Më 29 të dhjetorit të shkuar, Hasan Gokal, drejtor mjekësor i ekipit të reagimit për COVID-19 në Harris County të Texasit (ku përfshihet Houstoni, qyteti i katërt më i madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas popullatës), po e mbikëqyrte administrimin e vaksinës së “Modernas”, kryesisht mes punëtorëve të shërbimit të emergjencës. Vaksina vjen në shishe që përmbajnë nga njëmbëdhjetë doza. Një shishe, kur të hapet, skadon brenda gjashtë orësh dhe vaksina e papërdorur duhet të hidhet.
Atë ditë dhjetori, një pacient mbërriti pak përpara afatit, kështu që një infermiere duhej të hapte një shishe të re, duke e lënë Gokalin me dhjetë doza në duar. Ai ua ofroi ato punëtorëve të përkujdesjes shëndetësore dhe dy policëve që ndodheshin brenda godinës, por ata ose ishin vaksinuar apo kishin refuzuar. Ai e thirri një koleg, prindërit dhe vjehërritë e të cilit ishin të përshtatshëm për vaksinim – secili kishte mbi 65 vjeç apo kishte një gjendje paraprake shëndetësore që e rriste rrezikun nga koronavirusi – por ata nuk ishin të qasshëm.
Gokali nisi t’i thërriste njerëzit në listën e tij të kontakteve në telefon për të pyetur nëse ndokush i përshtatshëm do të dëshironte të vaksinohej dhe mund të vinte në shtëpinë e tij atë mbrëmje. Kur mbërriti në shtëpi, dy persona po e prisnin aty, dhe ai i vaksinoi. Pastaj shkoi me veturë nëpër shtëpitë, ku e dinte se kishte persona të përshtatshëm dhe i vaksinoi edhe pesë të tjerë.
Ndërkohë vazhdonte të telefononte e edhe tre të tjerë pranuan të shkonin në shtëpinë e tij. Shifra do t’ia tejkalonte furnizimin, ama njëri e anuloi. Bashkëshortja e Gokalit kishte sarkoidozë plumonare, një gjendje kjo e mushkërive që e bënte të përshtatshme për vaksinim.
“Nuk synoja që të ta jepja ty”, i tha ai asaj, “por brenda gjysmë ore do të më duhet që ta hedh në tualet”. Pesëmbëdhjetë minuta para se afati i dozës së fundit t’i skadonte, ai e vaksinoi.
Në punë, mëngjesin pasues, Gokali i tregoi eprorit të tij çfarë kishte ndodhur dhe i raportoi emrat e personave që i kishin marrë dhjetë dozat. Disa ditë më vonë ai u thirr në bisedë nga eprori i tij, dhe iu tha se duhej t’i kishte kthyer dozat e mbetura, ani pse afati i tyre do të skadonte dhe do t’i duhej t’i hidhte. Për shkak se nuk e bëri një gjë të tillë, ai u shkarkua.
Dy javë më vonë, prokurorja e rrethit të Harris Countyt, Kim Ogg, e akuzoi për vjedhje dhe për shkelje të protokolleve të rrethit. Avokati i Gokalit e kërkoi një kopje të protokolleve që klienti i tij po akuzohej t’i kishte thyer. Atij iu tha se ato nuk ekzistonin.
Një gjykatës i rrëzoi akuzat, duke pretenduar se prokurorja nuk kishte arritur të dëshmonte se Gokali, si këshilltar mjekësor i përgjigjes së rajonit ndaj COVID-19, nuk ka pasur të drejtë të vendoste se kë të vaksinonte. Oggu ka thënë se synon që të provojë përsëri.
Disa sisteme morale i trajtojnë rregullat si të paprekshme. Kisha romanokatolike, për shembull, pretendon se marrja e një jete të pafajshme njerëzore është gjithmonë e gabuar.
Nganjëherë ndodh që gjatë lindjes së foshnjave, kafka e bebes ngujohet përbrenda vagjinës dhe të gjitha përpjekjet për nxjerrjen e saj dështojnë. Në këso situatash, nëse asgjë nuk mund të bëhet, si nëna ashtu edhe foshnja do të vdesin.
Deri në zhvillimin e mjeteve moderne obstetrike, mënyra e vetme për ta shmangur tragjedinë e dyfishtë ishte që mjeku ta thërrmonte kafkën e foshnjës. Bebja do të vdiste, por gruaja do të mund të jetonte. Në vendet katolike kjo procedurë është e ndaluar, sepse përkon me vrasjen e drejtpërdrejtë të foshnjës. Si rezultat i kësaj, gratë që mund të shpëtoheshin kanë vdekur.
Utilitarizmi merr një qëndrim të kundërt. Themeluesi i tij, Jeremy Bentham, do të konsultonte çdo ligj, zakon apo rregull morale se “cila është dobia e saj?”. Me këtë, ai nënkupton se si ndikon që të rritet lumturia apo të pakësohet vuajtja?
Benthami dhe pasuesit e tij e kanë zbatuar këtë sprovë në një gamë të gjerë ligjesh dhe institucionesh: tek privilegjet për aristokracinë, tregtia me skllevërit, kufizimet se kush mund të votojë, tek krimet pa viktima, si homoseksualizmi, dhe statusi vartës i grave.
Rregullat kanë një vend të rëndësishëm, madje edhe për utiliaristët. John Stuart Mill mendonte se rregullat mishërojnë mençurinë dhe përvojën e gjeneratave të kaluara rreth asaj se çfarë lloj veprimi priret të prodhojë jetë më të mirë për të gjithë. Megjithëkëtë, për Millin rregullat nuk janë absolute. “Për të shpëtuar një jetë”, ka shkruar ai, “vjedhja mund të mos jetë vetëm e lejueshme, por edhe obligim”.
Kurrë nuk mund ta dimë nëse njëra prej dhjetë injektimeve të Gokalit ka shpëtuar një jetë, por ato që të gjitha pa dyshim se kanë rritur ndjenjën e paqes në mendjet e atyre që përndryshe do të duhej të prisnin për ditë apo muaj që të vaksinoheshin. Në cilindo rast, ai nuk ka vjedhur.
Qartazi, përdorimi i dozave të vaksinës tek njerëzit ka pasoja më të mira sesa hedhja e tyre – apo në fakt, do të mund të kishte pasoja më të mira, sikur Gokali të mos ishte shkarkuar nga vendi i tij i punës dhe të kërcënohej me persekutim.
Një gjë që mund ta mësojmë nga padrejtësia që i është bërë Gokalit është vlera e rregullave të arsyeshme që shërbejnë si udhëzim për administruesit e vaksinimit. Në Los Angeles radhët përpara klinikave, ani pse jozyrtarisht, janë pranuar nga Departamenti i Countyt të Los Angelesit për Shëndet Publik, i cili ka udhëzuar punëtorët e përkujdesjes shëndetësore që të mos i hedhin dozat e papërdorura. Në Izrael njerëzit që normalisht nuk do të mund të vaksinoheshin, janë regjistruar për të pranuar një mesazh telefonik po qe se ndonjë qendër e afërt vaksinimi ka vaksina që ndryshe do të hidheshin. Siç tregojnë këta shembuj, nuk është vështirë që të merret me mend ndonjë opsion më i mirë sesa hedhja e vaksinave potencialisht jetëshpëtuese.
Mësimi tjetër që mund të nxirret është se është e gabuar që të ndëshkohen njerëzit, të cilët e japin më të mirën prej vetes në mungesë të rregullave të qarta apo në situata që bien jashtë diametrit të përgjegjësive të përcaktuara prej atyre që i hartuan ligjet ekzistuese. Në të këtilla situata, njerëzit duhet që të trimërohen për t’i ushtruar vetë gjykimet e tyre për t’i gjeneruar pasojat më të mira për të gjithë.
(Peter Singer është profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit dhe themelues i organizatës jofitimprurëse “The Life You Can Save”. Ai ka shkruar edhe librat “Animal Liberation”, “Practical Ethics”, “Ethics in the Real World” dhe “Why Vegan?”. Në prill, “W.W. Norton” do ta nxjerrë botimin e ri të librit të tij “Apuleius’s The Golden Ass”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).