OpEd

Kur “Manifesta” të ikë, do të mbetemi ne

Për artin, politikat kulturore dhe për shtetin, “Manifesta 14” është ngjarje ideale për ta parë veten. Edhe sikur ta linte vetëm këtë shteg, do të ishte mjaftueshëm. “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”, majë “Grandit” vazhdon të bëjë dritë në zymtësinë tonë. E qartë, Bienalja Nomade Evropiane bëri mirë që erdhi, është ngjarje e madhe, por kur ajo të ikë, do të mbetemi ne

Raporti i shtetit me artin është i njëjtë sikurse ai me “Grandin”: vëzhgues përballë procesit të dyshimtë të privatizimit, ca punimeve të lëna përgjysmë, cenimit të përditshëm të tij edhe kur në letër e shpalli monument dhe s’e mbron dot e, mbi të gjitha, pa strategji se çfarë të bëjë me të. Dhe duhet të vijë dikush prej jashtë që ta këndellë e ta cytë e t’ia hedhë shikimin. Raporti i shtetit me “Manifesta 14”, është gati i njëjtë – vëzhgues. Në parim, arti është ai që guxon e duhet të merret me politikën dhe jo e kundërta. Por në rastin e Kosovës dhe të Bienales Nomade Evropiane, nuk e gjen dot nëse një parim i tillë të jetë bërë për hir të artit e të pavarësisë së tij.

Që në fillim, kur Prishtina iu fut garës për t’u bërë nikoqire, “Manifesta” qe dyshuese në raport me shtetin. E kjo përkthehet te garancitë që u kërkuan qysh në prillin e para tre vjetëve. Një herë “garanci prej shtetit për 4,6 milionë euro”, mandej “garanci ndërkombëtare që edhe nëse ndërron pushteti politik nuk mund të ndryshohet marrëveshja pasi është garanci bankare” dhe më pas “kjo është shuma që ne duhet ta bëjmë që ‘Manifesta’ të vijë këtu”. Në emërim, një ngjarje si kjo, tingëllon e majtë. Në esencë del kapitaliste. Larg asaj – midis Vjenës e Kievit që garuan për nikoqirllëkun e sivjetmë – të vendoste në besë për kryeqytetin. Por nëse do të ekzistonte raporti midis Bienales dhe shtetit, cila është garancia që kërkoi financuesi se çfarë do të mbetet kur “Manifesta” të ikë prej “kryeqytetit historik të të rinjve”, siç do të thoshte drejtoresha e “Manifestas” Hedwig Fijen në majin e vitit 2019, apo nga “Prishtina, qytet i kontradiktave”.

“Për ‘Manifestan’ është vend ideal për ta shikuar të kaluarën dhe për t’i parë sfidat e Evropës për të ardhmen. Nëpërmjet syve të Prishtinës do ta shohim botën”, ishte konstatimi i saj, po atë ditë. Bota sot është në rrëmujë. Pak minuta më vonë, po atë ditë, i dikurshmi kryetar i Prishtinës, do të konstatonte se “Manifesta” ka dhënë përgjigjen më të rëndësishme se “Ballkani është Evropë”, “mund t’i kontribuojë debatit” dhe “se është e pavarur nga partitë dhe politikanët”. Atë ditë u zyrtarizua protokolli. Që të tre nga folësit vendorë, kishin poste politike.

Komuniteti artistik s’u pa kund. Ka një paralele midis “Manifestas” dhe Lojërave Olimpike në Paris, më 1900, pa ceremoni të hapjes e të mbylljes: shumica e atletëve as që kishin haber se po merrnin pjesë në to. Ata artistë a organizata, skenë e pavarur që do ta mbajë barrën e ruajtjes së vazhdimësisë së jetës kulturore kur “Manifesta” të ikë, në raport me po këtë ngjarje, janë si puna e super-marketeve me marketet e lagjes: as nuk mbyllen as nuk mbahen dot, se duhet të mbijetojnë.

Për artin, politikat kulturore dhe për shtetin, “Manifesta 14” është ideale për ta parë veten. Edhe sikur ta linte vetëm këtë shteg, do të ishte mjaftueshëm.

Shenjat janë dhënë qysh në hapje, në ceremoni, me pjesëmarrjen e krejt karvanit të politikës, fjalimeve “në anglisht” dhe të garës se kush e solli. Që të tre nga folësit vendorë, ishin në postet më të larta politike. Dhe ky është vetëm njëri kapitull ardhjes së Bienales në Kosovën “oazë të gjelbër në Ballkan”. Por s’iu shpjegua dot se po ky vend, nuk është ishull i pashkelur prej artit. S’ia shpjegoi dot as ekipi vendor, jo pak jeshil. S’e sheh kund as vizitori i cili që në javën e parë është shndërruar në shifër.

* * *

“Hotel Grand”, është pika qendrore e “Manifesta 14” prej 25 stacioneve ku shtrihet për 100 ditë. Shkronjat në majë – vepër arti më vete, identifikuese edhe për vetë objektin, realizuar prej Shyqri Nimanit – i janë zëvendësuar me “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin” nga Petrit Halilaj, me 27 yjet që shndrisin herë në sinkron e herë të çakorduar dhe ca të tjerë që marrin turr teposhtë. Zbërthimet janë të shumëfishta. Prej tyre, ai realist është ndjellja e shpresës – fjalia është titulli që artisti e huazon prej hartimit të një 12-vjeçareje shkruar fill pas luftës – por të pikturuarit e qiellit, në semantikë është utopi. Me fjalë të tjera punë që s’bëhet. Vepra është mbresëlënëse edhe në koncept njashtu si estetikisht, por e frikshme nëse i jepet pesha e parashikimit për “pikturim të qiellit”.

Kur “Manifesta” e shënjestroi “Grandin”, atë e gjeti të zhveshur prej artit brenda tij, atij që e bën monument. Në janarin e vjetëm, 125 veprat e shpronësuara që zbukuronin dikur hotelin 45-vjeçar me 372 dhoma u bartën në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Sot mbahen në bodrumin e saj, s’i sheh kush, as vizitorët e “Manifesta 14”. Se dikur edhe aty ka pasur vepra arti, u shpjegohet kalimthi me ca fotografi, por për një të huaj, zbërthimi i këtij muhabeti është hapje vrimash në ujë ose pikturim i qiellit. Nëse do të zbërthehej rrëfimi në tërësi, do të kuptohej se qasja e shtetit ndaj artit është po ajo sikurse ndaj “Grandit” dhe e veprave të tij prej të cilave edhe shumë të tjera mungojnë. Dhe shteti fshihet prapa pavarësisë së “Manifestas”, së cilës kryeministri ia hapi mundësinë “që për 100 ditë edhe të qeverisë me Qeverinë e tij”, qoftë kjo edhe si metaforë.

Bienalja Nomade e zgjodhi Prishtinën me qendrën e saj që është “udhëkryq midis perëndimit dhe lindjes së Evropës”. E qartë dhe e pranueshme, arkitektonisht është e tillë. Por “Manifesta” prej jashtë vjen për investigim “se si kultura kontemporane mund të adresojë identitetin e këtij vendi”. Në arkitekturë – pos ca pastrimeve të objekteve të harruara prej nesh dhe ca vijave në rrugicën e kafehaneve – nuk prek gjë, sepse shtrihet në monumente. E në art këtë e bën me shkëputje. Mburret në përqindje artistësh vendorë pjesëmarrës dhe nëse nëpërmjet kësaj synon identitetin artistik, atë s’e nxjerr në udhëkryq siç është arkitektura, por e fut në rrugë pa dalje. Sepse identiteti, artistik apo çfarëdo qoftë ai, nuk krijohet prej sot dhe për 100 ditë. Arti është vazhdimësi dhe kjo e bën identitet. Nëse këtë s’e ka pasur për synim “Manifesta 14”, atëherë për këtë pjesë do të duhej të përkujdesej shteti që ka zgjedhur të bëhet spektator. Më e pakta që do të mund të bënte, do të ishte të mos vetëmjaftohej me financimin e një alamet ngjarjeje, por të kujdesej që vizitorëve të shumtë të huaj, t’ua shfaqte edhe anën tjetër. Për shembull, se në këto anë, banorë të këtij vendi kanë lënë vepra arti që datojnë pesë mijë e kusur vjet (Vlashnje), se kanë skulpturuar hyjnesha këtu e para shtatë mijë vjetësh, a që para dy mijë vjetësh i kanë zbukuruar rezidencat me dysheme mozaikësh si puna e Dresnikut.

Në guidat që ofron, “Manifesta 14” përzgjedh atë që do, e institucionet e shtetit s’e bëjnë atë që do të mund të bënin, qoftë një guidë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës pa ciceronë. Në hartën e ngjarjeve, është edhe Hamami i Madh i Prishtinës, marrja jonë e qasjes ndaj monumenteve, i betonuar kur iu la në dorë “Dajës Rrahë”, siç u quajt kompania së cilës iu besua restaurimi, e që më freskët, desh u bë muze i sulltanit kur fondet e projekti vijnë prej jashtë.

* * *

“Manifesta 14” erdhi në Prishtinë me mision për ta dëshmuar se “ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe” – e shpalosur prej Chatherine Nichols, ndërmjetësuese kreative – se “rrëfimtaria nuk është thjesht çështje e historiografisë”, se ajo “është më shumë strategji qenësore e mbijetesës”. Nëse rrëfimtaria nuk është çështje e historiografisë, atëherë çdo gjë nis nga e tashmja, s’ka as histori, as gjeneratë të vjetër artistësh, as pionierë të modernizmit në këto anë, as galeri që i rezistonin regjimit kur zhvendoseshin në kafehane, as...

Nëse deri në vjeshtë, “Manifesta 14” ia del ta zbërthejë qoftë edhe atë se “çfarë botësh bota botëron” do të ishte arritje. Por me zbërthime si këto, ka rrezik që vizitori, edhe prizat a një paçavure të harruar diku në qoshe të hotelit, t’i kundrojë si vepra arti. Larg asaj që veprat të cilat i shpalos kjo Bienale e madhe, janë të tilla. Ka bërë bashkë alamet artistësh, edhe vendorë, që emrin e Kosovës e kanë çuar në majat e artit botëror. Por shteti, politika dhe ne bashkë me të, marrim turr t’ia dëshmojmë botës se çfarë do të bëhemi, pa i treguar se kush jemi. Dhe pa fajin e “Manifestas”, ia konfirmojmë Theodor Adornos, se industria e kulturës, prej qenies së pavarur sociale, prodhon konsumatorin pasiv.

* * *

“Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” vazhdon të bëjë dritë në zymtësinë tonë. Nëse shteti s’e nxjerr qoftë edhe një mësim, që shkëlqimin e “Grandit” ta rikthejë vetë duke e shndërruar atë në muze të artit bashkëkohor, do të na mbeten vetëm fotografitë pa mësuar se “si të rrëfejmë tregime ndryshe”. Ama ta bëjë muze, bashkë “Gratë e Dukagjinit” të Muslim Mulliqit, mozaiku i cili prej vitit 1978 rri strukur në murin e kafehanes së katit përdhese të hotelit, e tek i cili sot vizitorin nuk e çojnë shigjetat e “Manifestas”. Dhe atij t’i bashkohen edhe veprat e shokëve të tij. Sepse kur “Manifesta” të ikë, do të mbetemi ne.