edhe vetë Amerikës se lëre më Kosovës. Disa nga ne e patëm kurajën qytetare dhe intelektuale që të ishim kritikë edhe në kohërat kur ata ishin në zenitin e ushtrimit të autoriteteve të tyre, ndërsa tash siç thotë ajo thënia e vjetër, pas çdo beteje dalin shumë gjeneralë.