Në romanin e tij "Zgjerimi", shkrimtari austriak Robert Menasse përshkruan betejën e Shqipërisë për t'u integruar në BE. Në këtë betejë luan rol edhe helmeta e Skënderbeut, (vetë)mashtrimet shqiptare dhe intrigat evropiane. Aty-këtu në roman dominojnë disa klishe mbi shqiptarët, por në përgjithësi kjo vepër është një parodi zbavitëse dhe shpeshherë afër realitetit
Robert Menasse është dashamirës i Evropës. Ëndërrimtar nga Austria. Shkrimtar me talent hulumtues. Menasse do të ishte bërë edhe gazetar i mirë. Më 2017 Menasse botoi romanin "Kryeqyteti" - një gërmim letrar në labirintet e institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Në 459 faqe Menasse shpalos materialin e tij, një përpjekje e suksesshme që burokracia monotone e Brukselit të kthehet në një organizëm të gjallë.
Tani Menasse ka botuar romanin "Zgjerimi", si të thuash vazhdimin e "Kryeqytetit". Dhe në qendër të romanit të tij është Shqipëria. Për të hulumtuar mbi projektin e tij letrar Menasse ka vizituar disa herë Shqipërinë, madje Universiteti i Vlorës më 2019 e ka nderuar me titullin "Doctor Honoris Causa". Cinikët thonë se njerëzit që kalojnë andej nga Vlora rrezikojnë tri gjëra: mund të goditen nga veturat e shpejta me shoferë të papërgjegjshëm, mund të shpallen "doktor nderi" ose "qytetar nderi". Menasse ka shpëtuar lehtë.
Thënë shkurt: në romanin e tij të fundit Menasse fokusohet te Polonia, e cila ka hyrë në BE, përfiton prej saj dhe s'e çan kokën mbi ato që quhen vlera evropiane, për shembull sundimi i ligjit. Në anën tjetër është Shqipëria, e cila përpiqet t’i plotësojë kushtet për të hyrë në BE, por më kot. Zyrtarët konservatorë dhe superkatolikë polakë janë skeptikë për shkak se Shqipëria, sipas tyre, është vend mysliman. Skeptik është edhe presidenti i Francës, i cili bllokon integrimin e Shqipërisë në BE. Situata eskalon deri në atë masë, saqë kryeministri i Shqipërisë gjatë një bisede telefonike i thotë kryetarit francez "ta dhjefsha surratin".
Pastaj bajraktari i Tiranës e poshtëron një gazetare franceze, e cila vjen për ta intervistuar, së pari e lë të presë para zyrës, mandej i jep disa përgjigje bizare dhe në mënyrë demonstrative tregon se sa i shkojnë në nerva pyetjet. Kryeministri është edhe basketbollist. Luan basketboll në oborrin e Kryeministrisë, ndërsa ekipi i tij, shumica servilë pa dinjitet, përpiqen ta mbajnë të disponuar, përfshirë edhe intrigat kundër opozitës, e cila nuk ia lëshon rrugën partisë në pushtet në garën për t'u dukur sa më "patriotike".
Vetëm dashakeqëve mund t'u shkojë mendja se figura letrare e kryeministrit është e ngjashme me kryeministrin real të Shqipërisë. Afër kryeministrit letrar qëndron këshilltari i tij, poeti i famshëm Fate Vasa, i cili ka këtë ide: Shqipëria të kërkojë nga Austria kthimin e helmetës së Skënderbeut. Në një ceremoni në Tiranë përkrenarja e heroit nacional shqiptar do t'i vendosej në kokë kryeministrit dhe kështu ai do të shpallej udhëheqës i krejt shqiptarëve të Ballkanit, plus i atyre në Italinë jugore, në Greqi, në Gjermani dhe në Shqipëri.
Qëllimi i këtij aksioni patriotik s'ka të bëjë bash asgjë me patriotizëm: është një përpjekje qesharake që duke kërcënuar me ndryshim të kufijve në Ballkan të shantazhohet BE-ja për t’i nisur bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë. Në cilindrin e tij kryeministri dhe ekipi i tij kanë edhe ide të tjera. Për shembull themelimin e njëfarë unioni të shteteve ballkanike si kundërpërgjigje ndaj Evropës. "BE-ja është e pavendosur nëse do të na pranojë? Ndoshta ne së shpejti duhet të shqyrtojmë nëse duam ta pranojmë BE-në në unionin tonë", thotë një zë në roman. Megalomania ballkanike nuk ka kufij! Kështu Menasse e spërkat me acid gjuhësor tallës "Ballkanin e Hapur".
Ideja për sjelljen e helmetës së Skënderbeut në Shqipëri merr përmasa të një satire kriminalistike. Helmetën e vjedhin njerëz të panjohur nga muzeu në Vjenë, njëkohësisht në Tiranë Fate Vasa, këshilltari i vogël me plane të mëdha propozon që një farkëtar i njohur shqiptar të punojë një helmetë të ngjashme me atë që gjendet në Vjenë dhe sipas përmasave të kokës së kryeministrit. "A ka pasur BE-ja një simbol të unitetit të saj?", thuhet në roman: "Jo. Shqiptarët kanë pasur një, këtë helmetë". Një popull që pret "Evropën" dhe shpeshherë mjaftohet duke këqyrur brirët e dhisë mbi përkrenaren e Skënderbeut.
Përmes labirinteve të lëvizjes së helmetës - asaj origjinale në Vjenë, për të cilën nuk ka dëshmi se është origjinale dhe kopjes së punuar nga farkëtari në Tiranë - Menasse nxjerr në skenën e tij letrare zëdhënësin e Qeverisë Ismail Lani (i cili dikur i humb nervat dhe s'do të jetë mashë në duart e propagandistëve të qeverisë), zonjën Mercedes, e cila duket se në kabinetin e kryeministrit është përgjegjëse për llafe, kafe dhe raki, shefin e policisë shqiptare, këshilltarë të llojllojshëm, zyrtarë të BE-së dhe Baia Muniq Kongolin, kryetare e Komisionit parlamentar për reformën në drejtësi. Baia Muniq quhet kështu sepse babai i saj është adhurues i flakët i ekipit të futbollit Bayern München. Karl Auer, një figurë tjetër e romanit, është diplomat austriak, i cili punon në drejtorinë e zgjerimit të BE-së në Bruksel. Ai është përgjegjës për Shqipërinë. Ai zemërohet me polakët që bllokojnë Shqipërinë. Dhe ai, pra Karl Aueri, dashurohet në Baia Muniqin. Në roman defilojnë rreth dhjetë personazhe kryesore dhe rreth dhjetë personazhe dytësore. Nganjëherë orientimi nuk është i lehtë.
Në disa pjesë të romanit dominon toni shpjegues etnografik. Menasse sikur dëshiron t'i tregojë lexuesit se vërtet ka lexuar shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, andaj në këtë roman voluminoz (653 faqe!) nuk mungon asgjë, as klishetë: duke filluar nga burrneshat, një fenomen periferik i lartësuar në mediat perëndimore kryesisht nga gazetaret e regjisoret bjerraditëse, pastaj "tradita e gjakmarrjes", divizioni Skanderbeg (me disa teprime letrare), shpëtimi i hebrenjve nga familjet shqiptare (këtu Menasse përshkruan me shumë empati besën shqiptare dhe rastin e një familjeje shqiptare që ua dorëzon nazistëve të birin e saj për të shpëtuar një djalë hebre), mafia shqiptare e lidhur me atë në Italinë jugore, e cila del të jetë po ashtu me origjinë shqiptare (arbëreshët!). Më pak material në këtë roman do të ishte më shumë: më shumë cilësi letrare. Megjithatë, kjo vepër, ky roman i ri i Robert Menasses është një parodi zbavitëse dhe shpeshherë afër realitetit.
Në fund të romanit krejt elita evropiane mblidhet në anijen "SS Skanderbeg" (SS domethënë Sailing ship) dhe pas nisjes nga Durrësi përfundon duke u sjellë si fantazmë në Mesdhe. Për shkak të një epidemie në anije, asnjë port nuk i jep leje për ankorim. Para brigjeve të Afrikës Veriore elita evropiane përballet me realitetin e egër: një varkë me refugjatë që fundoset dhe burokratët që gjenden para dilemës - t'i shpëtojnë apo jo ardhacakët. Në krejt këtë tollovi, sikur harrohet se në anije gjenden të dy helmetat e Skënderbeut, pasi kanë kaluar nëpër duar të ndryshme. E tepërt të thuhet se përpjekja për t'i bërë presion Evropës duke (keq)përdorur helmetën e Gjergj Kastriotit dështon në mënyrë sa të turpshme, po aq edhe qesharake.