Dje e dëgjuam edhe një deklaratë brengosëse nga Edi Rampa. Ai deklaroi se "Ballkani i Hapur më në fund po e heq kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë". Duhesh të jesh një injorant par excellence që të deklarosh diçka të tillë. Thënë ndryshe, është një thikë pas shpinës për Kosovën. Kjo deklaratë në vete e nënkupton faktin se Edi Rampa, me apo "pa vetëdije", e do apo e sheh Kosovën në kushtetutën aktuale të Serbisë. Përndryshe (me faktin e mospranimit të Kosovës për të qenë pjesëmarrëse e kësaj marrëveshjeje), mendja e shëndoshë nuk ka se si ta interpretojë ndryshe këtë deklaratë cinike dhe të pakripë. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u hoq në pranverën e vitit 1999, kur UÇK-ja e theu atë kufi ndarës ndërmjet shqiptarëve, përderisa ti Edi Rampa ishe ministër i Kulturës. Epo, ja që lufta edhe kultura nuk shkuakan bashkë. Ti dëshiron ta harrosh të kaluarën, ndërsa ne atë kohë ishim të deprivuar nga çfarëdo aktiviteti kulturor për më shumë se 10 vjet. Po qe se ti mendon se je aq elokuent dhe i tejzgjuar që shqiptarët kosovarë ty të mos mund të të kuptojnë, gabohesh sa je i madh. E, siç e ke thënë edhe vetë ti, "nuk je i prirë për gjëra mini, edhe fizikusin nuk e ke të tillë". Prandaj, ti kur gabon e bën jashtëqitjen sa stomi
Kaloi edhe një javë kakofonike me temat e shumëpërsëritura gjatë këtyre ditëve.
Gregor Bregoviqi dhe performimi i tij në Korçë, Open Balkani i Edi Rampës, zjarret rreth Kalimashit dhe "vonesa" e FSK-së dhe njësive zjarrfikëse nga Republika e Kosovës për shuarjen e tyre.
Ajo e cila mungon dhe i ndërlidh që të tria këto tema apo situata është empatia – më saktë mungesa e empatisë.
Nëse komshiut i ka ndodhur një tragjedi, ti ke kujdes që të mos e shqetësosh atë me ahengjet tua. Aq më pak kur i di arsyet të cilat e kanë shkaktuar atë tragjedi, e aq më pak do ta shqetësoje po qe se ai komshi do të ishte dikush të cilit i referohesh si vëlla apo motër. Kjo quhet empati.
Dje e dëgjuam edhe një deklaratë brengosëse nga Edi Rampa. Ai deklaroi se "Ballkani i Hapur më në fund po e heq kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë". Duhesh të jesh një injorant par excellence që të deklarosh diçka të tillë. Thënë ndryshe, është një thikë pas shpinës për Kosovën. Kjo deklaratë në vete e nënkupton faktin se Edi Rampa, me apo "pa vetëdije", e do apo e sheh Kosovën në kushtetutën aktuale të Serbisë. Përndryshe (me faktin e mospranimit të Kosovës për të qenë pjesëmarrëse e kësaj marrëveshjeje), mendja e shëndoshë nuk ka se si ta interpretojë ndryshe këtë deklaratë cinike dhe të pakripë.
Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u hoq në pranverën e vitit 1999, kur UÇK-ja e theu atë kufi ndarës ndërmjet shqiptarëve, përderisa ti Edi Rampa ishe ministër i Kulturës. Epo, ja që lufta edhe kultura nuk shkuakan bashkë. Ti dëshiron ta harrosh të kaluarën, ndërsa ne atë kohë ishim të deprivuar nga çfarëdo aktiviteti kulturor për më shumë se 10 vjet. Po qe se ti mendon se je aq elokuent dhe i tejzgjuar që shqiptarët kosovarë ty të mos mund të të kuptojnë, gabohesh sa je i madh. E, siç e ke thënë edhe vetë ti, "nuk je i prirë për gjëra mini, edhe fizikusin nuk e ke të tillë". Prandaj, ti kur gabon e bën jashtëqitjen sa stomi.
Mënyra jote cinike për ta harruar dhe mohuar të kaluarën nuk kalon nga mendjet e kthjellëta shqiptare.
Po mirë ore, kjo është rruga që e ke zgjedhur, qafën e thefsh së bashku me të gjithë ata që të përkrahin në këtë nismë dhe ata me të cilët ke bërë marrëveshje. Rruga e mbarë ju qoftë! Kufiri Shqipëri-Serbi u thye, por duhet t’i bini nëpërmjet Maqedonisë Veriore për Ballkanin tuaj të kapur. Ti, Vuçiqi dhe Zaevi shikoni nga e ardhmja, harrojeni të kaluarën, ndërsa Kosova ka ende llogari të papërfunduara të cilat historikisht i janë përsëritur nga po i njëjti agresor.
Ne po e dimë që ti po e amniston Vuçiqin, por ne atë nuk ia kemi për borxh. Pjesa e dhimbshme është pse atë amnisti ti e bën duke shkelur në plagët kosovare të shkaktuara pikërisht edhe nga ky njeri me të cilin ti bën marrëveshje.
Por, Edi Rampa, ti duhesh ta mbash ndërmend një gjë. Edi Rampat vijnë e shkojnë, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët do të mbesin sa të jetë bota.
Edhe Haxhi Qamili e kërkonte Açik Ballkanin me Sulltanin, por ja që iku nga kjo botë si qeni me bisht ndër vegët e tija. Edhe Esat Pasha me Pashiqin, e kështu me radhë. Kemi ne mjaft shqipfolës në plehrat e historisë – si duket riciklimin e kemi zbuluar ne shqiptarët, sepse çdo 50 vjet na mbin nga një i tillë. Por, plehu historik do të ketë vend për të gjithë ju.
Ridhimbja e kombit do të jetë ajo për çka ti do të kujtohesh.
Aq për ty, më shumë fjalë nuk meriton.
Ashtu siç po shkojnë gjërat dhe trendët e rinj me virusin COVID-19, jemi dëshmitarë se numrat e të infektuarve prapë janë në rritje. Në Mbretërinë e Bashkuar po shënohen 20,000+ raste në ditë dhe 100+ vdekshmëria qe disa ditë me radhë. Pritshmëritë e virologëve dhe shkencëtarëve janë se shtatori dhe tetori mund të jenë muajt e një vale të re të pandemisë dhe nuk përjashtohet edhe ndonjë variant i ri i saj përveç këtij variantit Delta, i cili po vepron aktualisht.
Mirëpo se a do të hyjë Britania e Madhe në një mbyllje të re po qe se ky trend shkon duke rritur numrat e të infektuarve, mbetet të shihet. Një gjë u kuptua: vendimet politike të qeverive për pandeminë shumë herë ishin absurde, përderisa vetë kasta qeveritare i shkelte ato rregulla.
Sigurisht lexuesit kosovar kjo gjithashtu i duket diçka e njohshme, e edhe cilitdo lexues kudo qoftë ai.
Siç po shihet, ky virus do të jetë në mesin tonë për një kohë të gjatë dhe ne duhet të mësohemi të jetojmë me të në mesin tonë, duke marrë disa nga masat mbrojtëse siç janë bartja e maskave e pastrimi i shpeshtë i duarve. Kështu do të ndodhë derisa shkencëtarët nuk e zbulojnë vaksinën apo medikamentin i cili përfundimisht do ta mbrojë njeriun nga infektimi me këtë virus.
Përndryshe, nuk kam se si ta anashkaloj edhe lajmin më bombastik në rrjetet sociale ditëve të fundit. Bëhet fjalë për largimin e Lionel Messit nga FC Barcelona dhe bashkëngjitjen e tij klubit Paris Saint Germaine. Duke e njohur tifozërinë "besnike" të futbollit, pres dyndje masive të tyre nga FC Barcelona te Paris Saint Germaine. Dhe, siç do të thoshte ai i moçmi, "askush nuk të pyet se kush ke qenë, por kush je". Me rëndësi topi i rrumbullakët, edhe mundësisht me i qëllu tiketat e bastoreve. Nuk ka biznes sikur show biznesi.
Qershia mbi tortë në Ditarin tim do të jetë tema tashmë gati e heshtur e incizimit të gazetarit të Insajderit, Visar Duriqit.
Deklaratat e Insajderit dhe gazetarit se incizimet ishin të montuara nuk pinë ujë dhe atë do t’ua thotë secili njohës sado i vogël, i cili ka njohuri të audioincizimeve digjitale. Çdo gjë ishte konsistente dhe nuk kishte asnjë shkëputje të audiopjesëve apo kombinime dhe editime të ndryshme. Ishte thjesht një bisedë që ishte bërë dhe ka rastisur që ajo qenka regjistruar. Shih ti çudinë, nuk e ka regjistruar gazetari mirëpo pala tjetër e apostrofuar se është i përfshirë në krime të shumta dhe të ndryshme. E ajo që kuptohet nga biseda e gazetarit e shpalos atë të cilën unë aq shpesh e kam cekur në Ditarin tim dhe e kam quajtur gazetari mercenare.
Unë atë gjë e kam kuptuar qëmoti dhe të tillën e luftoj pamëshirshëm dhe mbes mbështetës dhe përkrahës i një gazetarie të mirëfilltë profesionale. Gazetarët milionerë janë shenja ogurzeza për një shtet dhe shoqëri. E të tillët nuk janë të paktë në shoqërinë tonë.
Nuk më intereson aspak se a ishin këto publikime hakmarrje midis ish-partnerëve mediatikë. Ajo pjesë e cila mua dhe publikut na intereson është mënyra se si gatuhen edhe porositen lajmet në Kosovë.
Pak a shumë njëjtë si flijat. Bëjmë flija me porosi. Tak lekun, tak byrekun.
Sikurse edhe secila veprimtari tjetër e devalvuar në atë Kosovën e shkretë, edhe gazetaria ka shumë punë për të bërë për t’i spastruar radhët e veta. Por, është paksa problematike kur një pjesë e këtyre gjeneratave të reja të gazetarëve për muzë e kanë pasur Baglon Haxhiun, i cili ndoshta ishte i pari i cili bagloi nëpër këtë zanat të shenjtë dhe u shit te djalli.
Profesorë që shkelin normat e një ligjëruesi, edukatori dhe pedagogu, gjyqtarë të korruptuar, mjekë të korruptuar, zinxhir komandues policor i korruptuar, gazetarë të korruptuar, drejtorë ndërmarrjesh të korruptuara, biznesmenë që korruptojnë dhe ata të cilët rëndom gjenden në krye të valles, politikanët e korruptuar.
E mjerë është ajo shoqëri që në vete i mbërthen këto simptoma, se COVID-it një ditë i gjendet edhe çareja.