OpEd

Kush e mbron shtetin nga vetvetja?

Ose, kush i mbron taksat tona kur shteti i humb ato në procese gjyqësore brenda dhe jashtë vendit?

Më 12 dhjetor 2017, organizata ku punoj ishte ftuar që të paraqitet në seancën dëgjimore në gjykatë. Pesë vjet më herët, më 25 mars 2013, Instituti GAP, me ndihmën ligjore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, kishte parashtruar padi kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për moslejim të qasjes në dokumente publike.

Në seancën dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku kisha shkuar të arsyetoj padinë e organizatës sonë, nuk ishte askush që të mbronte institucionin shtetëror, apo të paditurën Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Këtë obligim sipas ligjit, e kishte Avokatura Shtetërore.

Natyrisht se aktgjykimi që na u komunikua një muaj më vonë na jepte të drejtë, edhe për faktin se askush nga institucionet shtetërore nuk kishte marrë mundin që të paraqitej në gjykatë. Edhe nëse do të paraqitej ndonjë avokat publik gjasat që ne të fitonim rastin ishin shumë të mëdha, për faktin se po kërkonim qasje në dokumente publike, një e drejtë që na garantohet me Kushtetutë e ligje. Por moskokëçarja e zyrtarëve publikë për të mbrojtur institucionet publike është shqetësuese. Pas marrjes së aktgjykimit, Avokatura Shtetërore ishte ankuar në shkallën e dytë, dëshmi tjetër se mosprezenca e tyre në shqyrtimin e parë ishte neglizhencë, e jo vendim i qëllimshëm për të na mundësuar realizimin e një të drejte kushtetuese.

‘Dëmi’ ndaj institucioneve publike në këtë rast nuk ishte i madh: MZHE-ja obligohej që të na jepte qasje në dokumente publike pesë vjet pasi ishte kërkuar qasje në to. Por, në shumë raste të tjera, papërgjegjshmëria e institucioneve ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dëme të mëdha që kapin vlerën e dhjetëra miliona eurove çdo vit. Në një kërkim të shpejtë në internet dalin shumë raste kur avokatët publikë të institucioneve (kryesisht komunale) kanë bërë shkelje të mëdha ligjore duke dëmtuar pasurinë e institucioneve që do të duhej t’i mbronin. Kështu ka ndodhur me dy avokatë të Komunës së Prizrenit, nga një në Komunën e Gjakovës, Kaçanikut e Kamenicës. Shumica e akuzave të ngritura në gjykata kundrejt avokatëve publikë kanë të bëjnë me keqpërdorim të pronave.

Në fund të vitit 2020, sipas raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, obligimet kontingjente të cilat janë rezultat i padive gjyqësore ndaj organizatave buxhetore dhe pritet të marrin epilogun gjyqësor në një të ardhme, kapin shumën e 217 milionë eurove. Prej tyre, 126 milionë euro obligime të nivelit qendror dhe 91 milionë euro obligime të komunave. Kjo paraqet një rritje prej 10.25% në krahasim me vitin paraprak duke treguar përkeqësim në këtë kategori. Ekziston rreziku që shumica e këtyre proceseve gjyqësore të humben nga shteti.

Nëse shikojmë raportet vjetore të buxhetit, del se nga viti 2011 e deri më 30 shtator të vitit 2021, organizatat buxhetore kanë paguar 150 milionë euro sipas vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.

Sipas një raporti të Institutit GAP, duke u bazuar në raportet vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, dy vjetët e fundit, vetëm interesi ndaj gjykatave dhe përmbaruesve ka qenë mbi dy milionë euro. Këtu nuk përfshihen shpenzimet që mund të dalin nga proceset gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit. Sipas një shkrimi të Kohës Ditore në muajin dhjetor, Kosova rrezikon të humbë 584 milionë euro, pasi që shtatë kompani e kanë paditur në Arbitrazh.

Humbjet e rasteve gjyqësore kanë të bëjnë kryesisht me dënimet për mosekzekutim me kohë të pagesave ndaj punëkryesve, kompensimi për prishjen e kontratave të punës, mos-zbatim të marrëveshjeve kolektive, kompensime pronësore, e raste të tjera të cilat shkaktohen kryesisht nga padituria dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve publikë.

Deri më tani, institucionet publike praktikojnë tri mënyra për të mbrojtur interesin publik në procese gjyqësore: përmes Avokaturës Shtetërore, përmes avokatëve apo zyrtarëve ligjorë të angazhuar brenda një institucioni, si dhe përmes kontraktimit të shërbimeve juridike nga kompanitë private.

Deri më tani, asnjëra nuk është treguar efektive në mbrojtjen e buxhetit të shtetit. Të kuptohemi, ka raste të lëshimeve të institucioneve të cilat nuk do të mund të mbroheshin nga asnjë zyrë avokatie. Por, institucionet shtetërore nuk kanë një strategji të qartë se si të mbrohen nga dëmet që vetë zyrtarët shtetërorë ia shkaktojnë buxhetit të shtetit. E humbjet e buxhetit në procese gjyqësore po rriten nga viti në vit. Përderisa në vitin 2017 për vendime gjyqësore nga buxheti i shtetit u shpenzuan 11.5 milionë euro, në vitin 2020 kjo shifër u ngrit në 30 milionë euro. Kurse, për vitin 2021 pritet që kjo shumë të tejkalohet, ngase vetëm deri më 30 shtator janë shpenzuar 29.5 milionë euro. Raporti i plotë për shpenzimet buxhetore të vitit 2021 nuk është publikuar ende.

Ekzistojnë disa raste që dalin para gjykatave në vazhdimësi dhe fitohen nga paditësit në 100% të rasteve. Për shembull, të gjitha komunat shpenzojnë qindra mijëra euro në vit për pagesat e vendimeve gjyqësore për pagat jubilare të personave që dalin në pension. Vetëm Komuna e Prishtinës ka shpenzuar dy vjetët e fundit rreth 700 mijë euro. E drejta për paga jubilare u garantohet shërbyesve publikë sipas marrëveshjeve kolektive me sindikatat e punëtorëve. Por, komunat thuajse asnjëherë nuk e kanë buxhetuar këtë shpenzim, edhe për shkak të kufizimeve nga Ministria e Financave. Thuajse të gjithë ata që pensionohen, këtë të drejtë e shfrytëzojnë në procedurë gjyqësore, e në fund komunat përveç që detyrohen të paguajnë pagat jubilare, paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore dhe interesin. Ka raste kur vetë avokatët privatë u afrohen mësimdhënësve nëpër korridoret e shkollave dhe u ofrojnë shërbime mbrojtëse për të marrë pagat jubilare përmes proceseve gjyqësore.

Institucionet shtetërore duhet të krijojnë mekanizma më të rreptë sa i përket mbajtjes në përgjegjësi të zyrtarëve publikë që u shkaktojnë dëme financiare institucioneve. Përveç kësaj, kapacitetet e Avokaturës Shtetërore duhet të ngrihen dhe të ketë prioritizim të rasteve me humbje potencialisht më të mëdha të buxhetit, si dhe të identifikohen rastet më të shpeshta ku institucionet publike i humbin rastet në vazhdimësi.

(Ky publikim është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).