OpEd

Kurs përpasjeje

Kurti ka lënë për të nënkuptuar se ai është i gatshëm për kompromis tek Asociacioni, por vetëm si pjesë e propozimit franko-gjerman. Vuçiqi, nga ana tjetër, vazhdon të insistojë se nuk mund të zhvillohen negociatat për marrëveshjet e reja (propozimin franko-gjerman) pa u zbatuar marrëveshjet ekzistuese (Asociacioni). Pra, në një sens së shpejti do të jemi dëshmitarë të përplasjes së dy parimeve negociatore: Kurtit, i cili insiston në parimin “asgjë nuk është e dakorduar pa u dakorduar për çdo gjë” dhe Vuçiqit, i cili insiston në “pacta sunt servanda”

Ndodh shumë rrallë që një vend i vogël sikur Kosova të zërë vend në kryetituj të BBC-s. Ndodh edhe më rrallë që kjo të ndodhë dy herë brenda javës. Por, Kosova e kishte arritur pikërisht këtë javën e kaluar. Brenda javës dialogu kaloi nga një dështim, i cili rrezikonte stabilitetin e rajonit në një storie suksesi të diplomacisë ndërkombëtare. Edhe pse gjatë procesit palët akuzuan njëra-tjetrën për dyfytyrësi dhe manipulim, në fund të gjithë ishin të lumtur me epilogun. Kështu janë negociatat ndërkombëtare. Kështu ishte atmosfera edhe në një proces tjetër negociator 4.000 kilometra në jug të Brukselit, ku në Sharm el-Sheikh afro 200 vende të botës arritën marrëveshje historike për të luftuar ndryshimet klimatike. Tensionet ngrihen dhe ulen, palët afrohen dhe largohen, marrëveshja arrihet dhe rrezikohet, negociatat zgjatin deri në rrezet e para të diellit të mëngjesit, por në fund të gjitha palët kuptojnë se kanë më shumë për të humbur sesa të fitojnë në rast të dështimit.

Edhe pse Brukseli ka qenë nikoqir i shumë marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja e javës së kaluar ka potencial që të jetë një nga momentet më të rëndësishme të dialogut që nga nisja e tij dhjetë vjet më parë, edhe pse vetëm një faqe dokumenti i dakorduar nuk duhet nënvlerësuar. Është një nga ato dokumente ku cilësia është më e rëndësishme se volumi. Marrëveshja i jap fund drejtimit të deritanishëm të dialogut duke e transformuar atë nga dialogu për çështje teknike në dialog për çështje strategjike. Nga dialog për çështjet urgjente në dialog për çështjet e rëndësishme. Në këtë drejtim janë së paku pesë mesazhe të cilat vlen të nënvizohen.

E para: Kosova është në udhëheqje të dialogut. Ajo çfarë mësuam nga java e kaluar është se argumentet e Kosovës diktuan dinamiken e dialogut. Fillimisht, Kurti refuzoj çfarëdo teksti që nuk kishte në epiqendër propozimin franko-gjerman. Borrelli i preokupuar vetëm me targat akuzoj Kosovën për dështimin e takimit, ndërsa Kurti iu përgjigj duke e akuzuar se “hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. Dyzet e tetë orë më vonë palët arritën marrëveshje e cila në fokus kishte propozimin franko-gjerman, siç insistonte Kurti. Epilogu qartazi konfirmoi se pozicionet e Kosovës janë duke diktuar rrjedhën e dialogut.

E dyta: Rëndësia e legjitimitetit politik. Zhvillimi i javës së kaluar ka kërkuar jo vetëm argumentet bindëse të Kosovës, por edhe qëndrueshmëri politike për t’u rezistuar presioneve. Këtë e ka të pamundur ta bëjë një kryeministër i cili varet nga një koalicion i gjerë dhe shumicë minimale parlamentare dhe i cili kërcënohet nga Lista Srpska. Me këtë pengesë janë ballafaquar të gjithë kryenegociatorët e deritanishëm të Kosovës. Ky ishte edhe shkaku i dobësisë së tyre negociatore. Sot Kosova ka një kryenegociator, i cili ka legjitimitetin e paprecedentë politik, i cili i lejon të mbrojë me këmbëngulësi argumentet e Kosovës. Pa këtë arritja e javës së kaluar do të ishte e pamundur.

E treta: Kurti është i gatshëm për kompromis. Javën e kaluar kryeministri Kurti pranoj se “të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të zbatohen.” Pra, për herë të parë kryeministri Kurti pranoi ngritjen e Asociacionit të Komunave Serbe. Sidoqoftë, pikëpyetje mbetet çfarë Asociacioni? Ai që është dakorduar në Bruksel, apo ky që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese? Por përgjigje në këtë duhet të presim, por së paku tani e dimë se Kurti është gati për kompromis. Dalëngadalë po shohim tranzicionin e kryeministrit nga Albini opozitar në Kurtin burrështetas.

E katërta: Deklarata e dakorduar si model për të ardhmen. Marrëveshja e arritur javën e kaluar në mes Kosovës dhe Serbisë është shembull tipik i një marrëveshjeje kompromisi në mes palëve. Marrëveshja arrin të akomodojë interesat e të dyja palëve. Kosova siguroi vendosjen e propozimit franko-gjerman në epiqendër të dialogut, Serbia siguroi zotimin për ngritjen e Asociacionit.

E pesta: Rëndësia e dialogut në liberalizim të vizave. Me gjithë insistimin e kamotshëm të politikanëve të Kosovës se dialogu dhe liberalizimi i vizave nuk janë procese të ndërlidhura, zhvillimet e javës së kaluar dëshmuan të kundërtën. Dhe përderisa për neve kjo është totalisht e padrejtë, kjo ka çdo kuptim të mundshëm nga këndvështrimi i BE-së. Liberalizimi i vizave mbetet levë më e rëndësishme presioni që ka në dispozicion BE-ja.

Tani përderisa jam i gatshëm të njoh rëndësinë dhe potencialin e marrëveshjes së arritur javën e kaluar në Bruksel, njëkohësisht mbes skeptik për perspektiven e suksesshme të dialogut. Gjykuar nga deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit duket që shumë shpejt ata do ta gjejnë veten në kurs përplasjeje. Kurti insiston se tani pas marrëveshjes së fundit në Bruksel e gjithë vëmendja duhet të kalojë tek negocimi i propozimit franko-gjerman. Kurti lë për të nënkuptuar se ai është i gatshëm për kompromis tek Asociacioni, por vetëm si pjesë e propozimit franko-gjerman. Vuçiqi nga ana tjetër vazhdon të insistojë se nuk mund të zhvillohen negociatat për marrëveshjet e reja (propozimin franko-gjerman), pa u zbatuar marrëveshjet ekzistuese (Asociacioni). Pra, në një sens së shpejti do të jemi dëshmitarë të përplasjes së dy parimeve negociatore: Kurtit, i cili insiston në parimin “asgjë nuk është e dakorduar pa u dakorduar për çdo gjë” dhe Vuçiqit, i cili insiston në “pacta sunt servanda”.

Të gjithë këtë sfond do ta komplikojë edhe një zhvillim tjetër: sanksionet e Serbisë ndaj Rusisë. Përderisa Kosova është duke zhvilluar dialog me Serbinë për njohje, Serbia është duke zhvilluar dialog me BE-në dhe SHBA-të për sanksionet ruse. Në hierarkinë e zhvillimeve ndërkombëtare është e qartë që vendosja e sanksioneve Rusisë do të fuqizojë pozicionin e Serbisë në sytë e aleatëve tanë perëndimorë. Për këtë akt duhet pritur që Serbia do të kërkojë koncesione në dialogun me Kosovën. Dhe në këtë drejtim, siç duket, Kosova përsëri gjen veten në situatë ku vendimi i gabuar i Serbisë është basti ynë më i mirë.