Kosova renditet më mirë se shumë vende të ftuara në Samitin e Demokracive sa u përket demokratizimit, perceptimit për korrupsionin, lirinë e medias, liritë ekonomike, etj. Atëherë cilat janë arsyet e lënies së Kosovës jashtë kësaj nisme të rëndësishme të presidentit Biden?
Në muajin mars të vitit 2020 kandidati për president të ShBA-së, Joe Biden, shkroi një opinion të gjatë në revistën “Foreign Affairs” në të cilën dha arsyet se përse Amerika duhet t’i prijë botës demokratike sërish. Pasi liston të gjitha sulmet që Donald Trump i ka bërë demokracisë amerikane dhe mbështetjen që u ka dhënë liderëve autoritarë, Bideni premton se që në vitin e parë të presidencës së tij ai do të jetë nikoqir i një samiti botëror ku do të ftohen të gjitha vendet demokratike.
Sipas Bidenit, Samiti i Demokracisë do të bëjë bashkë të gjitha vendet demokratike për të forcuar institucionet, për t’iu kundërvënë vendeve të cilat janë duke bërë hapa mbrapa sa i përket demokracisë liberale dhe për të hartuar një agjendë të përbashkët. Samiti do të ketë tri qëllime kryesore: luftimi i korrupsionit, parandalimi i rrëshqitjes në autoritarizëm dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Me të dhënë këtë premtim, mediat filluan të spekulonin se kush do të ftohet dhe cilat do të jenë kriteret. A do të ftohen aleatët tradicionalë të ShBA-së, si Turqia, Hungaria, Polonia, Filipinet, India, të cilat gjithnjë e më shumë po rrëshqasin në autoritarizëm? Samiti u konsiderua si ngjarje që do të bënte të qartë se cilat shtete do të favorizohen nga presidenti i ri e ndaj cilave do të mbahet distancë. Nga shumë analistë Samiti u pa si kundërvënie ndaj influencës kineze dhe ruse, të cilat aktivisht angazhohen për të destabilizuar vendet demokratike.
Që në shkurt të 2021-tës Administrata Biden krijoi edhe një platformë online për samitin dhe caktoi datat 9 dhe 10 dhjetor për këtë ngjarje. Gazeta online “Politico” siguroi edhe një listë të vendeve të ftuara. Kosova nuk është në mesin e 108 shteteve të ftuara. Kjo u konfirmua edhe nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, ku në një përgjigje për media deklaruan se “jo të gjithë partnerët mund të përfshihen në këtë iniciativë”.
Lënia e Kosovës jashtë Samitit të Demokracive është shumë më shqetësuese sesa që e pranojnë krerët e institucioneve shtetërore. Njëri nga këshilltarët e kryeministrit deklaroi në media sociale se një ndër arsyet përse Kosova nuk është ftuar ka të bëjë me indeksin e organizatës “Freedom House” për vitin 2021, ku Kosova ka shënuar regres për shkak të votës së mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti 1.
“Freedom House” çdo vit publikon indeksin e “Lirisë nëpër botë”, si dhe indeksin “Vendet në tranzicion”. Në indeksin e Lirisë, në raportin e fundit Kosova ka shënuar 54 nga 100 pikë sa u përket të drejtave qytetare dhe politike. Dhjetë vende që janë ftuar në Samitin e Demokracisë janë më mbrapa Kosovës sa u përket lirive dhe të drejtave civile dhe politike. Në Samit janë ftuar edhe Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Angola, Pakistani, Maldivet, Nigeria, Kenia, Nigeri, Malajzia dhe Zambia, të gjitha vende me liri më të kufizuara sesa Kosova.
Edhe në indeksin për vendet në tranzicion, e cila përfshin 29 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore, Kosova renditet më mirë sesa Moldavia dhe Armenia, dy vende të cilat janë ftuar në Samit.
Kosova nuk përfshihet në indeksin e demokracisë që përpilohet nga revista “The Economist”, por ka vende që në këtë indeks konsiderohen si vende autoritare dhe janë ftuar në Samitin e Demokracisë, si Iraku, Angola, Republika Demokratike e Kongos, Nigeri. Edhe në indeksin e IREX-it për lirinë e mediave (VIBE 2020) Kosova renditet më mirë se shtatë vende, të cilat janë pjesë e këtij indeksi e që janë ftuar në Samitin e Demokracisë.
Në indeksin e organizatës “Heritage” për liritë ekonomike për vitin 2021, një rang i mat shtetet sa u përket lirive për të zhvilluar aktivitetin ekonomik (posedimi i pronës, të drejtat e punës, mbrojtja ligjore, etj.), Kosova renditet më mirë se 55 shtete që janë ftuar në Samit. Edhe në indeksin e “Transparency International” për perceptimin e nivelit të korrupsionit për vitin 2020, Kosova renditet më mirë se 20 vende të ftuara në Samit.
Gjatë vitit 2021 Kosova ka organizuar dy palë zgjedhje, ato parlamentare dhe lokale, dhe procesi zgjedhor është konsideruar si më i miri në krahasim me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pra, mosftesa për Kosovën për të marrë pjesë në Samit nuk ka të bëjë me atë se Kosova nuk është vend demokratik, që i shtyp liritë qytetare, politike, ekonomike, kufizon lirinë e medias apo është vendi më i korruptuar. Lënia jashtë Samitit mund të ketë dy interpretime: se qëndrimet dhe veprimet e Qeverisë Kurti 2 nuk janë në harmoni me qëndrimet e Administratës Biden; dhe e dyta, ShBA-ja sheh rrezik të rrëshqitjes sa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike.
Mbështetja që Kurti ia bëri Bidenit para zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2020, duke ftuar shqiptaro-amerikanët që të votojnë për kandidatin demokrat, si dhe urimi që kryeministri ia dërgoi Bidenit me rastin e njëvjetorit të zgjedhjes së tij si president duket se nuk i kanë lëvizur qëndrimet e Administratës Biden kundrejt Qeverisë Kurti.
Deri më tani Qeveria nuk ka qenë korrekte me publikun sa i përket relacioneve me ShBA-në, duke u paraqitur në publik se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë pësuar asnjë çarje. Por, lënia e Kosovës jashtë Samitit tregon për ftohje të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dhe kjo është shqetësuese në fazën ku ndodhet Kosova, një shtet siguria e të cilit varet nga ShBA-ja dhe NATO-ja.
Dy ditë më parë 21 organizata të shoqërisë civile i kanë shkruar letër Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, duke u kërkuar që të rishqyrtojnë ftesën për Kosovën, ngase me gjithë sfidat e shtetndërtimit, shoqëria civile dhe Kosova në përgjithësi kanë nevojë për mbështetjen e vendeve demokratike.
Samiti nuk do të jetë vetëm ngjarje ceremoniale, por do të hartohen parime e plane veprimi për luftimin e korrupsionit, autoritarizmit e mbrojtjen e të drejtave të njeriut, masa prej të cilave Kosova nuk do të mund të përfitojë pa qenë pjesë e Samitit.