OpEd

Kush fitoi?

Në mesin e shumë fituesve, si të identifikohet partia fituese në zgjedhjet lokale të 2017-s?

Në zgjedhjet parlamentare identifikimi i partisë më të madhe sipas votave është punë e lehtë. Në zgjedhjet lokale, identifikimi i partisë e cila ka fituar më së shumti pushtet është punë tejet e vështirë, ngase gara zhvillohet në 38 njësi komunale, të cilat veprojnë të ndara nga njëra-tjetra.

Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, të shumtë ishin ata që filluan që të shpallin fitore, dikush duke përllogaritur numrin e komunave në të cilat ishte në balotazh, dikush tjetër numrin e ulëseve në kuvendet komunale, e dikush tjetër duke krahasuar rezultatin e 2017-s me atë të katër vjetëve më parë. Kësisoj, të gjithë ishin fitues.

Pasqyra e plotë e rezultateve të zgjedhjeve lokale ende nuk dihet, ngase sipas të gjitha gjasave dy komuna (Istogu dhe Kllokoti) do të shkojnë në rivotim. Mirëpo, në bazë të rezultatit aktual, duke marrë për bazë kritere të ndryshme, fituesit janë këta:

Fituesit për kryetarë komune

Përcaktimi i partisë fituese në bazë të postit për kryetarë komune është përllogaritja më e lehtë (dhe më e gabuar). Sipas kësaj, partia fituese del të jetë Lista Serbe, e cila ka fituar garën për kryetarë në nëntë komuna. Pas saj radhiten AAK-ja dhe LDK-ja, të cilat dolën fituese në shtatë komuna dhe janë në garë për të fituar komunën e tetë, atë të Istogut. Vetëvendosje do të qeverisë me tri komuna, kurse Nisma do të vazhdojë qeverisjen në Komunën e Malishevës. AKR-ja ka arritur të mbajë vetëm Mitrovicën. Krahasuar me vitet e mëparshme kur vetëm një komunë qeverisej nga një kryetar i cili nuk bënte pjesë në asnjë parti politike, tani kemi tri komuna të tilla: Hani i Elezit, Skenderaj dhe Kllokoti, nëse kjo e fundit nuk shkon në rivotim.

Image

Fituesit sipas ulëseve në kuvendet komunale

Nëse llogarisim fituesin sipas numrit të ulëseve në kuvendet komunale, me 215 këshilltarë komunalë PDK-ja është partia fituese. Pas saj renditet LDK-ja me dy këshilltarë komunalë më pak. AAK-ja, Vetëvendosje dhe Lista Serbe kanë përafërsisht numrin e njëjtë të këshilltarëve në kuvendet komunale. Por, Lista Serbe është partia e cila ka shumicën absolute në më së shumti kuvende komunale.

Image

Fituesit sipas numrit të votave për kuvendet komunale

Nëse llogariten votat për kuvende komunale, atëherë LDK-ja del partia me numrin më të madh të votave, edhe pse PDK-ja ka marrë numrin më të madh të ulëseve. LDK-ja ka fituar 182 mijë vota, mbi 14 mijë vota më shumë sesa PDK-ja. Vetëvendosje ka më shumë vota për kuvende komunale, por AAK-ja do të ketë më shumë këshilltarë. Ky ndryshim në mes të votave dhe ulëseve vjen si rezultat i madhësisë së ndryshme të komunave, sipas votuesve dhe dallimeve në fuqinë politike të partive sipas komunave.

Image

Fituesit sipas buxhetit komunal në menaxhim për vitet 2018-2020

Nëse kriteri fitues bazohet në buxhetin që kryetarët e komunave do të kenë në menaxhim për tre nga katër vjetët që do të qeverisin me komunat, atëherë fituese del të jetë Vetëvendosje, e cila do të ketë në menaxhim afro 400 milionë euro. E dyta radhitet LDK-ja, me tre milionë euro më pak sesa komunat që menaxhohen nga Vetëvendosje. PDK-ja del partia e katërt, ku në pesë komunat me të cilat qeveris do të menaxhojë buxhet prej 214 milionë eurosh.

Image

Fituesit sipas territorit të komunave nën menaxhim

Nëse kriter merret madhësia e territorit që komunat kanë nën menaxhim, atëherë partia fituese del të jetë LDK-ja. Komunat në të cilat qeveris kjo parti kanë në menaxhim një hapësirë prej 2.666 kilometrash katrorë. Lista Serbe është partia e tretë me madhësinë e territorit nën menaxhim komunal me 1.681 kilometra katrorë. Kurse Vetëvendosje radhitet e katërta dhe PDK-ja e pesta.

Image

Fituesit sipas numrit të popullsisë

Edhe sipas numrit të popullsisë, LDK-ja del partia e parë. Komunat me të cilat do të qeverisë kjo parti kanë së bashku mbi 472 mijë banorë. E dyta radhitet Vetëvendosje, me 427 mijë banorë, e treta AAK-ja dhe e katërta PDK-ja. Komunat me të cilat do të menaxhojë Lista Serbe kanë së bashku 71 mijë banorë.

Image

Fituesit krahasuar me rezultatin zgjedhor të katër vjetëve më parë

Nëse rezultati i zgjedhjeve lokale të vitit 2017 krahasohet me atë të 2013-s, atëherë fijuesja më e madhe del të jetë Vetëvendosje, e cila nga një komunë tash do të qeverisë me tri (një rritje prej 200%), përfshirë edhe dy komunat më të mëdha për nga numri i banorëve dhe buxheti nën menaxhim. Pas Vetëvendosjes radhitet AAK-ja, e cila nga tri komuna, tash do të qeverisë në shtatë ose tetë sosh, komuna relativisht të mëdha si Suhareka, Klina e Rahoveci. Humbësja më e madhe e zgjedhjeve është PDK-ja, e cila nga dhjetë komunë, tash do të qeverisë në vetëm pesë. Kurse LDK-ja, nga nëntë komuna, tash do të qeverisë në shtatë ose tetë, varësisht nga rezultati i Istogut.

Por nëse do të duhej të përcaktoheshim për një fitues të këtyre zgjedhjeve, fitues janë zgjedhësit. Rezultati i ngushtë në disa komuna, shkuarja në balotazh për herë të parë në disa të tjera, dhe humbja në bastione të konsideruara si të palëkundshme (si Klina për PDK-në apo Istogu për LDK-në), dëshmojnë për një elektorat i cili nuk e jep votën e pamerituar.