OpEd

Kurioziteti, logjika dhe loja e “Piazhesë”

Kur isha fëmijë, babai im e përmendte njëfarë psikologu francez të quajtur Zhan Piazhe (Jean Piaget), si shkencëtar i madh për fushën e pedagogjisë e psikologjisë. “Piazhe ka thanë kështu, Piazhe ka thanë ashtu”, thoshte sa herë flitej për mësimin e zhvillimin e fëmijëve. Si pedagog i diplomuar nga UP dhe si mësues i ciklit klasor (tani në pension), babai donte të tregonte anën teorike e shkencore të pedagogjisë, gjithnjë me një dozë krekosjeje, kryesisht para mysafirëve. Deri së voni nuk më ka rënë në mend fare për këtë autor, deri kur u bëra vetë prind.

Loja-lojë e puna-punë

Nga kurioziteti, në vitet e fundit kam lexuar një vepër të tij dhe kam vërejtur se Jean Piaget-ja, paska pasur të drejtë në shumë gjëra. Më kujtohet kur babai thoshte se Piazheja ka thënë se për fëmijët “loja duhet të jetë lojë” e “puna punë”, thënie të cilën ia shfrytëzoja për të dalë “me lujtë me shokë” e ma shfrytëzonte për “me kry punën që e ke nisë”.

Në fakt, gjithë teoria e Jean Piaget-së mund të përkufizohet në argumentin se “loja e lirë dhe e pastrukturuar” është esenciale për fëmijët. Sepse, në lojë fëmijët konstruktojnë bazat e realitetit të tyre social, aty e krijojnë etikën primare të sjelljes e komunikimit njerëzor. Në lojën e tyre, ata mësojnë të kuptojnë “shkencën” e gjërave që ata krijojnë. Po ashtu, ai thekson edhe autoritetin e nevojshëm prindëror, esencial për fëmijët për ta pasur si model të zgjidhjes së problemit.

Kohëve të fundit, fëmijët janë bërë “objekt” i një presioni të madh për të qenë të vetëdijshëm “sikur të ishin të rritur”.

Ata janë nxjerrë jashtë shtegut të lojës, kreativitetit e të kuptuarit të gjërave përmes krijimeve të tyre dhe të tjerëve për moshën e tyre. Ata yshten drejt shtegut të “vetëdijesimit shoqëror” përmes praktikave që ndodhin në përditshmërinë globale.

Shpesh, institucionet arsimore shtyjnë përpara modelin deskriptiv të edukimit, jo atë reprezentativ. Fëmijët marrin shpjegime teorike për model sjelljeje. Ata “vetëdijesohen” me shpjegime.

Por, çfarë ka të keqe me “vetëdijesimin”? Parimisht, nuk ka të keqe kur fëmijët njoftohen për gjërat që ndodhin në shoqëri. Megjithatë, metodat, praktikat dhe përmbajtja kanë rëndësi të madhe. Pse? Sepse shpeshherë në emër të “vetëdijesimit”, fëmijët ngarkohen me mendime psikopolitike të cilat nuk i edukojnë ata që në të ardhmen të zgjidhin probleme, por vetëm të ankohen për ekzistencën e problemit dhe të kërkojnë zgjidhje nga të tjerët.

Ankesa nuk është e padobishme, shpeshherë është e nevojshme. Por, duke vrojtuar e hulumtuar zhvillimin e fëmijëve për 50 vjet, Piaget-ja nënvizon se modeli shpjegues dhe zgjidhja e gatshme për fëmijën e bën atë të varur për kohë të gjatë dhe të paguximshëm për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve që shfaqen gjatë jetës. Ata “fëmijë” mbesin “fëmijë të llastuar” tërë jetën.

Po e marr një shembull konkret. Vitin e kaluar, vajza ime kishte pasur një detyrë nga lënda e gjuhës angleze, për të mësuar më shumë rreth aktivistes suedeze Greta Thunberg.

Ngritja e pyetjeve

Për dijeni të atyre që s’kanë dëgjuar, nxënësja 16 vjeçare Greta Thunberg është bërë shumë e njohur vitin e kaluar pasi ka bojkotuar shkollën për të ngritur vëmendjen për ngrohjen globale dhe rrezikun e saj për të gjithë ne. Vjet ajo foli në një ngjarje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke klithur se “të rriturit janë duke ia vjedhur ëndrrat”, pasi që ata nuk po bëjnë asgjë për t’iu përgjigjur nevojave për ndryshim në politika shtetërore në raport me mbrojtjen e globit nga ngrohja globale. Klithma e saj mori dhenë dhe ajo u shpall edhe personaliteti i vitit 2019 nga revista “Times”. Mësuesja e gjuhës angleze kishte gjetur këtë rast, ndoshta me arsyen për t’i inspiruar nxënësit, dhe ua kishte dhënë detyrë që nxënësit të flisnin me prindër për Gretën dhe të hulumtonin më shumë për të. Pa dyshim se biseduam, bëmë një hulumtim në Internet dhe krijuam një profil për punën e Gretës. Fort mirë. Por, gjatë kësaj kohe nuk mund të mos mendoja për arsyen se pse mësuesja ua kishte dhënë vetëm Gretën? Nuk dua t’i japë konotime gjinorëzuese argumentit. As nuk dua ta nënçmoj Gretën.

Ajo ka bërë punë inspiruese: ajo ka ngritur pyetje, ka ngrysur vetulla, na ka bërë të gjithëve të mendojmë. Por, pse jo një kërkim të lirë, apo një kërkim për “edhe dikë tjetër si Greta”? Pse të gjithë nxënësit duhej të flisnin vetëm për Gretën? (Nuk dua ta apostrofojë mësuesen, sepse ajo është mësuese e mirë e gjuhës angleze).

Nuk do mend se mësuesja kishte imponuar Gretën si model te nxënësit e saj. Dhe, këtë e kam dëgjuar edhe nga prindër të tjerë se ka ndodhur edhe në shkolla të tjera.

Një ndër arsyet kryesore mund të jetë fakti se vitin e kaluar Greta Thunberg u bë figurë e popullarizuar në përmasa globale dhe një numër i madh i fëmijëve nëpër qytete të ndryshme të botës kanë dalë të protestojnë kundër “të rriturve që nuk bëjnë asgjë për të ndalur ngrohjen globale”, përkatësisht kundër prindërve të tyre. Por, më ka bërë përshtypje se asgjë nuk është thënë për dikë tjetër të moshës së Gretës që në fakt ka inspiruar fëmijët dhe të gjithë të tjerët, duke shpikur zgjidhje për probleme të ndotjes së ambientit.

Ky është Boyan Slat, një tinejxher holandez, i cili në moshën 16 vjeçare (i bie të ketë qenë mocanik i Gretës asokohe) nisi shpikjen e mekanizmit për pastrimin e oqeaneve nga ndotja, kryesisht nga mbeturinat. Shpikja e tij u bë projekt i madh dhe më 2013, kur ishte 18 vjeçar, ai themeloi organizatën joqeveritare “Ocean Cleanup” (Pastrimi i oqeaneve), përmes së cilës synohet pastrimi i oqeaneve në një periudhë të shkurtër, të paimagjinueshme për shkencëtarët deri tani. Për më shumë njohuri, bëni një kërkim në Internet me emrin e tij apo të organizatës së tij dhe do të gjeni informatat për të.

Ajo që dua të them është se Piaget-ja kishte të drejtë në shumë aspekte.

Loja i bën fëmijët më të dinjitetshëm

Fëmijët nuk duhet të pengohen kur luajnë. Loja u mëson fëmijëve edhe etikën dhe garën. Ajo i bën ata më të dinjitetshëm. Por, esenca është jo vetëm te loja, por edhe te modeli i lojës. Çfarë modeli u ofrohet atyre? A u ofrohet fëmijëve modeli i kërkimit dhe zgjidhjes së problemit?

Apo modeli i refuzimit emocional dhe ankesës ndaj tjerëve? Çfarë heroi social, thënë kushtimisht, u imponohet në shkollë, si model edukues? Rasti që mora nuk është evidencë e mjaftueshme për të ngritur model të analizës së kulturës së edukimit fillor e të mesëm te ne. Mësuesja mund të arsyetohet se ka bërë diçka rastësore.

Po të ishte i njohur Boyan Slat sot, do të bënte të njëjtën me të. Madje, ajo mund të argumentojë në heshtje se fakti se ka marrë shembull Gretën e jo dikë tjetër, na ka bërë që të gjejmë edhe Boyan Slat-in, si model tjetër. Dhe, ndoshta do të kishte të drejtë në këtë argument.

Megjithatë, nuk jemi në garë imagjinare për argument polemik mbi modelet për inspirim për nxënësit apo modelet e edukimit të fëmijëve tanë. Jemi në situata reale të edukimit të fëmijëve tanë.

Argumentet e tërthorta e të tejzgjatura janë inspiruese, por vetëm si argumente nistore e inspiruese për diskutim kritik. Por, harrojnë realitetin objektiv. Në përgjithësi, kemi të bëjmë me një frymë të re të kulturës së motivimit në arsimin e ultë, sikurse edhe në arsimin e lartë. Frymë e ankesës, kritikës dhe “britmës”. Frymë e “aktivizmistikës”. Sipas kësaj fryme, nxënësi duhet të “përfshihet”, “të marrë pjesë”, “të kënaqet”, “të mendojë ndryshe” “të jetë kritik”, etj. Ndërsa, leximi i veprave, zgjidhja e problemit, kurioziteti i orientuar, ushtrimi i logjikës, kalitja në sprovë janë dytësore tashmë, si në arsimin e ultë ashtu edhe në atë të lartë. Pse? Është më lehtë të jesh “aktivist”. Nuk kërkon shumë punë. Krejt çfarë të duhet është pak logjikë, dy-tri koncepte kritike dhe pak motiv psikologjik për të qenë i zhurmshëm. Nuk ka dert që nxënësi (alas, edhe studenti!) nuk lexon libra, që nuk sprovon logjikën në laborator, që nuk kalitet në sprovë për të bërë pyetje e ngritur pikëpyetje.

Logjika në funksion të fakteve

Në Kosovë, janë dhënë shumë fonde, nga qeveria e organizatat ndërkombëtare, për “zhvillimin e sektorit të rinisë”, për “mendimin kritik”, për “trajnimin dhe angazhimin e të rinjve” e me radhë. Shumë shumë fonde për reformat në arsim. O reforma o mores! Me këdo flas e kudo shikoj del se ka pak rezultate efektive nga këto investime. Ka rezultate të mira, por ka pak. Pak ka, sidomos në edukimin e rinisë. Sa kam vërejtur, duket se ka më shumë përgatitje të të të rinjve tanë në “aktivizmistikë”, një trajnim i nxënësve dhe studentëve të rinj për t’u bërë “protestues”, “bërtitës”, “qytetar aktivist” që shpesh del të jetë një trajnim i pragmatizimit të mllefit, arrogancës dhe mediokritetit. Këto lloj modelesh krijojnë pezmatime të mëdha, janë investime në një gjeneratë që do ta ketë prioritet mohimin, irritimin, protestën e tundimin për “gjëra të gatshme”, të cilat nëse nuk i gëzon e fajëson “shtetin” apo edhe “shoqërinë”. Kur jemi te ambienti e ndotja e ruajtja, shtrohet pyetja: sa organizata ekzistojnë për pyllëzim, për shartim të pemëve, për pastrim të pyjeve, lumenjve, liqeneve. Pak. Por, ekzistojnë plot sosh për “mendim kritik” e “të drejta të të rinjve” e “aktivizëm të të rinjve”. Nuk mohohet as puna e këtyre të fundit, por duket se s’ka balancë mes modeleve. Duket se ka më shumë Greta se sa Boyana! Për hemofiliakët emocionalë të gjinisë: po them ndryshe: “Duket se ka më shumë Greta se Majlinda!”.

Po e përfundoj në jehonën piazheane. Unë mendoj se kur flitet për arsimin, duhet të flitet për tri gjëra esenciale: kuriozitetin, logjikën dhe lojën. Pa bërë vizion të arsimit këtë trinitet nuk ka zhvillim në Kosovë. Kurioziteti nevojitet për të kërkuar, njohur e aplikuar procesin e kërkimit. Logjika nevojitet për të respektuar faktet, refuzuar trillet e ofruar zgjidhje. Loja duhet për të inkurajuar, eksperimentuar dhe kalitur akterët që janë logjikë e kuriozë. Këto tri gjëra mund të aplikohen, në proporcionalitet, prej çerdhes parashkollore deri në studime doktorale dhe gjërat mund të përmirësohen shpejt.