OpEd

Kur politika mbjell përçarje: gënjeshtra dhe mashtrimi në diskursin publik

Besoj se shumica e votuesve të Kosovës janë më të mençur sesa përfaqësuesit politikë që garojnë për vota. Prandaj, dilni në votime, por përdoreni votën me arsye dhe mos u turpëroni, duke rënë pre e mashtrimit dy herë

Një prononcim i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, pas protestës së një grupi të qytetarëve të Skenderajt me rastin e tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet më 27 janar, krijoi një përshtypje të rreme tek qytetarët e painformuar. Në reagimin e tij pas protestës së këtij grupi qytetarësh, përveç të tjerash, ai tha: “Disa qyqanë të orkestruar nga partia paskan tentuar ta pengonin tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj. Për çudi, komuna paralele e Serbisë atje nuk u bënte fort përshtypje…”. Ndajfolja vendore “atje” është përdorur për t’u nënkuptuar se komuna paralele e Serbisë për Skenderaj paska funksionuar në Skenderaj.

Me këtë deklaratë ministri Çeku bëri dy gjëra: edhe e gënjeu, edhe e mashtroi opinionin publik. Ai gënjeu sepse në territorin e Drenicës asnjëherë nuk ka pasur komunë paralele të Serbisë. Mashtroi sepse i paraqiti jo vetëm protestuesit e tubuar të Skenderajt, por të gjithë njerëzit në Drenicë se kanë pranuar prezencën paralele të Serbisë në rajonin e tyre dhe se po të mos ishte për Vetëvendosjen kjo prezencë do të vazhdonte pa u bërë përshtypje drenicakëve.

Me këtë deklaratë ministri Çeku nuk i quajti qyqarë vetëm protestuesit e tubuar kundër tubimit të Vetëvendosjes, por të gjithë drenicakët, njerëz të cilët të parët kanë kapur armët për t’iu kundërvënë pushtimit serb në Kosovë në kohën kur ka qenë më së vështiri t’i kundërvihesh një force të armatosur rëndë dhe e cila nuk hezitonte t’i përdorte ato armë edhe kundër civilëve, siç janë gratë, fëmijët e pleqtë, sepse shumica e burrave të Drenicës i kishin kapur armët dhe nuk hyjnë në kategorinë e civilëve gjatë kohës së luftës. Ata, pra, nuk e kanë duruar një forcë ushtarake e policore të armatosur deri në dhëmbë, duke rrezikuar kështu familjet e tyre. Por, sipas ministrit Çeku, jo vetëm që po e duruakan një zyrë ilegale administrative të Serbisë në territorin ku ata jetojnë, por kjo prezencë e Serbisë në Kosovë nuk po iu bëka përshtypje!

Për t’ua përkujtuar lexuesve, sipas raportimeve mediatike, të mbështetur në komunikatën e Policisë së Kosovës, zyra e komunës paralele të Skenderajt ka vepruar në territorin e Komunës së Mitrovicës veriore, jo në territorin e Komunës së Skenderajt. Ajo zyrë ka qenë komunë paralele, e cila ka “qenë përgjegjëse” për Komunën e Skenderajt, përkatësisht u ka ofruar shërbime ilegale ish-banorëve të Banjës dhe Suhogërllës, fshatra që gjenden në territorin e Komunës së Skenderajt. Kjo është gënjeshtra e parë e Hajrulla Çekut. Mashtrimi i Hajrulla Çekut është se gjoja qytetarët e rajonit të Drenicës qenkan pajtuar me praninë e komunës paralele e ilegale të Serbisë. Nga kjo nënkuptohet se kjo komunë gjoja paska vepruar në territorin e Drenicës.

Se ky mashtrim ka pasur jehonë dhe ka ndikuar tek njerëzit e painformuar mund të vërehet edhe në disa postime në media sociale, ku një numër i postuesve që kanë rënë në grackën e mashtrimit të ministrit Hajrulla Çeku e quajnë Skenderajn me përçmim e cinizëm si “Serbicë”. Pra, sipas tyre, Skenderaj është Serbicë, pasi që aty paska funksionuar komuna paralele e Serbisë, e papenguar nga qytetarët e Skenderajt. Ky është efekti i gënjeshtrës dhe mashtrimit të Hajrulla Çekut. Polarizim dhe nxitje e urrejtjes e përçmimit ndaj njerëzve që jetojnë në një komunë dhe rajon të caktuar të Kosovës, që historikisht njihet si bërthama e rezistencës ndaj pushtimit serb, duke i paraqitur njerëzit e atij rajoni si qyqarë e jopatriotë që paskan pranuar funksionimin e institucioneve paralele të Serbisë në vendbanimin e tyre.

Të gjitha këto që i thashë nuk synojnë aspak të arsyetojnë përpjekjet për të penguar mbarëvajtjen e tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, edhe pse simpatizantët e partive kundërshtare mund edhe të mblidhen e të brohorasin emrat e liderëve të tyre, kur partitë kundërshtare mbajnë tubime. Edhe simpatizantë e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje po infiltrohen në tubimet e partive të tjera, duke brohoritur emrin e liderit të tyre partiak. Sidoqoftë, besoj thellë, se pavarësisht a është një regjion bastion i ndonjë partie, të gjitha partitë kanë të drejtën e patjetërsueshme që të kenë qasje të barabartë për të bërë fushatë në çdo pjesë të Kosovës, në mënyrë të papenguar.

Megjithëkëtë, pesha e njerëzve që kanë kundërshtuar tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të krahasohet me peshën e fjalës publike të një ministri. Një ministër, përveç përgjegjësisë për fjalën e vet publike, ka edhe përgjegjësi shtetërore. Ministri nuk bën të gënjejë, ta mashtrojë opinionin publik dhe aq më pak të nxisë polarizim, përçarje, përçmim e urrejtje në mesin e qytetarëve të vendit. Një ministër që bën gjëra të tilla nuk e ka vendin as në qeveri, e as në Kuvendin e Kosovës. Ai nuk e meriton votën e qytetarëve të vendit.

Në këtë rast ministri Hajrulla Çeku ka përdorur gënjeshtrën e mashtrimin kundër qytetarëve të Drenicës, që me shumicë janë edhe simpatizantë të PDK-së, për një grusht votash. Atij si duket nuk i bën përshtypje se çmimi i këtij grushti votash janë përçarja, urrejtja e polarizimi në mesin e qytetarëve të Kosovës. Por, ministri Hajrulla Çeku nuk ka bërë ndonjë gjë të veçantë. Ai vetëm se i është bashkangjitur korit të gënjeshtarëve e mashtruesve politikë që kërkojnë vota, duke nxitur përçarje e urrejtje.

Nëse asgjë tjetër, kjo fushatë e ka treguar fytyrën e vërtetë të partive politike dhe të shumë kandidatëve. Të jesh gënjeshtar është një cilësi e shëmtuar, por të jesh edhe gënjeshtar e edhe mashtrues, përveçqë është cilësi dyfish e shëmtuar, tregon edhe qëndrimin që e ke ndaj qytetarëve - i konsideron ata pre të lehtë për të përfituar nga ta në mënyrë të pandershme.

Siç e thotë fjala e urtë angleze e përsëritur nga ish-presidenti amerikan, George W. Bush, “nëse më mashtron një herë, turp të qoftë ty. Nëse më mashtron dy herë, turp më qoftë”.

Një kandidat dhe një grupim politik që përdor gënjeshtrën e mashtrimin për të eksploatuar ndasitë, nxitur urrejtje dhe përçarje nuk bën të votohet. Tash kur po hyjmë në javën e fundit të fushatës, retorika nxitëse vetëm sa ka përshkallëzuar. Siç e kam thënë në shkrimin e javës së parë të fushatës, kjo retorikë jo vetëm që nuk bën të shpërblehet me votë, ajo duhet të ndëshkohet. Besoj se shumica e votuesve të Kosovës janë më të mençur sesa përfaqësuesit politikë që garojnë për vota. Prandaj, dilni në votime, por përdoreni votën me arsye dhe mos u turpëroni, duke rënë pre e mashtrimit dy herë.