OpEd

Kur pica vlen më shumë se historia

Një ditë pas muhabetit të picave, u shënua përvjetori i masakrës së Mejës. Kjo ishte më e madhja në mesin e disa dhjetëra sish që ndodhën gjatë luftës së Kosovës. Vetë fakti se nuk po di ta përcaktoj numrin e saktë të masakrave të kryera, po tregon se ky vend nuk ka krijuar bazë të shënimeve, e as nuk e ka dokumentuar krimin e Serbisë në Kosovë, e as nuk ka krijuar një historiografi që do të mund ta përdorte sa herë do të kërcënohej nga harresa

Java e shkuar i shënoi dy gjëra me rëndësi, hiq ekipin menaxhues për Zajednicën që nuk i përgjigjet Qeverisë: e para, qe debati i kotë në Kuvend, për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut dhe, e dyta, shënimi i 24-vjetorit të masakrës së Mejës.

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës arriti të mbahej pa vonesa, për shkak se pati kuorum – pra, kur duhet çuar e debatuar kot, duke sharë e duke përdorur kërcënime të turlillojshme, atëherë Kuvendi mblidhet sa ora. Pse jo, përgjegjësi kurrfarë për fjalën e thënë dhe plus mëditje në fund. Kuptohet, sepse është “lodhje” shumë e madhe për deputetë kur mblidhen për ta sharë njëri-tjetrin, atëherë kur në rend dite nuk ka miratim ligjesh apo të ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare.

Sido që të jetë, ajo që mbeti e shënuar nga kjo seancë e Kuvendit qe pica e Kamishit dërguar Armend Mujës në burg. Delivery e picës që u mohua nga Muja, i cili përfundoi me epitetin “bukëpërmbysës” nga shpërndarësi i saj, Kamishi.

* * *

Pra, blla, blla, blla e kuvendarëve zgjati kushedi sa orë. Masakrimi i veshëve me përmbajtje kot me të cilat për fat të keq na kanë mësuar. Dhe çka doli në fund? Deklarata shumë indikative e Ferat Shalës, i cili pasi dëgjoi një kerr akuzash nga Armend Muja, për korrupsion e nepotizëm, iu përgjigj kështu: “Me këtë nuk replikoj, sepse kam nevojë me repliku me Bekim Haxhiun, se ta ka pru picën ne stacionin e Policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut për korrupsion”.

Pra, një deputet i PDK-së, që ka qenë gjatë drejtor në “Trepçë”, e akuzon kolegun e tij partiak se e ka ushqyer dhe e ka nxjerrë prej burgut dikë të akuzuar për korrupsion. Po qe se është njëmend kështu, kjo tregon se politika ka fuqi shumë më të madhe se çfarëdo prokurori, dhe kur do dhe për çfarë do, një politikan mund të shkojë në polici a burg dhe ta lirojë, apo edhe ta arrestojë dikë, për shkak se mundet.

Po qe se kjo është e vërtetë, kjo flet për lidhjet e ngushta mes deputetëve të, tash, partive “kundërshtare” në Kuvend, që gjithashtu mund të shërbejë si ilustrim për një ndër defektet më të mëdha të Vetëvendosjes si parti politike: anëtarësimin e më pastaj edhe kandidimin e njerëzve që i janë bashkuar VV-së jo për shkak të ideologjisë, por për shkak të fuqisë që e ka pasur inercia e votës. Kështu na e dëshmon legjislatura aktuale, nga radhët e kësaj partie, ka deputetë që e kundërshtojnë Kodin Civil, që nuk votojnë sipas disiplinës partiake, që nuk vijnë në seanca dhe për këtë nuk japin përgjegjësi.

Sido që të jetë, debati rreth picës së Kamishit u bë edhe batutë e cila u gjithpërhap në rrjete sociale e edhe në komunikimin e përditshëm. Për fat të keq, e qiti në pah një fakt jashtëzakonisht pikëllues të mbështjellë me papërgjegjësinë absolute të përfaqësuesve politikë ndaj luftës dhe pasojave që ajo i la pas.

* * *

Një ditë pas muhabetit të picave, u shënua përvjetori i masakrës së Mejës. Kjo ishte më e madhja në mesin e disa dhjetëra sish që ndodhën gjatë luftës së Kosovës. Vetë fakti se nuk po di ta përcaktoj numrin e saktë të masakrave të kryera, por tregon se ky vend nuk ka krijuar bazë të shënimeve, e as nuk e ka dokumentuar krimin e Serbisë në Kosovë, e as nuk ka krijuar një historiografi që do të mund ta përdorte sa herë do të kërcënohej nga harresa.

Ajo që të gjithë politikanët kanë bërë që nga mbarimi i luftës ka qenë të shkojnë te lapidarët apo te memorialët (mrekulli është vetë fakti se janë ndërtuar) për të vënë kurora lulesh e për ta dhënë nga një deklaratë të çastit.

Para disa vjetësh ishte krijuar një Institut për Krime Lufte dhe ai në fakt thuajse nuk u funksionalizua kurrë e më pas u mbyll. Sërish ka intencë që ai të hapet, porse jemi 25 vjet vonë dhe nuk e di se si do të mundemi me i mbledhë faktet e gjithë atij tmerri të përjetuar.

Turpi më i madh për këtë shoqëri është që as pas 25 vjetësh nuk kemi qenë në gjendje ta themelojmë bile një muze të kujtesës, a një muze të luftës, ta quajmë si të duam. Por një muze që do të përmbante eksponate e rrëfime të krimeve që kanë ndodhur.

Sikurse në secilën luftë, viktimat më të mëdha përherë është popullata civile: familje të tëra të shuara, familje që ende presin lajm për familjarët e zhdukur, njerëz që i kanë humbur të gjitha në një luftë të pabarabartë ku nuk kanë pasur as me çka të mbrohen.

* * *

Pos nonës Ferdonije që e ka shndërruar shtëpinë e saj në muze me eksponatet që u kanë takuar djemve, nuses dhe bashkëshortit të saj, do të gjendet edhe ndonjë rast, sikurse është Pokleku, ku janë ruajtur gjurmët e tmerrit. Natyrisht, shtëpitë e Jasharëve kanë një status të veçantë, sado që mbajtja e tyre është në rrezik të përhershëm, sepse u bënë shumë vjet prej kur flitej për rregullimin dhe sigurimin e tyre, por jo shumë u bë për t’i shpëtuar ato.

Pra, Prishtina si kryeqytet, nuk e ka asnjë objekt muzeor që do ta bënte prezantimin e sistemuar të shkatërrimit dhe vrasjeve të ndodhura në Kosovë. Nuk e ka as një muze virtual, që me teknologjinë e sotme të avancuar dhe me qindra ekipe produksioni ka mundur të realizohej moti, moti.

Shëtitjet e pafund të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, edhe në Washington e edhe në Jerusalem, janë dashur t’u mjaftonin që ta merrnin cilindo muze për mostër. Hajde nuk paskemi para për objekte të mëdha (ani që kemi shumë para për projekte që kurrë nuk zbatohen, sikurse ka qenë Opera Ibrahim Rugova), por mbase kemi bile pak aftësi për të “vjedhur” ide, sepse për të vjedhur para tashmë e kemi dëshmuar se jemi mjeshtër.

Kishte qenë një nismë e Komunës së Prishtinës në kohën e Mustafës kryetar, që të hapej muzeu i kujtimit te stacioni i trenit të Prishtinës. Lëre që asgjë nuk ndodhi me nismën pastaj, por dikush e mori stacionin me qira dhe nisi t’ia ndërronte pamjen për ta shndërruar në kafe a restorant. Po të mos e kishte bërë KOHA storien që shtyu ndaljen e punimeve, për pak sa nuk e humbëm një monument nën mbrojtjen e shtetit.

* * *

Kur marrim e shohim se çfarë kemi bërë për ta dokumentuar luftën, del se kemi bërë krejt pak. Librat e individëve që përshkruajnë luftën, megjithatë, janë rrëfime personale e subjektive, pavarësisht fakteve. Librat e atyre që kanë bërë hulumtime në terren, janë të rralla dhe për fat të keq nuk janë shpërndarë sa duhet nëpër adresat e atyre që bien lehtë nën ndikimin e propagandës së Serbisë.

Kosova nuk ka filma dokumentarë për luftën. Ka shumë pak filma për luftën, në përgjithësi, nuk ka një qendër të dokumentimit dhe e dyshoj shumë se e ka madje edhe evidencën e emrave të viktimave të vrara gjatë luftës. Këdo që do ta pyesni se sa njerëz janë vrarë në luftë, do t’ju thonë 10 mijë, 12 mijë a 13 mijë civilë... e familjet e dinë saktësisht se kush u mungon. Kosova nuk është aq e madhe sa të mos shkohet prej fshatit në fshat e të mblidhen shënimet shtëpi më shtëpi, e që bile e emrat e tyre të shënohen e të mos mbesin në harresë.

* * *

Likoshan e Qirez, Prekaz, Lybeniq, Poklek i Ri, Obri e Epërme, Reçak, Suharekë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë, Izbicë, Beleg, Pasatsel, Gjakovë, Rezallë, Poklek i Vjetër, Mejë & Korenicë, Studime, Qyshk, Kotlinë, Studenicë... janë 21 masakra për të cilat kam mësuar diçka pse kam dashur vetë, e jo pse kam pasur rastin t’i shoh të paraqitura në një muze.

Edhe ata që shkojnë me vendosë kurora lulesh mund t’i kenë dëgjuar si emra fshatrash... e mbase as komunën se ku janë vendosur nuk ua dinë. Ashtu siç me siguri nuk e dinë as rrëfimin e zonjës Pashke Krasniqi Markaj.

Në Mejë u vranë 376 civilë, ndër ta edhe Gjovalin dhe Milan (Dedë) Markaj. Trupat e tyre ishin gjetur në Batajnicë, katër vjet pas luftës. Disa ditë pas rivarrimit të tyre, nëna e tyre Pashka, e dogji veten për së gjalli duke i dhënë fund ankthit dhe jetës së saj.

Rrëfimet sikur ky i Pashkës nuk gjejnë vend askund, pos në kujtesën e entuziastëve që nuk lejojnë që këtë pjesë të dhimbshme të historisë ta kaplojë harresa.

[email protected]